All posts by V.F.

Hoxhë Hasan Tahsini

Në 3 Korrik të 1881-it u nda nga jeta në Stamboll Hoxhë Hasan Tahsini, kolosi i Rilindjes dhe dijes, astronom, matematikan e filozof i lindur në Ninati të Çamërisë.

Ka qenë rektori i parë i Universitetit të Stambollit dhe njëri nga themeluesit e Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare.

Tahsini mbahet si njëri nga mendimtarët më të mëdhenj të Perandorisë Osmane në shekullin e 19.

Hoxhë Hasan Tahsini është vlerësuar me dekoratën e presidentit të Republikës “Nderi i Kombit” sepse jeta dhe vepra e tij shumëdimensionale na kanë dhënë krenari. Por jo vetëm kaq.

Të gjitha figurat e shquara të Rilindjes Kombëtare në fund të shekullit të 19-t,, nga vëllezërit Frashëri, e sidomos, Sami Frashëri deri tek Ismail Qemali, Pashko Vasa, Jani Vreto e shumë të tjerë në shkrimet e tyre e kane vlerësuar Hasan Tahsinin si dijetarin e madh i cili donte shumë njerëzimin dhe të vërtetën.
Kohën, jetën dhe mendjen e vetë Hasan Tahsini i përdori për këto dy gjëra të dashura për të. Si njeri i dijes por edhe si patriot shqiptar e gjithë veprimtaria e tij zhvillohet në këto dy rrafshe, në fushën e dijes dhe si babai rilindjes sonë kombëtare.

Ndaj ne shqiptarët, por edhe ne të krahinës së Çamërisë krenohemi me figurën e tij sepse Hoxhë Hasan Tahsini thirrej në kohën e Perandorisë Osmane, “ enciklopedia lëvizëse” dhe si nxitës i vetëdijes sonë kombëtare.

Hasan Tahsini dinte bashkë me gjuhën shqipe 11 gjuhë dhe dëshmia më e mirë për këtë janë veprat “ shkrimet e popujve” dhe Alfabeti origjinal i tij për gjuhën shqipe dhe jo më kot Sami Frashëri thoshte për të, se ai ishte një nga njërëzit më të mëdhënj që shumë rrallë e me vështirësi i lindin shekujt dhe epokat. Ndaj Hasan Tahsini është nderi dhe lavdia e Çamërisë martire.

Më 1870 u emërua rektori i parë i të porsathemeluarit Universitet të Stambollit ku dha leksione fizike, astronomie dhe psikologjie. Qeveria e emëroi aty duke besuar se Tahsini do të barazpeshonte metodat dhe idetë e Evropës Perëndimore me botëkuptimin islam. Por në atë kohë, kërkimi shkencor, qëndrimet liberale dhe marrëdhëniet e pandehura të Tahsinit me masonerinë provokuan sulme të rretheve konservatore të ulemave ndaj tij. Sulmet kundër Tahsinit nisën kur ai filloi të bënte eksperimente për t’u ilustruar nxënësve nocionin e vakumit. Gjë për të cilën u shpall heretik me një fetva, i pushuar nga universiteti dhe iu pamundësua që të jipte mësim. Universiteti mbylli për një periudhë sepse Xhemal al-Din Afgani, një tjetër profesor, mbështeste idetë e Tahsinit.

Tahsini shkruajti të parin traktat psikologjie në osmanisht të titulluar Psikologjia ose Shkenca e Shpirtit, një vepër e frymëzuar nga modernizmi dhe i pari libër që përmbante fjalën psikologji. Shkruajti gjithashtu të parin libër për astronominë moderne, duke qenë edhe libri i parë i shkencës popullore.

Ndërroi jetë në moshën 70 vjeçare nga sëmundja e mushkërive, u varros në varrezat e Erenkojit, në Stamboll.

Kos në Shkup: Plani i Rritjes është plotësisht në duart tuaja

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, zhvilloi sot në Shkup një takim me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Samitit të dedikuar Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian prej 6 miliardë eurosh për këtë rajon.

Nga Plani i Rritjes, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor – përveç Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës – kanë marrë fondet e para të parafinancimit. Kosovën në këtë takim e përfaqëson kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Gjatë një konference për media pas takimit të së martës, komisionarja Kos tha se për herë të parë ky samit ishte i fokusuar në zbatimin e Planit të Rritjes.

Ajo bëri të ditur se 75 për qind e reformave të dakorduara – të përbashkëta për të gjitha vendet e rajonit – janë ose të zbatuara plotësisht ose janë në proces, ndërsa 25 për qind ende mbeten për t’u realizuar.

“I inkurajova liderët që të shtojnë përkushtimin për zbatimin e mëtejmë”, tha Kos.

Ajo shtoi se mjetet financiare që janë vënë në dispozicion për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë të qasshme deri në fund të vitit 2027 dhe, nëse nuk shfrytëzohen, do të kthehen në buxhetin e BE-së.

