Pashaj: Front opozitar për të rrëzuar regjimin antikombëtar të Berishës

Një front opozitar me bazë të gjerë do t’i jepte fund regjimit berishian dhe shitjes së pasurive publike. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Kuq e Zi, Myslym Pashaj, në një prononcim për gazetën “Sot”, e ka cilësuar qeverinë e kryeministrit Sali Berisha si antikombëtare dhe se bashkimi i forcave opozitare në prag të fushatës elektorale do t’i jepte fund këtij regjimi. “Një front opozitar i organizuar mirë me qëllime të përcaktuara do t’i bënte ballë situatës ekonomike, pasurive kombëtare, sigurimit të kombit etj.

Ne këtë regjim e konsiderojmë autokratik dhe antikombëtar. Janë krijuar disa parti të reja që e kanë të domosdoshme krijimin e identitetit të tyre. Kanë një koncept të ri të luftës dhe përpjekjeve të tyre për të krijuar identitetin e tyre. Aleanca Kuq e Zi ka si qëllim të krijojë një pol të ri në sferën politike, ku në qendër të saj është çështja kombëtare. Shitja e pasurive publike, si shitja e Albpetrol është një problem antikombëtar. Pa u krijuar identiteti i partive të reja, është shpejtë për të folur për koalicionet”, u shpreh Pashaj.

Beqiri
Përcaktimi i qartë i koalicionit opozitar me bazë të gjerë do të ishte vendimtar për të rrëzuar nga pushteti Sali Berishën. Në këto kushte, avokati Idajet Beqiri, në një prononcim për gazetën, i ka bërë thirrje liderit të opozitës, Edi Rama, që të bashkojë të gjitha forcat opozitare përfshirë edhe partinë Fryma e Re Demokratike të Bamir Topit. “Kudo në botë koalicionet janë ideologjike që krijohen për probleme madhore. Dikush kërkon uljen e taksave, dikush ka prioritet punësimin. Në këtë bazë duhet të ndërtohen koalicionet. Partia Socialiste dhe Edi Rama duhet të punojnë me përgjegjshmëri për të bashkuar të gjitha forcat opozitare kundër këtij despoti dhe injoranti. Rama nuk duhet të shprehet që Topi e ka vendin tek Berisha. Ai duhet të dijë t’i bashkojë të gjitha forcat politike dhe t’i afrojë në koalicionin opozitar. Nëse Zogu ishte një anadollak, ky është një kaluar anadollakut. PS duhet të dijë të japë pushtet, t’u japë edhe të tjerëve aq sa u takon. Berisha di të ndërtojë koalicionin e së keqes, ndërsa ne do të krijojmë koalicionin e së mirës”, u shpreh Beqiri.

Opozita
Lideri i opozitës ka mbajtur një qëndrim të dyzuar për afrimin e FRD dhe AK në koalicion me forcat e majta opozitare. Një herë ai është shprehur se është i hapur për koalicionet, ndërsa nga ana tjetër i ka cilësuar ato parti të spektrit të majtë. Por edhe këto dy forca të reja politike, kanë deklaruar se nuk do të bëjnë koalicion me asnjë forcë politike. Një opozitë e përçarë dhe jo e organizuar mirë, aq më tepër me një KQZ të politizuar do t’i hapte qeverisë Berisha për të fituar një mandat të tretë. “Unë mbetëm i mendimit që ato janë parti të djathta, apelojnë drejt një elektorati të djathtë dhe nga ana tjetër dua ta bëj të qartë se koalicioni ynë ka gravitet programin tonë. Kemi forca të djathta të zëshme që janë pjesë e koalicionit dhe që përfaqësohen nga të përndjekur politik si Spartak Ngjela apo Kurt Kola. Por nga ana tjetër koha do të tregojë se si do të zhvillohen dinamikat në tërësi”, është shprehur Rama.

