Fati i Maqedonisë, ka ardhur koha t’u hapim rrugë heronjve të rinj

Fati i mëtejmë i Maqedonisë varet nga elitat politike maqedonase. Shqiptarët dhanë thuajse të pamundurën, ata investuan pritjen dhe durimin 24-vjeçar, që elitat maqedonase ta kuptonin se Maqedonia është projekt që më shumë qëndron mbi shtyllën shqiptare sesa mbi atë maqedonase. Duke mos dashur që mllefi të shtohet, duke mos dashur që ne edhe më tej të protestojmë rrugëve, unë i jam përkushtuar veprimit që kjo kohë të sjellë heronjtë e saj, që ne të dështuarit të tërhiqemi dhe ta ndihmojmë këtë rini ta lexojë drejt kalendarin në të cilin jeton. Kështu e shikon me pak fjalë situatën në Maqedoni analisti i njohur Kim Mehmeti, i cili në një intervistë ekskluzive ka dhënë opinionin e tij për ngjarjet e fundit, por edhe për qëndrimet zyrtare të Shqipërisë dhe Kosovës. Ai analizon veprimet e shqiptarëve të Maqedonisë që nga viti 2001 e deri më sot, ndërkohë që jep mendimin se si do të ishte ky shtet sot nëse do të ishte realizuar marrëveshja e Ohrit. Të gjitha këto dhe pritshmëritë e tij për të ardhmen e Maqedonisë, ai i rrëfen në intervistën e dhënë për gazetën “Shqip”.

Zoti Mehmeti, cili është mendimi juaj në lidhje me situatën më të fundit në Maqedoni dhe posaçërisht me protestat e fundit të shqiptarëve atje?

Kim MehmetiPas konfliktit të 2001-shit, të gjithë shpresuam se Maqedonia e kishte kuptuar se nuk mund të ishte vetëm dëshirë e atyre që vetveten e quajnë maqedonas. Shpresuam se elitat politike maqedonase më në fund e kishin kuptuar të vërtetën se ekzistenca e këtij shteti varet nga shqiptarët po aq, nëse jo edhe më shumë sesa edhe nga maqedonasit. Pastaj konflikti i 2001-shit, neve shqiptarëve na e ngjalli shpresën se më në fund edhe ne do e kishim të qartë se si do të dukej shoqëria jonë në përbërje të këtij shteti, se lirshëm do e ndërtonim “Shqipërinë” tonë në Maqedoni, duke e kultivuar njëkohësisht në vetvete edhe përkatësinë shtetërore, përkatësi e cila nuk do e pengonte degën tonë të këtushme kombëtare të ndiejë edhe lëngjet e trungut të shqiptarisë. Por, ndodhi ajo që nuk e kishim imagjinuar dhe doli se kodi gjenetik i politikës maqedonase, ishte e pamundur të ndryshonte, se mbetej ai që ishte ngjizur në zyrat antishqiptare të Beogradit. Kështu që, shumë shpejt pas konfliktit, me ardhjen e qeverisë së Gruevskit, filloi një betejë antishqiptare, por tani, nëpërmjet përmendoreve, nëpërmjet përbuzjes së shqiptarisë, nëpërmjet arrogancës që shprehej me “Enciklopeditë” që fyenin popullin tonë, nëpërmjet “Sopotëve”, ku burgoseshin shqiptarë në procese të kurdisura gjyqësore, nëpërmjet “Brodecave”, “Radushës”, ku në pritë, policia likuidoi heroin e UÇK-së, Harun Aliun, me çka shqiptarëve thuajse u përcillej një porosi e vetme, por shumë e qartë, e të cilën nuk e lexonin drejtë vetëm përfaqësuesit tanë politikë: ju na kapët ngushtë më 2001-shin, por tani kur ne e kemi korrigjuar gabimin dhe kemi forcuar policinë, e jo armatën, do e shihni se s’keni forcë të bëni asgjë.

