“Arkiva kërkon zgjidhje urgjente”, Prokurori i Përgjithshëm raporton në KLP: Të mbikëqyret disiplina në punë e oficerëve gjyqësorë, ka ankesa nga qytetarët

CelaProkurori i Përgjithshëm, Olsian Çela po raporton këtë të martë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

“Në funksion të ruajtjes së nivelit të efektivitetit në veprimtarinë administrative e funksionale të prokurorive, garantimin e paanshmërisë dhe shpërndarjen e ekuilibruar të volumit të punës me urdhrat nr. 18, datë 30.01.2024 dhe nr. 19, datë 30.01.2024, të Prokurorit të Përgjithshëm, janë caktuar strukturat organike të prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

 Në vitin 2024 numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ka qenë 209. Ky tregues evidenton strukturën faktike me 65 % të prokurorëve kundrejt numrit organik prej 321 prokurorësh dhe mungesën e 35 % të numrit të prokurorëve. Në këtë vështrim, gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas niveleve të prokurorive ka qenë: 185  prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ose 98 prokurorë më pak krahasuar me numrin organik (65 % e strukturës organike); 11 prokurorë në prokurorinë pranë Gjykatës të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ose 9 prokuror më pak krahasuar me numrin organik (55 % e strukturës organike) dhe 11 prokurorë dhe 2 ndihmës magjistratë në Prokurorinë e Përgjithshme ose 7 prokurorë më pak se numri organik (61 % e strukturës organike)”, theksoi ai.

“Në kuadrin e mbikëqyrjes së zbatimit të udhëzimeve të përgjithshme dhe kujdesit për ushtrimin e kompetencave kushtetuese dhe ligjore të prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm u ka kërkuar periodikisht informacione drejtuesve të prokurorive me juridiksion të përgjithshëm për masat e marra në zbatim të kompetencave ligjore të tyre, nëse kanë nxjerrë udhëzime të përgjithshme për të lehtësuar zbatimin e udhëzimeve të Prokurorit të Përgjithshëm, për kërkimin e informacionit për ecurinë e procedimeve dhe/ose për nxjerrjen e udhëzimeve jo të detyrueshme për prokurorët lidhur me çështje konkrete, apo nxjerrjen e urdhrave për policinë gjyqësore lidhur me ushtrimin e funksioneve të tyre. Ndërkohë, në mënyrë të vazhdueshme janë zhvilluar analiza bazuar në informacionin statistikor që merret periodikisht nga prokuroritë dhe administrohet nga Prokuroria e Përgjithshme.

Për sa më sipër, vërehet se drejtuesit kanë marrë masa për njohjen me udhëzimet e Prokurorit të Përgjithshëm, organizimin e mbledhjeve me qëllim diskutimin e tyre, nxjerrjen e udhëzimeve dhe urdhrave me qëllim lehtësimin e zbatimit të tyre ose orientimin për zbatimin e drejtpërdrejtë nga prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore.

Ndërkaq nga ana tjetër, në veprimtarinë e drejtuesve konstatohet nxjerrja e një numri relativisht të ulët udhëzimesh jo të detyrueshme për çështje konkrete dhe kërkesash për informacion për ecurinë e çështjeve dhe veprimtarinë e punës së seksioneve.

Po kështu, treguesit lidhur me rolin aktiv të prokurorit sa i përket rritjes së hetimeve kryesisht, hetimeve paralele financiare, hetimeve proaktive me rezultate efektive hetimore, tërheqin vemendjen për nevojën e forcimit dhe shtimit të kapaciteteve, rritjen e bashkëpunimit efektiv me organet e tjera ligjzbatuese dhe angazhimin më të lartë nga ana e prokurorëve. Plotësimi i organikave ne prokurorë të rinj në 2025 besojmë se do kontribuojë pozitivisht në këtë drejtim.

Edhe gjatë vitit 2024, megjithë përpjekjet e bëra prej tyre, konstatohet e njëjta problematikë në koordinimin efikas me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në kuadër të kërkesave për informacion dhe mbështetjes me të dhëna të sakta e të plota.

Një tjetër problem mbetet mbikëqyrja e ngarkesës, performancës dhe disiplinës në punë  e oficerëve të policisë gjyqësore, ku duhet tërhequr vëmendja e drejtuesve dhe prokurorëve për të ushtruar aktivisht dhe në mënyrë të vazhdueshme autoritetin drejtues dhe kontrollues mbi policinë gjyqësore në përputhje me kompetencat e dhëna nga ligji.

Nisur edhe nga ankesat e qytetarëve apo raporte të institucioneve/organizatave monitoruese të të drejtave të njeriut, rezulton se duhet përmirësuar cilësia e komunikimit me qytetarët në drejtim të dhënies së informacionit të kërkuar prej tyre në kuadër të hetimeve penale.

Në një pjesë të prokurorive ka nevojë për një aplikim më efikas të Udhëzimit të Përgjithshëm nr. 15/2020 dhe Memorandumit të Bashkëpunimit me Policinë e Shtetit mbi trajtimin e njoftimit të viktimës akuzuese sipas nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale dhe referimeve të tjera që dukshëm nuk përmbajnë elementë të një vepre penale, që ndikon në uljen e ngarkesës së punës. Janë 5910 materiale që u arkivuan gjatë vitit që kaloi mbështetur në këtë udhëzim, që përbën pothuaj 10 % të totalit të materialeve të trajtuara nga prokurorët në vitin 2024.