Kos theksoi disa rezultate konkrete të arritura deri më tani, përfshirë përparimin drejt SEPA-s (Zona e Vetme e Pagesave në Euro), një sistem që lehtëson kryerjen e pagesave brenda hapësirës evropiane. Sipas saj, katër vende të Ballkanit Perëndimor janë në rrugë për t’iu bashkuar së shpejti këtij sistemi.

Kos përmendi gjithashtu krijimin e 11 pikave kufitare prioritare me kalime të gjelbra, që synojnë të lehtësojnë lëvizjen e mallrave. Përveç kësaj, sistemi satelitor i BE-së, Galileo, do të përdoret për të gjurmuar kamionët në kohë reale, duke mundësuar kuptimin më të mirë të vonesave dhe dinamikës së qarkullimit.

“Edhe më shumë po vjen në kuadër të autostradës drejt tregut unik”, shtoi ajo.

“Po punojmë së bashku për të identifikuar zinxhirët evropianë të furnizimit, në të cilët kompanitë tuaja mund të integrohen. Për shembull, në sektorin farmaceutik, do t’ju ndihmojmë të përshtateni me standardet e BE-së, në mënyrë që bizneset tuaja të trajtohen njësoj si ato të vendeve anëtare”.

Sipas Kos, projektet që financohen nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor do të mbështesin ndërtimin e rrugëve, linjave hekurudhore, si dhe parqeve me erë dhe diell në të gjithë rajonin.

Në kuadër të kësaj kornize, Komisioni Evropian ka propozuar një paketë investimi prej 87.7 milionë eurosh, që pritet të mobilizojë gjithsej 487.3 milionë euro për projekte të energjisë së pastër në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi. Fondi parashikon ndërtimin e linjave të transmisionit dhe nënstacioneve në Shqipëri dhe Mal të Zi, rehabilitimin e hidrocentraleve në Shqipëri dhe Serbi, si dhe integrimin e ngrohjes solare në sistemin e ngrohjes qendrore në Novi Sad, Serbi.

Ajo shtoi se në takim është diskutuar edhe për roaming-un për telefoninë mobile, duke theksuar se, nëse të gjitha vendet punojnë me përkushtim në zbatimin e reformave dhe ndryshimet në legjislacion, roaming-u pa pagesë për vendet e Ballkanit Perëndimor mund të hyjë në fuqi më 1 janar 2026.

Në fjalën hyrëse të samitit, komisionarja Kos tha se Evropa nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor.

Ajo shtoi se tani ekziston një konsensus i qartë për zgjerimin, gjë që nuk ka qenë e njëjtë në të kaluarën, por “dritarja e mundësisë nuk do të jetë e hapur përgjithmonë”.

“Po shohim përparim të rëndësishëm. Shqipëria, i dashur kryeministër Edi Rama, ka hapur tre klasterë gjatë gjashtë muajve të fundit. Faleminderit për kontributin tuaj në suksesin e procesit të zgjerimit. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, do të mund t’i hapim të gjithë klasterët këtë vit. Ndërkohë, Mali i Zi mbylli edhe një kapitull të premten e kaluar. Në Bosnje e Hercegovinë është miratuar agjenda e reformave dhe po presim që qeveria e re, z. Kurti, të vendosë më në fund më shumë energji në procesin e anëtarësimit. Ndërkohë, tashmë po ecim përpara edhe me Serbinë”, tha ajo.

Kos tha se Plani i Rritjes është plotësisht në duart e tyre.

“Ky është një mjet për t’ju ndihmuar me reformat e rëndësishme, të cilat janë të domosdoshme edhe për t’ju përgatitur për anëtarësim. Njëkohësisht, ky plan ju mundëson që qytetarët dhe bizneset tuaja të përfitojnë nga tregu unik i BE-së, në kushte të barabarta me vendet anëtare. Dhe kjo, tani – jo në një të ardhme të largët”, theksoi ajo.

Ajo shtoi se vendet kanë bërë shumë, por tani është koha të intensifikohet faza e zbatimit.

Kos shtoi se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është pajtuar që të jetë mikpritës i takimit të radhës të liderëve, që do të mbahet në vjeshtë në Shqipëri.

Çfarë kanë fituar deri më tani vendet e rajonit?

Vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit në BE, ndërsa Plani i Rritjes synon të përshpejtojë reformat dhe t’i përgatisë ato për anëtarësim.

Nga fondi prej 6 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosovës i janë ndarë rreth 900 milionë – një pjesë në formë granti, dhe një formë si kredi.

Ndërsa fqinjët e saj veçse kanë nisur të përfitojnë, Kosova rrezikon të mbetet pas në garën për miliona euro të Bashkimit Evropian.

Më 21 qershor, Serbia është bërë vendi i fundit – pas Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi – që ka njoftuar se ka pranuar mjetet e para nga BE-ja, në vlerë prej 51.66 milionë eurosh.

Bosnje e Hercegovina nuk e ka dorëzuar ende Agjendën e kërkuar të Reformave tek autoritetet evropiane.

Në Kosovë, problemi është tjetër: ajo nuk ka Kuvend të konstituuar për të ratifikuar marrëveshjen e nevojshme për përfitimin e fondeve.

