E shkruar dje, e vlefshme edhe për sot

Nga revista elektronike “Shqiptaria”

UDHEHEQËSIT (JO)UDHEHEQËS

Në të gjitha periudhat kohore të të gjitha formacioneve shoqërore, ka pasur nga ata që kanë udhëhequr dhe ata që kanë qenë të nënshtruar, të shfrytëzuar dhe të disiplinuar për zbatimin e urdhrave të udhëheqësve të tyre, që i kanë prijë masës apo grupit të caktuar.

Shkruan: Bejtullah Sadiku, arsimtar i shkollës shqipe, 29-01-2009, Gjermani

Kështu ka qenë në kohën antike, mesjetë, kohën e re, e kështu akoma mbetet edhe sot!

Përdorimi i fjalës latine „dux“ (udhëheqës) si titull nderi, respekti, që i prinë masës, grupit apo kombit, si p.sh: „Skenderbeg dux albancorum“ (Skënderbeu, udhëheqës i shqiptarëve).

Por, duke analizuar të gjitha etapat shoqërore nëpër të cilat ka kaluar njerëzimi, dihet dhe njihet historikisht, se ka pasur prijës-udhëheqës historikisht të njohur, pozitiv, që de-facto kanë mbrojtur masën, shumicën apo shoqërinë në tërësi, të cilës i kanë takuar dhe me të cilën kanë udhëhequr, dhe “udhëheqës” negativ, të njohur historikisht, që kanë dëmtuar e shkatërruar shumicën, gjithmonë në llogari të interesave të ngushta, për të cilat interesa kanë dhënë e shkrirë gjithë mundin dhe bërë luftën, vetëm e vetëm të prijë, apo të emërtohet në „udhëheqës“?!

Në të kaluarën, kushte mashtrimi e manipulimi për një udhëheqje despotike, shtypëse, klasore, klanore e mashtruese ka pasur shumë më tepër se sot, ngase niveli i ngritjes dhe zhvillimit të atëhershëm me të sotshmen, si ekonomikisht, politikisht, kulturor e shkencor ka qenë i nivelit të pa krahasuar me të arriturat e sodit, sa që edhe shumë më lehtë është vepruar e manipuluar me ta.

Por, sot tendenca veprimi e manipulimesh të këtilla ka dhe tentohet të ketë, por se harrojnë se jemi në shekullin XXI, dhe se të mirat e të këqijat, si vlera dhe jo-vlera, sot i kupton dhe i din çdo person apo individ i cilës do qoftë kategori shoqërore, ngase për tu njohur me problemet shoqërore nuk është koha e udhëtimit të një letre me muaj e vite, e as e leximit së letrave apo dhënies së informimeve nga imami i xhamisë së fshatit, sepse jetojmë në shekullin e elektronikë dhe digjitalizimit, ku për ndodhitë e gjithë botës çka po ndodhë, i kemi në tavolinë brenda ca sekondave. E si duket këtë mënyrë komunikimi e harrojnë ca udhëheqës tanë, ku akoma mashtrojnë veten se janë duke na mashtruar! Andaj, vend për gabime e mashtrime s`ka mbetur. Dushk për gogla më nuk shitet, dhe as dielli me shoshë kurrë nuk është mbuluar, e aq më pak nga ju, ngase gjërat dhe sendet, veprimet e juaja sot i kuptojnë edhe fëmijët e djepit, e mos bëjmë fjalë e gjithë ajo armatë e shkolluar e të rinjve të tjerë.

Nëse këto pak fjalë merren apo duhet të merren parasysh nga prijësit-udhëheqësit tanë, gjendja jonë shqiptare nuk do ishte këtu ku akoma është, nuk do flitej as për kundërthënie, as për grindje, as për raporte të brishta, as për vrasje politike, as për hakmarrje të llojeve të ndryshme, as për Brodec e Sopot, as për antagonizma ndërpartiake apo brenda-partiake, as për prishje raportesh në mes vetë ish ushtarëve të UÇK-së e udhëheqësve të tyre e kështu me radhë, sa që të gjitha këto, japin pasqyrën e vetë „udhëheqësve“ se a janë të mirë, se a duhet të mbesin, se a duhet të ndërrohen, se a duhet… a duhet…?!

Andaj, ju lutem, gabimet e udhëheqësve-prijësve të kombit, qofshin partiak, të pozitës, opozitarë, pushtetar komunash e shteti, është koha e ndryshimeve dhe ndërrimeve të qëndrimeve të veseve e virtyteve dhe zëvendësimi i tyre me norma të edukimit politik, shoqërorë e kombëtarë të qytetëruar e të civilizuar, ashtu si kërkojnë të gjitha rregullat, ligjet dhe ligjshmëritë e atyre vendeve ku edhe e keni cakun e qëllimit të arritjes, duke i anuluar e larguar vetitë e këqija e zëvendësuar me ato më të mirat, që t`u ketë udhëheqja hije burrërore, njerëzore , atdhetare/kombëtare, pa lajka, pa dredhia e t`u jenë të pastra si loti, të çiltërta si qielli. Të shndritni si rreze dielli për ta luftuar errësirën që akoma është prezent ndër shqiptarë, kështu do t`u urojnë e përgëzojnë të gjallë e të vdekur, kështu do të lehtësoni tokën arbërore të larë e ujitur me gjakun e vëllezërve që flijuan jetën për ta shijuar (jo vetëm ju) të gjithë ne!

Koha për aq sa punon, jo vetëm që thërret, por edhe vajton për ndryshime!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>