Në kuadrin e hartës së re gjyqësore, Prokuroria e Përgjithshme ka vazhduar koordinimin me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Ministrinë e Drejtësisë për zgjidhjen e çështjeve në drejtim të infrastrukturës. Nga ana jonë janë planifikuar disa masa që për realizimin e tyre kërkojnë angazhim ndërinstitucional. Ka përfunduar detyra e projektimit në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Prokurorinë Tiranë, për ndërtimin e një godine të re akomodimi për të gjitha institucionet e sipërcituara.

Së bashku më Këshillin e Lartë Gjyqësor i kemi drejtuar një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë për sigurimin e një sheshi ndërtimi, në mënyrë që të vijohet me hartimin e projektit, por si çështja e terrenit dhe e financimit mbeten ende të pazgjidhura, ndërkohë që nevoja për marrjen e masave konkrete është tejet urgjente. Gjatë vitit 2024 përfundoi me sukses rikonstruksioni i Prokurorisë Dibër, që ofron tashmë hapësira të mjaftueshme për ushtrimin normal të aktivitetit. Gjatë vitit 2025 do të përfundojnë investimet në prokuroritë Fier, Gjirokastër, Vlorë dhe Durrës, ku janë zgjeruar ambientet në këto prokurori në zbatim të marrëveshjes me KLGJ dhe Ministrinë e Drejtësisë. Edhe pas këtyre masave, problem do të vijojnë të mbeten Prokuroria Durrës dhe ajo Sarandë, ku ambientet ekzistuese janë të pamjaftueshme nëse do të plotësoheshin organikat.

Problem urgjent që mbetet për t’u zgjidhur është ai që lidhet me arkivat, ku situata vazhdon të rëndohet, edhe pse nga ana jonë janë marrë masa administrative në këtë drejtim, duke kthyer në hapësira arkivore një pjesë të godinave të prokurorive që pushuan së vijuari aktivitetin për shkak të hartës së re gjyqësore, por edhe përmes seleksionimit të materialeve me vlerë arkivore në përputhje me kuadrin ligjor përkatës, duke punuar ngushtësisht me prokuroritë e rretheve gjyqësore në këtë drejtim. Vlerësoj se ka nevojë për ndërhyrje ligjore në lidhje me përcaktimin e saktë të periudhës së ruajtjes së dosjeve penale, sipas praktikave më të mira evropiane, si dhe për marrjen e masave ndërinstitucionale adeguate për  sigurim të infrastrukturës që do të mundësojë ruajtjen e tyre.

Prokuroria e Përgjithshme e konsideron me rëndësi të veçantë për rritjen e efektivitetit së punës, ngritjen dhe funksionimin e sistemit të menaxhimit të çështjeve.

Sistemi i ri i Menaxhimit të Çështjeve në prokurori, po mbështetet nga Bashkimi Evropian. Për këtë qëllim, Prokurori i Përgjithshëm me urdhrin nr. 04 datë 04.01.2024 ngriti grupin e punës me ekspertë prokurorë nga të gjithë nivelet e prokurorive me juridiksion të përgjithshëm, me qëllim për sigurimin e mbështetjes së nevojshme në krijimin e sistemit të ri të menaxhimit të çështjeve. Në muajin tetor 2024 është nënshkruar marrëveshja midis BE-së dhe UNOPS-it për implementimin e sistemit CAMS dhe komponentëve të tjerë që lidhen me këtë sistem. Gjatë vitit 2024 janë zhvilluar disa takime me përfaqësues të UNOPS dhe grupit të punës. Në takimin e zhvilluar në datë 05.11.2024 u prezantuan fazat dhe afatet e projektit, duke nisur kështu formalizimi i bashkëpunimit dhe punës për ndërtimin dhe implementimin e këtij sistemi të rëndësishëm. Prokuroria e Përgjithshme ka siguruar angazhim të plotë për të adresuar të gjitha nevojat për një sistem efikas dhe mbështetje në plotësimin e kërkesave të tjera të nevojshme për implementimin e projektit.

Sa i përket bashkëpunimit me Qendrën e Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë, edhe gjatë vitit 2024 është vijuar me hartimin e udhërrëfyesit për ngritjen e sistemeve elektronike të sistemit të drejtësisë. Grupi ndërinstitucional i punës ka zhvilluar takime periodike mujore për këtë qëllim dhe pritet finalizimi dhe miratimi i tij brenda vitit 2025.

Gjejmë me vend të përmendim këtu se nga strukturat e Prokurorisë së Përgjithshme u punua në drejtim të zhvillimit teknologjik të sistemit e-PRESTO duke synuar zgjidhjen në mënyrë efektive të problematikave teknike të mëparshme për të garantuar maksimalisht saktësinë dhe plotësinë e statistikave të gjeneruara nga sistemi, si dhe zhvillimin e rubrikave/referencave të tij në përputhje me standardet ndërkombëtare të MONEYVAL.  Sistemi u përfundua në përputhje me kërkesat funksionale dhe mundëson gjenerimin e të dhënave, hedhja e të cilave do të ndiqet me kujdes e prioritet të veçantë për shkak të rëndësisë që ka për procesin e Raundit të VI-të të vlerësimit të Shqipërisë që nis në vitin 2025”, shtoi Çela.

