Referendumi i paligjshmërisë së legjitimuar, hipokrizisë dhe mashtrimit

“Priten zhvillime rreth Kosovës, është mirë Maqedonia të hyjë në NATO” këshilloi sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg presidentin e IRJM George Ivanov, duke aluduar këtu për dritën jeshile dhënë negociatave për ndryshime të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por çfarë donte të thoshte z. Stoltenberg me këtë këshillë publike dhënë presidentit Ivanov? Si do ta rezikonin IRJM-në zhvillimet rreth Kosovës!?

Më tepër se një gafë jodiplomatike, me të cilën z. Stoltenberg ofendoi shqiptarët dhe nxiti urrejtjen ndëretnike në IRJM duke sugjeruar dhe motivuar presidentin e IRJM dhe sllaovomaqedonasit që të fusin IRJM-në në NATO për t’u mbrojtur  nga shqiptarët, deklarata e tij nxori në pah të vërtetën e hidhur se synimi për futjen e IRJM nën ombellën e NATO-s, tentohet të arrihet duke motivuar dhe kënaqur vetëm palën sllave. Dhe fatkeqsisht, ashtu si edhe me vendimet e Kongresit të Berlinit më 1878, vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913 dhe vendimet e më vonshme të Konferencës së Paqes në Paris më 1919-20, kjo bëhet përsëri duke sakrifikuar shqiptarët.  Njekohësisht me dhënien e sinjalit të gjelbërt për “korigjim” kufijsh në mes të Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht faktit që negociohet nga presidenti serb, i deklaurar si pasardhës i Millosheviqit, dhe presidentit me kredibilitet të diskutueshëm të Kosovës,  nga shqitparët në IJRM kërkohet që të votojnë referendumin, i cili përveçse ua mohon këtë të drejtë duke ua betonuar kufijtë shqiptaro-shqiptarë, ua mohon edhe standardet evropiane të ndërtimit të shtetit si bashkësi popujsh, standarde të aplikuara ne dy shtetet evropiane Belgjike dhe Zvicër.

Me bekimin e përfaqësuesve të BE-së shkelen parimet e trashëgimisë zgjedhore të Evropës, duke u shkelur Kodi i Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore, miratuar nga Komisioni Evropian për Demokraci Përmes Ligjit (Komisioni i Venecias). Në mënyrën më të vrazhdë dhe të hapur shkelet neni 2.1. i këtij Kodi për të drejta të barabarta të votimit në këtë referendum, i cili mbahet me të dhënat e regjistrit zgjedhor bazuar në regjistrimin e popullsisë të para 18 viteve, edhe ky i manipuluar si të tjerët të realizuar më parë, me qëllim uljen e numrit të banorëve shqiptarë. Shkelet neni 2.2. dhe të gjitha nënpikat e tij, që kërkojnë në mënyrë të detajuar garantimin e  mundësive të barabarta për mbështetësit dhe kundërshtarët e propozimit që duhet të votohet, ndërkohë që bëhet “gjuetia e shtrigave” ndaj gjithe atyre që marrin guximin të argumentojnë dëmin që sjell kjo marreveshje për shqiptarët. Shkelet neni 3.1. i këtij Kodi, që kërkon paanshmërinë e autoriteteve administrative, në mënyrë që votuesit të krijojnë opinionin e tyre për çështjen që votohet. Ky nen, me pikat a, b, c, dhe d, qartazi u ndalon autoriteteve (qendrore dhe lokale) që të bëjnë fushatë të njëanshme dhe aq më tepër, të shfrytëzojnë fondet publike për këtë. Njëkohësisth, ky nen, të cilin e gjejme edhe në Ligjin për Refendum në IRJM, kërkon që pyetja të jetë e qartë, jo shumkuptimshme, nuk duhet të sugjerojë përgjigjen, dhe për votuesit të jetë e mundur përgjigja vetëm me PO ose JO!

