Siguria në shkolla gjatë pandemisë

schoolbusNdërsa më shumë shkolla në SHBA po mirëpresin përsëri fëmijët në dyert e tyre, epidemiologët po paralajmërojnë prindërit t’i vëzhgojnë ata për simptoma të COVID-it. Ndërkohë, studiuesit shpresojnë të mësojnë më shumë rreth transmetimit të koronavirusit mes moshave të reja.

Ka kaluar mbi një muaj që kur vajza e Alfiya Kusnutdinovas filloi të shkonte fizikisht në shkollë. Ndërsa shumica e shkollave publike të Merilendit vazhdojnë mësimin përmes internetit, disa shkolla private kanë zgjedhur mësimin në klasa.

Kjo e shtyu zonjën Kahsnutdinova ta dërgonte vajzën e saj në një shkollë private ku mësuesit testohen rregullisht për COVID-19, maskat e fytyrës, si për fëmijët ashtu edhe për mësuesit, janë të detyrueshme dhe bankat nëpër klasa janë të ndara.

“Deri tani gjithçka po shkon në rregull, asnjë nuk është sëmurur. Shpresoj që kjo të shërbejë si një shembull për shkollat publike, që do të hapin së shpejti dyert e tyre për të pritur nxënësit në klasa”, thotë Alifiya Khusnutdinova.

Por jo të gjithë e shohin njësoj situatën. Epidemiologët kanë kohë që kanë paralajmëruar se kur fëmijët të kthehen në klasa, rreziku i prekjes nga COVID-19 do të rritet.

Sipas një grupi të pavarur, “The COVID Monitor”, që nga fillimi i vitit shkollor mbi 39,000 raste me COVID janë regjistruar në shkollat fillore dhe të mesme në Shtetet e Bashkuara.

Ashtu si 11 shtete të tjera, Merilendi nuk publikon informacione të hollësishme në lidhje me përhapjen e COVID-19 mes nxënësve të shkollave. Nuk ka një sistem federal që të ndjekë përhapjen e virusit në shkolla, kështu që kthimi i fëmijëve në shkolla mbetet kryesisht një eksperiment.

“Përpjekja për të mbajtur të njëjtin grup fëmijësh së bashku, është e rëndësishme – në këtë mënyrë nëse dikush në klasë testohet pozitiv – ne e dimë që mund ta karantinojmë atë grup, pa u shqetësuar shumë për klasat e tjera“, thotë Charles Schleien, me Qendrën Mjekësore Cohen për Fëmijët.

Specialistët ende nuk mund të thonë me siguri nëse fëmijët e transmetojnë lehtësisht COVID-19 apo jo. Kështu që, mjekët u kërkojnë prindërve t’i mbajnë fëmijët e tyre në shtëpi dhe t’u bëjnë testin e COVID-it nëse ata shfaqin ndonjë simptomë.

“Ne mendojmë se fëmijët më të rritur, ndoshta mbi 10 vjeç, mund ta transmetojnë virusin njësoj si të rriturit. Sigurisht që është e rëndësishme të izolohen fëmijët më të rritur nga njëri-tjetri – nxënësit e shkollave të mesme – nëse janë duke shfaqur shenja ose simptoma të COVID-it. Për fëmijët, nën moshën 5-6 vjeçare – është ende e paqartë se sa e trasmetojnë virusin mes njëri-tjetrit.”

Epidemiologët besojnë se fëmijët në shkolla duhet të testohen çdo javë për COVID-19, por kjo nuk është e mundur në shumë shkolla. Në Florida, shumica e shkollave publike u hapën në gusht dhe deri më tani, mbi 10,000 fëmijë janë diagnostikuar me koronavirus.

Vetëm shkollat private në dy qarqe shtetërore ende ofrojnë mësimin në klasa. Ariana, vajza e Alexandra Shumakher-Hazen-it, shkon në një shkollë të tillë.

“Në se fëmija ka temperaturë nuk lejohet të hyjë në klasë. E njëjta gjë në se ka pak kollë apo sekrecione. Zyrtarët këtu kanë vendosur rregulla të rrepta”.

Shtete të tjera po shohin me kujdes situatën në Florida ndërsa shqyrtojnë mundësinë e rihapjes të të gjitha shkollave publike.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>