Retina artificiale dhe gjetja e shkakut të verbërisë, Majlinda Lako rrëfen zbulimet e fundit që ka bërë me ekipin e saj në Angli. Si arriti ish-studentja e Fakultetit të Shkencave të Natyrës në majat e shkencës ndërkombëtare, familja dhe lidhja që ruan me vendin e saj
Jeni duke kërkuar një mrekulli? Atëherë i hidhni sytë nga shkenca. Albert Anshtajn thoshte se njeriu takon Zotin pas çdo dere që shkenca arrin të hapë. Kësaj here, matanë derës së dijes, zëri i zbulimeve të reja shkencore bëhet një shqiptare. Bëhet fjalë për Majlinda Lakon, shkencëtaren e mjekësisë gjenetike si dhe pedagoge në Universitetin Newcastle në Angli, e cila së bashku me ekipin që drejton me bashkëshortin e saj kanë arritur të krijojnë retinën artificiale duke pasur si model miun. Por kjo nuk është e vetmja e re që na vjen prej Lakos, ish studente e Biokimisë dhe Gjenetikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Një tjetër studim i saj pritet të botohet së shpejti në revistën prestigjioze të zbulimeve të larta shkencore “Nature Communications”, bëhet fjalë për gjetjen e shkakut të verbërisë tek pacientë të veçantë. Po cila është historia e shqiptares që është bërë frymëzim për brezat e rinj të shkencës në Angli? “Për mua, transmetimi i pasionit shkencor arrihet në radhë të parë duke dhënë shembullin personal”. Lako në këtë intervistë për “Shekullin” rrëfen periudhën e studimeve në Shqipëri dhe si arriti të bëhej pjesë e shkencëtarëve të gjenetikës humane në Newcastle, ende pa mbaruar doktoraturën. Pas rezultateve maksimale të Masterit në këtë universitet, rrugëtimi i saj profesional nis me një letër dhe me një dashuri të madhe për shkencën, që do ta nxisë të sfidojë vetveten. Edhe pse në majat e shkencës në Mbretërinë e Bashkuar, ajo do ta ruaj të fortë lidhjen me vendlindjen, Tiranën dhe Fakultetin ku mori bazat e profesionit. Kulturën dhe dashurinë për atdheun ua ka transmetuar edhe fëmijëve të saj, të cilët kanë emra shqiptarë dhe ndihen krenarë për Shqipërinë.
Zonja Lako, i keni përfunduar studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë si e kujtoni atë periudhë?
Unë e kujtoj atë periudhë me shumë nostalgji jo vetëm për kolegët e mi me të cilët u diplomova dhe jam në kontakt të vazhdueshëm, por dhe pedagogët, të cilët me sa kishin mundësi na bënë që ta dashurojmë biologjinë dhe shkencën si dhe na dhanë një bazë shumë të mirë formimi që mundësoi për shumë nga ne të kontribuojnë në vende të ndryshme të botës. Nga kujtimet më të bukura ishin ekspeditat e botanikës dhe të zoologjisë që ne bënim në Vlorë dhe Shëngjin si dhe punët e laboratorit.
Më pas në moshë të re u bëtë pjesë e departamentit të Gjenetikës Njerëzore (Newcastle), a ka qenë rrugëtimi juaj i vështirë?
Pasi mora diplomën nga Fakulteti i Shkencave në vitin 1992, unë erdha në Angli (Manchester) për të bërë Masterin dhe kjo u bë e mundur nëpërmjet një burse. Ëndrra ime ishte që të bëja doktoraturë në gjenetikën humane dhe në Mançester pata mundësinë të njihesha me punën që bëhej në një nga laboratorët ndër më të suksesshmit në këtë fushë dhe që drejtohej nga dy profesorë shumë të njohur, Tom Strachan and Susan Lindsay në Universitetin e Newcastle. Me shumë ndrojtje po dhe dëshirë, u shkrova një letër ku u shpjegova ëndrrën time për doktoraturë dhe ata më ftuan për një intervistë. Kur arrita në Newcastle, më shpjeguan që vendi i punës që ata kishin ishte në fakt për një person që kishte mbaruar doktoraturën, por ata ishin të përgatitur të ma ofronin mua në qoftë se unë e bëja punën gjatë orarit të ditës dhe doktoraturën në kohën e lirë (gjatë natës dhe në fundjavë). Unë e pranova këtë sfidë dhe brenda 4 vjetëve arrita t’i bëj të dyja, duke u diplomuar me doktoraturë në vitin 1998 dhe duke publikuar 8 artikuj. Kjo kërkoi një dedikim të plotë, por për mua ishte një ëndërr që po realizohej dhe unë me të vërtetë e shijova çdo moment të sfidës.