Dhe çudia më e madhe ndodhi kur shqiptarët e këtushëm e panë se edhe “çlirimtarët” tanë të 2001-shit, iu nënshtruan kësaj politike, se ata thjesht u bënë vasalë të një sunduesi që bënte thuajse ç’të donte, e ndërkohë këta tanët vetëm dilnin e na qetësonin apo edhe i shërbenin Gruveskit si mbulesë para ndërkombëtarëve. Andaj, lirisht mund të thuhet se bashkautorë të kësaj që u ndodhi shqiptarëve të Maqedonisë janë edhe dy partitë e këtushme shqiptare, të cilat nuk e di as pse as si u bënë pengje të VMRO-së, e cila gabimisht besoi se ai që i ka nën kontroll këto dy parti, e kontrollon edhe tërë shqiptarinë e këtushme. Pastaj këtë strategji të Gruevskit, që ka vite që ne e kishim lexuar, vonë e zbërthyen edhe Tirana e Prishtina. Gjë që ishte e logjikshme ngaqë ata edhe nuk mund ta kuptonin se si është e mundur që me aq deputetë, me alamet ministra e funksionarë të lartë shtetërorë dhe duke qenë 30 përqindëshi i popullatës së përgjithshme të shtetit, të mos mundesh politikisht t’i kundërvihesh një populisti qesharak, siç është Gruevski. Pra Tirana e Prishtina zyrtare me vonesë e kuptuan atë që e larmonim ne me vite: se Gruevskin e bëjnë të fortë partitë politike shqiptare, se sikur të mos ishin ato, ai qëmoti do të ishte e kaluara politike e këtij shteti. Kështu që doli puna se përfaqësuesit tanë, të dehur nga të mirat që ua ofronte pushteti, menduan se barazia qytetare realizohet atëherë kur qeveria multietnike u mundëson të gjithë pushtetarëve, pa dallim feje e etnie, të pasurohen ngutshëm. Ata pra nuk e lexuan atë që ne e thoshim me vite: se Gruevski përdor një strategji shumë të thjeshtë, – e që ne e kishim shijuar në lëkurat tona gjatë dekadave të socializmit – se më lirë të del të paguash shtrenjtë qindra shqiptarë që ndershëm kryejnë detyrën e vasalit, sesa tërë një populli t’ia japësh hisen që i takon. Dhe ja, tani jemi këtu ku jemi: thuajse atje ku ishim në dekadat e socializmit, në kohët kur atë që na takonte e kërkonim nëpërmjet protestave rrugëve, ku policia na ndante neve këtej që donim ta “prishnim” shtetin, nga shqiptarët andej kordonëve policore që e mbronin shtetit nga ne “destruktivët”!

A kanë dhe sa faj kanë vetë shqiptarët për gjendjen e krijuar atje?

Thonë, e unë e besoj, se çdokush të bën mirë apo keq, vetëm aq sa ia lejon. Të jesh 30 përqindëshi i popullatës së përgjithshme në shtet, e të ankohesh se të ka shkel ai që nuk përbën më shumë se gjysmën e popullsisë së vendit, nga pak është absurde dhe madje e pakuptimtë dhe tragjikomike. Por ja, siç duket në këto hapësira janë të mundura edhe gjërat absurde. Dhe janë të mundura mbase, sepse ne brenda ditës njeriun e shpallim hero, e brenda natës gomar! Ne të Maqedonisë, përfshi edhe mua, duke u ngutur të mos na e njollosë dikush 2001-n, me vetëdëshirë i mitimizuam të kthyerit nga Zvicra, ata që përvetësuan UÇK-në, që përvetësuan 2001-shin, që përvetësuan edhe Marrëveshjen e Ohrit, të cilën nuk e kishin nënshkruar, ata që mbi këto përvetësime që ishin pronë e tërë popullit, i vunë themelet e BDI-së. Pra i minimizuam ata që mbi gjakun e rinisë shqiptare ndërtuan parti, e që sot neve na akuzojnë se duam t’i keqpërdorim protestat, se duam të përdorim disfatën e gjashtë shqiptarëve të dënuar me burg të përjetshëm, që të bëjmë parti!? Por sido që të jetë, atyre që gjatë konfliktit ku populli u dha fëmijët, s’kishte si të ngurronte e të mos ua jepte edhe votën! Dhe mbase ndodhi e paimagjinueshmja dhe diçka që sa më përket mua nuk mund ta paragjykoja: ata të cilëve populli ua dha të gjitha që t’u dilte hakut për atë që bënë në 2001-shin, filluan politikisht të sillen sikur edhe ne ishim pronë e tyre. Dhe doli punë që nuk u kishte mjaftuar vetëm aq. Kështu që nuk dëgjonin zërin tonë, por vetëm atë të sunduesit. Kështu që më nuk ndienin nevojë të ishin të pëlqyerit tanë, por të palës maqedonase e të ndërkombëtarëve. Kështu pra doli puna që duke pasur aq përfaqësues nëpër institucione më të larta shtetërore, neve edhe më tej duhej të na mbronin ndërkombëtarët. Gjë që edhe zgjoi te ne pyetjen e logjikshme: Ç’na duhen ne këta përfaqësuesit tanë nëse njësoj si dikur kur ishim pa ta, të drejtat tona duhet t’i realizojmë nëpërmjet protestave dhe të ndihmuar nga organizata ndërkombëtare!? Elitat politike maqedonase e kishin lexuar më mirë se ne dhe e kishin kuptuar se shumica e partiakëve tanë, veprimin politik e kishin barazuar me biznesin që brenda natës të bën të pasur, që të sjell aq pasuri sa mos të kesh frikë popullin, të cilit mund t’ia blesh votat. Dhe pasi e kishin kuptuar këtë, pasi ishin bindur se ata janë shokë që i përshtaten parimit se “shqiptar shtetformues është vetëm shqiptari i korruptueshëm” edhe Gruevski harroi se këtu jetojnë shqiptarë dhe na u desh që nëpërmjet protestave t’ia rikujtojmë se e ka gabim dhe se ky gabim mund t’i kushtojë shumë shtrenjtë atij dhe tërë Maqedoninë.

