Shkruan: Vaxhid Sejdiu
Në klasë heshtje. Filloi ora e gjuhës shqipe. Mësim i ri. “Trojet shqiptare në Ballkan”. Mësuesi filloi të shpjegoj mësimin. Ai mundohej jo vetëm nëpërmjet tekstit por edhe hartave të na e bej të qartë se ku shtriheshin trojet shqiptare në Ballkan. Por një POR e madhe shpërthente në zemrat tona, pse gjithë ata kufij në mes trojeve shqiptare? – Pse ajo kasaphanë në mes kufijve tanë?
– Më dukej se lufta e Kosovës dhe masakrat e vitit 1998-99 apo 2000 dhe 2001, ishin në çdo pëllëmbë të tokës shqiptare. Dua ta pyes mësuesin por nuk di nga t’ia filloj sepse kam shumë pyetje, kam shumë shqetësime dhe shumë paqartësi. A thua ç’mendojnë shoqet dhe shokët e mi të klasës? – A thua mendojnë edhe ata si unë.
– Nuk është me rëndësi, unë nuk mund të duroj pa e pyetur mësuesin tim, dhe ngrita dorën!
– Mësues unë diçka nuk e kam të qartë!
– Urdhëro Valbonë, pyet mësuesit, më thuaj se çka nuk e ke të qartë?
– Unë nuk i kam të qartë, pse të gjithë këta kufij i ndajnë tokat shqiptare? – dhe përveç kësaj më thuaj mësues, cili është atdheu im? – Unë kam lindur në Preshevë, dhe dua ta dijë se cili është atdheu im?
Mësuesi fshau thellë dhe dukej se nga thellësia e shpirtit të tij po nxjerr diçka të rëndë. Nuk ishim mësuar ta shohim në atë gjendje, sepse ai si zakonisht përgjigjet i kishte në maje të gjuhës.
Por edhe kësaj radhe na befasoi, nga një pozitë e mrrolur, buzëqeshi dhe tha.
-Atdheu yt, Valbonë është Shqipëria.
Por, unë mësues ia priti Iliri. Jam i lindur në Shkup, nënën e kam nga Gjilani, kurse babanë nga malësia e Shkupit. Cili është atdheu im?
– Edhe për ty nuk ka përgjigje tjetër, atdheu yt është Shqipëria.
– Hë thashë me mendjen time shpërtheu lumi i pyetjeve që i kisha unë në mendjen time të trazuar. A thua të gjithë po menduakan si unë!
Nga fundi i klasës e shqetësuar dhe me një zë që dridhej pyet Vlora, po unë mësues jam e lindur në Ulqin, cili është atdheu im?
– Shqipëria!
Në anën tjetër, aty afër dritares së fundit të klasës me një zë të fortë pyet Betimi – po mësues unë jam i lindur në Kumanovë, kam banuar me prindërit disa vite në Prishtinë dhe tani jetoj në Zvicër – cili është atdheu im?
Kësaj radhe mësuesi e vuri edhe më shumë buzën në gazë dhe me gjithë zemër tha: Shqipëria!
Por në anën tjetër më dukej se mësuesi ka hyrë në një fushëbetejë me nxënësit, ata pyesim dhe ai përgjigjet, ai i shikon dhimbshëm, pas pyetjes më duket se shqetësohet, merr frymë dhe e shqipton me një tingëllimë të pastër fjalën SHQIPËRIA!
Por pyetjet vazhdojnë: Abetarja nga Struga, Kastrioti nga Elbasani, Gëzimi nga Prishtina, Merita nga Bujanoci, Arta nga Gucia, Genti nga Gjakova, Shqiponja nga Kaçaniku, Erjoni nga Durrësi …. pothuajse nuk mbeti nxënës pa pyet, secili në mënyrën e vetë e fillonte, por të gjithë e përfundonin me pyetjen – Cili është atdheu im?
Mësuesi u ndal në një skaj të bankës mori thellë frymë dhe tha:
-Të dashur nxënës atdheu i juaj është Shqipëria dhe në të njëjtën kohë jehoi zëri i nxënësve si në kor – SHQIPËRIA!
Walenstadt, Zvicër, Gusht, 2012