Top Channel

Familjet e viktimave të tragjedisë së Koçanit mbajnë marshin e parë protestues në Shkup

protesta-para-parlamentit-per-kocaninNjë “Marsh për Engjëjt” do të mbahet sot në Shkup, i organizuar nga familjet e viktimave nga zjarri tragjik në Koçan.

Organizatorët njoftojnë se marshimi do të fillojë para Prokurorisë në orën 12:05, si simbol i, siç thonë ata, reagimit të vonuar të institucioneve, do të vazhdojë drejt “Sheshit Maqedonia” dhe do të përfundojë para Kuvendit.

“Meritojmë përgjigje, nuk jemi ekspertë në ligj dhe procedurat ligjore dhe për këtë arsye nuk e kuptojmë se si ekspertët e ligjit i ndalojnë dhe më pas i lirojnë. A janë ata të vetëdijshëm për besimin tashmë tërësisht të tronditur në punën aktuale institucionale me “kap dhe liro”, pa një shpjegim të qartë për atë procedurë ligjore, dhe atë që po krijohet në mendjet tona që janë në prag të vetë-shkatërrimit”, thuhet në thirrjen e familjarëve.

Në thirrje, ata theksojnë se do të vazhdojnë të kërkojnë përgjigje në lidhje me vdekjet e fëmijëve të tyre, dhe u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve të vendit të marrin pjesë.

alsat

Konklava për zgjedhjen e Papës të ri fillon më 7 maj

KonklavaVatikani njoftoi se konklava për zgjedhjen e Papës të ri do të fillojë më 7 maj. Gjatë kësaj kohe kontakti me botën e jashtme është rreptësisht i ndaluar.

Pas vdekjes së Papa Françeskut, duhet të zgjidhet një

Papë i ri. E ashtuquajtura konklavë, nga radhët e së cilës zhvillohet zgjedhja, është planifikuar të fillojë më 7 maj. Sikurse njoftoi zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, koha deri atëherë do të përdoret intensivisht nga kardinalët në Romë.

Kardinalët e caktuan datën në një takim me dyer të mbyllura, që zhvilluan pas funeralit të Françeskut. Brenda pak më shumë se një jave, kardinalët me të drejtë vote nga e gjithë bota do të mblidhen në Kapelën Sistine, në konklavën që do të zgjedhë Papa i ri.

Në vitet 2005 dhe 2013, konklavat zgjatën nga dy ditë. Gjatë kësaj kohe kontakti me botën e jashtme është rreptësisht i ndaluar.

Rreth 135 kardinalë kanë të drejtë të votojnë

Të drejtë vote kanë të gjithë kardinalët që në ditën e vdekjes së Papa Françeskut nuk e kishin mbushur moshën 80 vjeç. Nga 252 kardinalët aktualë, këtë kriter e plotësojnë rreth 135 syresh. Se sa prej tyre do të marrin vërtet pjesë është ende e paqartë.

Me votat e tyre kardinalët vendosin jo vetëm për udhëheqësin e ri fetar të katolikëve, por edhe për kursin e Kishës. Shumë kardinalë kanë shprehur dëshirën që të vazhdojnë të ndjekin fokusin e Françeskut duke u angazhuar për njerëzit në skajet e shoqërisë dhe për drejtësi sociale. Por midis konservatorëve ka disa që duan që kisha të ndjekë sërish më qartë mësimet thelbësore të katolicizimit, që ishin në fokus edhe nën papët e mëparshëm Gjon Pali II dhe Benedikti XVI.

dw

Frontex heton akuzat kundër Greqisë

ai frontexPrej vitesh ka njoftime se rojat bregdetare greke i dëbojnë brutalisht emigrantët. Pas një incidenti në fillim të prillit Agjencia Kufitare e BE-së ka nisur hetimet ndaj Greqisë.

Në fillim të prillit u mbytën të paktën shtatë emigrantë, ndër ta dy fëmijë, për shkak se varka e tyre – sikurse dyshohet – u përplas nga një anije e rojes bregdetare greke. Agjencia Evropiane e Mbrojtjes Kufitare dhe Bregdetare (Frontex) e klasifikon këtë incident si tepër serioz. Aktualisht Frontex-i po kryen një numër hetimesh lidhur me shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut në kufirin grek.

Megjithatë shpesh nuk ka prova të qarta se forcat greke të sigurisë po i dëbojnë me forcë refugjatët që ata të rikthehen në Turqi ose në ujërat turke. Shpesh nuk është më e mundur të përcaktohet nëse një anije kishte arritur vërtetë të hynte në ujërat territoriale greke. Athina e mohon me forcë se ka dëbime sistematike dhe se refugjatët  deportohen përtej kufirit pa pasur mundësinë që kërkesa e tyre për azil dhe mbrojtje të gjykohet individualisht.

