Vaksina e kompanisë AstraZeneca kundër koronavirusit shfaq shenja se përveç mbrojtjes nga virusi, mund të ulë shkallën e transmetimit të tij, thanë studiuesit të mërkurën në një zhvillim inkurajues në fushatën e parandalimit të përhapjes.
Gjetjet paraprake nga Universiteti i Oksfordit, një nga zhvilluesit e vaksinës në fjalë, mund të konfirmojnë strategjinë e debatueshme të qeverisë britanike për shtyrjen me 12 javë të dhënies së dozës së dytë, në mënyrë që sa më shumë njerëz të marrin dozën e parë. Deri më tani është rekomanduar që doza e dytë të jepet katër javë pas dozës së parë.
Hulumtimi gjithashtu mund të ndihmojë shkencëtarët që t’i japin përgjigje një prej pyetjeve më të mëdha në lidhje me fushatën e vaksinimit: A do të ndalojë vaksinimi përhapjen e koronavirusit?
Nuk është e qartë se çfarë implikimesh, mund të kenë këto përfundime ndaj dy vaksinat e tjera kryesore që përdoren në Perëndim, nga kompanitë Pfizer dhe Moderna.
Dr. Anthony Fauci, eksperti më i lartë për sëmundjet infektive në Shtetet e Bashkuara, e hodhi poshtë idenë e shtyrjes së qëllimshme të dhënies së dozës së dytë, duke thënë se Shtetet e Bashkuara do të “respektojë shkencën” dhe të dhënat nga provat klinike. Dy dozat e vaksinave të prodhuara nga Pfizer dhe Moderna duhet të jepen brenda një periudhe kohore prej tre deri katër javësh.
Hulumtimi duket të jetë një lajm i mirë në përpjekjet e dëshpëruara për të ndaluar përhapjen e virusit dhe njëkohësisht sugjeron një mënyrë për të lehtësuar mungesat e vaksinave dhe për të vaksinuar sa më shumë njerëz sa më shpejt të jetë e mundur.
Kompanitë prodhuese të tre vaksinave kanë thënë se gjatë provave klinike vaksinat kanë rezultuar të jenë të efektshme nga 70% deri 95% në mbrojtjen e njerëzve nga sëmundjet e shkaktuara nga virusi. Por nuk ishte e qartë nëse vaksinat mund të ndalojnë trasmetimin e virusit, domethënë nëse një i vaksinuar mund të infektohej përsëri me virus pa u sëmurur dhe pa e përhapur virusin tek të tjerët.
Për këtë arsye, ekspertët kanë thënë se edhe të vaksinuarit duhet të vazhdojnë të mbajnë maska dhe të ruajnë distancën fizike nga të tjerët.
Studimi nga Universiteti Oksford arriti në përfundimin se vaksina jo vetëm që parandalon sëmundjen e rëndë, por duket se redukton transmetimin e virusit me dy të tretat. Studimi ende nuk është rishikuar nga shkencëtarët e tjerë.
Vullnetarët në studim u testuan rregullisht përmes marrjes së mostrës nga hundët. Niveli i rasteve pozitive, nga ata që kishin simptoma të virusit dhe ata që nuk kishin simptoma, ishte 67% më i ulët në grupin e të vaksinuarve.
“Kjo do të ketë efekt shumë të dobishëm kundër transmetimit”, tha drejtuesja e hulumtimit Sarah Gilbert gjatë një takimi të Akademisë së Shkencave të Nju Jorkut.
Hulumtuesit po ashtu u përpoqën të gjenin se sa të ngjarë ka që njerëzit e vaksinuar mund të infektohen pa patur simptoma. Në një nëngrup vullnetarësh, pati 16 infektime pa simptoma mes të vaksinuarve dhe 31 në një tjetër grup krahasues të pavaksinuar.
Pfizer dhe Moderna po ashtu po studiojnë efektet e vaksinave të tyre lidhur me infeksionet tek individët që nuk shfaqin simptoma.
Në Shtetet e Bashkuara po përdoren vetëm vaksinat nga kompanitë Pfizer dhe Moderna. Britania po përdor vaksina nga AstraZeneca dhe Pfizer. Vaksina nga AstraZeneca është autorizuar për përdorim edhe nga Bashkimi Evropian. Kompania Pfizer nuk e ka mbështetur vendimin e qeverisë britanike për të zgjatur kohën mes dy dozave.
voa