Danaj: Bashkimi do ndodhë, Shqipëria nuk hyn në BE pa Kosovën

DanajBashkimi i Shqipërisë me Kosovën ka për të ndodhur shumë shpejt, dhe Shqipëria nuk do pranohet në BE pa Kosovën.

Kështu deklaron në një intervistë për KosovaPress, politologu i njohur, kryetari i Listës për Shqipërinë Natyrale Koço Danaj. Për Danajn ka ardhur koha që ne si shqiptarë të mos bëjmë vetëm thjesht deklarata por të hartojmë një platformë të qartë të bashkimit dhe t’ia prezantojmë atë Brukselit.

Kur e thotë këtë, Danaj bazohet në deklaratën e fundit të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, dhe e quan një paralajmërim për bashkimin dhe jo një provokim ashtu sikurse u shprehën qeveritarët serbë, apo të tjerë përfaqësues pa emër të ambasadave.

Për Koço Danaj bashkimi i shqiptarëve pasqyrohet më së miri të përbërja e kombëtares shqiptare të futbollit, apo te unifikimi i kurrikulave arsimore, doganave e gjithë marrëveshjeve të tjera që kanë dalë nga mbledhjet e dy qeverive, veçse bashkimi i vërtetë është ai i gjithë kombit shqiptar, i të gjitha trojeve shqiptare, nën një qeveri të vetme.

Danaj: Se kombi është i bashkuar tregon kombëtarja e futbollit

“Nuk kemi të bëjmë me një provokim, kemi të bëjmë me një reagim, ndryshe nga herët e tjera, shumë të vakët. Po ju sjell një shembull; reagimi i Ambasadës Amerikane ishte pa emër. Një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-ve u shpreh se ndoshta nuk ka ardhur koha për gjëra të tilla. SHBA kur do të prononcohet për një problem, në të gjithë hapësirën e kombit shqiptar flet me emra, me emër ambasadori me emër këshilltari, me emër zëdhënësi të Departamentit të Shtetit etj. Këtë herë pa emër. Ndërsa nga BE kishim një serbe, me origjinë serbe, Koçijanciç, e cila natyrisht nuk mund të shprehej ndryshe. Nuk kishim Mogerinin, shefen e politikës së jashtme. Kishim një Kukan i cili është sllovak dhe ka probleme brenda me hungarezët që janë në Sllovaki, dhe natyrisht nuk mund të fliste ndryshe. Ndërsa fjalën provokim më shumë e kishim te serbët dhe te grekët, një gjë që është e pritshme. Vuçic nuk mund të flas me tjetër gjuhë, për më tepër Vuçic arriti deri atje sa të thotë se ne nuk e lejojmë, pra foli me gjuhën e Sllobodan Millosheviçit……Doni t’ju jap një shembull shumë të freskët, të pastër e të kuptueshëm për të gjithë shqiptarët? Merrni Kombëtaren e Republikës së Shqipërisë që në thelb është kombëtarja e Shqipërisë Natyrale, është gati të hyjë në eliminatoret, në finalet e kampionatit Europian që do zhvillohet në Francë vitin që vjen. Pse? Sepse realisht ka ndodhur bashkimi i kombit shqiptar. Imagjinoni sikur kjo kombëtare të mos e kishte në skuadër Lenjanin që është nga Presheva; Lorik Canën që është nga Kosova; Mërgim Mavraj që është nga Kosova, Berishën e Shkëlzen Gashin që është nga Kosova etj, do ishte vërtet kaq e mirë sa është sot? Jo. Ja shembulli konkret se çfarë mund të arrijë kombi shqiptar edhe në fusha të tjera kur bashkohet. Do ti kursente edhe Bashkimit Europian miliona e miliona euro që sot i harxhon për EULEX-in apo që nesër do ti harxhojë për famëkeqen Gjykatë Speciale që duan të krijojnë në Prishtinë”, thotë Danaj në këtë intervistë.