“Një shkelje e tillë e ligjeve evropiane sigurisht që do të kishte pasoja për punën tonë”, thotë Lars Gerdes, zëvendësdrejtor ekzekutiv i Agjencisë Kufitare të BE-së, Frontex. Ai nuk e përjashtom as mundësinë që Frontex-i qëllimisht mbyll sytë ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut. “I ngarkuari ynë për të drejtat e njeriut, i cili punon në mënyrë të pavarur nga agjencia, po heton aktualisht të dhënat për shkelje të mundshme”, tha Gerdes. “Shkeljet, sigurisht, mund të kenë pasoja, dhe kjo është arsyeja pse drejtori ynë ekzekutiv, Hans Leijtens, i shqyrton ato me kujdes dhe personalisht.”

Greqisë mund t’i ndërpriten ndihmat financiare

Si rezultat drejtori ekzekutiv i Agjencisë Kufitare të BE-së, Frontex, mund t’i kërkojë Komisionit të BE-së t’i ngrijë ndihmat financiare ose të fillojë kundër Greqisë procedurat për shkelje të rregulloreve. Vetë Frontex mund ta zvogëlojë mbështetjen e tij, për shembull, të tërheqë disa nga pajisjet.

Aktualisht agjencia kufitare e BE-së i ofron Greqisë burime të konsiderueshme. Siç shpjegon Zëvendësdrejtori Gerdes “Për shkak të ishujve të shumtë dhe kufijve të gjatë detarë, Greqia luan një rol të rëndësishëm në kontekstin e migrimit të paligjshëm në Evropë.” Prandaj Frontex-i aktualisht e mbështet Greqinë me pothuajse 700 kufitarë, automjete patrullimi, nëntë anije dhe një avion.

Sigurimi i kufijve të jashtëm të BE-së, dhe mbikëqyrja e njëkohëshme e respektimit të të drejtave të njeriut, është shpesh një akt balance për zyrtarët e Frontex-it, sidomos për faktin se komanda operative është deri tani gjithmonë përgjegjësi e shtetit anëtar  të BE-së që është përgjegjës për kufirin përkatës.

dw

Kos për REL: Normalizimi me Serbinë, parakusht për procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE

KosKomisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë është parakusht që Kosova të mund të marrë statusin e vendit kandidat dhe të nisë procesin e anëtarësimit në BE.

 

Kosova aplikoi për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022, dhe tani ajo mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat.

“Ne po presim për [formimin e] qeverisë së re. Jam në kontakt me politikanët atje, dhe ata pretendojnë se janë shumë të favor të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, çka është parakusht që të mund të nisë procesi i negociatave ose të jepet statusi i kandidatit”, tha Kos, në një intervistë të dhënë për Radion Evropa e Lirë.

Ajo tha se është shumë e rëndësishme që qeveria e ardhshme e Kosovës të plotësojë disa parakushte “që duhet të pëmbushen”, pa përmendur se cilat janë ato.

Kosova po udhëhiqet nga një qeveri në detyrë pasi që legjislatura e re ende nuk është konstituuar, as më shumë se një muaj pas certifikimit të rezultateteve të zgjedhjeve parlamentare që ishin mbajtur më 9 shkurt.

Procesi i anëtarësimit të një vendi në BE merr kohë, pasi që vendi kandidat duhet t’i përmbushë disa kritere, t’i përshtatë ligjet e veta me ato të BE-së, si dhe të presë ratifikimin e traktatit për anëtarësim në parlamentet e secilit vend anëtar të BE-së.

Kosova ende është në fazat fillestare të anëtarësimit, pasi ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat. Për këtë gjë, fillimisht Komisioni Evropian duhet ta japë pëlqimin për aplikimin për anëtarësim e pastaj Këshilli Evropian duhet ta konfirmojë unanimisht statusin si vend kandidat.

“Nuk kam marrë asnjë sinjal nga shtetet anëtare ose nga presidenca daneze [e Këshillit Evropian] se kjo gjë [marrja e statusit gjatë presidencës daneze] mund të ndodhë. Por, mendoj se do të ishte shumë mirë të nisim”, tha ajo.

Edhe më parë këtë muaj, shefja e politikës së jashtme të bllokut evropian, Kaja Kallas, kishte thënë se as Kosova, e as Serbia nuk mund të ecin përpara në rrugën drejt BE-së pa normalizim të marrëdhënieve.

Nën ndërmjetësimin e BE-së, në vitin 2023 Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, prej atëherë, blloku i ka kritikuar ato të dyja vendet se nuk e kanë zbatuar marrëveshjen pavarësisht se ajo është e detyrueshme për to.

Për shkak të krizave në veriun e Kosovës, që rritën tensionet mes dy vendeve, që nga shtatori i vitit 2023 në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë rund i dialogut politik, por ka pasur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve.

Pikërisht këto tensione në veriun e Kosovës kishin bërë që BE-ja, më 2023, t’i vendosë disa masa ndëshkuese Kosovës dhe vazhdon t’i mbajë ato në fuqi me arsyetimin se Kosova nuk ka bërë ende mjaftueshëm për shtensionimin e gjendjes në veriun e banuar me shumicë serbe.

