Kur astronautët të rrotullohen në orbitën e hënës, ose të jetojnë në sipërfaqen e saj në dekadat e ardhshme, duket se do të jenë në kabina të fryra me ajër të cilat janë duke u prodhuar tashmë. Dhjetëra zyrtarë të NASA-s dhe astronautë veteranë janë duke vlerësuar pesë makete të këtyre strehëzave të prodhuara nga kompani të ndryshme.
Agjensia amerikane e hapësirës, NASA, po shqyrton disa ide dizenjimi për të ashtuquajturën “Gateway” – stacionin e ardhshëm kërkimor që do të vendoset në orbitën rreth Hënës.
Gateway do të shërbejë edhe si shtëpi e përkohshme për astronautët që do të presin për të udhëtuar drejt sipërfaqes së Hënës, ose ndoshta edhe Marsit.
Maketi u ngjan ballonave, por është shumë më i komplikuar.
“Gateway, do të jetë terreni parapërgatitor ku do të mbledhim të gjitha mjetet hënore që do të shkojnë në sipërfaqe dhe ndoshta në të ardhmen të ndalet aty edhe mjeti i tranzitit drejt Marsit. Është një lloj platforme orbitale më e afërt”, thotë Mike Gernhardt, astronaut i NASA-s.
Brenda banesave gjenden paisjet që mundësojnë punën kërkimore, si dhe mjediset që u duhen njerëzve për të jetuar dhe punuar.
Ekspertët po studiojnë moketet për të parë se cili variant funksionon më mirë.
“Qëllimi është të përcaktojmë çfarë na pëlqen dhe çfarë jo nga këto banesa. Në vazhdim mund të analizojmë të dhënat dhe të paraqesim rekomandime apo kërkesa për gjërat që dëshirojmë të shohim në fluturimin hapësinor”, thotë zoti Gernhardt.
Përpjekja për të projektuar dhe ndërtuar banesa hapësinore vjen prej dëshirës së administratës Trump që NASA të rikthejë astronautët në Hënë brenda vitit 2024.
Axhenda e përshpejtuar krijoi programin Artemis, ku parashikohet ndërtimi nga kompani private të Lunar Gateway (Portali Hënor), si dhe për mjete që do të ulen në sipërfaqe, apo dhe makina robotike.
Ky stacion modular që do të rrotullohet rreth Hënës do të strehojë njerëzit dhe punën kërkimore.
Një takim u organizua në Las Vegas, të shtetit Nevada, në zyrat qendrore të kompanisë Bigelow Aerospace, një kompani për banimin e hapësirës e themeluar nga miliarderi i hotelerisë Robert Bigelow. Ai shpreson që klientët të priten në një mënyrë krejt të re.
“Gateway na ofron mundësinë t’i testojmë të gjitha këto struktura në një mjedis të hapësirës së thellë… si një parathënie e udhëtimit drejt Marsit”, thotë sipërmarrësi Bigelow.
Banesa B330 e kësaj kompanie do të lëshohet nga Toka e palosur brenda një kapsule. Ajo është e përbërë nga një material i ngjashëm me pëlhurën dhe është projektuar për të mbrojtur banorët nga radiacioni i hapësirës së thellë dhe nga inertet që lëvizin me shpejtësi në hapësirë.
Sapo të ankorohet pranë moduleve të tjera në Gateway-in e gjendur në orbitën e Hënës, banesa do të shpaloset në godinë 2-katëshe me shtrirje 16 metra që mund të strehojë deri në gjashtë astronautë.
Programi për banimin e hapësirës dhe programi i kolonizimit pritet të kushtojë mbi 1 miliardë dollarë deri në vitin 2028.
voa