Por sa është me rrezik ky bashkim dhe sa do të ngjallte konflikte dhe reagime të shteteve tjera, Danaj përmend rastin e fundit në Maqedoni. Ngjarjet e fundit në këtë vend sipas Koço Danajt, tregojnë vërtet se shqiptarët në Maqedoni janë të fyer dhe nuk do të durojnë më.

Madje thotë se Maqedonia është në prag të shpërbërjes.

Danaj: Shqiptarët po përdorën si popull i dorës së dytë

“Jo rreziku është tani. A i ndoqët ngjarjet në Maqedoni? Maqedonia është në prag të shpërbërjes. Shqiptarët janë të anashkaluar, janë të përbuzur, janë të fyer. Përsëri po ju jap një shembull. A po zhvillohen në Bruksel, bisedime për tejkalimin e krizës në Maqedoni. Midis kujt po zhvillohen bisedimet; midis LSDM-së të Zoran Zaevit dhe VRMNO-DPMNE-së të Nikolla Gruevskit. Pra bisedimet për tejkalimin e krizës në Maqedoni po zhvillohen midis maqedonasve. Po shqiptarët që janë 40 %, si komb dhe si territor ku janë? As i përfill askush. As i ka thirrur kush në Bruksel. Ku është BDI- e Ali Ahmetit? Pse nuk e thërrasin në Bruksel se cili është mendimi juaj për krizën? Sepse shqiptarët i duan vetëm si qytetarë të dorës së dytë. Jo vetëm maqedonasit, por fatkeqësisht edhe Brukseli i cili duke qenë i çoroditur nga kriza, nga ato që po ndodhin në Greqi, dhe që pritet të ndodhin në Spanjë, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ku mund të fitojnë homologët e Syrizas, atëherë nuk di çfarë të bëjë, e duke qenë kështu, atëherë përdor shqiptarët duke iu thënë mos bëni zhurmë se kjo përbën rrezik. Ndërkaq rreziku është; shqiptarët shtrojnë tjetër alternativë dhe thonë; A doni të mos ketë rrezik, lërini shqiptarët të bashkohen. Çfarë është sot Kosova? Është turpi i Bashkimit Europian, geto e BE-së. Si ka mundësi i vetmi vend që nuk lejohet të qarkullojë lirshëm në Europë dhe pastaj ankohet pse ka eksod pse ka këtë, pse atë. Ata e kanë nxitur, e kanë nxitur qarqe korruptive dhe kontrabandiste që e kanë rrënjën në Bruksel, ndërsa ata që janë në Prishtinë janë shërbëtorë të Brukselit”, tha Danaj për KosovaPress.

E Danaj thotë se një tjetër gjë edhe më e rëndësishme do të ndodhte nëse shqiptarët do bashkohen. Ai, mendon se asnjë shqiptarë nuk do të kërkonte azil nëse do të ishin të bashkuar.

Danaj: Nuk do të ikin shqiptarët nëse janë të bashkuar

“Thelbi kryesor është se shqiptarët janë të përçarë në disa shtete. Bashkojini shqiptarët dhe nuk do kini më asnjë shqiptar që të shkojë të kërkojë azil në asnjë vend të BE-së, sepse kanë një vend aq të begatë dhe aq të mirë sa nuk do kenë nevojë, përkundrazi do jenë të huajt që do vijnë në Shqipëri. Por këtë gjë që e duan shqiptarët, nuk e do Brukseli, sepse nuk do që tu hyjë telasheve, ashtu si nuk e duan edhe disa politikanë shqiptarë; sepse ata vërtet kanë kostume të kohës së sotme, kostume moderne, por mentaliteti i tyre është mentalitet xhon-turk i vitit 1908 ku më mirë 4 vilajete neootomane, se sa një shtet i vetëm shqiptar si ai që shpalli Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Dom Nikollë Kaçorri, Luigj Gurakuqi etj”, thotë Danaj.

