Shqiptarët e Maqedonisë do ta mbajnë mend vitin 2013 për zgjedhjet lokale dhe për përmendoren e car Dushanit. Shqiptarët e Shqipërisë këtë vit do ta mbajnë mend më së tepërmi me zgjedhjet parlamentare dhe armët kimike siriane.
Mirëpo ajo me çka do ta mbajnë mend vitin 2013 shqiptarët e Ballkanit dhe më gjerë, është fitorja historike e kandidatit të lëvizjes Vetëvendosje! në Prishtinë.
Lidhur me rëndësinë e kësaj fitore, për aktualitetin politik të shqiptarëve në Ballkan, me theks të veçantë të atij në Maqedoni, në numrin festiv të gazetës “Lajm” u sjellim një intervistë me liderin e lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti. Lajm: Viti 2013 përfundoi me një fitore historike të VV-së në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën. Çka do të thotë kjo fitore për funksionimin e mëtejshëm të VV-së?
Kurti: Ka shumë mundësi që ky moment është më i rëndësishëm për Lëvizjen tonë sesa ai i vitit 2010 kur vendosëm të hyjmë në institucione. Pra, 1 dhjetori i vitit 2013 me gjasë paraqet datë edhe më të rëndësishme sesa 12 qershori 2010 për VETËVENDOSJE!-n. Kalimi nga protestat e demonstratat, nga aksionet e tubimet edhe në Kuvendin e Republikës, tash shënon një avancim tjetër te subjekti ynë që përveç të gjitha këtyre edhe do të qeveris. Përgjegjësia jonë është shumë e madhe, por po aq e madhe është edhe ndjenja e përgjegjësisë te Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe qeverisja e VETËVENDOSJE!-s. Pengesat e vështirësitë do t’i shndërrojmë në sfida ku do të veprojmë me vullnet dhe sipas ligjit, me plan dhe përbrenda alternativës sonë. Organizata politike e Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të jetë pranë Shpendit dhe me Shpendin në ballafaqimin me të këqijat e kryeqytetit përmes drejtësisë së qeverisjes sonë të re.
Lajm: Sa fitorja e VV-së në Prishtinë e avancon konceptin për bashkim kombëtar, që është koncepti dhe synimi kryesor i VV-së?
Kurti: Nuk janë të paktë njerëzit që thoshin se këta të VETËVENDOSJE!-s kanë të drejtë, janë më të mirët, por nuk do të fitojnë askund asnjëherë sepse nuk do t’i lënë një mori faktorësh vendorë e ndërkombëtarë. Tash që qeverisim me kryeqytetin, qytetarët kanë nisur të ndryshojnë mendje dhe janë shumë më optimistë: ndryshimet e mëdha dhe të vërteta njëmend qenkan të mundura e të realizueshme! Kudo që jemi, çka do që themi dhe çfarëdo që bëjmë, ne përfaqësojmë frymën kombëtare dhe konceptin e bashkimit kombëtar që e kemi të përshkruar, shpjeguar e arsyetuar edhe në alternativën tonë qeverisëse, në të tri shtyllat e saj: shtetin e së drejtës, shtetin zhvillimor dhe shtetin social. Prandaj, sigurisht që me këtë fitore të këtij fundviti merr hov edhe afirmimi e avancimi i afrimit, integrimit e bashkimit të shqiptarëve.
Lajm: Ku gjenden shqiptarët e Maqedonisë në konceptin e VV-së për bashkim kombëtar?
Kurti: Shqiptarët në Maqedoni kontribuuan aq shumë edhe për pavarësinë e Shqipërisë para më shumë se një shekulli, edhe për çlirimin e Kosovës para më shumë se 14 vjetësh, edhe për pavarësinë e Kosovës para më shumë se gjashtë vjetësh. Mirëpo, ata e paguan çmimin më të lartë e më të rëndë sepse mbetën edhe jashtë Shqipërisë së pavarur edhe jashtë Kosovës së pavarur. Sot, shqiptarët në Maqedoni, ndonëse jetojnë në trojet e tyre autoktone, janë të shtypur politikisht e të shfrytëzuar ekonomikisht, mbase edhe më keq sesa në kohën e Jugosllavisë. Qeveria Gruevski jo që nuk i do shqiptarët por i urren ata – ajo është nacional-shoviniste. Shqiptarët në Maqedoni duhet të organizohen dhe ta thonë fjalën e tyre. Ata janë pjesë e pandashme e kombit shqiptar dhe e bashkimit kombëtar. Bashkimi kombëtar jo vetëm që është më i madh sesa Shqipëria dhe më i madh sesa Kosova, por është më i madh edhe sesa këto të dyja marrë së bashku.
Lajm: Si e komentoni pozitën aktuale të shqiptarëve të Maqedonisë, por edhe pozitën e subjektit politik shqiptar në Qeveri? Çka duhet bërë shqiptarët e këtushëm për ndonjë ndryshim pozitiv të pozitës së tyre?
