Ka shumë vende ku mund të pish kafe në San Francisko. Por një lloj i ri kafeneje ofron ekspres dhe kapuçino të bëra nga një robot. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Michelle Quinn ndaloi për të parë nëse një robot mund të bëjë vërtetë një kafe të mirë.
Ky është Robin, një robot barista që mund të bëj një ose pesë kapuçino në pak minuta.
Ai punon në Café X reklama e të cilës është “Hajde për Robotin, Qendro për Kafenë”. Robin nuk lodhet, nuk merr pushim dhe e bën një kafe amerikano përherë njësoj.
“Gjithmonë do të përdorë saktësisht të njëjtën cilësi kafeje, sasinë e përpiktë të qumështit ose të ujit. Temperatura është gjithmonë e njëjtë”, thotë Cynthia Yeung në CafeX.
Ky robot barista është më shumë se një makinë e çuditshme. Ai është një kombinim programacionesh – i një krahu robotik dhe algoritmesh që e aftësojnë të marrë disa
porosi ndërsa sensorët e shumtë e ndihmojnë të zgjedh gotat e duhura dhe të kontrollojë furnizimet tek pakësohen.
Pranë tij, një njeri ri në gatishmëri në rast se ka ndonjë problem me robotin ndërsa bisedon me klientët rreth origjinës së kafesë që përdoret.
“E shohim këtë praktikë si një bashkëpunim mes robotit dhe njeriut. Si mund të përmirësojmë produktivitetin”, thotë Cynthia Yeung.
Robotët programohen gjithashtu për të patur një farë personaliteti.
“Roboti ynë të përshëndet me dorë. Njerëzve iu pëlqen ky veprim. Ai bën edhe veprime të tjera… si dhe kërcen për të tërhequr klientët”, thotë Cynthia.
Çfarë mendojnë klientët për robotin?
“Deri në këtë nivel më pëlqen. Nuk e di si do të ndjehesha po të kishte më shumë robotë”, thotë Kirk Schuler.
“Ka shumë punë të rëndomta që njerëzit nuk duan t’i bëjnë. Por në të njëjtën kohë robotët kanë nevojë për ndërveprim të konsiderueshëm me njerëzit edhe për të bërë një filxhan kafe”, thotë Sean Bondar.
Ndërsa ka shqetësime në rritje se robotët do t’i nxjerrin njerëzit nga puna, kjo kafene paraqet një vizion të bashkëpunimit – mes robotëve dhe njerëzve të bashkuar nga kafeja.