Tre tetori shënon Ditën e Bashkimit Gjerman. Çdo vit në këtë datë, Gjermania feston ditën kur në vitin 1990 Gjermania lindore dhe Gjermania perëndimor u bënë një. Bashkimi paqësor i Gjermanisë pas ndarjes prej disa dekadash nuk do të kishte qenë i mundur pa mbështetjen e vendosur të “miqëve tanë amerikanë”, thuhet në portalin e misioneve diplomatike të Gjermanisë, në Shtetet e Bashkuara.
Në mesazhin e tij me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, Presidenti gjerman Joachim Gauck theksoi se në këtë ditë, ne kujtojmë të gjitha ato që kemi arritur gjatë disa viteve të kaluara të historisë tonë. “Ne festojmë”, shtoi ai, “dëshirën për liri, të kërkuar nga qytetarët në Leipzig, në Plauen, në Berlin dhe në shumë qytete dhe lokalitete të tjera të Gjermanisë lindore. Ishte Revolucioni i tyre Paqësor që e bëri të mundur bashkimin e dy shteteve gjermane”, nënvijoi presidenti Gauck. Presidenti gjerman theksoi gjithashtu se sot “festojmë arritjen e një shteti, në të cilin miliona qytetarë, me një ndjenjë vet-besimi, iu përveshën punës dhe realizuan objektivin kombëtar, që ishte bashkimi.”
Udhëheqsi gjerman, në Ditën e Bashkimit të Gjermanisë, përmendi edhe gjëndjen aktuale në Gjermani që ai i cilësoi si “të turbullët dhe të vështirë”, ndërsa përballemi rishtas me detyrën për të siguruar bashkimin e mbrendshëm të vendit tonë, nënvijoi ai. Duke folur për krizën aktuale të refugjatëve si një sfidë e veçantë për mbarë vendin, Presidenti Gauck u shpreh se ai është i vetdijshëm ndaj shqetsimeve të shumë qytetarëve në lidhje me gjëndjen e krijuar nga refugjatët, por theksoi se, “është me rëndësi që konfliktet të zgjidhen haptazi dhe me mënyra paqësore duke u bazuar në ligjet bazë të vendit”. Gjermania, tha me këtë rast presidenti Gauck, megjith sfidat me të cilat përballet, është e fortë dhe stabile. Në lidhje me situatën në radhët e Bashkimit Europian, udhëheqsi gjerman tha se qëllimi është që të rivendoset bashkimi i mbrendshëm dhe diversiteti. “Në duhet ta bëjmë Europën më të fortë, me qëllim që të ruajmë paqën, lirinë, sigurinë dhe begatinë”, në mbarë kontinetin, tha ai.
Ndërkaq, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, në emër të Presidentit Obama dhe të popullit amerikan i uroi popullit gjerman, Ditën e Bashkimit të Gjermanisë. Në mesazhin e tij, kryediplomati amerikan kujtoi jetën e tij në Berlin në vitet 1950-ave, duke thënë se ishte vet dëshmitar i efekteve të dëmshme që kishte sjellur ndarja e dy gjermanive gjatë luftës së ftohtë. Në atë kohë, shtoi ai, shumë besonin se Gjermania nuk do të bashkohej kurrë më dhe se qytetarët e dy gjermanive nuk do të lejoheshin kurrë më të jetonin së bashku nën flamurin e demokracisë. Në mesazhin drejtuar kombit gjerman me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, kryediplomati amerikan shprehu mirënjohjen e tij për miqësinë e thellë që ekziston midis dy vendeve, duke venë në dukje lidhjet që ekzsitojnë midis dy shteteve, në fushën e sigurisë si dhe për vlerat dhe interesat që ndajnë këto dy vende në fushë të ndryshme, përfshirë marrëdhëniet ndërkombëtare. Çdo ditë, theksoi John Kerry, në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, “Ne konsultohemi mbi mënyrat për të shënuar përparim drejtë objektivit tonë të përbashkët për një botë më stabile, më në paqë dhe më të begatë.” Në këtë Ditë të Bashkimit të Gjermanisë, le të ritheksojmë angazhimin tonë të fortë ndaj aleancës midis Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara, përfundoi Sekretari amerikan i shtetit, Xhon Kerry.
