30 ditë armëpushim në Ukrainë e sërish ndihma ushtarake amerikane: Reagimet pas ujdisë në Arabinë Saudite janë në unison, se tani duhet të veprojë Rusia. Por reagimet e para ruse duken të rezervuara.
Krerë shtetesh dhe qeverish ndërkombëtare kanë reaguar pas ujdisë për armëpushim 30 ditor arritur në takimin mes SHBA-së dhe Ukrainës në Xhidah të Arabisë Saudite. Vihet re lehtësimi, por deklaratat janë të përmbajtura. Pasi Kiyvi ra dakord me propozimin e Uashingtonit për armëpushim, SHBA deklaroi se do të rifillonte gjithashtu ndihmën e pezulluar ushtarake për Ukrainën.
“Ne mirëpresim rezultatet e bisedimeve”, tha presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen. Ajo e pa si një zhvillim pozitiv që administrata Trump dëshiron t’i ofrojë përsëri mbështetje ushtarake Ukrainës dhe të sigurojë informacionet e inteligjencës. Von der Leyen vlerësoi gjithashtu armëpushimin e planifikuar. Topi tani është në anën e Rusisë, sipas saj. Edhe presidenti i Këshillit të BE-së, Antónia Costa, vlerësoi përpjekjet për armëpushim, duke theksuar se tani duhet të reagojë Rusia.
“Tani i takon Rusisë që t’i japë fund luftës së saj të agresionit”
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock shkroi në X për një pikë kthese të mundshme. “Tani i takon Rusisë që t’i japë fund luftës së saj të agresionit”, shkroi Baerbock. Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, postoi në X pas ujdisë për armëpushim nga Ukraina, se “duket sikur amerikanët dhe ukrainasit kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt paqes”. Evropa është e gatshme kur bëhet fjalë për arritjen e një “paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”. Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron përshëndeti përparimin në bisedime. “Topi është tani qartë në fushën e Rusisë,” shkroi Macron gjithashtu në X. Franca dhe partnerët e saj mbeten të përkushtuar ndaj një paqeje solide dhe të qëndrueshme të mbështetur nga garanci të forta sigurie për Ukrainën.
Por Rusia duket se po e lë fillimisht të hapur përgjigjen e saj pas propozimit për një armëpushim të përkohshëm. Qeveria do të marrë vendimet e veta për konfliktin në Ukrainë, shpjegon zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Sakharova, pa dhënë detaje të tjera. “Përcaktimi i pozicionit të Federatës Ruse nuk zhvillohet jashtë vendit për shkak të disa ujdive ose përpjekjet e disa palëve. Përcaktimi i qëndrimit i Federatës Ruse zhvillohet brenda Federatës Ruse”, theksoi Zakharova. Nënkryetari i Këshillit të Federatës Ruse, Konstantin Kosachev, shkroi në Telegram: “Kushtet janë amerikane, jo ukrainase. Ukrainasit pajtohen me atë që u thuhet. Dhe në të njëjtën kohë ata përulen dhe bëjnë lajka”. Nuk do të funksionojë kështu me Rusinë, sepse Rusia është në marshim e sipër. “Të gjitha marrëveshjet duhet të jenë sipas kushteve tona, jo sipas kushteve amerikane”.
la/ag