Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se vaksinat kundër COVID-19 kanë shpëtuar të paktën 1.4 milionë jetë në mbarë rajonin evropian. Ndërsa stina e dimrit sjell një valë sëmundjesh të rrugëve të frymëmarrjes, zyrtarët e OBSH-së theksojnë rëndësinë e vaksinimit kundër COVID-19 dhe gripit veçanërisht për grupmoshat e rrezikuara. Të dhënat e fundit tregojnë se disa vende të BE-së po përjetojnë një rishfaqje të rasteve me COVID-19.
Pandemia e COVID-19, që përfshiu Evropën nga marsi i vitit 2020, u ka marrë jetën 2 milionë njerëzve në të gjithë rajonin. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se falë përpjekjeve të vaksinimit janë shpëtuar 1.4 milionë jetë.
“Sot ka 1.4 milionë njerëz në rajonin tonë, shumica prej të cilëve të moshuar, të cilët po shijojnë jetën me të dashurit e tyre sepse ata morën vendim jetik për t’u vaksinuar kundër kovidit. Kjo tregon fuqinë e vaksinave. Provat janë të pakundërshtueshme”, thotë Dr. Hans Kluge, drejtor rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Ai thotë se në zonën që mbulon drejtoria e OBSH-së për Evropën, e cila përfshin rreth 53 vende dhe Azinë Qendrore, shkalla vdekjeve mund të kishte qenë rreth 4 milionë.
Të dhënat e fundit tregojnë se disa vende të BE-së po përjetojnë një rishfaqje të rasteve të COVID-19, ndërsa zyrtarët paralajmërojnë për përhapjen e gripit dhe sëmundjeve të tjera të rrugëve të frymëmarrjes.
“Jemi të shqetësuar lidhur me njoftohet për shtimin e barrës nëpër disa spitale dhe numrin e lartë të infektuarve nëpër dhomat e urgjencës si rezultat i përhapjes së viruseve të rrugëve të frymëmarrjes”, thotë Dr. Hans Kluge me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Zyrtarët e OBSH-së rekomandojnë vaksinimin kur është e mundur, mbajtjen e maskave dhe rekomandojnë ajrosjen e bollshme të mjediseve të brendshme. Tashmë, disa vende po marrin hapa parandalues.
Në Spanjë, përdorimi i maskave nëpër spitale dhe qendrat e kujdesit shëndetësor është bërë i detyrueshëm pasi javët e fundit spitalet gjenden nën një trysni të madhe.
Zoti Kluge thekson gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të mbikëqyrjes dhe vëzhgimit për raste të COVID-19 dhe sëmundjeve të tjera të rrugëve të frymëmarrjes.
“Një nënvariant i ri i COVID-19, i njohur si JN.1 po zëvendëson me shpejtësi variantet e tjera. Aktualisht është nënvarianti më i zakonshëm që raportohet në të gjithë botën dhe më dominuesi që qarkullon në rajonin tonë”, thotë zoti Kluge.
Meqenëse i përket variantit omikron, vaksinat aktuale ende mund të ofrojnë njëfarë mbrojtjeje.
“Ndonëse ende nuk ka prova që sugjerojnë se nënvarianti JN.1 është më i rëndë, natyra e paparashikueshme e këtij virusi tregon se sa jetike është që vendet të vazhdojnë të monitorojnë për çdo variant të ri”.
Javën e kaluar, shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se në dhjetor janë raportuar 10,000 vdekje nga COVID-19 në shkallë botërore ndërsa në Evropë dhe Hemisferën Perëndimore është shtuar ndjeshëm numri i shtrimeve në spitale.
voa