Kurti: Diskriminimi i shqiptarëve është dukuri e përditshme në Maqedoni si në politikë dhe kulturë, po ashtu edhe në socio-ekonomi. Shqiptarët e Maqedonisë nuk janë NË Maqedoni sa janë NËN Maqedoni. Për shqiptarët nuk ka as liri e as barazi, pra as drejtësi, sikurse për maqedonasit. Nëpër institucionet shtetërore dhe në ndërmarrjet publike shqiptarët janë të nënpërfaqësuar gjithandej. Edhe sipas regjistrimit të popullsisë që nuk ishte korrekt ndaj shqiptarëve, ata përbëjnë më shumë se çerekun e popullsisë, por vetëm çdo i dhjeti prej tyre është i inkuadruar në punë shteti. Ky kontrast është edhe më i theksuar te vendet udhëheqëse e pozitat drejtuese. Shqiptarët duhet të organizohen politikisht dhe institucionalisht për t’i mbrojtur të drejtat e tyre e për ta shprehur vullnetin e tyre. Ata duhet të jenë më aktivë dhe ta kritikojnë më shpesh e më zëshëm edhe Tiranën zyrtare edhe Prishtinën zyrtare për mbështetjen e munguar. Në anën tjetër, nuk po duket që me pjesëmarrjen e partisë politike shqiptare në Qeveri po ia vlen barra qiranë për shqiptarët. Legjitimiteti ndërkombëtar por edhe i brendshëm që po e fiton Qeveria Gruevski përmes pjesëmarrjes së partive shqiptare në qeverinë e tij, nuk po i shpaguhet popullit shqiptar. Përkundrazi.
Lajm: Shqiptarët e Maqedonisë deri tani në disa raste kanë kërkuar angazhim më të madh të Tiranës dhe Prishtinës për mbrojtjen e vlerave shqiptare këtu. Përveç gatishmërisë deklarative, deri tani duket se nuk ka pasur ndonjë angazhim konkret as nga Prishtina e as nga Tirana, në këtë drejtim. Pse ndodh kjo? Çka do të ndryshojë diçka në këtë drejtim pas fitores së VV-së në Prishtinë dhe fitores eventuale në zgjedhje parlamentare?
Kurti: Shqiptarët në Maqedoni duhet të ndihmohen e përkrahen nga Tirana dhe Prishtina zyrtare. Kjo nuk është thjesht çështje e së drejtës së Tiranës e Prishtinës zyrtare por e obligimit të tyre. Udhëheqësit politikë e zyrtarët e lartë shtetërorë në Tiranë e Prishtinë përgjithësisht nuk kanë qenë në nivel të detyrës. Shumë prej tyre kanë preokupime të tjera më të ngushta dhe shumë më pak fisnike. Lëvizja VETËVENDOSJE! është krejtësisht ndryshe. Koncepti e programi, në njërën anë, dhe përvoja e vullneti ynë, në anën tjetër, e dëshmojnë këtë. E kemi thënë edhe më herët që Prishtina ka qenë dhe është kryeqytet jo vetëm i Kosovës por i gjithë shqiptarëve që popullonin trojet e tyre stërgjyshore nën ish Jugosllavi. Kjo do të reflektohet në aspekte të ndryshme edhe me qeverisjen tonë në kryeqytet. Ndërkaq me fitoren e VETËVENDOSJE!-s, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare shqiptarët në Maqedoni do ta kenë adresën e vërtetë kombëtare në Republikën e Kosovës për nevojat dhe aspiratat e tyre.
Lajm: Me kë bashkëpunon VV në Maqedoni? Pse deri tani nuk është shënuar ndonjë bashkëpunim më I theksuar, si me sektorin civil poashtu edhe me ndonjë subjekt politik?
Kurti: Në Maqedoni nuk kemi një subjekt të veçantë me të cilin bashkëpunojmë, por kemi shumë aktivistë, politikanë, studiues e gazetarë shqiptarë me të cilët jemi në kontakte e komunikim të vazhdueshëm dhe bashkëpunojmë në aktivitete të ndryshme të përbashkëta në Prishtinë, Shkup, Tiranë, Tetovë e gjetiu. Ndonëse shqiptarët që e duan bashkimin kombëtar në përgjithësi kanë gjithfarë pengesash në jetën e punën e tyre, pa dyshim që ka vend për më shumë punë e bashkërendim.
Lajm: Pse sipas jush nuk po paraqitet në Maqedoni një lëvizje e llojit të Vetëvendosjes, e cila do ti mobilizonte shqiptarët që në mënyrë më aktive të angazhohen për të drejtat e tyre? A mund të presim së shpejti formim degës së VV-së në Maqedoni?
Kurti: Nuk e di pse nuk kemi në Maqedoni një Lëvizje politike përtej partive ekzistuese që më parë e kanë përçarë popullin sesa që e kanë emancipuar atë, mirëpo e di që VETËVENDOSJE! nuk mund të eksportohet e as importohet. Ajo duhet të lind e rritet nga vetë populli kudo, në mënyrë autentike, autoktone dhe autonome.
Lajm: Dhe për fund, çka mund të presin shqiptarët në vitin 2014? Mendoni se do të jetë një vit me zhvillime pozitive, apo do të ketë stagnim ose regres në proceset që kanë rëndësi strategjike për të gjithë shqiptarët e Ballkanit?
Kurti: Shqiptarët mund të presin zhvillime të mira në vitin 2014, nëse nuk presin. Pra, nëse angazhohen e punojnë për interesin e përgjithshëm dhe idealin kombëtar. Shansi e mundësia janë. Duhet t’i përdorim e shfrytëzojmë ato, jo për inat të dikujt tjetër, por për hir të vetes tonë. Urime e gëzuar 2014!