Me gjithë kërkesat e liderëve të Kosovës për heqjen e këtyre masave, Kos theksoi se aktualisht jo të gjitha shtetet anëtare të BE-së janë të gatshme për heqjen e masave në këtë fazë.

“Ne ende nuk e dimë. Jemi e duke diskutuar këtë. Nëse shtetet anëtare do të jenë për heqjen e tyre, sigurisht që do ta bëjmë këtë. Por, për momentin, jo të gjitha shtetet anëtare janë për heqjen e masave”, u shpreh ajo.

Gjatë intervistës së dhënë për REL-in, Kos tha se ajo do ta cilësonte si një dështim nëse gjatë mandatit të Komisionit aktual nuk do të kishte anëtarë të rinj në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, ajo u shpreh optimiste, duke theksuar se nga pikëpamja teknike “mund të përfundojmë me Malin e Zi [si anëtar] deri në fund të vitit 2026” dhe “mund të përfundojmë me Shqipërinë [si anëtar] deri në fund të vitit 2027”.

E pyetur nëse Mali i Zi dhe Shqipëria do të bëhen anëtarët e 28-të dhe 29-të të BE-së, ajo u përgjigj se mund të ketë edhe vende të reja.

Duke folur për Serbinë, vendin që ajo do ta vizitojë këtë javë, Kos tha se “Serbia duhet vërtet të japë rezultate”.

“Fjalët nuk mjaftojnë. E shoh misionin tim ose vizitën time atje si një përpjekje të madhe për ta rikthyer Serbinë në rrugën evropiane”, tha Kos.

Ajo shtoi se kërkesat e protestuesve, të cilët po protestojnë prej muajsh në Serbi – pas vdekjes së 16 personave nga rrëzimi i një strehe betoni në stacionin e trenave në Novi Sad – janë të njëjta me ato të Komisionit Evropian.

“Është shteti i së drejtës, është lufta kundër korrupsionit, është prokurimi publik, është legjislacioni për mediat, është legjislacioni për zgjedhjet. Serbia ka premtuar shumë në dhjetor në të ashtuquajturin ‘non-paper’ [dokument joformal”, tha Kos, duke shtuar se tani “duhet të kontrollojmë nëse po i zbatojnë ato që kanë premtuar”.

“Dhe në fakt, më pëlqen të them që unë jam mbështetësja më e madhe e protestuesve, sepse nëse Serbia është serioze për rrugën drejt BE-së — dhe ata më thonë se janë — atëherë do të duhet të japin rezultate”, tha Kos.

Ndërkohë, zyrtarja e BE-së tha se është e vështirë të punohet me liderë si presidenti i entitetit të Republika Sërpska (RS) së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik.

Ajo tha se “është e vështirë të merresh me dikë që nuk vepron në të mirën e vendit të tij, Bosnje e Hercegovinës” dhe që shkon “kundër integritetit territorial, sovranitetit dhe rendit kushtetues”.

Tutje, Kos theksoi se kjo është një nga arsyet pse Bosnje e Hercegovina, edhe pse ka status kandidati, ende nuk ka hapur negociatat me BE-në.

Në lidhje me sanksionet potenciale ndaj Dodikut, ajo shtoi se “shtetet anëtare nuk janë të bashkuara” për t’i vendosur ato.

Dodik, së bashku me kryetarin e Parlamentit të RS-së, Nenad Stevandiq, dhe kryeministrin Radovan Vishkoviq, akuzohen për sulm ndaj rendit kushtetues, dhe ndaj tyre është lëshuar një fletarrestim qendror në Bosnje dhe Hercegovinë, pasi nuk janë përgjigjur thirrjes së Prokurorisë së Bosnjës për t’u paraqitur në marrje në pyetje.

rel

Dështimi i tetë për konstituimin e Kuvendit

Konstituimi i kuvenditPër të tetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Seanca konstituive do të vazhdojë të enjten, në ora 10:00.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për të gjashtë herë nuk mori mbështetjen për postin e kryeparlamentares.

Kësaj radhe, ajo mori 54 vota për, 44 kundër dhe 3 abstenuan. Në seancat paraprake, për të kishin votuar 57 deputetë – por kësaj radhe disa deputetë të LVV-së munguan.

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe në shtatë seancat paraprake deputetët kanë arritur të kalojnë vetëm dy pikat e para të rendit të ditës – miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve – por, kanë ngecur në pikën e tretë, atë të zgjedhjes së kreut të ri të organit legjislativ.

Pas përfundimit të seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, tha se si kompromis kanë ofruar që partia e tij, së bashku me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës të pajtohen që të votohen në paketën kryeparlamentare dhe tri nënkryetarët.

“Ajo që kemi ofruar si kompromis është një dakordim politik, një konsensus politik që të tri partitë më të mëdha, që u takon të propozojnë kandidatë për nënkryetarë, përveç përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë në Kuvend, të mblidhen, të dakordohen [të votohen] në paketë emri i kandidates për kryeparlamentare Albulena Haxhiu si dhe emrat e nënkryetarëve, në mënyrë që të vazhdohet tutje dhe të kemi dakordim që t’i votojmë”, tha ai.

