“Kosovarët”, azilkërkuesit e pabazë

Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Vazhdojnë ikjet masive të qytetarëve nga të gjitha anët e Kosovës. Alarmante. Sikur “kosovarët” të fitonin azil do të bëheshe kjo PRECEDENT: ngjarje, rast a veprim që ka ndodhur më parë, dhe më pas nga avokatët e azilkërkuesve afrikan-aziatik, do të merreshe si mbështetje në raste të tjera të ngjashme me të. Sipas ligjeve aktuale të BE-së askush prej shqiptarëve nuk mund të fiton azil, por nëse ikja e tyre është ndonjë komplot i gatuar në kuzhinën e ndonjë anëtare të sajë, dashamirëse e Serbisë, atëherë ajo që unë do të përmendi në vazhdim do të jetë e pavlefshme.

Shqiptarët e trojeve etnike të FYROM-it, Luginës së Preshevës dhe Malit të Zi janë nën pushtimin e huaj të egër sllavo-ortodoks dhe shtypen, diskriminohen në çdo aspekt, u eksponohen burgosjeve të përditshme politike, vrasjeve…vetëm për shkak të prejardhjes së tyre etnike. Vlerësimi i përgjithshëm: janë në një gjendje më të keqe se bashkëkombësit e tyre të Kosovës. Megjithatë, nuk ikin ashtu siç veprojnë këta të fundit.
***
Azil: Azili do të thotë një strehim nga persekutimi. Të huajve që frikohen nga persekutimi në vendet e tyre mund t`u jepet azil në Perëndim nëse ata kualifikohen për të, individualisht e jo si grup t`a dokumentojnë persekutimin eventual.

Për të marrë azil duhet të plotësojnë kushtet për t`u njohur si refugjatë. Si rregull, personi duhet të ketë një frikë të bazuar nga persekutimi për shkak të racës, fesë, kombësisë, anëtarësisë në një grup të caktuar shoqëror apo për shkak të mendimeve politike (aktivitetit politik). Njerëzit të cilët për arsye të tjera janë në rrezik për të qenë subjekt i dënimit me vdekje ose të torturës në qoftë se ata kthehen në vendin e tyre, gjithashtu mund të njihen si refugjatë.

“Kosovarët” nuk i plotësojnë aspak kushtet e lartë-përmendura, ikin për shkaqe ekonomike për të cilat nuk jepet azil. Janë azilkërkues të pabazë. Dhe, sa për orientim, Kosova, Shqipëria, FYROM-i, Serbia, Mali Zi dhe Bosnja, nga OKB-ja konsiderohen si vende të sigurta dhe qytetarëve të tyre nuk u jepet azil.
***
Ligji mbi azilin: Sipas të drejtës ndërkombëtare, shtetet përkatëse kanë të drejtë të japin azil, por asnjë detyrim. Kjo do të thotë, se askush nuk mund ta detyron një shtet sovran t`i jap azil ndonjë personi edhe nëse ky i përmbush të gjitha kushtet të quhet refugjat. Azili zakonisht nuk u jepet hajdutëve, rrugaçëve, atyre që kanë kryer krime kundër njerëzimit, krime lufte, krimet që kanë për qëllim pengimin e paqes dhe krimet ndërkombëtare – shkelje të parimeve dhe objektivave të Kartës së OKB-së. Elementi më i rëndësishëm në ligjin e azilit është se Shteti pritës duhet të përmbahet për të ekstraduar personin në një shtet ku ai mund të persekutohet rëndë.
***
Rastet Dublin: Në Konventën e Dublinit të 15 korrik 1990 që më vonë zëvendësohet me Rregulloren 2003/01/09 Dublin II, janë përcaktuar kriteret se cili shteti është përgjegjës për shqyrtimin e kërkesave për azil.

Përgjegjësia për shqyrtimin e kërkesës së azilit i është caktuar një shteti anëtar i bashkëpunimit Dublin nëse ai shtet ka lëshuar një vizë Schengen ose leje qëndrimi për azilkërkuesin, nëse azilkërkuesi është arrestuar për kalim ilegal të kufirit, nëse herën e parë e ka paraqitur atje kërkesën për azil ose nëse këmba e azilkërkuesit ka shkel atje më përpara se me kaluar në shtetin fqinj. Pra Rregullorja Dublin II përmban vetëm rregulla procedurale se cili shteti është përgjegjës për shqyrtimin e kërkesave për azil, dhe jo rregullat në lidhje me trajtimin serioz ose jo të kërkesave.

