KRISHTLINDJA… PRAP NË SHKODER

Rruga per me shkue në Vorrezat e Rrëmajit në Shkoder, mbas dates 4 Nandor të vitit 1990 nuk merrej vesh ma a asht “pjacë shetitje” apo rrugë vorrezash… Vizitorë nga të gjitha anët e vendit drejtimin e kishin nga vorrezat katolike, ata nuk largoheshin pa u ndalue tek Çinarët e Rrëmajit… Edhe muri kufizues nga Zalli i Kirit ishte rrëzue!

Nga Fritz RADOVANI:

Vorrezat vazhdonin deri tek Penda e Kirit, aty ku shenjat e plumbave nder gurë ishin per sa vite mbas 1944, plumba që kishin rrëzue perdhe mija Atdhetarë… Filloi tragjedia e pergjakëshme Shqiptare me 25 Mars 1945, dhe vazhdoi deri në vrasjet mizore të demokratëve Shkodranë me 2 Prillit 1991… E kur, u duheshin shkrepë “gotat” me gjakun e Rinisë Shqiptare, Ramiz Alia i mbushte ato nder piramidat e kufinit…
Me 24 Dhjetor 1990, Naten e Këshndellave drejtë Rrëmajit ishin drejtue prap si me 11 Nandor njerëz nga të kater anët e Shqipnisë. Nuk besoj se mujte kush me tregue se sa mijë vetë mund të ishin atë natë nder Vorre. Vetem ardhja e një Heroi ishte që sillte heshtjen e plotë! Vetem gjurmët e Tij në zhavorin e rrugës mes selvijave ndiheshin kur vinte mes djelmëve trima që e shoqnonin…E kur vazhdonte ecjen burrnore me atë gjoks luani perpara, plasnin duertrokitjet e pershëndetjet pa u kuptue as nga vetë Populli…
Ishte Don Simon Jubani! Kleriku Katolik Shqiptar i Shkodres së Lirë… Bash i asaj Shkoder, që me 11 Nandor 1990, Ai i kishte këputë pergjithmonë vargojt e prangave të robnisë ma të përgjakuna komuniste të anadollakëve terroristë Enver Hoxha e Ramiz Alia, dy nga diktatorët ma barbar që ka provue per 47 vjetë Shkodra e Shqipnia Martire.
Dritat e ndezuna festive nga të kater anët dhe vargjet e tyne të varuna nder të gjitha selvijat, qira e kandila vaji nder të gjitha Vorrezat apo fëtyrat e gzueme dhe të qeshuna të të gjithë të pranishemëve, e banin atë ambjent të bukur, një Natë Feste!
Shumë shumë vite kishte kalue Shkodra pa mujtë me u afrue tek dyertë e Kishës apo, pa ndigjue tingujt e bukur të kumbonëve në mesnatë që lajmonin se ka lé Mesia! Gati ishte harrue kanga tradicionale e Këshndellave: “O e qeta Natë!…” Fëmijët kishte kohë që nuk mendonin me zbukurue Betlemin e vogel që sillte festen në shtëpijat e të gjithë besimtarëve bashkë me buzmin pranë vatres Shkodrane, ku dikur, rreth saj nuk i mungonte as ma fukarasë vargu i fiqëve të thatë, arrat, bukfikja e gota e venës…
Gjithë qyteti i Shkodres dukej si një “Betlem”…dikund, aty brijë Cukalit…
Shkodra e dhunueme në pranga festonte prap Krishtlindjen…
Selvijat e vorreve të zbukurueme me drita ndriçonin rrugen mes tyne, ku grumbuj të rinjshë e pleqësh pothuej kishin harrue se Kryqat perrreth edhe veshtrojnë…e sejcili, pyeste veten: “A thue me të vertetë mori fund terrori komunist edhe në Shqipni?”
O Zot, sa vetë janë nder vorrezat e Shqipnisë, që vdiqën tue pritë këte ditë!
Shikoheshim me sy të perlotun e uronim njenitjetrin… “Per shumë mot!…”
Asht e vertetë që brezi ynë mujti me mbijetue në një nga qendrat ma të egra dhe të pashpresë shpetimi nga kthetrat e diktaturës së mnershme komuniste, po humbjet dhe zhdukjet që nuk mujtën me lanë as gjurmët e veta janë kenë shumë të mëdha.
Humbjen e tregon ma shumë se gjithshka mungesa e theksueme e lirisë fjalës dhe mendimit, dhe kryesisht, tek trashigimtarët e mija e mija të persekutuemëve politik të cilët, nuk kanë mujtë me ruejtë asgja nga kujtimet e paraardhësve të vet. Diktatura tek né ishte e pakrahasueshme me vendet tjera komuniste… Nuk mund të ruhej një foto, një fletore me shenime kujtimesh, dhe as nuk bahet fjalë per dorshkrime librash…
Ajo që e ban Shkodren me mendue ma shumë asht vransina e mbramjes në një kand të largët të malit Taraboshit, që quhet Rumija e Krajës…Aty ku dy rê në darkë, i sjellin Shkoderloces së nesermën shtergaten e rrebeshin që shoqnojnë fortunen…
Qyteti kje i permbytun mbi 47 vjet nen robni e terror…
Janë pikrisht rêtë e zeza shoqnue me rrufé që sivjet u dukën diten e 29 nandorit, nder vorrezat e Deshmorëve të Tiranës,..gati më shkoj goja me thanë Tiranës së “kuqe”!
Fatkeqësi…
***
Don Simon Jubani nuk jeton ma! Kështu, kujtojnë “disa” që nuk perkujtojnë as Veprat e Tija të Mëdha, tue fillue nga Heroizmi e vuejtja në Burgun e Burrelit…
Don Simon Jubani nuk zehet me gojë kur flitet per thyemjen e Perdes së Hekurit në Rrëmaji të Shkodres, me daten 4 e 11 Nandor 1990…
Don Simon Jubani nuk mund të kujtohet vetem se, guxoi me shpreh të Verteten që parashikonte nga larg…se do të ngjasin shumë afer, dhe pikrisht me 29 nandor 2013, diten e vdekjes së Lirisë së Popullit Shqiptar, në vitin fatzi të robnisë sllave të 1944…
Don Simon Jubanit, ashtu si të gjithë Atyne Burra e Gra Shkodrane që dhanë jeten per Liri dhe Demokraci, nuk besoj se i kanë vue as tek dera e Vorrezave të Rrëmajit një pllakë perkujtimore, në shenjë mirnjohje… po, edhe kujtese ndaj vepres së Tij!
Don Simon Jubani solli në Shkoder Lirinë e Fesë!
Kurrë mos harroni, se edhe Gurtë e thëmelit të Asaj Pendë Kirit, janë të zhytun në Gjakun e Martirëve të Shkodres, që dhane jeten per Një Shqipni të Lirë e Demokratike!
E Demokracia, gjithmonë asht fryt i Lirisë dhe i Drejtësisë…
Shkodranë, mos kujtesa sjellë harresen dhe…
Harresa, sjellë edhe “persëritjen” e Historisë…
Jo, Vllazen e Motra Shqiptarë, mbas 47 vjetësh Gjenocid komunist…
Né, nuk e harruem urimin…
Per shumë mot Krishtlindjen!

Melbourne, Dhjetor 2013.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>