Murati hodhi poshtë akuzat e partive se LVV-ja po kërkon që Haxhiu “të votohet me zor”, duke shtuar se disa deputetë të partive, që legjislacionin e kaluar ishin në opozitë, kanë shprehur “dëshirë që të dalin nga kjo situatë”, por shtoi se partitë e tyre nuk kanë ndryshuar qëndrim, andaj ata nuk po mund të votojnë për Haxhiun.

LVV-ja, përsëriti ai, nuk është e interesuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por është e gatshme për votime të reja, nëse ky mbetet opsioni i vetëm për daljen nga situata e krijuar.

Ndërkaq, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se LVV-ja ka “mentalitet të imponimit”, pasi që kjo parti ka të drejtë të propozojë kryeparlamentarin, por jo të imponojë se si votojnë të zgjedhurit e popullit.

Ai akuzoi LVV-në se “me qëllim po mban të bllokuar” procesin e krijimit të institucioneve të reja, teksa shtoi se kishte tri mesazhe për partinë fituese të zgjedhjeve.

“E para, demokracia funksionon me shumicë, e jo me imponim. E dyta, institucionet janë të popullit, nuk janë të asnjë partie politike të veçantë. Dhe e treta, duhet ta kuptojnë të gjithë se koha e sundimit njëpartiak dhe e monizmit ka përfunduar. Sa më parë që t’i kuptojë LVV-ja këto tri çështje, aq më mirë për vendin”, tha Krasniqi.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se insistimi i LVV-së për të propozuar Haxhiun për postin e kryeparlamentares e ka shndërruar Kuvendin “në një cirk”.

“LDK është për gjetjen e një zgjidhjeje kushtetuese që respekton Kushtetutën dhe rezultatin e zgjedhjeve. Ne e njohim të drejtën e të parit për të propozuar, por kjo nuk do të thotë se ne e bartim votën te një subjekt duke votuar sipas kërkesave të tyre”, tha ajo, duke shtuar se përgjegjësia për këtë situatë bie mbi partinë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Ndërkaq, para nisjes së seancës, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se LVV-ja nuk do të marrë votën e partisë, nëse insiston në kandidimin e Haxhiut.

“Nëse ndryshohet kandidati [për kryeparlamentar], sot do të votohet. Por, si duhet do të jemi në situatë të njëjtë”, tha ai për gazetarët para nisjes së seancës.

Në anën tjetër, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se i takon LVV-së që të bëjë përpjekje maksimale për të formuar një shumicë parlamentare.

“Shumica parlamentare nënkupton koalicion qeverisës edhe për Kuvend dhe Qeveri, kështu ka ndodhur edhe herën e kaluar”, tha ai.

Nisma, sipas Limajt do të kontribuojë që të evitohen zgjedhjet e reja, “por jo me çdo kusht”.

“Nëse nuk ka zgjidhje, ka zgjidhje tjetër, e ato janë zgjedhjet”, tha ai para nisjes së seancës.

Partitë që legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë kanë thënë më herët se mosvotimi i kryeparlamentarit tregon se partia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk i ka votat në Kuvend as për kryeparlamentaren, e as për formimin e ekzekutivit të ri.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë cilësuar Haxhiun si figurë përçarëse, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do të japë votë për çdo emër të propozuar nga LVV-ja.

PDK-ja dhe AAK-ja kanë kërkuar që LVV-ja të propozojë një emër tjetër për postin e kryeparlamentarit, një person, që sipas tyre, është figurë unifikuese, në mënyrë që t’i marrë votat e deputetëve të tyre.

Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu është kandidate meritore dhe, përkundër se ka bërë thirrje për marrëveshje politike, ka hedhur poshtë mundësinë e propozimit të ndonjë kandidati tjetër pos saj.

Vetëm pas votimit të kryetarit të ri dhe pesë nënkryetarëve, procesi i legjislaturës së re do të konsiderohej i përmbyllur.

Me konstituimin e Kuvendit do t’i hapej rruga formimit të ekzekutivit të ri.

LVV-ja i ka fituar zgjedhjet me 42 për qind të votave, apo 48 ulëse në Kuvend. Por, edhe për formimin e Qeverisë asaj i duhen të paktën 61 vota të deputetëve.

Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.

AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.

Konstituimi i kuvendit

Sa ka marrë kohë konstituimi i Kuvendit pas zgjedhjeve të kaluara?

Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit nuk është i paprecedent – mosbetimi i deputetëve është. Pas zgjedhjeve të vitit 2014, procesi i konstituimit kishte zgjatur plot gjashtë muaj 

rel

Reagime për idenë e lëshimeve territoriale nga Ukraina

Zelenski PistoriusMinistri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, mendon se kërkesat e presidentit Trump për lëshime territoriale nga Ukraina shkojnë shumë larg.

 

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, i konsideron propozimet e fundit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për lëshime të gjera territoriale nga ana e Ukrainës në favor të Rusisë si shumë largvajtëse.

“Ukraina mund ta kishte arritur vetë një gjë të tillë, si të thuash përmes një kapitullimi një vit më parë”, tha politikani i socialdemokrat në emisionin “Bericht aus Berlin”.