Marrëveshjet e tilla kanë karakter të marrëveshjeve ndërkombëtare, ndaj edhe duhet të ratifikohen në Kuvend me dy të tretat e votave.

Gjatë një deklarate për media, në prag të fillimit të Samitit, kryeministri Kurti në detyrë nuk foli për faktin që Kosova është e vetmja që nuk ka përfituar nga Plani i Rritjes, por u fokusua te marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Plani i Rritjes, që është në qendër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, do të shqyrtohet në dy panele të ndara, sipas agjendës së takimit.

Kryeministri Mickoski dhe komisionerja Kos mbajtën fjalët hyrëse në panelin kushtuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe mbajtën edhe një konferencë të përbashkët për media.

Ndërkohë, në panelin e dytë do të marrin pjesë ministrat nga vendet e rajonit dhe përfaqësues të lartë të BE-së, organizatave rajonale dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë. Ky panel do të fokusohet në mekanizmat konkretë dhe mbështetjen për zbatimin e Planit të Rritjes.

Plani, i miratuar nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së në maj të vitit 2024 dhe i aprovuar përfundimisht në tetor të po atij viti, kap vlerën prej gjashtë miliardë eurosh. Ai përfshin investime dhe reforma për vendet e Ballkanit Perëndimor si pjesë e agjendës reformuese për periudhën 2024-2027.

Një pjesë e këtyre fondeve do të jepet si grante dhe pjesa tjetër në formën e kredive me kushte të favorshme.

rel

“Shqipëria, më afër se kurrë me BE-në, Rama nga samiti në Shkup: Do i përmbushim të gjitha detyrimet tona

“Shqipëria, më afër se kurrë me BE-në, Rama nga samiti në Shkup: Do i përmbushim të gjitha detyrimet tona

Në nisje të takimit, BE – Ballkani Perëndimor për Planin e Rritjes, i cili po mbahet në Shkup, kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria është më pranë Bashkimit Europian se kurrë.

Kryeministri Edi Rama: Sot jemi këtu për një tjetër ndalesë të rrugës së përbashkët, që lidhet me zbatimin e Planit të Ri të Rritjes, një plan i cili po ecën si duhet dhe po na afron për t’u lidhur më shumë me Bashkimin Europian. Ne jemi shumë krenarë, sepse kemi praktikisht përmbushur deri më tani, të gjitha pikat për zbatim dhe vazhdojmë me pikat e tjera sipas kalendarit.
Kurrë nuk kemi qenë më afër realizimit të një aspirate shumëshekullore, do thosha dhe nga ana tjetër, më vjen mirë që ka një atmosferë të përgjithshme pozitive në këtë drejtim. Jemi shumë afër. Nuk kemi qenë asnjëherë më afër, jemi shumë afër dhe besoj shumë që ne do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona, siç kemi paraparë edhe afatet me Komisionin Europian dhe plani i përbashkët do të realizohet plotësisht.

-Kryeministër Rama, çfarë prisni për Shqipërinë nga Plani i Rritjes?

Rama: Plani i Rritjes është shumë i qartë: ne duhet të japim rezultate, ata nga ana tjetër po ashtu. Ne po bëjmë pjesën tonë, ata të tyren. Kemi një mjet shtesë, që ka të bëjë me atë që është quajtur integrim gradual dhe po zbatohet. Për Shqipërinë, veçanërisht, po ecën shumë, shumë mirë.

-Si e vlerësoni situatën në Ballkanin Perëndimor aktualisht, zoti Rama?

Rama: E vlerësoj shumë mirë. Faleminderit!

tch

Qendra e propagandës së Putinit në Berlin?

Në zemër të Berlinit, ende ndodhet një “Shtëpi Ruse”. Sipas kritikëve, ajo përdoret për propagandë për Rusinë e Putinit. Gjermania i paguan Moskës një taksë prej 70,000 eurosh në vit për tokën.

Është debatuar ashpër në të kaluarën por edhe tani: “Shtëpia Ruse” në Berlin.  Ajo ndodhet në Friedrichstrasse – në qendër të kryeqytetit gjerman. Është një ndërtesë masive me shtatë kate dhe pothuajse 30,000 metra katrorë sipërfaqe.

U hap në vitin 1984. Atëherë, gjatë RDGJ-së, supozohej të kujdesej për miqësinë me Bashkimin Sovjetik – me koncerte, shfaqje filmash dhe mbrëmje letrare. Dhe me librarinë e saj të vogël.

Menaxherët e sotëm ende pretendojnë se miqësia midis dy vendeve ushqehet këtu: “‘Shtëpia Ruse’ është një ambasadë e kulturës ruse në zemër të Berlinit”, thuhet në faqen e internetit të Ambasadës Ruse në Gjermani.

Por shumë kritikë thonë: Ngjarjet, të cilat, sipas menaxhmentit të Shtëpisë Ruse, tërheqin rreth 200,000 vizitorë në vit, shërbejnë kryesisht si propagandë për Rusinë e Vladimir Putinit.

