Testet e reja të biopsisë së lëngshme identifikojnë tetë lloje të kancerit

test gjakuShkencëtarët njoftuan përparim të madh në testet e gjakut që mund të zbulojnë shumë lloje të kancerit në një fazë të hershme, përfshirë disa prej llojeve më vdekjeprurëse për të cilat deri tani, nuk egzistojnë mënyrat e ekzaminimit. Ekspertë që përfaqësojnë grupe të ndryshme po punojnë me testet e biopsisë së lëngshme, të cilat studiojnë AND-në dhe përbërje të tjera që tumoret derdhin në gjak. Qëllimi është gjetja e kancerit përpara se ai të përhapet, atëherë kur shanset për shërim janë më të mira.

Në një studim të publikuar të enjten në revistën “Science”, shkencëtarët e universitetit Johns Hopkins njoftuan se testet e tyre, ende në fazë eksperimentale, zbuluan rreth 70 për qind të tetë llojeve të zakonshëm të kancerit në 1,005 pacientë të prekur nga sëmundja. Shkalla ndryshonte në varësi të llojit të kancerit, më e ulët për tumoret e gjirit, por më e lartë për kancerin e qafës së mitrës, mëlçisë dhe pankreasit.

Në shumë raste, testi i kufizonte gjetjet në një ose dy vende ku mund të ndodhej kanceri, si në zorrën e trashë ose mushkëri, e rëndësishme për të kuptuar nevojat për trajtimin në vazhdim të pacientit. Në provat e kryera ndaj 812 pacientëve pa kancer u dhanë vetëm 7 sinjale të rreme të pranisë së sëmundjes.

Testi nuk është ende gati për përdorim, ai ka nevojë të vlerësohet në një studim më të madh që tashmë po zhvillohet tek popullsia e përgjithshme, në vend të pacientëve me kancer, për të parë nëse vertet funksionon dhe ndihmon në shpëtimin e jetëve.

“Jemi shumë, shumë entuziastë dhe e shohim këtë si një hap të parë. Por nuk duam që njerëzit të nisin ta kërkojnë, sepse nuk e kemi ende në dispozicion”, thotë Nickolas Papadopoulos, një nga udhëheqësit e studimit të universitetit Hopkins.

Për disa ekspertë të pavarur testi është shumë premtues:

“Është një komplet testesh shumë i mirë, që jep shpresë se kjo qasje do të rezultojë me sukses. Çdo gjë që të çon tek afro 50 për qind ose 40 për qind shkallë zbulimi është diçka shumë emocionuese dhe ky test arriti më shumë se aq”, thotë Dr. Peter Bach, një ekspert i politikës shëndetësore në Qendrën e Kancerit “Memorial Sloan Kettering”.

Dr. Len Lichtenfeld, zëvendës shef i Shoqatës Amerikane të Kancerit, ndihet i inkurajuar nga fakti që testi solli rezultate më të mira mbi kancerin se sa ekzaminimet egzistuese.

Nëse një test gjaku mund të gjejë 98 për qind të kancerit të qafës së mitrës në një fazë të hershme, siç sugjerojnë këto rezultate të hershme, “ky do të ishte një përparim i rëndësishëm”, thotë ai. Por ai paralajmëron:

“Kemi rrugë të gjatë përpara, për të treguar efektivitetin e testit në një numër më të madh popullsie. Një gjë është të gjesh kancerin në fazat e hershme dhe një tjetër është të tregosh se mund të shpëtosh jetë. Trajtimi i hershëm shpëton jetë”.

Testi zbulon mutacione në 16 gjene shpesh të lidhura me kancerin dhe bën vlerësimin e tetë proteina niveli i të cilave shpesh ngrihet për shkak të pranisë së kancerit.

Ai mbulon tetë lloje të kancerit, atë të gjirit, zorrës së trashë, mushkërisë, qafës së mitrës, mëlçisë, stomakut, pankreasit dhe ezofagut.

Për pesë të fundit nuk kanë teste të shqyrtimit për njerëzit me rrezik mesatar. Kanceri i prostatës nuk është i përfshirë. Ai që përdoret gjerësisht është testi i gjakut, por vlera e tij për shqyrtim është e diskutueshme.

