nga Fisnik Zeqiraj
Organizatorët e Akademisë Përkutimore:
DEGA E LDK-së PËR GJERMANI
dhe
NËNDEGA E LDK-së PËR BADEN WÜRTEMBERG
Ludwigsburg – Stuttgart, tetor 2012
APEL DREJTUAR:
1.- QEVERISË TË REPUBLIKËS TË SHQIPËRISË
Kryeministrit Sali Berisha
T i r a n ë
2.- E U L E X – it
Shefit Xavier Bout de Marnhac
P r i s h t i n ë
Kanë kaluar 14 vjet nga ekzekutimi makabër, në mes të Tiranës, të ministrit të mbrojtjes të Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqi. Dhe, megjithatë, deri me sot, askush nuk është marrë në përgjegjësi!
Vrasjet e burrave dhe të djemëve të Kosovës në territorin e Shqipërisë londineze si dhe vrasjet seriale brenda Kosovës, kanë qenë gjysmë publike dhe si të tilla janë një e fshehtë publike. E themi këtë, sepse në realizimin e një atentatimi kanë marrë pjesë një duzinë njerëzish, madje edhe me vetura, me qëllim të karambolimit, në rast të ndjekjes momentale nga policia!!
Në Shqipëri, përgjatë viteve 1997, 1998 dhe 1999, janë ekzekutuar:
1) Gazetari Ali Ukaj
2) Ministri Ahmet Krasniqi
3) Veprimtari i Logjistikës Ilir Konushevci
4) Dr. Hazir Malaj, bashkëveprimtar i Konushevcit, shtetas i Shqipërisë, nga Tropoja
5) Djemtë e Sylë Mehmetit – Nikçi, nga Rugova, ish i burgosur politik, Ibrahimi dhe Rexhepi
6) Qazim Jakupi me kontraktuesin e hapjes të pikës ushtrimore – ushtarake, në Papaj të Tropojës, Muharrem
Tafa, mik i heroit Sali Çekaj
7) Është zhdukur pa gjurmë në Tiranë oficeri dhe veprimtari i LDK-së Sadri Ramqaj nga Istogu
8-Është vrarë në pritë, në aksin rrugor Kukës – Tiranë, Rushit Elezi nga Kukësi, kontraktuesi i ushtrimorës ushtarake të Kalimashit si dhe furnizuesi me armë i Forcave të Armatosura të Kosovës.
Përveç të cituarëve me emër, janë zhdukur pa gjurmë edhe oficerë, ushtarë dhe veprimtarë të tjerë – brenda territorit të Shqipërisë.
Ekzekutimet në Shqipëri u paraprinë qindra vrasjeve politike, (llogaritën nga 1500 deri 1700 sosh), përgjatë dhe pasluftës në Kosovë, kryesisht ushtarakë luftëbërës si dhe veprimtarë të tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Izolimet në burgjet rurale të SHIK-ut, rrahjet, maltretimet, terrorizimi deri në linçime pa gjyq fare, të atyre që konsideroheshin kundërshtarë politikë në të ardhmen, janë numerike. Qëllimi i kësaj ploje fashizoide ishte i qartë: marrja e pushtetit me dhunë nga e majta ekstreme, e ashtuquajtura Lëvizje Popullore e Kosovës e djeshme, përkatësisht – Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – të sotme.
Çuditërisht, UNMIK-u ka bërë arrestime të harëpashershme, por nuk ka bërë as zbulime të krimeve politike dhe as ndëshkime e dënime të kriminelëve. Do të mbahet mend për të keq dhe për turp ndonjë dënim simbolik të bërë nga “gjykata” e UNMIK-ut. _Për shembull: Për 4 (katër) ekzekutimet e oficerëve të Kosharës, dënimi ishte deri në pesë (5) vjet burg, madje të liruar pa e vuajtur dënimin përkatës. Një tallje e turpshme me viktimat, familjet e tyre, popullin dhe drejtësinë e Kosovës! Ndërkohë që në vendet prej të cilave vinin këta “biçim gjyqtarësh”, për një vrasje, krimineli dënohej dhe dënohet me burgim të përjetshëm, sepse kështu e parashikojnë edhe ligjet e shteteve ligjore dhe demokratike, për vrasjet e qëllimshme dhe të ngeshme.
Pothuajse të gjitha arrestimet e bëra nga UNMIK-u kanë qenë faktike, lëndore, të bazuara, ndërsa lirimet kanë qenë politike, të qëllimshme dhe në dëm të Kosovës. Kupola e krimeve në Kosovë, që tashmë është në pushtet, ka mbrojtur me fanatizëm krimin dhe kriminelët, sepse krimi kishte një qendër, kishte një shtab dhe ky shtab, që sot gëzon dhe shpërdoron pushtetin, nuk mund të luftojë kundër vetvetes!!!
Pse e bëri këtë UNMIK-u dhe pse i heshti krimet EULEX-i, kjo është një çështje që kërkon sot me ngulmë populli i Kosovës, LDK-ja, por duhet ta kërkojë edhe Qeveria e Republikës të Shqipërisë. Përjashtohet nga kjo nismë, sa fisnike, aq edhe ligjore, Qeveria aktuale e Kosovës, sepse ka fakte të bollshme, të pakontrstueshme se projektues dhe ekzekutues të krimeve politike seriale kanë qenë dhe janë pikërisht kasta e pushtetarëve të sotëm, me organizatën e tyre ilegale e kriminale SHIK-un. E hidhur, por krejt e vërtetë, në ulëset e Parlamentit të Kosovës janë 21 deputetë të SHIK-ut, duke e bërë parlamentin më kriminal të Evropës dhe më gjerë!!
Sot, nga kjo tribunë e Akademisë Përkujtimore, kushtuar kolonel Ahmet Krasniqit, Hero i Kosovës, me bindjen se përfaqësojmë edhe mendimin e anëtarësisë të LDK-së dhe më gjerë të njerëzve atdhedashës të Mërgatës shqiptare, apelojmë zëshëm tek Qeveria e Republikës të Shqipërisë, kryeministri Berisha si dhe tek EULEX-i dhe shefi i tij Xavier Bout de Marnhac, të angazhohen, seriozisht dhe maksimalisht, për zbulimin dhe vënien para drejtësisë të kriminelëve vrastarë dhe shefave shtabistë të tyre, gjatë dhe pas luftës, në Shqipëri dhe në Kosovë.
Heshtja e krimeve të djeshme, është stimulim për krimet e sotme dhe të nesërme. Me krime nëpër këmbë, nuk mund të këtë ecje përpara të Kosovës. Liria pa drejtësi dhe demokraci, është utopi, përrallë dhe këtë e kanë provuar dhimbshëm shqiptarët e Shqipërisë për gjysmë shekulli rradhazi.
Mbetemi me shpresë dhe besim se, më në fund, drejtësia do të veprojë dhe triumfojë mbi krimin dhe kriminelët, që kanë ngulfatur Kosovën tonë, shtetin fort të brishtë ballkanik.
Me shumë respekt:
Organizatorët e Akademisë Përkutimore:
DEGA E LDK-së PËR GJERMANI
dhe
NËNDEGA E LDK-së PËR BADEN WÜRTEMBERG
Ludwigsburg – Stuttgart, tetor 2012