Shitja e sapunit në formën e tankeve

Media berlineze raporton rregullisht për ngjarjet në kinemanë e vendosur në këtë institucion, ku, për shembull, u shfaq një film për Holokaustin, në të cilin qytetarët ukrainas u portretizuan si nazistë. Dhe nëse duhet t’i besohet Robin Wagener, deputet ekologjist në Bundestag, në “Shtëpinë Ruse” prindërit mund t’u blejnë fëmijëve të tyre atje sapun në formën e tankeve.

Wagener i tha DW: “Është koha të kuptojmë se nuk bëhet fjalë për bashkëpunim dhe punë të ndërsjellë kulturore, por për propagandën e luftës ruse dhe të Putinit në Gjermani”.

Kjo është arsyeja pse Wagener tani dëshiron të shqyrtojë një detaj veçanërisht të çuditshëm: Toka në Friedrichstrasse është në pronësi të Gjermanisë, ndërsa objekti menaxhohet nga agjencia shtetërore ruse “Rossotrudnichestvo”, që përkthehet si “Agjencia Federale për Çështjet e Komonuelthit të Shteteve të Pavarura, bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit dhe për bashkëpunimin ndërkombëtar humanitar”.

Organizata “Rossotrudnichestvo”, e cila supozohet kryesisht të promovojë gjuhën ruse jashtë vendit, është aktualisht e pranishme në 62 vende të botës përmes 73 institucioneve të ngjashme si ajo në Berlin. Që nga viti 2022, pas sulmit rus ndaj Ukrainës, agjencia ka qenë në listën e sanksioneve të BE-së.

Në atë kohë, Brukseli deklaroi se qëllimi i agjencisë ishte “të forconte pranimin publik të territoreve të pushtuara ukrainase si ruse”. Më tej thuhet se drejtori dhe zëvendësdrejtori shprehën qartë mbështetjen e tyre për luftën agresionale të Rusisë kundër Ukrainës.

Paratë e taksapaguesve gjermanë për propagandën e Putinit?

Megjithatë, qeveria federale gjermane, si pronare de facto e tokës, paguan deri në 70,000 euro taksë mbi pronën në Administratën Tatimore. Kjo rrjedh nga një marrëveshje e vjetër midis Gjermanisë dhe Rusisë,  me anë të së cilës ata njohën reciprokisht bashkëpunimin e tyre kulturor.

Wagener kërkon që pagesa e shumës prej 70,000 euro taksë mbi tokën të hiqet gjatë negociatave të ardhshme të buxhetit. Ai hodhi idenë një vit më parë, por për shkak të një mosmarrëveshjeje kaotike brenda të të ashtuquajturit koalicion semaforik (SPD, Të Gjelbër, FDP), nuk ishte e mundur të miratohej buxheti në atë kohë.

Por tani ekziston mundësia e miratimit të buxhetit. Wagener e shpjegon kërkesën e tij si më poshtë: “Kuptimi origjinal i Shtëpisë Ruse, që ishte të promovonte shkëmbimin e ndërsjellë kulturor, është humbur prej kohësh… Rusia po e përshkallëzon vazhdimisht situatën dhe në këtë mënyrë po i tensionon më tej marrëdhëniet. Edhe baza e marrëveshjes kulturore ishte shkëmbimi i ndërsjellë kulturor dhe shkencor”.

Wagener i dërgoi një pyetje zyrtare qeverisë federale për këtë çështje. Përgjigja, në një mënyrë disi burokratike, thotë: “Në lidhje me objektin, i cili ndodhet në tokën e lartpërmendur dhe që është në pronësi të Federatës Ruse, Republika Federale e Gjermanisë paguan taksën e pronës në emër të Federatës Ruse për shkak të një detyrimi ligjor që rrjedh nga marrëveshja dypalëshe gjermano-ruse për çështjet e pronës së institucioneve kulturore nga viti 2013”. Pra, kjo është një marrëveshje që u përfundua para aneksimit të Krimesë nga Rusia. 

Frika nga reagimi rus

Nëse këto fonde do të ndalen realisht është jashtëzakonisht e pasigurt. Ministria Gjermane e Punëve të Jashtme ka theksuar vazhdimisht se stafi i “Shtëpisë Ruse” në Gjermani ka status diplomatik.

Prej kohësh është konsideruar sekret i hapur në qarqet politike se qeveria federale ka frikë nga një konflikt i hapur mbi “Shtëpinë Ruse”, sepse ka frikë se qeveria ruse mund të reagojë duke mbyllur Institutin Goethe në Moskë.

Por Wagener do të vazhdojë luftën e tij për mbylljen: “Unë besoj se ‘Shtëpia Ruse’ nuk ka të ardhme si ndërmjetës kulturor. Nëse dikush dëshiron seriozisht të merret me kulturën ruse – gjë që e mirëpres sinqerisht – ka edhe vende takimi civil për ata njerëz që janë kryesisht të persekutuar në Rusi dhe që tani jetojnë këtu në Gjermani, sepse nuk mund ta jetojnë lirisht kulturën e tyre në vendin e tyre.”