A është shkaktare vetëm zvarritja e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit për situatën e krijuar, siç sugjerojnë mjaft analistë dhe politikanë këndej dhe andej kufirit, por edhe diplomatë të huaj?

Gjithsesi, nëse kjo marrëveshje do të realizohej në afatet e caktuara, pra nëse parimet bazë të saj do të implementoheshin deri në vitin e paraparë 2004, në mos më shumë do të mbetej gjallë fryma e saj dhe do të mund të shkonim më tej me harmonizim e interesave dhe marrëdhënieve ndëretnike. Vetë fakti se edhe pas 13 vitesh nga nënshkrimi flitet për (mos)zbatimin e saj, dëshmon se bëhet fjalë për një kufomë të cilën tani nuk duan ta varrosin ata që asaj ia morën frymën! Sot, kjo marrëveshje ka vetëm një simbolikë: atë që tregon se marrëveshjet e këtyre hapësirave ngjajnë me urat e ndërtuara ngutshëm pas vërshimeve, e shkaku i të cilave pastaj të shpëtuarit grinden se kush duhet t’i mirëmbajnë ato! Pra, kjo marrëveshje sot simbolizon të vërtetën se marrëveshjet e nënshkruara nga ballkanasit, në të shpeshtën e rasteve vetëm i shtojnë mosmarrëveshjet.

Por, është e padrejtë për këtë të fajësohet vetëm pala maqedonase, ngaqë për mosrealizimin e saj fajtore janë edhe partitë e këtushme shqiptare që këtë marrëveshje e lexuan vetëm si konkurs publik për t’i punësuar partizanët partiakë, e jo si dokument bazat për ndërtimin e një demokracie konsensuale ndëretnike. Kështu që qysh në fillim, nuk shkuan as katër vite nga konflikti i 2001-shit, thuajse u zhbë komiteti i bashkësive etnike, që duhej të ishte njëfarë “Dhomë parlamentare” e etniteteve të këtushme, me të cilën u zbeh kjo marrëveshje saqë sekretari shqiptar i sekretariatit për implementim e saj pranë qeverisë së Maqedonisë tani atë e sheh vetëm si vendim që përcakton vendin e tij të përjetshëm të punës edhe si zëvendëskryeministër!

Dhe ja sot ne ndihemi të lodhur edhe duke parë këtë kufomë që me vite askush nuk e varros atë, duke na gënjyer se ajo do të ringjallet një ditë. Njësoj siç ndihemi të lodhur edhe nga angazhimi i epur i kryesuesve të BDI-së në ruajtjen e stabilitetit të shtetit e të rajonit, por duke i flijuar kërkesat tona, duke e shtyrë realizimin e tyre për kohën kur do të jemi anëtarë të NATO-s e BE-së. Dhe të përkushtuar që Maqedoninë ta anëtarësojnë në NATO e BE, politikanët shqiptarë nuk panë se Maqedonia rrëshqiste drejt “Koresë Veriore”, drejt asaj që ne shqiptarët e kishim jetuar me dekada në diktaturën njëpartiake, në kohët kur “nëna parti” ishte ajo që e dinte se çka i takon e sa duhet t’i jepet popullit. Partitë shqiptare pra, e pranuan mendësinë e partive maqedonase dhe personalisht mua ma rikujtonin dekadat e socializmit kur thuajse hapur na thoshin: Ç’keni ju shqiptarët që nuk kënaqeni kurrë dhe gjithmonë ankoni për diçka, pse nuk e kuptoni se ne kujdesemi për të mirën tuaj! E ne edhe asokohe edhe tani donim vetëm një gjë: që vetë ta përcaktojmë cila është e mira jonë. Thjesht, partitë e këtushme shqiptare donin që ne të mos mendonim fare, pasi kishim “nënën parti” që mendonte e vendoste për të mirën tonë. Ndërkohë, ne shihnim se në këtë shtet, asgjë nuk mund të realizonim pa ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, pasi përfaqësuesit tanë politikë silleshin si vëzhgues ndërkombëtarë apo si anëtarë të forumeve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut që bënin regjistrimin e shqiptarëve të burgosur e të dhunuar dhe pastaj ato lista ua dorëzonin ndërkombëtarëve.