Ndërsa fajëson politikanët e Kosovës që për hir të kolltukut dhe benifiteve që të jep posti apo pushteti nuk nxjerrin zë.

Danaj: Politikanët nuk pranojnë të jenë të dytë në shtet

“Nuk janë të gjithë politikanët. Po shkoj në Prishtinë. Çfarë është projekti politik Adem Jashari? Çfarë është UÇK-ja, thelbi i UÇK-së është bashkimi me Shqipërinë. Po ju rikujtoj betimin e luftëtarit të UÇK-së, po ja rikujtoj të gjithë atyre ish drejtuesve të UÇK-së që sot janë politikanë të lartë të Kosovës; Hashim Thaçi; Kadri Veseli; Jakup Krasniqi; Rexhep Selimi. Ata e nisnin luftën kundër makinës shtetërore serbe duke përsëritur, duke thënë; duke mësuar përmendsh betimin e luftëtarit të UÇK-së; të cilin e formuloi Adem Jashari dhe që pastaj u bë Kodi Etik, Kodi Etnik, Kodi Moral dhe Kodi Çlirimtar i të gjithë UÇK-së, dhe të cilin më lejoni t’ua kujtoj të gjithëve, e përqafuan, e pranuan SHBA-të, të cilët ishin të parët që nisën sulmin, bombardimin kundër Beogradit. Pra këta e dinin që këta kishin këtë vendim, pse i përkrahën? Sot pastaj për hir të kolltukut, për hir të benefiteve që të jep posti apo pushteti atëherë thua më mirë po pranoj të jem i pari në vilajet se sa i dyti në shtet apo i treti në shtet”, tha tutje Danaj.

Danaj mendon se bashkimi i shqiptarëve do ti shërbente edhe vetë rajonit dhe BE-së, sepse bashkimi i kombit shqiptar sipas politologut Danaj, është një faktor stabiliteti në Rajon dhe vetë BE- nuk do harxhonte miliona euro fonde për EULEX-in, e për struktura të tjera mbështetëse.

“Ne shqiptarët e kemi në dorë atë që quhet kyçi i stabilitetit rajonal”, thotë Koço Danaj, për KosovaPress dhe thotë se këtë nuk duhet ta harroj as Brukseli dhe asnjë nga politikanët shqiptarë.

Danaj: Të gjithë përfitojnë nga bashkimi i shqiptarëve

“Absolutisht një qeveri; sepse kështu do ti kursejmë edhe qindra milionë euro BE-së, ose këto qindra milionë euro qe sot i harxhon për mbi 90-të zëvendësministra në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup, nesër do kemi 20 apo 30 zëvendësministra. Sot kemi 3 administrata, nesër do kemi 1. Pra këto qindra miliona euro; ose do ti marr kombi shqiptar për mirëqenien e tij ose do ti mbaj BE-ja për të kapërcyer krizën dhe t’ia jap Greqisë apo Spanjës, dhe ti jap Irlandës, kujt të dojë BE-ja. Pra shiko çfarë shërbimi i bëjmë ne edhe BE-së, të gjithë përfitojnë nga bashkimi i shqiptarëve dhe të gjithë humbasin nga ky copëtim kriminal i shqiptarëve, që duhet ta themi; nga ky shovinizëm demokratik i Brukselit, i cili përpiqet duke shfrytëzuar këtë soj politikanësh që kanë kolltukun mbi kombin, atëherë thonë shikoni: Prisni të bashkoheni në Europë. Në Europë nuk bashkohen kombet, bashkohen shtetet. Dini ndonjë komb të jetë bashkuar në Europë. Pse nuk priti Gjermania Lindore të bashkohej në Europë. Atëherë kemi të bëjmë me të njëjtin shembull por ka një ndryshim; Gjermania është komb i madh, ne jemi komb i vogël në Europë, por jemi komb i madh në Rajon. Pra ne kemi në dorë atë që quhet kyçi i stabilitetit rajonal. Këtë nuk duhet ta harroj as Brukseli dhe asnjë nga politikanët shqiptarë të cilët duan të ruajnë pasurinë e tyre”, thotë Danaj.

