Po bëhemi të pandjeshëm

Të premten e kaluar, në Universitetin e Lozanës gazetari dhe shkrimtari shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti, e ka prezantuar analizën e tij mbi temën “Shqiptarët e Maqedonisë, 1990 – 2014″I ftuar nga asociacioni i studentëve shqiptarë të Universitetit të Lozanës (AEAUL) dhe nga webfaqja “Nationbicephale”, Kim Mehmeti ka zbërthyer në Lozanë funksionin aktual të sistemit politik maqedonas dhe e ka shpjeguar situatën e jashtëzakonshme në të cilën gjendet sot ky shtet.

Ai po ashtu ka propozuar zgjidhje të mundshme për të përmirësuar situatën, e cila mbizotëron në vend.

Gjatë konferencës Kim Mehmeti ka ndarë kronologjinë e ngjarjeve në dy pjesë: së pari periudhën në mes të pavarësisë më 1991 dhe asaj të luftës më 2001, e cila ka përballur forcat qeveritare maqedonase me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni (UÇK) dhe periudhën që nga Marrëveshja e Ohrit dhe deri sot.

Maqedonia para konfliktit

Në pjesën e parë kohore, sipas Kim Mehmetit, partitë politike shqiptare nuk ishin shumë të angazhuara, për shkak të situatës mjaft komplekse të asaj kohe dhe të pasojave të mundshme mbi Kosovën. Mirëpo, duke pasur parasysh faktin që shqiptarët nuk e kishin votuar kushtetutën, qeveria maqedonase, në njëfarë mënyre, nuk ishte pranuar nga shqiptarët.

Pas fundit të konfliktit në Maqedoni protagonistët kryesorë merren vesh në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit, e cila parasheh krijimin e një këshilli ndëretnik i përbërë nga 19 anëtarë (7 maqedonas, 7 shqiptarë, një turk, një valak, një rom, një serb, një boshnjak). Rezultati i kësaj ishte demokracia konsensuale ndëretnike, sepse këshilli do të duhej të luante rolin e Dhomës së dytë të Parlamentit, pa marrëveshjen e të cilës asnjë ligj nuk do të miratohej. Ky dokument nuk ishte i keq, sipas Kim Mehmetit, mirëpo palët shqiptare nuk e kanë mbrojtur dhe e ka humbur rëndësinë. Udhëheqësit politikë e evitojnë temën.

Prej Marrëveshjes së Ohrit

Palët në pushtet sot nuk kanë baza politike, sepse premtojmë pa definuar afate. Janë premtime që do të realizohen dikur, siç janë realizuar ato të anëtarësimit në NATO dhe në BE. Objektivi i vetëm i cili është ndjekur nga liderët politikë është ai i interesave personale të tyre dhe të anëtarëve të partisë. Politikat arrijnë të mbijetojnë në pushtet duke bërë shaka me varfërinë e popullatës. Shkrimtari shqiptaro-maqedonas tregon me një matematikë të thjeshtë fuqinë e partive. Me një pagë prej 250 eurove, të cilën e fiton një nëpunës, një individ mund të ushqejë familjen e tij. Nëse i marrim parasysh 40.000 pozitat e punës të ofruara komunitetit shqiptar dhe që e shumëzojmë me 2, mbërrijmë në 80.000, që janë automatikisht vota në favor të BDI-së, sepse është partia në pushtet ajo që do të vendosë se kënd duhet ta punësojë. Kësaj mund t’i shtohet lista e të gjithë simpatizuesve, përafërsisht 30.000 persona, dhe mbërrijmë në 110.000 vota për BDI-në. Në sistemin e votimit të sotëm, askush nuk mund t’i rrëzojë nga vendi BDI-në (Bashkimi Demokratik për Integrim) si dhe VRMO-DPMNE (Organizata revolucionare e brendshme maqedonase – Partia Demokratike për Unitet Kombëtar) për shkak të këtij mekanizmi.