A ka ardhur koha që të ndryshohet klasa politike shqiptare në Maqedoni, duke pasur parasysh deklaratat e shpeshta dhe pankartat e pjesëmarrësve në protesta, ku artikulohen kritika e bëhen thirrje për dorëheqje për politikanët shqiptarë në qeveri e opozitë? Çfarë parashikoni si zhvillime të mëtejshme?

Pretendoj se ka shumëçka që e kuptoj dhe ia dal ta zbërthej, por e them hapur se ka diçka që asnjëherë nuk ia kam dalë ta kuptoj: si mund të flesh i qetë kur shikon se një pjesë e popullit të ka dalë në rrugë! Madje shpesh them: po edhe sikur të isha engjëll i licencuar si i tillë, po të dilnin jo më shumë se qindra veta në rrugë e do të brohorisnin se më ndiejnë si mëkatar, në mos më shumë, do të dilja përpara pasqyrës së ndërgjegjes sime që të shoh se çfarë nuk është në rregull me mua dhe më bën të besoj se të gjithë, përpos meje, janë në rrugën e gabuar. Thjesht mendoj se sikur përfaqësuesit tanë politikë të kishin sadopak ndërgjegje dhe sikur sadopak të ishin të përgjegjshëm, ata do i mundësonin kësaj rinie të pushtonte hapësirën që i takon, përfshi edhe atë politike. Edhe atë, pa lejuar që ajo të dalë në protesta, pa na përçarë në të mirë e të këqij, pa na sjellë në pozitën që kemi qenë gjatë dekadave të kaluara: disa shqiptarë t’i burgosë e disa t’i mbrojë policia! Nuk jam për revolucione, për ndëshkime, por jam për emërim të gjërave me emrin dhe mbiemrin e vërtetë. Andaj edhe kur e di se BDI-ja edhe mund t’i vendosë nën kontroll këto protesta, kjo nuk do të më pengojë të them se një gjë e tillë vetëm se revoltës së sotme do ia shtonte edhe atë të së nesërmes, e që pasnesër mund të shpërthej e të bëhet më e pakontrollueshme. Pra unë e di se aktivistët e BDI-së, njësoj si edhe të dërguarit e policisë, bëjnë çmos që t’i trembin protestuesit e rinj, e që të dëshmojnë se nuk ka protesta që mund të mposhtin forcën e tyre, por e di edhe atë se orvatjet e tyre i ngjajnë tentimit që me shtëllunga leshi t’i zësh vrimat e pendës nga ka filluar të rrjedhë uji! Duke mos dashur që mllefi të shtohet, duke mos dashur që ne edhe më tej të protestojmë rrugëve, unë i jam përkushtuar veprimit që kjo kohë të sjellë heronjtë e saj, që ne të dështuarit të tërhiqemi dhe ta ndihmojmë këtë rini ta lexojë drejt kalendarin në të cilin jeton. Pra, mendoj se cilido që mendon ndryshe, do të përfundojë si hero mbi gomar!

Si i gjykoni qëndrimet e politikës shqiptare për zhvillimet në Maqedoni?

Politikanët tanë kudo që janë u lodhën së tepërmi duke ruajtur stabilitetin e Ballkanit, por ndërkohë duke flijuar shumëçka shqiptare. Madje herë-herë kam përshtypjen se politikanët tanë kanë filluar të besojnë se ata nuk kanë obligim parësor mbrojtjen e shqiptarisë, por ruajtjen e paqes në Ballkan. Dhe kam përshtypjen se ata nuk e kanë kuptuar se në Ballkan jemi ne, por janë edhe të tjerët, se atë mund ta destabilizojmë ne, por gjithashtu mund ta destabilizojë edhe një fshat i thellë në Bosnjë. Andaj edhe shpesh kam pyetur vetveten: pse politikanët tanë në njëfarë mënyre pranuan që të kemi shenjën e destabilizuesve më të rrezikshëm të rajonit!? Pse nuk dalin të thonë hapur: Zotërinj, ne nuk jemi fajtorë pse populli ynë asiston në mirëmbajtjen e pesë shteteve të Ballkanit, andaj përgjegjësinë për ruajtjen e stabilitetit rajonal e kanë këto pesë shtete. Pastaj stabiliteti i Maqedonisë nuk varet gjithaq nga shqiptarët, sa nga etnia më e madhe numerikisht dhe, ç’të bëjmë ne për të ruajtur stabilitetin e saj, kur ata i rrahin të rinjtë tanë nëpër autobusë e nëpër lagjet e Shkupit!? Stabiliteti i Maqedonisë nuk mbrohet duke u shtirë se Shkupi zyrtar ka të drejtë t’i mbyllë kufijtë shqiptaro-shqiptarë sa herë që të kujtohet, e ne të heshtim nga droja se mos na shpallin paternalistë. Ruajtja e stabilitetit në këtë mënyrë, në të vërtetë prodhon të kundërtën, prodhon revoltën e shqiptarëve, siç ndodh sot në Maqedoni.