E kur komenton se pse BE nuk pranon bashkimin e shqiptarëve, ai sërish fajëson liderët tanë se kanë mungesë të platformës.

Danaj thotë se BE nuk kërkon vetëm deklarata, por platformë të shkruar.

Danaj: Brukselit i duhet platforma

“Sepse ka një problem; e para Brukseli nuk kërkon vetëm deklaratë, Brukseli kërkon platformë. Tirana e ka në Kushtetutë që bashkimi shqiptar është aspiratë e ligjshme. Bukur. Ulu, zbërtheje. Nëse nuk të pëlqejnë platformat e hartuara deri tani, kjo s’ka rëndësi sepse Shqipëria Natyrale nuk ka nevojë për emër; bashkimi i shqiptarëve nuk ka nevojë kush është i pari; Shqipëria natyrale është mbi të gjitha. Le të hartojmë platformën dhe t’ia dorëzojmë Brukselit, ndërsa deri më sot i kemi dorëzuar deklarata. Po deklaratat i thua sot i harron nesër, ndërsa platforma është e shkruar; verba volant, skripta manent. Atëherë ke të drejtë të thuash do apo nuk do Brukseli. Mund të mos dojë Brukseli po Brukseli nuk donte as bombardimin e Beogradit. Por do Amerika, e cila kombin shqiptar e ka aleatin e saj strategjik (nëse e dëgjuat edhe deklaratën e fundit të Xhon Kerrit, sekretarit amerikan të Shtetit), e ka aleatin më strategjik, ashtu siç kemi ne si komb Amerikën, aleatin e vetëm strategjik. Me të tjerët kemi marrëdhënie të mira, shumë të mira; marrëdhënie normale apo të fqinjësisë së mirë”, tha Danaj.

Tutje Danaj komenton edhe mbledhjet e fundit të përbashkëta të dy qeverive dhe thotë se këto janë një hap drejt bashkimit politik por sipas tij kombi shqiptar, minimalja është 5 hapa para politikanëve shqiptarë.

Krejt në fund Danaj e mbyll këtë intervistë duke thënë se Shqipëria nuk do hyj në BE pa u bashkuar me Kosovën dhe me trojet e tjera shqiptare në Maqedoni, në Mal të ZI dhe në Luginën e Preshevës dhe se bashkimi i shqiptarëve nuk është larg.

Danaj: Janë vetëm iluzione

“Nuk do hyj, mos t’ju shkojë ndërmend, janë të gjitha iluzione. Nuk do hyj në BE. Absolutisht ky vendim i takon kombit shqiptar. Është një moment, Shqipëria nuk do pranohet në BE, pa u bashkuar, përkundrazi Ballkani sot ndodhet para turbulencave tepër të rrezikshme për vetë BE-në. Dhe nëse kërkoni ti qetësoni këto turbulenca dhe detin ta keni të qetë,atëherë ka vetëm një rrugë, bashkimi i shqiptarëve. Për mua është i afërt, shumë shumë i afërt. Shumë shpejt edhe Brukseli, dhe kur them Brukseli kam parasysh Berlinin sepse BE në mënyrë figurative ka vdekur. Sot ka një Berlin ka një kryeministër real të BE-së që quhet Angela Merkel, ka një president real të BE-së që quhet Angela Merkel, ka një ministre të Jashtme të BE-së që quhet Angela Merkel dhe s’ka asgjë tjetër, të tjerët janë figurantë që duhen për të thënë që ja kemi dhe Parlament Europian, ja kemi dhe një shefe të politikës së jashtme Mogerini, që vendi i saj është po aq në krizë sa ç’është Greqia”, tha Danaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>