Gjykata Kushtetuese e IRJM, këto ditë njoftoi se ka hedhur poshte iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendimit të Kuvendit për shpalljen e referendumit, të iniciuar me padinë e dy organizatave politike sllavomaqedonase. Dhe ky lajm ngazëlleu ekspertin juridik dhe anëtarin e Këshillit për reforma në gjyqësor z. Mersin Maksuti, i cili dha “sihariqin” në media duke e poromovuar këtë legjitimim të shkeljes së ligjit për referendumin nga ana Gjykatës Kushtetuese si vendim që “filtron çdo mjegullim” dhe “nuk lë hapsirë për asnjë dilemë”. Dhe me këtë, ai siguroi vetes vazhdimin e privilegjeve në pushtetin në duart e atyre që shkelën ligjin dhe të tjerëve që mbyllën njërin sy në shkëmbim të dëgjueshmërisë politike, por me koston morale të legjitimimit të po të njëjtit sistem gjyqësor që vrau për së dyti e për së treti  Almirin e vogël, denoi me burg të përjetshëm shqiptarë të pafajshëm, legjitimoi egzekutime pa gjygj… .  Ai, kolegia e tij shqiptare në Këshillin për reforma në gjyqësor, dhe ekspertë të tjere juristë shqiptarë, kanë syrin e verbër për të parë mashtrimit që të nxjerë sytë, në fushatën e BDI dhe partive te tjera shqiptare, ku hapur, në shkelje të ligjit, genjehen shqiptarët se votohet vetëm per anëtarësimin në NATO dhe BE.  Ku marrëveshja nuk ambalazhohet as si një kompromis që shqiptarët do te duhej të bënin për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE (edhe kjo genjeshtër), por thjesht fshihet nga qytetarët që ftohen të dalin në referendum.  Vet titulli i platformës së BDI për fushatën e refendumit (Platformë politike për Referendumin për integrim në NATO dhe në Bashkimin Evropian), si edhe slloganet e të gjitha partive tjera janë  prova të mjaftueshme të këtij mashtrimi, që këta ekspertë do të duhej t’a denonconin! Në të gjithë përmbajtjen e platformës së BDI askund nuk përmendet, as edhe një herë të vetme marrëveshja për emrin!

Analistë dhe shqiptarë të tjerë  “të ndershëm” dhe “të integruar” kanë gojën plot akuza ndaj shqiptarëve të tjerë, si prorusë dhe antiperëndimorë vetëm sepse kanë qytetarinë, vetëdijen dhe guximin e nevojshëm për të kërkuar  një marrëveshje mes shqiptarëve dhe sllavëve në IRJM për zgjidhjen përfundimtare të statusit kushtetues të shqiptarëve si shtetformues dhe regullimin shtetëror në përputhje me këtë status para se të bisedohet me fqinjët për të ardhmen e shtetit, dhe para se të vendoset për çfare do lloj integrimesh të IRJM. Motiv ky që dallon qartë nga motivi i partive sllavomaqedonase, të cilat, të vetëdijshme për përfitimet nga marrëveshja për emrin,  tek kundërshtimi i referendumit shohin mundësinë e artë për të zëvendësuar kundërshtarin politik në pushtet. Këta shqiptarë “të integruar” kanë gojën plot me broçkulla për ndërhyrje të Rusisë në fushatën për referendumin, a thua se rusët kanë terren ndikimi ndër shqiptarë, ndërkohë që vet kryeministri Zaev deklaron se “Nuk kam unë dëshmi për ndonjëfarë ndikimi rus në Maqedoni. Federata ruse është mike e Maqedonisë dhe ajo nuk ka asgjë kundër anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian, por është kundër integrimit tonë në NATO. Dhe këtë e thotë shumë qartë”.

Derisa i dërguari special për çështjen e emrit të IRJM, z. Metju Nimic deklaron se në rast të dështimit të referendumit nuk sheh zgjidhje në një të ardhme të afert për emrin e IRJM, ish oficeri i Armatës Popullore të Jugosllavisë, tani kryetar i parlamentit të IRJM, në deklaratën e tij në media, e paraqiti të lehtë zgjidhjen, duke shprehur gatishmërinë e tij për të injoruar vullnetin e qytetarëve kundër kësaj marrëveshjeje të shprehur në referendum, duke ia kaluar vendimmarrjen institucioneve në duart e sllavëve dhe shërbëtorëve të tyre shqiptarë.

Derisa Prokuroria speciale keto ditë shpalos dëshmi të reja për bashkëpunimin e ministrave te BDI me shefin e sigurimit shteteror në shkeljet e panumërta të ligjit, Ali Ahmeti, lideri i BDI-së i cili pranoi publikisht autenticitetin e përgjimeve që e nxjerin atë në qendër të merimangës së krimit të organizuar politik, siguron shqiptarët se “me 30 shtator votohet a do të jemi të vendosur në luftë të pakompromist kundër krimit dhe korrupsionit”!

Kulmin  e gjithë paligjshmërisë, hipokrizisë dhe mashtrimit që mbulon këtë referendum ia vë bindja që mbyll çdo diskutim dhe debat të shqiptarëve: “Ne flasim kot! Kutitë janë mbushur akoma pa filluar referendumi.” ! Dhe për fat të keq, këtë herë me aprovimin e faktorëve politikë të rëndësishëm të SHBA dhe Evropës!

Afrim Fanda

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>