 

Ndihmat për Ukrainën do të vazhdojnë

Pistoriusi e siguroi Ukrainën për ndihma të mëtejshme ushtarake nga Gjermania – edhe në rast të ndërprerjes së mbështetjes amerikane.

Kjo është përcaktuar qartë edhe në marrëveshjen e koalicionit, theksoi ai. “Nëse Ukraina bie, nëse Putini e fiton këtë luftë, pra e pushton Ukrainën, qoftë edhe vetëm pjesë të mëdha të territorit të saj, atëherë ky do të jetë një kërcënim maksimal për territorin e NATO-s dhe, madje, edhe për vendet fqinje si Moldavia dhe Gjeorgjia”, tha Pistorius.

 

Siguria dhe paqja në Evropë

Të gjithë duhet ta kenë të qartë: “Kjo nuk ka të bëjë vetëm me solidaritetin me Ukrainën, por ka të bëjë me sigurinë dhe paqen tonë në Evropë.”

Ukraina e di, tha Pistorius, se një marrëveshje armëpushimi e qëndrueshme dhe e besueshme ose një zgjidhje paqeje “mund ose do të çojë gjithashtu në lëshime territoriale”.

Ai vetë nuk do t’i lidhte këto me kufijtë territorialë. Në fund të fundit ato duhet të jenë në përpjesëtim me garancitë e sigurisë për të ardhmen.

dw

Trumpi dyshon në dëshirën e Putinit për paqe

Trump ZelenskiPresidenti i SHBA-së, Trump, ka shprehur dyshime nëse udhëheqësi i Kremlinit, Putin, e ka vërtet seriozisht lidhur me përfundimin e luftës. Ndoshta duhen vendosur sanksione.

 

Pas një takimi me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski, Presidenti i SHBA-së Donald Trump nisi të përdorë papritmas një ton më të ashpër ndaj Presidentit rus Vladimir Putin. Në platformën e tij online Truth Social, Trumpi madje e kërcënoi Rusinë me sanksione.

Sulmet e fundit të raketave ruse mbi zonat civile në Ukrainë e bënë atë të besonte se shefi i Kremlinit nuk ishte i interesuar t’i jepte fund luftës. Trump shkroi se po vdesin shumë njerëz dhe “kjo më bën të mendoj se ndoshta ai nuk dëshiron fare ta përfundojë luftën, por thjesht dëshiron të më mbajë zvarrë mua. Po ashtu ndaj tij duhet vepruar ndryshe p.sh. në ‘sektorin bankar’ apo me ‘sanksione dytësore’?”

 

Zelenski: Takim simbolik

Trumpi dhe Zelenski u takuan në Romë gjatë ceremonive mortore për Papa Françeskun. Shtëpia e Bardhë e quajti takimin si “shumë produktiv”. Edhe Zelenski e quajti takimin simbolik dhe u shpreh pozitivisht pas tij.

“Ne patëm mundësi të diskutonim kokë më kokë. Shpresojmë për një rezultat nga gjërat që diskutuam.” Këto përfshinin mbrojtjen e jetës së popullsisë ukrainase, “një armëpushim të plotë dhe pa kushte” dhe “një paqe të besueshme dhe të qëndrueshme”.

Biseda thuhet se kishte zgjatur rreth 15 minuta. Presidenti ukrainas kishte njoftuar më parë në një videomesazh se do të zhvillonte në Romë edhe disa takime që kanë si synim të çojnë në armëpushim.

dw

Kasami: Edhe pa Taravarin, VLEN-i peshon njësoj! Taravari: Ngatërrim numrash dhe ekuacionesh

Kasami TaravariPër kryetarin e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, pesha e koalicionit VLEN është e njëjtë edhe pa Taravarin.

“Unë vlerësoj se VLEN peshon, të mos them më shumë, aq sa peshon pa Taravarin, apo sa vlente e peshonte me Taravarin. Sepse VLEN është këtu, të gjithë aktorët e tjerë janë këtu”, deklaroi Bilall Kasami – kryetar i Lëvizjes Besa.

Në intervistë për REL Kasami u shpreh optimist se ende ka shanse reale që VLEN të vazhdojë i bashkuar, sepse siç shprehet, vlera e secilës parti, pjesë e koalicionit, është shumë e madhe si pjesë e VLEN-it. Humbësi më i madh, sipas tij, do të ishte ai që del nga VLEN, gjersa rikujtoi edhe një shprehje popullore.

“Unë vlerësoj se humbësi më i madh do të jetë ai që del, pra në rastin konkret të koalicionit VLEN. Sepse jo rastësisht edhe thënia popullore është „ai që ndahet nga grupi, e han ujku”. Në këtë rast mendoj se VLEN do të vazhdojë edhe më fuqishëm”, shtoi kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

I pyetur për një qëndrim rreth këtyre fjalëve të Kasamit, kreu i ASH-së që ende zyrtarisht është në VLEN, Arben Taravari, ishte i shkurtë në përgjigje, duke thënë se Kasami ngatërron numrat dhe ekuacionet.

