Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH thotë se aksidentet rrugore që shkaktohen nga trafiku i ngarkuar lënë mbi 1 milionë e 250 mijë të vdekur në vit, viktima që në një masë të madhe janë të parandalueshme. OBSH ka publikuar Raportin e Statusit Global mbi Sigurinë e Rrugëve, për vitin 2015.
Raporti, i cili bazohet mbi të dhëna të mbledhura nga 180 vende, tregon se numri i viktimave që humbin jetën çdo vit në aksidente rrugore po stabilizohet. Ky fakt shihet si një zhvillim pozitiv, pasi numri i automjeteve në botë po shtohet.
Por raporti nxjerr përfundime shqetësuese, duke nënvizuar se të dhënat tregojnë që shkaktari numër një i vdekjeve ndër të rinjtë 15-29 vjeç janë aksidentet rrugore. Raporti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë zbulon një hendek të madh në situatën e sigurisë rrugore mes vendeve të pasura dhe atyre të varfra.
Raporti thotë se 90% e vdekjeve në aksidente rrugore regjistrohen në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, megjithëse këto vende përfaqësojnë vetëm 54% të automjeteve që janë në qarkullim sot në botë. Numri më i lartë i këtyre aksidenteve vërehet në Afrikë, megjithëse ky kontinent ka vetëm 2% e makinave të botës. Më pas renditet Lindja e Mesme.
Vende si Suedia, Britania dhe Holanda kanë arritur të reduktojnë me 80% numrin e viktimave nga aksidentet rrugore gjatë dekadave të fundit. Ndër faktorët kryesorë për përmirësimin e situatës në këto vende është zbatimi rigoroz i rregulloreve të trafikut rrugor, si ulja e shpejtësisë së lëvizjes, ndëshkimi i ngarjes së makinës nën influencën e alkoolit, përdorimi i helmetave mbrojtëse gjatë ngarjes së motoçikletës, apo i rripit të sigurisë në makinë.
Një tjetër faktor që ndikon në përmirësimin e situatës është reagimi i shpejtë i ekipeve mjekësore pas aksidentit.
Raporti tregon se njerëzit në biçikleta apo këmbësorët përfaqësojnë 26% të të gjithë viktimave të aksidenteve rrugore. Në Afrikë kjo shifër arrin në 33%.
Raporti nënvizon gjithashtu se disa prej makinave që shiten në 80% të vendeve nuk përmbushin kriteret bazë të sigurisë. Kjo vërehet më së shumti në vendet e varfra. (voa)