Megjithatë, “Shtëpia Ruse”, sipas të gjitha gjasave, do të vazhdojë aktivitetet e saj në zemër të Berlinit, në një nga rrugët më të famshme të kryeqytetit gjerman.

dw

Dështon edhe përpjekja e 40-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë

Për herë të 40-të ka dështuar përpjekja për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari edhe këtë herë kërkoi nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati as kësaj here nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe.

Nga deputetët 108 sa ishin në sallë, 51 votuan për, kundër dhe abstenim nuk pati.

Kur Dehari kërkoi nga partitë që nuk kanë bërë propozime pë anëtarë të këtij komisioni në foltore fillimisht doli deputetja e PDK-së, Blerta Deliu e cila theksoi: “Kryesues po të bëjmë thirrje edhe një herë respektoje Kushtetutën. Ktheju rendit të ditës”. Por gjersa ishte duke folur regjia ia ndali mikrofonin pas kërkesës së kryesuesit Dehari.

Edhe Armend Zemaj nga LDK nuk propozoi emër, por kërkoi nga kryesuesi ta zbatojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetues.

Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj tha me ironi se “për komision e propozojnë deputetin Albin Kurti”.

Pas dështimit në votim të Komisionit të fshehtë në mungesë kourumi, kryesuesi i seancës Avni Dehari deklaroi se senca ndërpritet dhe vazhdon më 3 korrik në orën 11:00.

rtk

n mbështetjen për Ballkanin Perëndimor

BE konfirmon mbështetjen për Ballkanin Perëndimor

Në Shkup janë mbledhur liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos. Ata do të diskutojnë për Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Në takimin me Komisioneren e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, marrin pjesë kryeministrat e Maqedonisë së Veriut, të Bosnjës dhe Hercegovinës, të Kosovës, të Malit të Zi, të Serbisë dhe të Shqipërisë. Në kuadër të takimit do të zhvillohen dy panele. I pari do t’i kushtohet Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor, kurse i dyti do t’u kushtohet mekanizmave specifikë dhe mbështetjes për zbatimin e Planit të Rritjes.

Çfarë ofron Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor?

Plani i Rritjes parashikon mbështetje financiare prej gjashtë miliardë eurosh, nga të cilat dy miliardë janë grante dhe katër miliardë kredi të buta të ofruara nga BE-ja për reforma dhe investime në fusha si energjia, transporti dhe transformimi digjital me qëllim që të rritet prosperiteti dhe stabiliteti në rajon.

Plani bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun e njësuar të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave thelbësore dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

Zhbllokimi i fondeve nga Plani i Rritjes

Në qendër të vëmendjes të samiti të Shkupit janë reformat kyç për të “zhbllokuar” ndarjen e fondeve nga Plani i Rritjes, të cilat sjellin përfitime të prekshme për qytetarët e shteteve kandidate për anëtarësim në BE para pranimit të tyre në BE. Nga Plani i Rritjes kanë marrë fondet e para të parafinancimit të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës.

Në Shkup do të diskutohet edhe për fusha të reja të bashkëpunimit si mbrojtja e konsumatorëve, turizmi dhe rruga drejt tregut të përbashkët, i cili do të përshpejtonte integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të BE-së.

Takimi Mickoski – Kos

Pas një takimi që kishte pasur me Komisioneren e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, kryeministrit Hristijan Mickovski tha: “Theksova vendosmërinë e fortë të qeverisë për t’u integruar në BE, me dinjitet dhe përmes zbatimit të reformave të konsiderueshme në fushat e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe transformimit digjital”.

Komisionerja Kos përshëndeti në takim agjendën e reformave të qeverisë së Shkupit dhe konfirmoi mbështetjen e Komisionit Evropian për progresin e rajonit në rrugën evropiane.

dw

Sa të rrezikshme janë temperaturat

Sa të rrezikshme janë temperaturat e larta?

Temperaturat e larta dhe vapa, që do të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim, mund të shkaktojnë sëmundje serioze deri në vdekje.

Dhjetëra qytete në të gjithë Evropën Jugorejanë përfshirë nga valët e të nxehtit. Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë për rreziqet nga temperatura ekstreme që do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim dhe kanë shtuar gatishmërinë.

Në disa qytete në Spanjë termometri i ka kaluar 40°C. Ndërkohë Portugalia, Franca dhe Italia kanë vënë në gatishmëri shërbimet mjekësore për shkak të rrezikut nga goditjet prej nxehtit. Nga ishulli italian i Siçilisë dhe nga Greqia njoftohet edhe për zjarre.

Edhe Shqipëria po përjeton temperatura mbi normalen për këtë periudhë.

Meteorologët paralajmërojnë se vala e të nxehtit do të vazhdojë edhe për disa ditë të tjera.

Më në rrezik të moshuarit

Nxehtësia ekstreme mund të shkaktojë përkeqësim të sëmundjeve kardiovaskulare ose atyre të frymëmarrjes. Kush qëndron për një kohë të gjatë në diell, rrezikon të digjet. Dhe kush qëndron për një kohë të gjatë në temperatura të larta, rrezikon hipertermi, një gjendje e ngjashme me ethet.

