Marin Mema
Rruga nacionale kthehet pas shpatullave të Memaliajt, në drejtim të aksit që e lidh me qytetin e Beratit. “Udhëtojmë drejt fshatit Rabije të Komunës Luftinjë, një fshat që sipas banorëve nuk ekziston as në hartë, e që megjithatë ende nuk është braktisur krejtësisht”.
Ajo që duket fillimisht si një rrugë e shkurtër, kthehet shpejt në një aks të pafundëm për shkak të degradimit të tij. Sa më thellë, aq edhe më i vështirë bëhet kalimi, qoftë edhe me një makinë të lartë. Shpesh këtu duket sikur s’ka kaluar kurrë gjësendi. Asnjë tabelë e zona të tëra të shkreta, që derdhen në horizont. Pas një rrugëtimi të stërzgjatur për jo më shumë se 30 kilometra shfaqet Rabija, fshati që dikur ka pasur mëse 800 banorë, e që sot është tkurrur në rreth 15 familje. Ai është ndërtuar, apo më mirë rindërtuar në vitin 1969, pas tërmetit që goditi të gjithë këtë zonë.
“Deri mësot nuk ka funksionuar asnjë lloj gjëje. Nuk ka vënë dorë asnjë lloj pushteti, sa kanë ikur janë ndërruar, gjë prej gjëje. Këtu nuk është vënë dorë”, thotë Arben Dorda.
Gjithçka në fshat duket gri, ashtu si çatitë me eternit, që mbulojnë thuajse të gjithë shtëpitë e tij. Shumica e tyre janë të braktisura. Kush ka mundur është larguar. Të qëndrosh në një vend thuajse të izoluar është e vështirë, për të mos thënë e pamundur. “Tani sikur kanë lajmëruar që do të vijnë, me siguri për votat, po asgjë s’na kanë bërë neve. Asnjë lloj ndihme s’na kanë dhënë. Presim, sepse duam të takojmë një njeri nga Qeveria, por asnjë njeri s’na vjen. Kur vijnë për votat na thonë që Rabija nuk është në hartë, se kanë ikur njerëzit”, tregon Flamur Ahmeti.
Shumica përpiqen të merren me blegtori, sepse është e vetmja mënyrë për të mbijetuar. E megjithatë, edhe ata që janë përpjekur të investojnë diçka këtu, në këtë vend të thellë, vështirë se shohin mundësi fitimi. Largësia nga tregu, për shkak të rrugës i bën gjërat tejet të vështira. “Unë kam punuar jashtë shtetit, me të ardhurat kam marrë nja 50 krerë lopë. Kam bërë edhe një palë shtëpi aty sipër. Por, qumështin e derdh, e hedh poshtë. Mishin po ashtu, sepse e kemi larg, kur s’ke makinë s’qarkullon asnjë farë gjëje”, thotë Vladimir Mahmutaj.
Më parë, në sistemin e shkuar, fshati që sot duket i pabanueshëm merrej, veç blegtorisë edhe me bujqësi e pemëtari. Sot shumëçka ka humbur, ashtu si vatra e kulturës, furra e bukës, çerdhja, kopshti, materniteti, por edhe shkolla e kthyer në një rrënojë të frikshme. “E mbaj mend shkollën, kam ikur dhe e kam lënë në gjendje pune. Më vjen shumë keq dhe kam derdhur lot kur jam kthyer, se desha ta shikoja dhe të kujtoja vitet e fëmijërisë sime, që kam kaluar këtu. Çdo gjë këtu është e shkatërruar”, thotë Alket Muho. “Këtu më kujtohen shumë vite të bukura të fëmijërisë sime, që shkonim në shkollë si gjithë fëmijët e fshatrave përreth ose fshatit këtu. Tani është bërë mos më keq, aq sa kur djali im 1 vjeç nuk do të arrijë ta përjetojë, si gjithë fëmijët e fshatrave”, tregon Reonald Ahmeti. Deri në vitet ’80 në atë shkollë mësonin rreth 150 nxënës me 12 mësues. Sot kanë mbetur vetëm 6 fëmijë, që mësojnë në një shtëpi private, edhe ajo thuajse e mbaruar.
Çdo furnizim duhet bërë me kafshë. Qendra e Komunës është mëse 2 orë e gjysmë në këmbë larg. Memaliaj ndodhet 7 apo 8 orë larg, ndërsa në krahun tjetër, Fratari rreth 4 orë e gjysmë. Vështirë të thuash sesi mund të jetohet kështu, duket thuajse e pabesueshme. Kaq afër dhe larg pjesës tjetër. “Para 20 ditësh kam pasur probleme, ta thonë edhe shokët e fshatit, me vajzën e sëmurë. E kemi marrë 10 veta në krahë dhe e kemi çuar mes shiut dhe errësirës në Fratar, këtej nga zona e Mallakastrës, për ta çuar në spital. Më pas e kemi drejtuar për në Fier, por është shumë e vështirë”, shprehet Çerçiz Ahmeti.
“Këtu kanë vdekur njerëz vetëm për rrugë. Edhe fëmijë kanë vdekur, edhe nuk merr njeri asnjë lloj përgjegjësie”, tha Vladimir Mahmutaj.
Ka familje, që sot e kanë të vështirë të mbajnë edhe frymën gjallë. E sërish askush nuk kujtohet t’i mbështesë, qoftë edhe me diçka të vogël, të paktën për të hedhur hapa të vegjël. Në familjen Memlikaj, varfëria e njerëzit qëndrojnë në të njëjtën sofër. “Herë të ngrënë, e herë të pa ngrënë. Nuk ka më keq ku të vejë, pa asnjë ndihmë nga shteti. As përkrahje sociale nuk kemi. Shiko e shkruaj vetë. Që të mbash 8 fëmijë një person i vetëm, gruan e kam pa punë, sepse s’ka as punë dhe as dreq. Kështu që, këta fëmijët e mi rrojnë për lëmoshë”, deklaron Xhevdet Memlikaj.
Edhe shtëpinë nuk e kanë të tyren, sepse ajo u ka rënë kohë më parë. Në banesën ku i gjetëm janë lënë të jetojnë nga një i afërm i tyre, i larguar. Kudo gjërat duken të pamundura. “Të thuash të vërtetën, ne vetëm sa mbahemi gjallë. Punojmë vetëm për t’u ushqyer. Është shumë larg”, thotë Viktor Kaza.
Fshati, diku larg në një qafë kodre ka pasur edhe fortesën e tij, si për të treguar se nuk është i rastësishëm në historinë e kësaj zone. Një fortesë, që dikur përbënte zinxhirin mbrojtës të Bylisit. E megjithatë është e vështirë të flasësh për të shkuarën, kur e sotmja po shuan gjithçka, edhe veten e saj.
Fshati mbetet pas, e bashkë me të edhe banorët që ende presin, me shpresën se edhe për ta dikush do të kujtohet një ditë.