154 vite më parë në Manastir, lindi Sevasti Qiriazi, nismëtarja e organizimit të arsimit kombëtar për vajzat dhe gratë shqiptare

Sevasti Dako QiriaziSot, janë bërë 154 vite nga lindja e arsimtares dhe veprimtares së çështjes kombëtare, Sevasti Dako Qiriazi.

Sevasti Dako Qiriazi (24 shkurt 1871) në Manastir, ishte atdhetare dhe nismëtare e organizimit të arsimit shqiptar për femra. Ishte Naim Frashëri ai që i dha mundësi Sevasti Qiriazit të studionte në kolegjin me emër Robert Kolegj në Stamboll e të luante një rol aktiv në arsimimin e grave.

Ajo qe e para grua shqiptare që studioi në këtë institucion amerikan, të cilin e kreu në qershor 1891. Me t’u kthyer në Shqipëri ajo mori pjesë në ngritjen e shkollës së vashave në Korçë më 1891. Kjo shkollë është edhe fillimi i një shkolle mbi bazën laike.

Pas Luftës së Parë Botërore kjo shkollë njihej ende me emrin e familjes Qiriazi. Ajo mori pjesë edhe në Kongresin e Manastirit, ku u mor kryesisht me përgatitjen e teksteve shkollore. Me të shoqin, gazetarin dhe shkrimtarin Kristo Anastas Dako e me të motrën Parashqevi ajo vajti në Rumani e prej andej emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku bashkëpunoi me të përdyjavshmen “Yll’ i mëngjesit”.

Motrat Qiriazi ishin mësueset dhe edukatoret e para të shkollës së vashave që u hap më 1891 në Korçë. Nga kjo shkollë dolën shumë emra të njohur të femrave të cilat kontribuan, jo vetem në fushën e arsimit, por u bënë edhe luftëtare të njohura të çështjes kombëtare.

Për shkak të pozitave të të shoqit si ministër dhe biografist i Mbretit Zog, emri i Dakos u hodh në errësirë gjatë regjimit komunist pas Luftës së Dytë Botërore. Familja e saj u persekutua (duke përfshirë motrën e saj Parashqevinë) dhe dy djemtë u arrestuan dhe u burgosën. E lodhur nga mundimet e shumta dhe vdekja e djalit të saj, Sevastia vdiq në gusht të 1949-s.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>