Po ashtu lëkura dhe indet e trurit ngacmohen nga nxehtësia e madhe dhe mund të shkaktojnë të ashtuquajturin meningjit aseptik, një infeksion truri që nuk shkaktohet nga ndonjë bakterie. Kjo goditje nga dielli është goditje e izoluar në kokë nga i nxehti.

Sipas studiuesve më të prekurit janë të moshuarit, sidomos ata mbi 65 vjeç.

Çfarë parashikohet për këtë verë?

Ekspertët thonë se moti pritet të bëhet akoma më i nxehtë. Dhe kjo do të thotë potencialisht edhe më vdekjeprurës.

Ndryshimet klimatike globale po shkaktojnë rritje të temperaturave në mbarë botën. Por në Evropë temperaturat janë rritur dy herë më shpejt se mesatarja globale.

Masa për adaptimin ndaj nxehtësisë

Ekspertët thonë se qeveritë duhet të ndërmarrin menjëherë masa për parandalimin dhe adaptimin ndaj nxehtësisë, për të mbrojtur ata që janë në rrezik.

Kjo përfshin, për shembull, përmirësimin e njoftimeve rreth valëve të të nxehtit dhe vënien në dispozicion të mjediseve publike me ajër të kondicionuar, gjë që do të ndihmonte për të parandaluar deri në 100 mijë vdekje të parakohshme të lidhura me nxehtësinë.

dw

Turqi: Diyanet mund të censurojë përkthimet e Kuranit

Kurani, libri i shenjtë i myslimanëve, është shkruar në arabisht; përkthimet janë me shumë rëndësi për t’i bërë tekstet të arritshme për miliona njerëz.

Autoriteti fetar turk, Diyanet mund të ndalojë përkthimet e Kuranit që i konsideron të papajtueshme me parimet islame. Kjo po shkakton kritika dhe ka nxitur shqetësime në lidhje me lirinë fetare.

Diyaneti është një nga autoritetet qeveritare më me ndikim në Turqi. Sipas informacioneve të saj, ajo punëson mbi 140,000 njerëz dhe ofron shërbime fetare në më shumë se 100 vende të botës. E themeluar në vitin 1924, agjencia ka qenë në varësi të drejtpërdrejtë të Presidentit islamik-konservator Rexhep Tajip Erdogan që nga viti 2018. Buxheti i saj vjetor prej afërsisht tre miliardë eurosh tejkalon edhe buxhetet e disa ministrive, përfshirë Ministrinë e Brendshme Turke.

Diyaneti menaxhon 90,000 xhami në të gjithë Turqinë, organizon pelegrinazhe vjetore, koordinon ritualet për Kurban Bajramin dhe organizon kurse kurani dhe ngjarje kulturore. Gjithashtu ajo trajnon imamë dhe i dërgon ata për të dhënë mësim si në vend ashtu edhe jashtë Turqisë. Fondacioni i saj është aktiv në 150 vende dhe arrin miliona njerëz përmes programeve arsimore dhe bursave, nga Lindja e Largët në Amerikën Latine.

Diyanet merr autoritetin e interpretimit të përkthimeve të kuranit

Në vitet e fundit, kompetencat e Diyanetit janë zgjeruar vazhdimisht. Agjencisë i është dhënë ndërkohë edhe kompetenca për të interpretuar përkthimet kuranore. Një ligj i miratuar së fundmi i jep fuqinë për të shqyrtuar përkthimet, e nëse ato “nuk përputhen me karakteristikat themelore të islamit”, mund të ndalohen. “Kopjet problematike” që janë botuar tashmë mund të konfiskohen dhe shkatërrohen. Kjo vlen edhe për përmbajtjen dixhitale, siç janë tekstet, regjistrime audio dhe video në internet.

Presidenti Erdogan i kishte dhënë më parë Diyanetit këtë autoritet me dekret, gjë që çoi në klasifikimin e disa përkthimeve si “të pavërteta”. Megjithatë, ky vendim nuk u pranua në Gjykatën Kushtetuese. Me ligjin e ri, kjo kompetencë tani është sanksionuar ligjërisht dhe kështu nuk është më antikushtetuese.

Kritikët: “Shpallje falimentimi e shtetit turk”

Teologët kritikë ndaj qeverisë flasin për censurë dhe një  islam të diktuar nga shteti” që rrezikon lirinë fetare. Për teologun e njohur Prof. Dr. Sönmez Kutlu, ky hap është një deklaratë falimentimi e shtetit. Sipas tij, një vend me mbi 100,000 punonjës të Diyanet dhe më shumë se 100 fakultete teologjie duhet të jetë në gjendje ta mbrojë Kuranin nga të ashtuquajturat përkthime problematike jo përmes ndalimeve, por përmes metodave intelektuale dhe shkencore. Ai gjithashtu paralajmëron se botimet që përmbajnë vargje kuranore të përkthyera që dyshohet se “kundërshtojnë karakteristikat themelore të Islamit” mund të çojnë gjithashtu në hetime dhe ndjekje penale.