Studiuesit e provuan testin e ri tek 1,005 persona, kanceri i të cilëve ishte ende i izoluar në vendin ku kishte nisur ose që ishte përhapur pak, por jo gjerësisht në të gjithë trupin.

Testi zbuloi 33 për qind të kancerit të gjirit, rreth 60 për qind të kancerit të zorrës së trashë ose të mushkërive dhe pothuajse të gjitha raste e kancerit të qafës së mitrës dhe të mëlçisë. Testi rezultoi i suksesshëm kur tumoret ishin më të mëdha apo ishin përhapur por nuk solli rezultate aq të mira në fazat e hershme të sëmundjes.

Si funksionin biopsia

Tumoret përbëhen nga qeliza kancerogjene që ndryshojnë, riprodhohen dhe vdesin me kalimin e kohës.

Ndonjëherë tumoret shpërndajnë qeliza që mund të futen në gjak.

Edhe kur qelizat e kancerit vdesin, lëshojnë ADN dhe copëza të tjera që gjithashtu mund të hyjnë në gjak.

Testet e quajtura biopsi e lëngshme mund të analizojnë një mostër gjaku për gjurmë të ADN-së së kancerit, për të parë se cilat gjene dhe mutacione janë më aktive.

Kjo mund të sugjerojë se çfarë lloj trajtimi mund ta ndihmojë pacientin.

Këto teste mund të japin gjithashtu një paralajmërim të hershëm të pranisë së kancerit, ose për rikthimin e tij pas trajtimit.

Paralajmërimet dhe hapat e tjerë

Studiuesit thonë se testi ndoshta nuk do të funksionojë aq mirë kur të testohet tek popullsia e përgjithshme në vend të atyre që janë të prekur nga kanceri.

Universiteti Hopkins dhe organizata e Shërbimit Shëndetsor Geisinger në Pensilvani kanë nisur një studim të tij në 10 mijë persona që do të mbahen nën vëzhgim për të paktën pesë vjet. Studimi nuk është i hapur për publikun e gjerë, por vetëm për pacientët e Geisinger-it, thotë Papadopoulos.

Puna e kryer u financua nga shumë fondacione si Klinika Mayo, Instituti Mjekësor i Howard Hughes dhe Institute Kombëtar i Granteve për Shëndetin. Shumë nga ata që udhëhoqën studimin kanë lidhje financiare me kompanitë që merren me testimin e gjeneve dhe disa marrin honorare për patentat lidhur me metodat e zbulimit të kancerit.

Studiuesit thonë se testi mund të kushtojë rreth 500 dollarë bazuar tek materialet dhe metodave aktuale, por qëllimi përfundimtar është komercializimi i tij (hedhja në treg), kështu që mbetet ende e panjohur se sa do t’ia vendosë çmimin një kompani.

Lajme të tjera që lidhen me biopsinë e lëngshme.

Gjithashtu këtë javë, Life CellMax me bazë në Tajvan dha rezultate në testin e tij të biopsisë së lëngshme që gjurmon të gjitha qelizat tumorale që derdhen në gjak.

Studiuesit testuan 620 njerëz në një spital në Tajvan, duke u kryer kolonoskopinë ose për të cilët ishte i njohur fakti se ishin të prekur nga kanceri i zorrës së trashë. Kompania tha se testimi i saj dëshmoi një saktësi të përgjithshme prej 84 deri në 88 për qind të zbulimit të kancerit ose mundësisë për zhvillim të tij dhe një normë gabimi rreth 3 për qind.

Shefi ekzekutiv i kompanisë, Atul Sharan, tha se studimet në SHBA duhet të fillojnë këtë vit. Testi shitet në Tajvan për 500 dollarë, por në SHBA duhet të kushtojë rreth 150 dollarë, tha ai.

Dr. Richard Schilsky, i Shoqatës së Onkologjisë thotë se rezultatet janë inkurajuese, por testi ka nevojë për më shumë studime, veçanërisht për të parë nëse jep shumë alarme të rreme.

“Gjëja e fundit që do të donit do të ishte një test që ju tregon se keni kancer kur nuk e keni”, thotë ai. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>