Prej 15 vitesh punoni në Newcastle University, ç’mund të na thoni për punën tuaj me studentët? Si ua transmetoni atyre pasionin për shkencën mjekësore?
Unë kam kënaqësi të veçantë të punoj me studentë dhe për këtë më kanë frymëzuar dhe prindërit të cilët kanë qenë të angazhuar në këtë fushë (mami si mësuese e ciklit të lartë të 9 vjeçares) dhe babi (inxhinier hidrogjeolog, por dhe lektor në fakultetin e gjeologjisë). Puna ime këtu në Newcastle është me studentët e vitit të tretë ose të katërt që bëjnë një projekt 8 javësh, me studentët e Masterit që bëjnë projekte 6 mujore dhe me studentët PhD që bëjnë projekte për doktoraturën (3-4 vjet) në laboratorin tim. Gjatë 15 vjetëve të fundit, unë kam drejtuar 18 PhD, 14 MSC dhe 12 BSc students. Mentorimi i shkencëtarëve të rinj vazhdon dhe pas doktoraturës, dhe unë kam pasur kënaqësinë të kem në laboratorin tim 36 shkenctarë postdoktoral, shumë prej tyre janë tani në vende të ndryshme në Angli dhe në botë (SHBA, Australi, Rusi etj.) ku vazhdojnë të punojnë në këtë fushë në mënyrë të pavarur. Për mua, transmetimi i pasionit shkencor arrihet në radhë të parë duke dhënë shembullin personal. Arrihet duke bërë një punë të vazhdueshme dhe sistematike, duke folur me pacientët, kolegët dhe mjekët për të ditur cilat janë nevojat klinike që ne duhet t’i zgjidhim në laborator. Pasioni përçohet duke mësuar në çdo çast dhe moment të rejat e shkencës, duke mos u tërhequr nga disfatat, duke mos u kënaqur me suksesin e arritur por duke kërkuar gjithnjë të renë. Unë shpesh i mbyll leksionet e mia me këtë këshillë për shkencëtarët e rinj: “Gjenitë janë 1% frymëzim dhe 99% punë”, siç ka thënë Edison. Pse ne bëjmë kërkime shkencore: sepse është interesante! Vendos objektivat dhe ndiq ëndrrat e tua: Argëtohu!
Zonja Lako, ju dhe bashkëshorti juaj drejtoni një ekip kërkimor në fushën e shkencës mjekësore, mund të na thoni diçka më tepër?
Fokusi i kërkimit tonë shkencor është përdorimi i qelizave staminale (janë qeliza nënë që kanë potencial për të prodhuar çdo lloj qelize të trupit) për rigjenerimin e syrit dhe veshit (dëgjimit). Këto qeliza mund të prodhohen në dy mënyra: (1) Nga embrionet e fekondimit artificial pasi është marrë aprovimi i çiftit që bën këtë trajtim. Ekipi ynë në Newcastle ka qenë një nga dy grupet në Angli që ka prodhuar qelizat embrionale të cilat u depozituan në “UK Stem cell Bank” në vitin 2004. (2) Metoda e dytë realizohet nga kthimi i qelizave që gjenden në trupin e njeriut në gjendjen embrionale. Ky fenomen është zbuluar nga fituesja e çmimit Nobel në 2007-ën Shinya Yamanaka dhe ekipi ynë ka arritur ta riprodhojë këtë sukses në vitin 2008 në Newcastle. Brenda 10 vjetësh, ne kemi arritur të prodhojmë qeliza të tilla nga më shumë se 600 pacientë që vuajnë nga sëmundje degjenerative (për shembull Parkinson,Alzheimer etj). Avantazhi i këtyre qelizave është që këto mund të prodhohen nga çdokush dhe nuk ka nevojë për të përdorur embrione. Ne mund të marrim disa qeliza gjaku ose të lëkurës dhe me disa manipulime gjenetike, brenda 4-5 javëve i kthejmë këto në qeliza “pothuajse” të njëjta me qelizat embrionale. Mandej këto të fundit brenda 4-6 muajve mund të vazhdojmë t’i shndërrojmë në qeliza të zemrës, qeliza të gjakut, të trurit. Fakti që këto qeliza vijnë nga pacienti, është shumë i vlefshëm për kërkimet tona, sepse ato mbartin informacionin gjenetik të pacientit, çka na lejon të studiojmë sëmundjen në laborator, të korrektojmë defektin gjenetik por dhe të testojmë ilaçe dhe terapi të ndryshme.
