Kryeministri shqiptar ka thënë se “puna e përbashkët ndërmjet dy qeverive, asaj në Tiranë dhe në Prishtinë, është rruga e një bashkimi kombëtar me mjetet e shekullit XXI, në funksion të një Bashkimi Evropian”.
“Bashkimi i shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës, pasi këta janë në fakt shqiptarët që jetojnë në dy shtete shqiptare, dhe nuk flasim për të tjerët që janë në shtetet tjera, është i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm”.
“Pyetja është si do të ndodhë? A do të ndodh në funksion të Bashkimit Evropian si proces i natyrshëm dhe krejt i mirëkuptuar nga të gjithë? Apo do të ndodhë si reagim ndaj një verbërie apo një përtacie evropiane, për të kuptuar që vetë Evropa duhet të ndryshojë qasjen ndaj vetvetes, duke u kthyer nga një fuqi që gjithnjë e më shumë është e varur nga taktika e ditës në një fuqi strategjike?”.
“Një Evropë strategjike do të kërkonte që Ballkani të ishte pjesë e saj dhe që normalisht pastaj, të gjitha etnitë në Ballkan të kishin lehtësinë e të qenit së bashku, pa pasur nevojë që të merreshin me kufijtë”, ka thënë zoti Rama.
“Dhe nëse Evropa e shikon Ballkanin dhe zhvillimin në Ballkan si gjëra palidhje me fatet e saj dhe nëqoftëse Evropa nuk arrin të kuptojë që proceseve që janë përshkallëzuar falë paqes në rajon duhet t’ia bashkojë edhe vullnetin e vet për të përshpejtuar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit dhe kështu të përshpejtojë integrimin, mund vërtetë të bëhet pa dashje sponsore e nacionalizmave folklorik”, ka thënë kryeministri shqiptar, Edi Rama.