Platforma TikTok do të bllokohet. Vendimin e bën me dije Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu ndërsa prezantoi këtë të shtunë (21 dhjetor) Planin e Ri të Veprimit, një nismë e rëndësishme e Ministrisë së Arsimit, për të adresuar dhe përmirësuar sigurinë në shkolla.
“Në një kohë kur sfidat teknologjike janë të pashmangshme, siguria fizike dhe digjitale është prioritet. Për rritjen e kësaj sigurie kemi vendosur bllokimin e platformës TikTok, bazuar në një paketë instrumentash që po punohet nga AKCESK dhe AKSHI. Po ashtu, do të vendosim kamera inteligjente përmes projektit ‘Smart City’, duke siguruar një monitorim më efektiv brenda shkollave dhe perimetrit të tyre. Në dy vitet e ardhshme do të dyfishojmë numrin e oficerëve të sigurisë, duke arritur në 500, dhe do të ngremë një strukturë të dedikuar brenda drejtorive arsimore për të koordinuar detyrat e oficerëve të sigurisë dhe bashkëpunimin me njësitë lokale të mbrojtjes së fëmijëve“, tha ministrja.
Në një takim me mësues e prindër, Ministrja Manastirliu tha se Plani i Veprimit ka katër drejtime kryesore dhe për hartimin e tij është bërë një konsultim i gjerë publik.
“Plani i Ri i Veprimit që prezantojmë sot është një iniciativë ambicioze që reflekton përgjegjësinë tonë të përbashkët si shtet, si institucione, si prindër dhe si qytetarë. Në të kemi përfshirë gjetjet dhe rekomandimet nga konsultimet e kryera, rekomandimet e Këshillit Kombëtar të Prindërve, dhe ekspertiza e shoqërisë civile dhe ndërkombëtare, ka qenë një pjesë kyçe e hartimit të tij. Përmes tij synojmë adresimin e çështjeve që lidhen me dhunën, bullizmin, sigurinë online dhe rritjen e mekanizmave të parandalimit, në funksion të sigurisë në shkolla dhe reduktimin, deri në eliminim, të fenomeneve të çdo forme dhune brenda shkollës. Ky plan është ndërtuar mbi katër shtylla kryesore: siguria fizike dhe digjitale, rrjetet e mbështetjes psikosociale, edukimi dhe ndërgjegjësimi dhe koncepti i shkollës së hapur.”, shtoi ajo.
Duke folur për rëndësinë e mbështetjes psikosociale, ministrja njoftoi shtimin e 350 punonjësve psikosocialë në shkollë.
“Jemi të ndërgjegjshëm se tek nxënësit po rritet nevoja për mbështetje multidisiplinare, sidomos për sa i përket mbështetjes psiko-emocionale dhe adresimit të shqetësimeve të moshës. Për këtë arsye, kemi planifikuar shtimin e 350 punonjësve psikosocialë, duke arritur në 1,200 brenda dy viteve të ardhshme. Bashkë me partnerët tanë të shoqërisë civile dhe institucioneve akademike, do të ngremë një Rrjet Kombëtar për Sigurinë Online, që do të ndihmojë në mbrojtjen digjitale të nxënësve”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu nënvizoi rolin e edukimit dhe ndërgjegjësimit.
“Nuk mund të ketë siguri pa edukim. Miratimi i Kodit të Ri të Etikës për mësuesit, fuqizimi i Këshillave të Prindërve dhe organizimi i Kuvendeve Rajonale periodike janë hapa thelbësorë për të ndërtuar një front të përbashkët në edukimin e fëmijëve. Gjithashtu, përmirësimi i kurrikulave dhe teksteve të Edukimit Qytetar, Digjital dhe Ligjor do të ndihmojë në formimin e një brezi më të ndërgjegjësuar dhe më të përgjegjshëm.”, tha Manastirliu.
Në përmbyllje, ministrja foli për konceptin e Shkollës së Hapur si një nga katër drejtimet e Planit të Ri të Veprimit.
“Një shkollë e hapur është një shkollë që shërben komunitetin. Do të zgjerojmë programet ‘Shkolla Qendër Komunitare’ dhe ‘Ekipet Sportive në Shkolla’, duke përfshirë mbi 20,000 nxënës në aktivitete jashtëshkollore sportive. Nga viti 2025 do të pilotojmë shkollat verore në Tiranë, për të siguruar që fëmijët të kenë hapësira të sigurta edhe jashtë orarit mësimor.”, shtoi ministrja.