“Kosovarët” para se me shkelë në vendet “e bekuara” ku ata synojnë azilin: Gjermani, Austri, Francë, Angli, Skandinavi etj patjetër të kalojnë nëpërmjet shteteve tjera anëtare të BE: Hungarisë, Kroacisë apo Sllovenisë. Si rrjedhojë, shtetet “e bekuara” do t`i kthejnë sërish në Hungari, Kroaci, Slloveni të cilat sipas Konventës së Dublinit janë përgjegjëse për shqyrtimin e kërkesave të tyre. Rezultati do të jetë i njëjtë: DËBIM për në Kosovë. Kërkesat nuk do të trajtohen seriozisht.
***
Trafikimi dhe kontrabanda me njerëz
Trafikimi i njerëzve: është tregti e organizuar me njerëz. Trafikimi i qenieve njerëzore është për të shfrytëzuar fëmijët, gratë dhe burrat për të kryer punë dhe shërbime nga përdorimi i forcës, dhunës, kërcënimeve, mashtrimit ose duke shfrytëzuar situatën e prekshme të personit nevojtar. Viktimat e trafikimit mund të shfrytëzohen në prostitucion ose qëllime të tjera seksuale, punë ose shërbime të detyruara, të tilla si lypsarë etj. Viktimat tipike të trafikimit të njerëzve janë fukarenjtë, jetimët, të papunët. Ata vijnë nga vende me standardet e ulëta të jetesës dhe joshen me oferta të (rrejshme) të punës në vendet me standarde të larta të jetesës. Trafikimi i qenieve njerëzore është një formë e rëndë e krimit, vepër penale e cila përfshin shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Kontrabanda me njerëz: lëvizje e organizuar e paligjshme të njerëzve nga një shtet në tjetrin kundrejt pagesës së lartë, shpesh e kushtëzuar nga dëshira dhe oferta për të përmirësuar kushtet e jetesës. Futja a nxjerrja fshehurazi e njerëzve nëpër kufirin shtetëror duke përdorur mënyra të jashtëligjshme për t’i shpëtuar kontrollit kufitar. Merret me kontrabandë, kontrabandist. Vepër penale, formë e krimit.
***
Dënimet për trafikim dhe kontrabandë me njerëz: Dënimet janë shumë të rënda, varet prej nivelit, llojit të krimit dhe legjislacionit të shtetit përkatës, 7-20 vjet burgime të pakushtëzuara. Prandaj kisha me i këshilluar të interesuarit e diasporës mos u japin strehim të ikurve sepse do të kontribuonin jo vetëm në boshatisjen e Kosovës, por shumë lehtë mund t`i qesin telashe vetvetes, të akuzohen për trafikim ose kontrabandë me njerëz.

Sipas definicionit të OKB-së trafikimi (tregtia e organizuar me njerëz) ndryshon nga kontrabanda me njerëz sepse trafikimi përfshin keqpërdorimin, abuzimin e pushtetit dhe eksploatimin e njerëzve. Ndërkaq kontrabanda e njeriut zbatohet me njerëz të cilët janë të gatshëm të paguajnë për të blerë hyrje të paligjshme në një vend ku ata nuk janë as qytetarë as banorë të përhershëm. Në legjislacionin e shteteve përkatëse trafikimi është një krim kundër kapitullit të Kodit Penal për lëvizjen në liri, ndërsa kontrabanda është krim kundër Ligjit të Imigracionit.
***
Çrregullim politik dhe konfuzioni, mungesa e parimeve udhëzuese, standardeve dhe objektivave të përbashkëta, dështimi i madh e i bujshëm i qeverisë antikombëtare PDK & LDK, shkaktuan tronditje të madhe që mund të rezulton me shkatërrimin e shoqërisë “kosovare” e më gjerë…

Të gjithë ne ndjemë dhembje për situatën e krijuar, megjithatë nuk jemi në mediume të shpalosim ndjenjat por të provojmë rrugët, format dhe mënyrat e shpëtimit. Detyra jonë është për të thënë të vërtetën, guximin për të reaguar s`bashku kundër padrejtësisë dhe boshatisjes së Kosovës.
/Botuar më: 03 Feb 2015/A.D.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>