Liria Kombëtare: Shpërngulja e familjes Zeqiri edhe një tragjedi shqiptare

Shpërngulja e familjes Zeqiri nga fshati Radishan i Shkupit na përkujton skenat e gjalla të shpërnguljeve masive të shqiptarëve në shekullin e fundit, masakrat dhe tmerret që përjetuan mijëra e mijëra familje shqiptare që nga Kumanova deri në Manastir.
Ne anëtarët e Shoqatës Atdhetare „Liria Kombëtare” në Zvicër reagojmë ashpër kundër dhunës dhe terrorit shtetëror që ushtrohet mbi familjet shqiptare në IRJM. Dhuna dhe terrori shtetëror mbi familjet shqiptare në komunat e Prilepit, Krushevës, Manastirit, Velesit, Shkupit dhe sot mbi familjen Zeqiri të Radishanit në Shkup na përkujton shpërnguljet e shqiptarëve me dhunë dhe terrorin shtetëror në fund të shekullit XX. në Kosovë.
Kjo skenë tragjike(ashtu siç u pa nga skena e filmuar nëpërmjet videokamerave) dëshmon edhe njëherë se shqiptarët janë në një rrezik të papërshkruar kurse klasa politike shqiptare në mjerim.
Për këtë arsye dëshirojmë të tërheqim vërejtjen për dy gjëra:
- E para se si vepron shteti dhe institucionet e IRJM, jo vetëm që i diskriminojnë shqiptarët në të gjitha sferat e jetës, por edhe kur sulmohen nga huliganët nuk mundohet të gjej, as arsyetime të thjeshta, e lëre më mjete institucionale që t’i mbroj ata. E themi troç se ky është realiteti politik dhe institucional mbi shqiptarët më se gjashtë dekada. Nuk ka institucione në IRJM të cilat kujdesen për lirinë e shqiptarëve, por ka institucione dhe parti politike të cilat me dy këmbët shkelin mbi të drejtat e shqiptarëve.
- E dyta, parashtrohet pyetja se ç’bëjnë partitë politike shqiptare në IRJM, se ç’bëjnë Organizatat Joqeveritare të cilat me vite veprojnë si masha të partive politike? – Shkurt Asgjë.
E themi me plot gojën turpi nuk ka brirë.
Largimi i familjes Zeqiri është turpi më i madh që iu bëhet shqiptarëve në IRJM, ku dhjetëra deputetë shqiptarë dhe një “vagon” partish politike dhe një “kamion” OJQ- nuk janë në gjendje të mbrojnë një familje shqiptare në të drejtën e vet, në pronën e vet, në tokën e vet, në shtëpinë e vet. Para syve të më se 700.000 shqiptarëve në IRJM largohet me vaj një familje 20-anëtarëshe dhe askush nuk shtrinë dorën për ta mbrojtur. Prandaj me këtë rast ju bëjmë apel të gjithëve, që të vihen në mbrojtje të familjes Zeqiri nga Radishani i Shkupit sepse qëndrimi i tyre në pragun e shtëpisë nuk është fat individual por fat kolektiv. Në rend të parë kjo thirrje iu drejtohet studentëve të cilët gjithmonë kanë qenë bartës të proceseve dhe lëvizjeve kombëtare. Prandaj edhe studentët e dy universiteteve: atij të USHT-së dhe UEJ-lit, profesorëve,nxënësve, punëtorëve sepse liria nuk mbrohet me një familje. Të veprojnë në shërbim të lirisë.
Po ashtu në vazhdim parashtrohet edhe një pyetje pas largimit të familjes Zeqiri nga fshati Radishan i Shkupit se kush ka fytyrë të flasë pas këtij turpi. Cili deputetë shqiptarë do të dal në foltore të parlamentit antishqiptar, në të cilin zbatohen të gjitha projektet antishqiptare dhe të flas për të drejta dhe barazi. Cila parti politike do të hyjë në negociata për formimin e qeverisë, e cila qeveri (që nga paraqitja e parë) e dimë qartë se nuk ekziston për shqiptarët. Turpi nuk ka brirë. Në historinë e shqiptarëve do të shkruhet me shkronja të mëdha se në muajin Maj, familjeve të shumta që u shpërngulen nga vendbanimet e Prilepit, Velesit, Manastirt, Ohrit, Krushevës, i bashkëngjitet edhe familja Zeqiri nga Radishani i Shkupit në pamundësi për t’iu bërë ballë huliganëve të organizuar të shtetit dhe të pushtetit, kurse klasa politike nuk e bëri asnjë reagim të vetëm. Dhe fare në fund, parashtrohet një pyetje morale, A ka politikanë që preket nga kjo tragjedi shqiptare?
Zürich, Shoqata Atdhetare “Liria Kombëtare” – Zvicër

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>