Është e pamundur që me një rast si ky, siç është Dita e Bashkimit të Gjermanisë, të mos na pështillet në mend edhe endërra e shqiptarëve për bashkim kombëtar. Gjermanët i dhanë fund ndarjes artificiale më 3 shtator, 1990 dhe bënë që kombi i tyre, megjith historinë e vështirë për veten dhe për të tjerët, e bënë shtetin gjerman që përsëri të respektohej në botë. Edhe kombi shqiptar është artificialisht i ndarë, për më shumë se një shekull tashti. Arsyet e ndarjes se Gjermanise pas Luftës së Dytë Botërore ishin të ndryshme dhe ndoshta të justifikueshme, në krahasim me ndarjen e tokave shqiptare, ku fqinjët e pangopur kërkonin dhe morën me dhunë tokat e Arbërit me miratimin e fuqive te mëdha evropiane te kohës. Të gjithë njerezit e vullnetit të mirë e dinë se nuk ka Shqipëri të madhe e as Shqipëri të vogël — ka vetëm një Shqipëri — atje ku flitet shqip, mbrenda territorit me homogjen në Evropë. Ndjenjat dhe shpresat e Shqiptarëve për një shtet për të gjithë Shqiptarët në Ballkan e kanë zanafillën tek Gjergj Kastrioti, ndjenja këto që me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, të parët e shqiptarëve — në prag të rrezikut të copëtimit të mëtejshëm të kombit — i thanë Evropës dhe botës, ndal se këtu ka Shqiptarë që I dalin zot këtij trolli.
Ka njerez që thonë se për shqiptarët nuk ka ardhur koha ende për bashkim. Madje udhëheqsit më të lartë shqiptarë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, kur pyeten në lidhje me këtë temë, thonë se bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë në kuadër të antarësimit të dy shteteve shqiptare në Bashkimin Europian. Mrekulli, por ama këtu qëndron problemi për shqiptarët, pasi antarësimi në Bashkimin Europian nuk ka të ngjarë të ndodhë në një të ardhme të afërt, për arsye të një numri mos plotësimit të një numri kritiresh të kërkuara nga Bashkimi Europian për të gjitha vendet që kërkojnë antarësim, përfshirë zhvillimin e mirëfillët të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe në Kosovë. Fatkeqsisht, pa konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe pa zbatimin e ligjeve që duhet të jenë të barabarta për të gjithë dhe ku të drejtat e njeriut të mos konsiderohen si të shënjta për të gjithë, është vështirë të merret me mend se Shqipëria dhe Kosova do të antarësohen së shpejti në Bashkimin Europian, ashtu siç pretendojnë disa zyrtarë në të dy anët e kufirit. Frika është se pa konsolidimin e këtyre kërkesave nga të dy shtetet shqiptare, nuk do të ketë as antarësim në Bashkimin Europian dhe as bashkim e integrim të shqiptarëve në Bashkimin Europian. Ndërsa pa bashkim dhe bashkrendim të qëndrimeve dhe të mendimeve të shqiptarëve, të të gjitha trojeve, për një jetë të përbashkët në të ardhmen me respekt për njëri tjetrin, fatkeqsisht nuk do të ketë as bashkim eventual të trojeve shqiptare. Si rrjedhim, statuskoja do të vazhdojë, falë vet shqiptarëve.
Megjithëkëtë, bashkimi i shqiptarëve nuk është dhe nuk duhet të jetë një ide abstrakte, e pa arritshme. Dihet se për shqiptarët kudo, bashkimi kombëtar mbetet ende një ëndërr që nuk shuhet. Ashtu edhe duhet të jetë. Kështuqë, ndërsa kombi gjerman feston bashkimin e Gjermanisë me 3 tetor, ashtu edhe shqiptarët shpresojnë që të festojnë një ditë bashkimin kombëtar– nën flamurin e Gjergj Kastriotit Skëndërbe — mbrenda kufijve të vet natyror, në paqë dhe bashkpunim me fqinjtë e tyre dhe si pjesë e integruar dhe e pandarë e Europës, aty ku historikisht e ka vendin kombi shqiptar, krah për krah edhe me kombin e bashkuar gjerman. (Frank Shkreli)