Teologu Ihsan Eliacik e sheh autoritetin e ri të Dijanetit si një shkelje themelore të Islamit. “Në Islam,” thotë Eliacik, “asnjë institucion nuk mund të qëndrojë midis njerëzve dhe Allahut. Megjithatë, shqyrtimi i Kuranit nga Dijaneti për ‘vërtetësinë’ bën pikërisht këtë.” Përkthimi i Kuranit nga vetë Eliacik më parë ishte konsideruar problematik dhe u ndalua nga Diyaneti. Ai paditi Gjykatën Kushtetuese dhe fitoi. Me dispozitat e reja ligjore, kjo nuk është më e mundur.

Ömer Özsoy, Profesor i Teologjisë në Universitetin Goethe në Frankfurt am Main, dyshon se ligji i ri pasqyron ndikimin në rritje të qarqeve shumë fetare në qeveri. “Për rreth një dekadë, këto qarqe kanë kundërshtuar hapur teologjinë akademike, kritike dhe pluraliste në fakultetet teologjike islame në Turqi”, thotë Özsoy e shton se ata “kanë kryer fushata sistematike kundër teologëve të shquar për njëfarë kohe”. Ligji i ri mund të zbatohet gjerësisht në një “interpretim shtypës dhe të motivuar politikisht”, thekson eksperti.
Roli i përkthimeve të Kuranit

Kurani, libri i shenjtë i myslimanëve, është shkruar në arabisht. Përkthimet janë të rëndësishme për t’i bërë tekstet të arritshme për miliona njerëz. Megjithatë, ato përfshijnë edhe interpretime, veçanërisht kur bëhet fjalë për fjalë ose fragmente të paqarta. Kjo e bën temën shumë të ndjeshme. Rëndësia e përkthimeve të Kuranit në vendet jo-arabe si Turqia është rritur vitet e fundit. Në të kaluarën, shpjegon profesori i teologjisë Özsoy, “studimi i Kuranit ishte përgjegjësi e dijetarëve fetarë”. Megjithatë, teologu thotë se gjërat janë ndryshe sot.  “Sot, besimtarët laikë e lexojnë Kuranin drejtpërdrejt dhe e interpretojnë atë në mënyrë të pavarur”. Sipas tij, kjo është për shkak të individualizimit, të menduarit kritik dhe shfaqjes së lëvizjeve dhe trendeve të ndryshme. Sipas Özsoy, numri i përkthimeve turke të Kuranit është rritur në dekadat e fundit. Shumë prej përkthyesve nuk kanë kualifikimet e nevojshme profesionale. Ky problem diskutohet gjerësisht midis ekspertëve dhe ekziston literaturë e gjerë akademike mbi këtë temë.

Feja është gjithnjë e më shumë në qendër të diskursit shoqëror në Turqi. Të rinjtë, në veçanti lexojnë shkrimet e shenjta dhe diskutojnë për islamin, duke vënë në pikëpyetje shumë nga teoritë e tij, gjë që përbën shqetësim për qeverinë. Presidenti Erdogan ka theksuar prej kohësh dëshirën e tij për të rritur një “brez të devotshëm”.

Megjithatë, studimet e fundit nga instituti i sondazheve Konda tregojnë të kundërtën: përqindja e njerëzve që e përshkruajnë veten si fetarë ra nga 55 përqind në vitin 2018 në 46 përqind sot, ndërsa përqindja e ateistëve ose jobesimtarëve u rrit nga dy në tetë përqind gjatë së njëjtës periudhë.

dw

“Vera e Ohrit 2025” fillon më 12.07.2025 në Amfiteatrin antik të Ohrit

Hapja solemne e “Verës së Ohrit 2025” këtë vit me “Transformimi i shqisave” Edwin Outwater – dirigjent, Claire Huangci – piano nën shoqërimin e Filharmonisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut

 

Edwin Outwater është një nga dirigjentët që thyen kufijtë tradicionalë të përjetimeve koncertale dhe, si kurator dhe producent, është i njohur për qasjen e tij dinamike dhe projektet “cross-over”, në të cilat me sukses bashkon zhanre të ndryshme muzikore.

Ai bashkëpunon me artistë të profilit të lartë – nga grupi Metallica, tek Wynton Marsalis, Renée Fleming, Yo-Yo Ma – dhe vizioni i tij krijues, së bashku me aftësinë për të lëvizur lehtësisht midis stileve të ndryshme muzikore, e bëjnë atë “një nga dirigjentët më inovativë të kohës sonë”.

Outwater është dirigjent kryesor në Konservatorin Muzikor të San Franciskos, ku drejton ansamblet dhe merr pjesë në projektet artistike revolucionare të kësaj institucioni arsimor. Që nga viti 2024 është emëruar dirigjent i përhershëm i ftuar në Orkestrën Koncertale të BBC-së, ndërsa në periudhën 2007–2017 ka qenë drejtor muzikor i Orkestrës Simfonike Kitchener-Waterloo.