Korrupsioni alarmant

Më 2013 Transparency International, një OJQ që lufton kundër korrupsionit, e ka renditur Maqedoninë në vendin e 67-të, pak pas Jordanisë, Arabisë Saudite dhe Ganës. Rastet e projekteve aspak transparente të qeverisë janë të shpeshta dhe rregullisht të raportuara në 35, si projekti “Skopje 2014″ ose ndërtimi i autostradës Demir Kapija në Smokvica, e financuar nga Bashkimi Evropian.

Duke qenë të korruptuar pa kurrfarë dyshimi, politikanët aktualë prandaj nuk mund të tërhiqen nga skena politike aktuale në mënyrë që t’ia lëshojnë vendin rendit e ligjit, sepse në atë rast do duhej të japin përgjegjësi. Në fakt, shumat e korruptuara janë astronomike. Ky fakt nuk e pengon askënd, sepse tregu është i ndarë. Në realitet, elitat maqedonase e kanë kuptuar se më mirë është që “të paguhet shumë shtrenjtë një parti politike e vogël shqiptare, sesa që secilit t’i takojë pjesa e vet”.

Folësi këtu i referohet solidaritetit që krijohet në mes të dy partive më të fuqishme shqiptare, BDI dhe PDSH, në momentin kur një parti politike e re dëshiron t’ ia bëjë vetit vendin në qeveri. Ai citon si shembull partinë Rilindja Demokratike Kombëtare dhe armiqësia që është krijuar ndaj saj.

Sistemi universitar, i korruptuar

Korrupsioni në universitetet në Maqedoni nuk është sekret për askënd, përkundrazi, është bërë formalitet. Studentët e kuptojnë mirë se në rast se nuk e marrin notën e mjaftueshme, duhet të bashkangjesin një bankënotë varësisht nga profesori, i cili gjendet përballë tyre, ose duhet të kërkojnë ndihmë nga partia. Në shkallën aktuale, kjo paraqet një problem të madh për shoqërinë.

Duke definuar shoqërinë sipas elitave dhe rinisë studentore të saj, Kim Mehmeti tregon se ekziston në vend një prodhimtari e diplomave, por pa fijen e dijes. Manifestimet e kësaj vere janë rezultati i këtyre politikave, sipas tij.

“Gjatë manifestimeve të kësaj vere në Maqedoni e kemi parë situatën e shqiptarëve të Maqedonisë. Nga 500 profesorët, asnjëri nuk ka dalë në rrugë për t’u përballuar me padrejtësitë që mbizotërojnë dhe vetëm 200 studentë kanë manifestuar, nga një total prej mbi 20.000″.

Këto shifra na tregojnë imazhin e një shteti, në të cilin profesorët veprojnë nën urdhërat e partisë dhe studentët janë pa opinion.

Si të ndryshohet situata aktuale?

“Kur një popull gjendet përballë një situate aq absurde, ekzistojnë dy mundësi: ose duhet të zgjohet, ose të mbetet pa ndjenja. Fatkeqësisht, mendoj se po bëhemi të pandjeshëm, gjë që është shumë e rrezikshme”.

Problemi i parë që duhet të zgjidhet, sipas Kim Mehmetit, është nevoja që të definohet për shqiptarët se “cilën Maqedoni e donë ata”. Sipas tij, “maqedonasit e kanë definuar Maqedoninë që e dëshironin, një Maqedoni pa komponenten shqiptare ose me shqiptarë, por nën ombrellën e maqedonasve”.

Për Kim Mehmetin, situata nuk do të ndryshojë përderisa “partitë politike shqiptare do të vazhdojnë të punojnë vetëm për interesat e tyra personale dhe nuk do të ketë politikë, përderisa do të ketë vetëm garë për tenderë publikë”.

Mirëpo, si mundësi të fundit, të drejtat qytetare të shiqptarëve mbesin. Në fakt, “askush nuk mund t’iu dënojë nëse manifeston kundër një projekti absurd të ndërtimit të ndonjë busti në lagjën tuaj”, ka konkluduar ai. (albinfo)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>