Së fundmi keni mundur të prodhoni retinën artificiale në një eksperiment me minjtë. Në çfarë konsiston në fjalë të thjeshta? Sa janë gjasat që ky eksperiment të rezultojë i suksesshëm edhe tek njerëzit?
Krijimi i mini organeve në laborator është një fenomen që na ndihmon me të vërtetë për të prodhuar qeliza për transplantim, për të studiuar sëmundjen në laborator (pa pasur nevojë të marrim biopsi nga pacientet në mënyrë të vazhdueshme) dhe për të testuar terapi të ndryshme. E financuar nga Komuniteti Evropian, ekipi im ka arritur të krijojë një retinë artificiale që i ka të gjitha llojet e qelizave si retina që gjendet në syrin e njeriut dhe që i përgjigjet dritës si një foshnjë e sapolindur. Ky kërkim shkencor është bërë në bashkëpunim të ngushtë me kolegët e mi në Newcastle që punojnë në fushën e elektrofiziologjisë së retinës por dhe me farma kompanitë si Roche, Novartis, Merck, Byers etj., që janë të interesuar në këtë fushë. Për momentin, transplantet e qelizave të retinës artificiale janë bërë nga ekipi im dhe disa ekipe të tjera në botë por deri tani te miu si model. Unë mendoj, që do na duhet të paktën 5-10 vjet për t’i përmirësuar procedurat tona eksperimentale, por dhe për të marrë miratim nga agjencitë rregullatore. Shkenca në këtë fushë ka ecur me hapa të shpejtë, dhe për momentin, ka teste klinike që transplantojnë qelizat pigmentare që janë shumë të nevojshme për shëndetin e retinës te pacientët me degjeneracion të makulës (pjesë e retinës e specializuar për pamje qendrore dhe të dalluarit e hollësirave më të imëta). Unë shpresoj që këto do të ndiqen së shpejti nga transplanti i qelizave të retinës.
Përveç retinës, cilat janë disa nga zbulimet më interesante lidhur me shikimin dhe sytë që ekipi juaj ka bërë?
Ndër zbulimet më interesante ka qenë rigjenerimi i kornesë (pjesa e përparme e syrit që duhet të jetë transparente të lejojë kalimin e dritës te retina) te pacientet që kanë pasur dëmtime në sy si rezultat i aksidenteve në punë. Ky projekt ka nisur në vitin 2003 në bashkëpunim të ngushtë me mjekun okulist, Francisco Figueiredo. Ne marrim një biopsi të vogël nga syri i padëmtuar i pacientit, i rrisim këto qeliza në laborator për dy javë dhe pastaj i transplantojmë te syri i sëmurë. Deri tani, ne kemi trajtuar 33 pacientë me sukses të plotë duke u sjellë atyre shikim të plotë në syrin e sëmurë. Kjo ka qenë një rrugë e gjatë dhe interesante, por që ka dashur shumë përkushtim dhe bashkëpunime jo vetëm shkencore, por dhe me agjencitë rregullatore që miratojnë çdo hap të këtij procesi në mënyrë që mos të ketë asnjë pasojë negative nga transplanti i qelizave staminale. Për momentin, një studim tjetër që më ka dhënë shumë kënaqësi dhe që do të botohet së shpejti në gazetën “Nature Communications”, është gjetja e shkakut të verbërisë në pacientet që kanë një mutacion në një gjen që funksionon në gjithë qelizat e trupit, por në fakt vetëm në retinë shkakton problem. Na u deshën 7 vjet, bashkëpunim me pesë laboratorë të njohura në Angli, USA dhe Gjermani, por tani kemi arritur të gjejmë përgjigjen e kësaj pyetje që do na lejojë të identifikojmë terapinë më të mirë për këta pacientë që humbin shikimin që nga mosha 30 vjeçare.
