Vdes në Zvicër, autoritetet serbe nuk e lënë të varroset në Dobrosin të Bujanocit

Hetem Bediu ka vdekur më 28 janar të këtij viti në Cyrih të Zvicrës. Autoritetet serbe nuk e kishin lejuar që ai të ‘riatdhesohet” në varrezat e vendlindjes, në Dobrosin të BujanocitNjë bashkatdhetarë nga Lugina e Preshevës ka vdekur në Cyrih tri ditë më parë, mirëpo amanetin e tij që atë ta varrosin në vendlindje, në fshatin Dobrosin të Bujanocit, e kishin penguar autoritetet serb. Funerali ishte ndalë nga Policia Serbe në pikën kufitare, duke e kthyer mbrapa.
Familjarët, por edhe përfaqësuesit politikë nga Lugina e Preshevës, janë revoltuar nga ky vendim i autoriteteve serbe dhe kanë paralajmëruar ankesa në të gjitha institucionet ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut.
Madje në Këshillin e të Drejtave të Njeriut thonë se kjo është në kundërshtim me çdo normë demokratike.
Hajredin Bediu, djali i të ndjerit Hetem Dediu (61) thotë se kanë përjetuar vdekjen për së dyti të prindit të tyre, pasi që nga të gjitha maltretimet e policëve serb prindin është dashur ta varrosin në Gjilan.
Hetem Bediu ka punuar në Zvicër për 35 vjet me radhë, ndërsa vdekja natyrale e gjeti në njërin nga spitalet e Cyrihut. Ai kishte lënë amanet që të varroset në vendlindjen e tij në Dobrosin. Siç rrëfejnë
familjarët policia serbe nuk kishte lejuar të hyjë kufoma në Dobrosin me arsyetimin se kanë zbritur në aeroportin e Prishtinës.
Hajredin Bediu tha se kur ka ardhur kufoma nga Zvicra i ka pasur të gjitha dokumentet e rregulluara, edhe certifikatën e vdekjes, edhe dokumentin nga Komuna e Spitali.
“Policët serbë edhe pse fillimisht na lejuan të hapim varrin, kur shkuam me kufomën na detyruan që të shkojmë në pikën tjetër kufitare “Dheu i Bardhë”, me idenë se atje mjekët ligjor të Vranjës duhet ta konstatojnë vdekjen. Edhe pse pritëm mbi tre orë ata nuk erdhën dhe ne u detyruan prindin ta varrosim në Gjilan”, citon RP Hajredin Bediun.
Ai thotë se për këtë veprim të autoriteteve serbe do të ankohet edhe në Strasburg nëse është nevoja sepse është e drejtë elementare e një njeriu dëshira se ku donë të varroset.
Jonuz Musliu është kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanocit. Ai tha për “albinfo.ch” se me këtë veprim autoritetet serbe kanë mbetur po ato që kanë qenë në kohën e ish-diktatorit Millosheviq. Sipas tij, pengesa për të varrosur njeriun në tokën e tij, tejkalon çdo limit human, shkruan albinfo. “E gjithë kjo e ka një kuptim. Shpërnguljen e shqiptarëve nga vendbanimet e tyre. Nëse njeriut i mohohet edhe e drejta për t’u varrosur në vendlindje, kjo nuk ka justifikim”, deklaroi Musliu, i
cili tha se këtë çështja do ta rikujtojë në instancat në të lartave ndërkombëtare.
Edhe Belgzim Kamberi, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginën e Preshevës tha për “albinfo.ch” se moslejimi për të varrosur personin në vendlindje, tregon për mendësinë politike që po mbretëron në Beograd. Sipas tij, kjo po dëshmon se dikujt po i pengojnë edhe shqiptarët e vdekur.
Ai tha se për këtë çështje do të reagoj si këshill për të drejtat e njehur, derisa premtoi se do të diskutojë edhe me autoritete zvicerane për pengesën që ia kanë bërë këtij qytetari që ka vepruar për disa vite në këtë shtet. Sipas Kamberit, ky është rasti i tretë që autoritetet serbe pengojnë varrimin në vendlindje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>