Performancat e fundit të tij përfshijnë bashkëpunime me Filarmoninë e Nju Jorkut, orkestrat e Cleveland, Chicago dhe Philadelphia, si dhe me Filarmoninë Mbretërore në Londër. Ai ka bashkëpunuar gjithashtu me Diana Ross, Beck, Trey Anastasio, Leslie Odom Jr., Sting, Lang Lang dhe të tjerë. Si këshilltar i Orkestrës Kombëtare të SHBA-së për shënimin e 50-vjetorit të Qendrës “Kennedy”, ai ka ndarë skenën me Audra McDonald, Christian McBride dhe Common.

Ai debutoi në festivalin prestigjioz “BBC Proms” në vitin 2022 me Cynthia Erivo, dhe që atëherë është mysafir i rregullt në këtë ngjarje muzikore të rëndësishme. Në skenën ndërkombëtare ka performuar me orkestrat në Tokio, Adelaide, Meksikë, Bruksel, si dhe me orkestrat kanadeze në Toronto, Vancouver, Calgary, etj.

Që nga viti 2021, ai dirigjon projektin Stewart Copeland’s “Police Deri në Orkestër”, i cili është realizuar me orkestrat në San Diego, Cleveland dhe Utah. Ai është gjithashtu një nga ideatorët e projektit “Coltrane – Trashëgimia për orkestër”, i cili pati premierën në Toronto në vitin 2024 dhe do të ketë repriza me Orkestrën Koncertale të BBC-së dhe Orkestrën Simfonike të Bostonit.

Projekti i tij me Orkestrën Simfonike të Çikagos, “Fantazia Filarmonike”, fitoi çmimin Grammy, ndërsa bashkëpunimi me Kirk Hammett nga “Metallica” në projektin “Portals” tregon edhe më shumë për kuriozitetin e tij muzikor.

Claire Huangci – piano

Pianistja amerikane Claire Huangci vazhdimisht mahnit publikun me “virtuozitetin e saj, ndjeshmërinë artistike, ndjenjën për ndërveprim dhe dramaturgjinë e hollë” (Salzburger Nachrichten). Kureshtja e saj e pandërprerë për repertorë të rinj dhe të pazakonshëm – që shtrihet nga Bach dhe Scarlatti, përmes romantizmit gjerman dhe rus, deri te veprat e Amy Beach dhe Samuel Barber – tregon më së miri qasjen e saj të veçantë ndaj muzikës.

Për Huangci-n, kjo sezonë është e mbushur me projekte emocionuese. Pas albumit të saj të suksesshëm me koncertet e Mozartit, të realizuar me orkestrën Mozarteum të Salzburgut, ajo nis një bashkëpunim me shtëpinë diskografike Alpha Classics, për të regjistruar një CD me muzikë amerikane të titulluar “MADE IN USA”.

Angazhimet e saj orkestrale do ta çojnë sërish në Frankfurt dhe Porto, në Islandë, ndërsa do të debutojë me orkestrat simfonike në Basel, Hanover, Bremen, Bochum dhe Milwaukee. Ajo ka performuar në disa nga sallat më prestigjioze të koncertit në botë, si Carnegie Hall, dhe në skenat e Hamburgut, Parisit, Munihut, Frankfurtit, si dhe në Filarmoninë e Berlinit, si edhe në sallat koncertale të Vjenës dhe Salzburgut.

Huangci merr pjesë në festivale të njohura si ai i Lucernit, Rheingau, Festivali Pianistik “Ruhr”, ndërsa si soliste ka performuar me orkestrat: Mozarteum i Salzburgut, Tonhalle i Zyrihut, Orkestra e Dhomës së Munihut, Orkestra e Dhomës së Basel-it, dhe me dirigjentë si: Elim Chan, Michael Francis, Howard Griffiths, Pietari Inkinen, Jun Märkl, Cornelius Meister, Sir Roger Norrington, Eva Ollikainen, Alexander Shelley dhe Mario Venzago.

Claire është lindur në Rochester, New York. Në moshë shumë të hershme filloi të mësojë piano, dhe që në vitin 1999 u ftua të performojë në Shtëpinë e Bardhë. Ka studiuar me Gary Graffman dhe Eleanor Sokoloff në Institutin Curtis, para se të zhvendosej në Hanover për të vazhduar studimet me Arie Vardi.

Karriera e saj mori hov pas fitimit të çmimeve të larta në Konkursin ARDMynih, Konkursin Géza Anda, si dhe Çmimin e Madh në Akademinë e Parisit për Performancë dhe Dirigjim. Që atëherë, ajo shpesh shfaqet në rolin e solistes dhe dirigjentes njëkohësisht.

Ajo është ambasadore e shtëpisë botuese muzikore Henle dhe drejtoreshë artistike e serisë së koncerteve të muzikës dhomës në Erbach.

Programi:

George Gershwin: Një Amerikan në Paris
Leonard Bernstein: Vallet simfonike nga “West Side Story”
George Gershwin: Rapsodi në blu

Ajo që bie në sy nga programi i “Vera e Ohrit” edhe këtë vit, ashtu si në vitin e kaluar, përsëri asnjë interpretues shqiptar, as nga Shqipëria as nga Kosova!

E.I.F