“Lapsus linguae. Ngatërrim numrash dhe ekuacionesh”, deklaroi Arben Taravari – kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Një përgjigje të ngjashme Taravari dha edhe ditë më parë, pasi Kasami tha se nëse ai largohet, atëherë është zero sepse zero ka qenë para se të vijë në koalicionin VLEN. Kësaj Taravari iu përgjigj duke thënë se mendon se është lapsus lingua, kur sipas tij, goja flet më shumë se truri proceson. “Mendoj se nuk e kishte me qëllim të keq ose thjesht e gaboi radhitjen e fjalëve në fjali. Nuk mendoj se kishte prapavijë të keqe deklarata e z.Bilall Kasami”, përfundoi kreu i ASH-së.

Krejt këto zënka me fjalë mes partnerëve brenda VLEN-it kanë nisur që kur brenda tyre u hap debati se si të dilet në zgjedhje lokale. Të gjithë kryetarët ishin që të dalin me kandidatë për kryetar dhe lista të përbashkëta për këshilltarë, përveç Taravarit, i cili kërkon që të dalin me lista të veçuara për këshilltarët komunalë.

Dy ditë më parë liderët e VLEN-it u takuan, por pa një vendim përfundimtar. Bekim Qoku si përfaqësues i VV-së brenda këtij koalicioni tha se ende po diskutojnë detajet dhe se mendon që në lokale VLEN duhet të dalë me lista edhe me kandidatë të përbashkët.

tv21

Kallas: Tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten

KallaShefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten, andaj kërkoi që të vazhdojë procesi i zgjerimit të bllokut.

 

“Ne shohim se po rriten tensionet dhe definitivisht duhet të lëvizim me procesin e zgjerimit dhe kjo është diçka e prekshme dhe vërtetë na duhen histori suksesi”, tha Kallas para takimit të Këshillit për Punë të Jashtme që mbahet në Luksemburg.

Kallas nuk përmendi shtetet, që sipas saj po rriten tensionet. Por, së voni në Bosnje e Hercegovinë, autoritetet në entitetin e Republikës Sërpska kanë ndërmarrë disa veprime, që kanë rritur shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare për shkëputjen e mundshme të këtij entiteti serb nga Bosnja.

NATO ka thënë se nuk do të lejohet që të rrezikohet paqja në Bosnje, ndërkaq Shtetet e Bashkuara kanë thënë se po shqyrtojnë disa opsione veprimi, duke theksuar se nuk duhet të ndodhë “shpërbërja e vendit dhe një konflikt i ri”.

 

Po ashtu, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë – që dialogojnë për normalizim të raporteve që nga viti 2011 në Bruksel – janë të larta qysh në vitin 2023, kur kryetarët shqiptarë morën drejtimin e katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.

Tensionet kulmuan në shtator të po atij viti, kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

Ndërkaq, kryediplomatja evropiane tha po ashtu se një natë më parë ka pasur “darkë shumë të mirë me miqtë tanë” nga Ballkani Perëndimor.

Në këtë darkë, Kosova është përfaqësuar nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. Përveç pjesëmarrjes në darkë, Gërvalla dhe Kallas kanë zhvilluar edhe një takim të ndarë.

Kryediplomatja Gërvalla tha se i ka kërkuar Kallasit që të trajtohet si “partnere e barabartë dhe e respektuar në të gjitha proceset integruese”.

Në një periudhë vendimtare për të ardhmen e kontinentit tonë, roli i Bashkimit Evropian është më i rëndësishëm se kurrë, jo vetëm për të ruajtur stabilitetin, por për të ofruar vizion dhe drejtësi për të gjithë.

 

Me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, znj. Kaja Kallas, pata një shkëmbim të hapur mbi domosdoshmërinë që Republika e Kosovës të trajtohet si një partnere e barabartë dhe e respektuar në të gjitha proceset integruese.

Theksova se mbështetja për Kosovën nuk duhet të mbetet në nivel deklarativ, ajo duhet të përkthehet në hapa konkretë: përmbylljen e procesit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, avancimin e aplikimit për BE dhe largimin e masave që cenojnë parimet e partneritetit.

E ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor nuk mund të jetë e plotë pa Kosovën, dhe mbështetja për vendin tonë është mbështetje për një Evropë më demokratike, më të barabartë dhe më të bashkuar. Prania dhe angazhimi ynë i fuqishëm në rajon janë burim stabiliteti dhe sigurie për gjithë kontinentin.

Tani është koha për vendime të guximshme dhe vizion të përbashkët.

 

Nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi – Kosova është e fundit sa i përket rrugëtimit të saj drejt BE-së.

“E ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor nuk mund të jetë e plotë pa Kosovën, dhe mbështetja për vendin tonë është mbështetje për një Evropë më demokratike, më të barabartë dhe më të bashkuar. Prania dhe angazhimi ynë i fuqishëm në rajon janë burim stabiliteti dhe sigurie për gjithë kontinentin”, tha Gërvalla përmes një postimi në Facebook.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Por, ky aplikim ende nuk është shqyrtuar nga autoritetet në Bruksel. Kosova po ashtu është e vetmja në rajon që nuk e ka statusin e shtetit kandidat.

 

rel

Qendra Informative Shqiptare "Liria"