“Arresti në shtëpi”, Kushtetuesja nuk arrin kuorumin, rrëzohet ankimi i Berishës

KushtetusjaNë Shqipëri, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha për të konsideruar si të papajtueshme me kushtetutën, vendimet për “arrest shtëpie” të marra ndaj tij nga të tre shkallët e gjyqësorit. Gjykata nuk arriti dot të shprehej me një qëndrim, pasi 8 anëtarët e saj u ndanë me numër të barabartë votash, “pro” dhe “kundër”. Një vendim i Kushtetueses është i vlefshëm, nëse ai mbështetet nga vota e të paktën 5 anëtarëve të gjykatës. Që prej muajit shtator, kjo gjykatë është me një anëtar më pak, për shkak të dorëheqjes së anëtares Elsa Toska.

 

Zoti Berisha, u vendos në “arrest shtëpie” në fund të vitit 2023, pasi më herët Gjykata e posaçme kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të lëvizjes jashtë vendit” në kuadër të hetimit të për procedurat e privatizimit të ish Klubit sporti “Partizani” në kryeqytet. Zoti Berisha kishte refuzuar të zbatonte vendimin e gjykatës, duke pretenduar se një masë e tillë do të duhej të ishte autorizuar më parë nga parlamentit. Pikërisht për këtë arsye, vendimi për këtë rast dukej se nuk do të haste në debate të shumta, për më tepër që Gjykata Kushtetuese më herët e kishte vlerësuar të drejtë, masën e sigurisë të dhënë ndaj tij.

Hetimet ndaj ish kryeministrit, kanë përfunduar dhe Prokuroria e Posaçme e ka përcjellë dosjen për gjykim. Ndërsa gjykatësi paraprak nuk është shprehur ende mbi rastin, në muajin nëntor Gjykata e Posaçme i hoqi atij masën e “arrestit në shtëpi”. Por në ditët e para të vitit, pas një ankimimi nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Apelit riktheu masën “detyrim paraqitje” ndaj zotit Berisha. Një vendim të cilin ai e ka konsideruar “një urdhër politik të kryeministrit Edi Rama për qëllime elektorale”. Ai po ashtu ka vijuar me sulmet e ashpra ndaj Strukturës së Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, duke e quajtur “një organizatë kriminale” e cila sipas tij “fle mbi dosjet e krimit”.

Zoti Berisha është marrë i pandehur për çështjen e privatizmit të ish klubit sportiv Partizani, ku sipas prokurorisë, ai favorizoi dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, një nga ish pronarët e truallit mbi të cilin u ngrit me pas një kompleks pallatesh. Ndaj tij është ngritur akuza e korrupsionit pasiv në bashkëpunim.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, ish kryeministri Berisha ka shfrytëzuar postin zyrtar, teksa ka miratuar ligje dhe akte nënligjore të përshtatura me nevojat e ish pronarëve të truallit për të mundësuar privatizimin e kompleksit sportiv. Prokuroria pretendon se ai ka ushtruar presion, përmes kontrolleve administrative, ndaj strukturave shtetërore, në mënyrë që këto të përshpejtonin procedurat e privatizimit, si dhe i ka vënë këto struktura në dispozicion të dhëndrit Malltezi, po ashtu i akuzuar, sikundër dhe tre persona të tjerë ndaj të cilëve rëndojnë akuzat për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>