Nga Bejtullah Sadiku, mësues i Shkollës Shqipe në Gjermani I nderuar zotëri Aurel Dasareti,
Shkrimet / Analizat e Juaja gjithmonë kanë qenë dhe janë në përputhshmëri të kërkesave dhe proceseve shoqërore të shqiptarëve se si të punohet, si të veprohet dhe cilat janë rrugët dhe format e veprimit për ardhmërinë ma të mirë, më të lumtur, e cila akoma mungon në shumëçka dhe atë, në të drejtat politike, ekonomike dhe kombëtare, e për të cilat bëhet një luftë shekullore, në mes të atyre që u duhen dhe atyre që i pengojnë e ndalojnë. Nëse fjalët e Juaja, mësimet dhe këshillat që u plasoni me decenie të tëra, sikur 10% e këtyre të depërtonin në veshët e shurdhët të atyre që duhet të dëgjojnë e shohin më shumë se kushdo tjetër, nuk do ishin në situatat dhe gjendjen që jemi kështu si jemi. Juve ju lumtë për punën e palodhur, a kurse ata/ato të palodhurit e lodhur t´i rreken punës, ti hapin sytë e veshët dhe të plotësojnë kërkesat e asaj pjese të popullit që u nëpërkëmben ditë e përditë, sa nga njëra po aq e ashtu edhe nga pala tjetër. Durimi ka limitin dhe kufirin e vet për aq përderisa nuk ka pëlcitur, e kur pëlcet, grimcat dhe copëzat mbesin njëjtë, sa në një anë, po aq edhe në anën tjetër. Juve respekt për punën Tuaj në vazhdimësi, kurse copëzave afrim,bashkim dhe ngjitje si një kulaç i përbashkët.
I nderuar mik, prej vitit 2001 e deri më 2010 kur diskutonim tema të ndryshme në Forumin e Liria Kombëtare-s, shpesh herë e thoshe këtë:{“Veprimi, kurrë deri sot nuk është kryer nga ai që pyet më parë “ç’duhet të bëjë”}.
Unë e kuptojë këtë kështu:
Është obligimi i çdo shqiptari, sa më parë të zgjojë vetveten, të ndërgjegjësohet dhe të marrë iniciativa të ndryshme atdhetare, të kontribuoj personalisht për zgjimin nga gjumi edhe të të tjerëve, ashtu që s’bashku ta përballojmë të keqen. Është detyra jonë si prindër, që për brezat e ardhëm të sigurojmë një jetë dinjitoze pa shtypje, pa diskriminime, pa masakra, pa dëbime…
Respekt për ty dhe lexuesit e kësaj letre.
Bejtullahi