Lëvizja VETËVENDOSJE! sheh si praktikë pozitive takimin e dytë të përbashkët të Qeverive të Shqipërisë e të Kosovës, të mbajtur më datë 23 mars 2015 në Tiranë. Ndërkohë që përgëzon dy qeveritë për mbledhjen, Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes kësaj komunikate shtron vërejtjet dhe sugjerimet e veta, duke dashur të kontribuojë në përmirësimin e kësaj praktike të domosdoshme, siç është mbledhja e përbashkët e qeverive.
Së pari, mendojmë se është me vlerë që marrëveshjet dhe memorandumet të cilat nënshkruhen në këto mbledhje, të diskutohen më parë, në rastet kur është e mundur, edhe me shoqërinë civile, median, dhe subjektet opozitare. Kjo do të krijonte mundësinë e përmirësimit të këtyre marrëveshjeve, si dhe do të rriste nivelin e informacionit të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë e Republikës së Kosovës përmbi to.
Së dyti, mendojmë se në praktikën e bashkëpunimit të ndërsjelltë tashmë të nisur nga ekzekutivi, duhet përfshirë sa më shpejt edhe legjislativi. Mendojmë se komisione të caktuara të dy parlamenteve do të duhet të takoheshin edhe më shpesh në mbledhje të përbashkëta, sidomos ato komisione që e kanë punën drejtpërsëdrejti të lidhur me sektorët për të cilët po merren vesh qeveritë. Bashkëpunimi në nivelin e legjislativit do të bënte të mundur përafrimin e kuadrit ligjor, si dhe ngushtimin e bashkëpunimit apo të bashkimit në sektorë të ndryshëm. Mendojmë po ashtu se, për çështje të caktuara, do të ishte mirë të mblidheshin në seancë të përbashkët edhe Kuvendet e Shqipërisë dhe Kosovës, si organet sovrane të dy republikave.
Së treti, mendojmë se mbledhjet e dy qeverive do të duhet të themelojnë institucione të përbashkëta, ose të njësojnë institucione ekzistente, të cilat do të punonin si unike gjatë gjithë kohës, e jo vetëm në periudhat e mbledhjeve apo ceremonive. Këto institucione të përbashkëta do të mund të ishin Institute, Agjensi, Ente, Drejtori ministrore, dhe në afatmesëm, do të duhet të mendonim edhe për ministri të përbashkëta në sektorë të caktuar, sidomos sa i përket politikës së jashtme, politikës së mbrojtjes dhe sigurisë, e disa sektorëve me rëndësi ekonomike, siç janë politikat fiskale e ato monetare.
Duhet të punohet urgjentisht në arritjen e standardizimit të produkteve të tregtueshme në Shqipëri e Kosovë, si dhe të njësimit të autoritetit që lëshon licencat prodhuese edhe tregtare. Politikat e standardizimit do të duhej të mbronin konsumatorët në shoqëritë tona, si dhe të synonin ruajtjen e prodhimit vendor prej konkurimit të padrejtë nga prodhime jocilësore të importuara.
Duhet të përcaktohen ekskluzivitete tregtare të ndërsjellta për Shqipërinë e Kosovën, si dhe duhet punuar për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për blerjen e prodhimeve vendore.
Duhet bërë një plan i përbashkët strategjik për zëvendësimin e importeve, subvencionimin dhe politikat doganore që e ndihmojnë këtë.
Duhet punuar për njësimin doganor drejt unifikimit, e jo thjesht për lehtësimin e procedurave në dogana.
Projektet infrastrukturore nuk duhet të jenë në mbështetje të njëra-tjetrës, por duhet të jenë projekte të përbashkëta. Ndër këto projekte, më i rëndësishmi do të ishte një hekurudhë që lidh Prishtinën me Tiranën.
Përkushtimi ynë për të arritur Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë nuk duhet ngatërruar me përkushtimin për t’u integruar në Evropë. Ne besojmë se këto janë të dyja të mundshme, dhe duhet të punojmë për të dyja, por Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, qoftë para, qoftë pas integrimit në BE, mund të realizohet me referendum demokratik dhe me njësim institucional e shtetëror paqësor. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të përmirësonte situatën tonë si popull e si komb, në ekonomi, në demokraci, në siguri e në kulturë, do të përmirësonte situatën e komuniteteve të gjera shqiptare në Ballkan, do të na bënte më dinjitozë në sytë e fqinjëve dhe të vendeve perëndimore, dhe do të përshpejtonte zhvillimin tonë. Për këtë arsye, Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është një synim i denjë, që meriton të artikulohet si i tillë pa asnjë kompleks.
24 mars 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!