Akuza

Qeverisë aktuale çdo ditë e më shumë i janë shtuar akuzat dhe thirrjet për t’u larguar nga pushteti. Kundërshtimet për këtë qeveri vijnë si nga eksponentë të majtë, por edhe nga të djathtë, të cilët tashmë janë shkëputur përfundimisht nga aleancat me Berishën. Kreu i partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, e ka akuzuar kryeministrin si leckë që ka larë korridoret e Partisë së Punës. Pra, Berisha është një derivat i Enver Hoxhës dhe vazhdon të ndjekë regjimin komunist.

Brokaj: Koalicioni PD-LSI, i pamundur

Anëtari i këshillit të të urtëve të PS, Sabit Brokaj, e sheh të pamundur aleancën e PS me LSI. Si një prej ish-drejtuesve të lartë të PS, dhe më pas edhe të LSI, Brokaj shprehet se e majta do të vijë në pushtet në 2013, edhe pa këtë aleancë, por aksioni politik i opozitës sipas tij duhet të jetë më i ashpër. “Po të kemi parasysh përvojat e opozitave në Shqipëri është më e kualifikuar veprimi politik. Nuk mund të themi sa efikas, pasi ne shqiptarët gjykojmë që veprimi politik i kundërshtarit matet me humbjet dhe gurët që hidhen se sa me mendimin dhe qëndrimet, me përmbajtje të fortë, por pa demonstrime të karakterit të dhunës. Duhet të ketë në sirtaret e saj problem që duhet t’i nxjerrë në evidencë dhe për të përfituar politikisht”, tha Brokaj. Duke iu referuar dy momenteve të rëndësishme të sezonit të ri politik, integrimi dhe zgjedhjet parlamentare të 2013, Brokaj shprehet se PS është në rrugën e duhur. Qëndrimi i opozitës për projektligjin për Gjykatën e lartë është gjithashtu një moment specifik për të.

Panariti: Të forcojmë marrëdhëniet me ndërkombëtarët

Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, ka theksuar forcimin e marrëdhënieve me OSBE, KiE dhe OKB. Ai nënvizoi se forcimi i marrëdhënieve do të ndikojë në konsolidimin e çështjeve politike. “Si President i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës shpreh bindjen se sfida jonë sot mbetet konsolidimi i koalicioneve të aktorëve që mendojnë në të njëjtën mënyrë, si dhe krijimi i lidhjeve më të ngushta me partnerët tanë ndërkombëtarë, duke pasur parasysh numrin e çështjeve politike, ekonomike dhe humanitare para të cilave ndodhemi. Ja përse pjesë e prioriteteve të kryesisë shqiptare është dhe forcimi i dialogut ndërinstitucional me partnerët tanë ndërkombëtarë si OSBE, OKB, BE-së etj”, u shpreh Panariti. Ministri theksoi rëndësinë e realizimit të një Komiteti Sigurie Euro-Atlantike, bazuar në vlerat universale të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Volante dhe Kuadrini përshëndesin aleancën PDK-PD

Zyra e shtypit të Partisë Demokristiane ka njoftuar se rikthimin e Nard Ndokës në koalicion me Partinë Demokratike e ka përshëndetur kreu i grupit parlamentar të PPE, Luka Volante dhe kreu i UDC së Lombardisë, Xhanmarko Kuadrini. Në mesazhin e tij drejtuar kryetarit te PDK Nard Ndoka, Volante shprehet i lumtur për emërimin e kryetarit Ndoka si zëvendësministër i Brendshëm. Ai shkruan se, inteligjenca bujare dhe largpamësia politike e këtij emërimi të bërë nga kryeministri Berisha, demonstron vullnetin e institucioneve shqiptare për të forcuar pavarësinë e tyre dhe për të shfrytëzuar çdo energji pozitive për të mirën e vendit. Ndërsa Xhanmarko Kuadrini, shprehe bindjen se PD dhe PDK mund të ndërtojnë një aleancë konstruktive në funksion të zgjedhjeve të rëndësishme me të cilat përballet vendi vitin e ardhshëm. Eneida Jaçaj

Sot

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>