Partizanët e Qeverisë dhe të pushkatuarit e Bashkisë

Nga Kolec TraboiniËshtë për të ardhur keq në këtë dualitet tashmë çerek shekullor që na shfaqet edhe këto ditët e fundit të nëntorit, ku njëra palë e politikes konfliktuale feston 70 vjetorin e çlirimit, ndërkaq pala tjetër që në vend të opozitës ka zgjedhur bojkotin, e kjo e fundit pra radhit emrat e fotot e të pushkatuarve në një tabelë të madhe elektronike, fare pranë e përballë njëra-tjetrës në qendër të sheshit “Skënderbeg” Tiranë. Kthen kokën qytetari për andej e sheh partizanë me pushkë por ndonjë edhe me top, kthen vështrimin në kahje tjetër portretet e të pushkatuarve në diktaturë. Tund kokën qytetari e thotë “Çfarë bëhet”. Kë të besojë se është çlirim apo është pushtim. A thua ende jemi në Luftën Civile të pas Mukjes, alias Luftës së Klasave, që përpiqemi ti mbulojmë me fjalë sikur nuk ka ekzistuar kurrë, por ja ku e kemi ende dhe sot e kësaj dite midis nesh. Por ajo çfarë na bën përshtypje është se në list-fotot që shfaqen nga Bashkia e Instituti i të Përndjekurve Politikë, në ekran elektronik krahas emrave te njohur të pushkatuarve vëmë re se ka mungesa të mëdha, ka emra martirësh të njohur që nuk janë vendosur në atë ekran elektronik, ndërkohë lexojmë disa emra që nuk e di ku i kanë gjetur që i kanë vënë si të pushkatuar. Mesa duket edhe për të hyrë në listën e të pushkatuarve duhet një ndërmjetës në Bashkinë e Tiranës, apo Institutin e të Përndjekurve Politikë, vër këtë e vër atë, vër edhe kushëririn a krushkun, që mund edhe të kenë vdekur në burg, mund të kenë qenë viktima të jenë viktima por të pushkatuar me vendim gjyqi dhe të ekzekutuar nuk janë. Por duke e ditur se bëhen gabime edhe mund të pranojmë ndonjë “lajthitje” bashkiake apo me ata që punojnë nëpër zyrat e të persekutuarve politikë, por kur lexon edhe emrin e mësuesit tënd a një të afërmi tënd që kanë vdekur në shtëpi të vet, nuk të mbetet veç të vësh duart në kokë. Kësisoj na dalin të pushkatuar mësuesi Gjush Sheldia, me emër dhe fotografi, kur mësuesi im ka lindur në 1902 dhe ka mbyllur sytë nga një vdekje natyrale në 1976. Rezulton i pushkatuar nga diktatura në tabelë elektronike Dom Nikoll Mazrreku, kur ai ka vdekur në Shkodër pranë familjes në vitin 1996. Në tabelë elektronike rezulton i pushkatuar Gjergj Çamuku, i cili vërtetë ka qënë i burgosur politik por ka pasur vdekje natyrale pak vjet më parë. Rezulton i pushkatuar në tabelë elektronike Ernest Përdoda i cili ka qënë gjallë të paktën deri në 12 gusht të vitit 1994 kur policia e Berishës e goditi me mjete të rënda në Shkodër si pjesëmarrës në grevën e urisë të përndjekurve politikë. Pikërisht këtë person që doli kundër Berishës dhe e goditi policia e Berishës, e djathta i konsideruaka të pushkatuar nga diktatura komuniste. Çfarë bëhet zotërinj të zyrave të përndjekurve politikë? Kaq të paaftë të jeni sa të mos dini se kush ishte Ernest Përdoda? Po le të shkojmë më tej, rezulton e pushkatuar në tabelën elektronike Gjyzepina Andrakja. A e dinë hartuesit e këtyre listave kush ka qenë Gjyzepina Andrakja? Kush e pushkatoi?! Se pari nuk ka ekzistuar kurrë në Shqipëri një person me emrin Gjyzepina Andrakja. Nëse është fjala për Gjyljana Çoba- Andrakja, ajo vërtetë ka qenë e dënuar politike, por nuk është pushkatuar. Ka ndërruar jetë para pak vitesh në Shkodër. Ai që kanë vrarë në burg prej kësaj familje ka qenë vëllai i saj Monsinjor Ernest Çoba që duhej të ishte në tabelën elektronike. Mark Gjonmarkaj që shënohet në tabelë elektronike i pushkatuar, ka qenë ministër i brendshëm në qeverinë kuislinge në kohën e fashizmit dhe është vrarë në luftime kundër forcave të ndjekjes në Fan të Mirditës. Në asnjë vend të botës ata që bien në luftime nuk konsiderohen të pushkatuar, por të rënë në luftë, në fushë të betejës. Dhe shkojmë më tej, një personi me emrin Kostandin Kota, pushkatuar në vitin 1945, i vihet fotografia e poetit Genc Leka pushkatuar më 17 korrik 1977. Mirë bëjnë që i evidentojnë figurat e atdhetarëve martirë për sakrificat që kanë bërë, por duhet të jemi të saktë sepse kësisoj historia shkruhet sipas orekseve të nëpunësve të vegjël nëpër institucione ku kanë zënë vendet punës në saj të lidhjeve e tarafeve, të shërbimeve partiake apo çdo shkak tjetër por jo të kulturës e dijes apo përgatitjes profesionale. Kësisoj të pushkatuarit e diktaturës harrohen e në vend të tyre vihen emra të tjerë që nuk janë vënë para togës së ekzekutimit por janë ndarë nga kjo botë rrethuar nga njerëzit e tyre të dashur dhe, siç thuhet në këto raste, se kështu deshi perëndia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>