Si është për një shqiptare të jetë në majat e shkencës në Mbretërinë e Bashkuar?
Me të vërtetë që nuk është një rrugë e lehtë, por unë kam pasur shumë fat që prindërit më kanë ndihmuar jashtëzakonisht me fëmijët duke më lejuar mua t’i dedikohem punës dhe shkencës. Kur fëmijët kanë qenë të vegjël ata kanë shpenzuar muaj dhe vite të tëra në Angli duke iu kushtuar fëmijëve të mi, pavarësisht klimës jo të mirë si dhe mungesës së shoqërisë, apo ambientit të tyre familjar. Pa këtë ndihmë dhe inkurajim, po ashtu dhe nga bashkëshorti që e kupton shumë mirë “që puna s’mbaron në punë, po vazhdon dhe në shtëpi dhe në fundjavë”, do të ishte pothuajse e pamundur, kështu që unë u jam shumë mirënjohëse të treve.
Si e ndani jetën mes familjes dhe karrierës?
Kjo balancë është me të vërtetë e vështirë për t’u realizuar dhe unë përpiqem shumë që të kaloj çaste të mira me fëmijët dhe t’i ndjek ata në aktivitetet e tyre shkollore dhe jashtë shkollore, por shpesh puna, gazeta “Stem Cells” ku unë punoj si redaktore e asocuar dhe udhëtimet e vazhdueshme marrin shpesh herë prioritet. Kur djali (tani 16 vjeç) dhe vajza (tani 11 vjeç) ishin të vegjël, shpesh ankoheshin që unë mungoja në disa aktivitete të tyre, që nuk isha e pranishme t’i merrja nga shkolla në orën 3 e gjysmë si nënat e tjera, por tani që janë më të rritur e kuptojnë dhe vlerësojnë natyrën e punës dhe dedikimin tim. Madje shpesh ju pëlqen që të vijnë në laborator me ne, të angazhohen me ekipin tonë dhe të tregojnë dhe në shkollë për punën që bëjmë unë dhe bashkëshorti.
Cila është lidhja që ruani me Shqipërinë? A ua transmetoni fëmijëve kulturën shqiptare?
Të dy fëmijët e mi kanë emër shqiptar dhe janë shumë krenarë për prejardhjen tonë. Vizitat në Shqipëri janë me të vërtetë momentet më të bukura të vitit, unë mundohem që të vij 1-2 herë në vit, shumicën e rasteve për të parë familjen dhe për t’u takuar me shoqërinë e gjimnazit dhe të fakultetit. Por kur mundem, arrij të jap leksione te Fakulteti i Shkencave të Natyrës ose të kumtoj në konferenca shkencore. Fëmijët i sjell gjithmonë, ata e konsiderojnë Tiranën si qytetin e tyre të dytë dhe kanë shumë kënaqësi të takohen me familjen time, shoqërinë, si dhe të shijojnë ushqimin dhe klimën tonë të mrekullueshme. Djali luan ‘Rugby’ në shkollë dhe shpesh herë vesh këpucët dhe bluzën qe i ka me flamur shqiptar, në shkollë ai njihet “si shqiptari i ekipit të shkollës” dhe kjo është diçka që ai e ka kultivuar vetë me moshë dhe me vizitat në Shqipëri.
Përsa i përket shikimit çfarë këshillash mund të jepnit për një kujdes më të mirë?
Ndër këshillat më të rëndësishme që mund të jepja janë, ekzaminimi i syve në mënyrë të rregullt, njohja e historisë familjare për sa i përket shikimit, mbajtja e një peshe normale dhe diete që është e pasur me antioksidantë dhe vitamina, mbajtja e syzeve të diellit dhe mospirja e duhanit. Këtu vlen tamam shprehja jonë “si sytë e ballit”.
Anila Dedaj