Manastirliu përfundoi duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me prindërit: “Ky plan nuk mund të jetë i suksesshëm pa ju, të dashur prindër. Ju jeni partnerët më të ngushtë të mësuesit dhe kontributi juaj është i pazëvendësueshëm për të ndërtuar shkolla të sigurta dhe një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë.”, deklaroi Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Plani i ri i Veprimit vjen si një reagim nisur nga ngjarjet e fundit në shkollat e vendit.
Pas vendimit për mbylljen e TikTok prezantohet planveprimi për sigurinë në shkolla
Duke e justifikuar si të domosdoshme mbylljen për një vit të TikTok-ut, kryeministri Edi Rama deklaroi të shtunën se platforma sociale ka luajtur një rol edukues negativ, të pakrahasueshëm me praktikën që ndjek kompania kineze në shtetin e saj të origjinës.
“Se është kompani që rrënjët e veta i ka në Kinë, por po ta shikosh në Kinë dhe jashtë saj janë dy TikTok të ndryshëm. TikToku është rrugaçi i lagjes. Kemi frikë kur fëmija shoqërohet me të kur del nga shtëpia. Ne TikTok-un do ta mbyllim për një 1 vit. Rrugaçëri, perversitete, llum e qenëri nuk sheh në TikTok-un e Kinës,” u shpreh Rama.
Në aspektin teknologjik procesi i mbylljes së platformës është parashikuar të zgjasë nga 6–8 javë duke filluar viti i ardhshëm.
“Do ta mbyllim plotësisht për të gjithë. Tiktok në Republikën e Shqipërisë s’do të ketë,” deklaroi kreu i qeverisë.
Qeveria shqiptare thotë se do të ndjekë reagimet e vendeve të tjera për të vendosur zgjatjen apo pezullimin e vendimit për mbylljen.
Kryeministri Rama së bashku me Ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu, prezantuan edhe planin e ri të veprimit për fuqizimin e mekanizmave të sigurisë në shkollë për më shumë cilësi, siguri dhe gjithëpërfshirje.
Kjo fushatë synon të adresojë ndikimin e rrjeteve sociale si TikTok dhe Snapchat te fëmijët dhe të rinjtë, duke promovuar ndërgjegjësimin për rreziqet dhe pasojat e tyre.
Gjatë fjalës në aktivitetin e zhvilluar me përfaqësuesit e këshillave të prindërve dhe komunitetin e mësuesve, kreu i qeverisë Rama tha se ishte tragjedia e fundit pranë shkollës “Fan Noli” që solli reagimin e prindërve dhe jo vetëm, por edhe një plan masash të hartuara nga Ministria për të shmangur përsëritjen e këtyre episodeve.
“U bë shkak një tragjedi që të vihet në lëvizje një shoqëri e tërë dhe një tërsi komunitetesh shkollore dhe prindërore në gjithë Shqipërinë, por nga ana tjetër të vihej në lëvizje e njëjta fuqi e brendshme e vetë shoqërisë e përfaqësuar në Parlamentin e Shqipërisë dhe media.
Në gjithë këtë proces dhe gjatë konsultave publike ku unë kam marr pjesë, edhe në këtë ngjarje kaq tragjike sikurse ishte kjo, ka dy Shqipëri. Ka një Shqipëri në parlament dhe media ka dhe një Shqipëri në komunitet, aty ku njerëzit e prekur direkt, sepse kanë fëmijët nëpër shkolla apo mësuesit që janë pjesë e një sistemit që duhet të jetë i aftë të parandalojë ngjarjet të tilla, reflektojnë dhe diskutojnë në mënyrën tjetër nga ata të parët. Ne si pikënisje kemi nxitur debatin për këshillimin mbi TikTok, por në fakt unë kam dëgjuar nga prindërit se çfarë do të bëhet me gjithë këtë dhunë, me gjithë këtë çedukim masiv dhe me gjithë këtë lum që sjell media duke shkuar në drejtim të kundërt me atë që kemi qëllim të përbashkët.”
Rama tha se të gjitha ngjarjet që ndodhin nuk mund të parandalohen dhe të shmangen. Pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani nga një bashkëmoshatari i tij, prindërit e kanë drejtuar gishtin e fajit nga drejtuesit e shkollës ku ndodhi përplasja mes të miturve. Në disa protesta është kërkuar edhe dorëheqja e ministres së Arsimit.
“Publikisht dua të them dhe si përgjigje për ata që donin të nxirrnin përfitime absurde nga kjo tragjedi duke drejtuar gishtin e akuzave dhe duke kërkuar përgjegjësi personale dhe ndaj ministres së Arsimit. Ministria e Arsimit ka të gjithë mbështetjen time, por kam bindjen se ashtu sikurse luajti një rol transformimi në shëndetësi do të luajë një rol dhe në transformimin në sistemin arsimor.”
rtsh