PRELË MILANINë emër të një modernizmi dhe një lirie të shfrenuar shkolla është katandisur në shtrat të ngrohtë të duhanit, alkoolit, drogës, seksit, dhe injorancës. Kemi përdhosur dhe shpërfytyruar rolin e mësuesit si autoritet i shenjët i edukimit, duke e kthyer në një spiker robot të gjithfarë tekstesh dhe programesh eksperimentale donkishoteste me fasadë reflektuare didaktike. Kjo liri pa limite që ekziston në shkollat tona prodhon mijëra e mijëra viktima, aq sa kufiri mes shkollës, rrugaçërisë dhe burgut nuk dihet se ku fillon dhe ku mbaron. Unë kam punuar me shumë pasion e dashuri për mbi 14 vjet në arsim tetëvjeçar dhe të mesëm. Në kohën kur isha unë nxënës sundonte modeli autoritar i mësuesit, ku një pjesë e mësuesve ishin kthyer në autokrat të frikshëm. Sot mbizotëron modeli i mësuesit liberal dhe raportet janë përmbysur në favor të adoleshentëve të frikshëm, të cilët dhunojë sistematikisht mësuesit e tyre, duke i vënë në situata të vështira dhe pa rrugëzgjidhje.
Ajo mësuesja që paska bërë hatanë në Malësinë e Madhe. Hata të cilën nuk do ja uroja as një edukatori të binte në pozita të tilla, pasionante, të kushtëzuara as të pa kushtëzuara. Ajo mësuesja bëri hatanë ndaj policia menjëherë filloi procedimin penal! Ajo mësuesja e talentuar e matematikës bëri hatanë sa që detyron ministren të shpëtojë fytyrën “moderne” të shkollës, duke e pezulluar menjëherë. Ajo mësuesja bëri hatanë dhe 35t veprën e saj “vampire” e shitën si lajm i kronikës së zezë. Ajo mësuesja bëri hatanë ndaj kryekomunari i krahinës thirri urgjentisht një konferencë shtypi për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve fshatit të tij. Ajo mësuesja bëri hatanë ndaj dikush fërkoi duart “shyqyr që do ti zë vendin mostrës së dhunshme”.
Për ju zonja ministre, për ju kolegë gazetarë, për ju prindërit dhe mbi të gjitha për shoqërinë, skllavëria e nxënësve ndaj celularit dhe FB jo vetëm në shkollë por dhe brenda orës së mësimit duhet të ishte hata që t’u bënte të thërrisnit kushtrim: Ndal vrasjes së mësimit. Pasi celulari është autobombë vrasje e orës së shenjtë të mësimit. Zonja ministre! Më e hatashme se gjesti i mësueses është futja e celularit edhe në nëntëvjeçare. Pasi pikërisht nga aty nga, nxënësit minorenë të armatosur me teknologjinë e kohës kanë bërë video -skandalin e famshëm që pushtoi dhenë. Ndonëse jetojmë në mes të një darvinizmi të egër social në emër të një humanizmi të rremë dhe të drejtave false të njeriut, për t’u dukur në aparencë si shtet modern. Provojmë dhe shesim video të tilla viktimizuese. Për një xhirim amator kur polici rreh një hajdut që grabit varëset në qafat e grave, nënave tona, apo kriminelë të ndërkryer policin e hedhim si letër higjienike në koshin e plehrave dhe kënaqim 35 për të bërë lajm.
Për t’u dukur në aparencë vend me standarde evropiane shesim video të tilla viktimizuese, kur femra e instruktuar nga dashnori zihet me burrin, i cili del fitues në duelin dhe më pas përfundon në burg për dhunë në familje. Në pozitën e asaj mësuese, mund të gjendesha edhe unë nëse do punoja si dikur në profesion tim të parë dhe më të dashur. Në atë pozicion mund të gjendet nesër edhe bashkëshortja ime dhe qindra kolegë të saj në Shkodër e gjetkë, të cilët janë edhe prindër edhe mësues, edhe edukatorë. Sinqerisht do të tregohesha shumë më i ashpër nëse në orën e mësimit do të konstatoja nxënës që shohin në FB gjëra pornografike. Kërkoj ndjesë publike nëse gjëra të tilla nuk ndodhin në klasat tona. Nuk di se çfarë bëja nëse shihja nxënësit duke u puthur në ambientet e shkollës, duke, pirë duhan në klasë apo t’u gjeja thika dhe doreza. Si oficer i policisë gjyqësore kurrë nuk jam ndier më keq se kur kam arrestuar një nxënës të klasës 10-të me pistoletë, të cilën e kishte përdorur në ambientet e shkollës duke sulmuar rivalin si Nikë Peta, Palë Golemin.
Sikur të isha ministër, nuk do lejoja të punonte kurrë në shkollë atë mësues dhe atë drejtor kur prindi e dërgon vajzën 13 vjeçare në shkollë dhe brenda orarit të mësimit, vajza me shoqe del e shkon në klub nën shoqërinë e bandillave të shkollës dhe atje ish i dashuri i saj 16 vjeçar ia kërcet pushkës për “nder”, duke plagosur bashkëmoshatarin e tij. Shikoni ku kemi përfunduar. 13 vjeçarja, të cilën e kam hetuar, deklaronte pa ju dridhur syri se kishte patur marrëdhënie paralele me dy partnerë. Për analogji, bariu i mirë nuk e le mëshqerrën, ftujen as rrunxën pa mbushur tre vite të mbarset. Kurse medjat tona flasin për seksin dhe kontraceptivët për moshat minorene. Kjo është liria dekadente e kapitalizmit të këtij oqeani të përbotshëm rrezatues si argjendi të mbushur me peshkaqenë, i verbuar dhe i çmendur nga paraja, i droguar dhe infektuar nga sida e imoralitetit.
Plagët e rënda të rinisë së sotme nuk janë thjeshtë dukuri shqiptare, ato janë pjella e kij sistemi të ndyrë, por që akoma bota nuk po gjen dot një tjetër më të mirë. Ligësitë e shkollës sonë nuk vijnë nga shputa të nxituara të një, apo disa mësuesve konservatorë të pariparueshëm, pasi pjesë e edukimit klasik krahas bindjes është edhe detyrimi dhe ndëshkimi. Shkolla nuk është vend minifundesh, dekolte të shkopsitura, pantallonash të grisura, bizhush, makijazhesh, apo thonj kthetërues shqipesh. Shkolla është vend edukimi, dije dhe disipline. Nëse një nga këto elementë nuk funksionon, atëherë i duhet vënë një emër tjetër. (sot news)
*Poet dhe publicist