Në këtë kontekst, si i shihni reagimet e deritanishme të Tiranës dhe Prishtinës ndaj notave të protestës së Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë?

Reagimet e Tiranës, mbase për herë të parë ishin të tilla siç i kanë hije shtetit amë dhe na bëri të krenohemi. Ndërkaq, mbase shkaku i miqësisë së Kryeministrit në largim të Kosovës me kryesuesit e BDI-së, reagimi i Prishtinës ishte si i shkruar në kabinetin e qeverisë së Maqedonisë. Reagimi i Prishtinës përmbante këshilla që të jemi të kujdesshëm, t’i zgjidhim problemet institucionalisht, por duke mos na shpjeguar si t’ia bëjmë me institucionet që e mbrojnë shtetin nga shqiptarët, e jo shqiptarin nga padrejtësitë që ia bën shteti.

A i shihni me vend deklaratat e Zijadin Selës dhe liderëve të tjerë në protestat e fundit për t’u bashkuar e identifikuar vetëm nën flamurin kombëtar, duke përjashtuar flamujt e tjerë të pranishëm në protestat e mëparshme, duke pasur parasysh ato me përmbajtje religjioze?

Padyshim se ne kemi flamurin që na i mbron të gjitha, kemi një flamur në të cilin janë shënjuar të gjitha ngritjet e rëniet tona gjatë historisë, kemi një flamur në të cilin është vulosur edhe trinia jonë fetare, andaj s’ka pse në protestat tona të valëvitet ndonjë flamur tjetër.

Si e parashikoni të ardhmen e shtetit maqedonas dhe a do të zënë vend në të shqiptarët?

Fati i mëtejmë i Maqedonisë varet nga elitat e këtushme politike maqedonase. Shqiptarët dhanë thuajse të pamundurën, ata investuan pritjen dhe durimin 24-vjeçar, që elitat maqedonase ta kuptonin se Maqedonia është projekt që më shumë qëndron mbi shtyllën shqiptare sesa mbi atë maqedonase. Dhe gjatë këtyre 24 viteve, kurrë nuk morëm përgjigje të qartë nga elitat maqedonase se a duan shtet që do e bashkëdrejtojnë dhe bashkësundojnë me shqiptarët. Por duhet gjithashtu të pranohet se as ne shqiptarët, kurrë nuk e thamë hapur e qartë se si e paramendonin “Shqipërinë” tonë në Maqedoni, andaj patëm referendume për autonomi, patëm konfliktin e 2001-shit, e nuk lëvizëm nga aty ku ishim gjithmonë. Dhe faji ynë është pse pala maqedonase u bind se ndaj kërkesave tona duhet të përdorë metodën: mos ua jep sot atë që mund ta shtysh për nesër. Kështu që të drejtat tona ne i realizojmë me këste, nga një dhjetëvjeçar në tjetrin, nga njëra protestë në tjetrën. Pastaj asnjë të drejtë tonën nuk e kemi realizuar pa ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve. Edhe sot, lidhur me procesin gjyqësor “Monstra”, kryesuesit e BDI-së na premtojnë se nëpërmjet ndihmës së ekspertëve ndërkombëtarë, do të zbardhet e vërteta. Gjë që të çon të pyesësh veten: Ç’na duhen këta përfaqësuesit tanë politikë, nëse Organizata Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut do të duhet të na mbrojnë nga padrejtësitë që na i bëjnë institucionet e shtetit!? Dhe nëse edhe sot, ndërkombëtarët janë ata që i mbrojnë të drejtat tona, atëherë pse BDI-ja nuk kërkon ekspertë të huaj që do të zinin vendet ministrore që i takojnë kësaj partie dhe mos vallë funksionet shtetërore BDI-ja i ka kuptuar si mundësi për të punësuar më të dëgjueshmit e kryetarit të partisë!?/shqip

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>