Shtet Shatrapollësh

fatmir_sujmani1Jeta në një shtet si Maqedonia është e njëjtë me gazepin e të ngujuarve brenda rrethit vicioz të shpellës ku nuk ndrit asnjë xixë shprese për ndonjë të ardhme ndryshe. Kështu ka qenë një dajm, të paktën për brezin tim. Dallimin e bën rrënimi i përnjëhershëm aktual i mitit mbi baballarët e virtytshëm të shtetit komb, zhveshja publike e prijësit të suitës së harambashëve, filozofia e të cilit nuk e njeh nevojën e të tjerëve për jetë të dinjitetshme nën dritën e diellit.

Në kësi konditash, në kësi biçim shteti, me këso kushtetute, që ishte dhe mbeti gjenerator krizash të kushtueshme dhe që, natyrisht, nuk do të ndryshohet as nesër prej Zaev-ëve, në veçanti është keq të jesh shqiptar, sepse në kreatura të këtilla, ku askush nuk ka takat të ndryshojë me mjete demokratike gjendjet horror, të gjitha ëndrrat njerëzore bien coftë si korbi i Edgar Alan Po-së në poezinë e Ali Podrimjes. Prandaj: as partia shqiptare në pushtet, as partitë opozitare, as ato që pretendojnë të ngrihen sërish në këmbë të qëndrueshme, as ato që mund të vijnë nesër, nuk do të mund të bëjnë asgjë prej gjëje, pavarësisht premtimeve dhe moralitetit të vetëdeklaruar ideologjik. Kjo, sepse çështja shqiptare nuk është çështje morali a filozofishë të mëdha, sepse të drejtat kombëtare nuk fitohen me beteja subjektesh të përçara politike pa një vijë të kuqe, sepse me numër gishtash parlamenteve s’do t’ia dalin kurrë të përmirësojnë thelbesisht statusin e etnisë, e cila, për çudinë e çudirave të kësaj bote, prej subjektit shtetformues në SFRJ-në 22 milionëshe, është katandisur në pakicë të madhe, të sunduar për marre nga shumica e vogël konglomerate.

Hej bela! Si ta mendojë njeriu të ardhmen në vendin, prijësit e të cilit paralajmërojnë dhe mund të inskenojnë konflikte ndëretnike, me idenë se vetëm ato mund t’ua prolongojnë qelitë e merituara. Si të flejë rehat kur e di se siguria e tij është zero me xhufkë? A i lexoni memoaret e pushtetarëve të djeshëm që zbardhin marifetet e dekompozimit të vullneteve shqiptare; që shpalosin hartat ricopëtuese të trungut tim, tëndit, tonit… nga Akademia e shkencave garashaniniste; që ndriçojnë korridoret e errëta të rahmetliut nëpërmjet të cilave u planifikua dëbimi ynë masiv për maxhirhan… Nëse po, atëherë sigurisht e keni më të qartë absurdin e optimistëve të Saharasë.

Për këtë dhe për shumë gjëra që s’i nxe një kolumnë si kjo, më duhet ta them atë që ma thotë loçka e shpirtit: nëse shteti është pronë shatrapollësh të papërgjegjshëm politikë, kushdoqofshin ata; nëse drejtësinë e bëjnë gjyqtarët kukulla të tyre; nëse mafia ia ka marë krahun shtetit të së drejtës; nëse sigurinë time dhe të fëmijëve të mi e ruan një police që ma thotë emrin me përbuzje dhe me terma fyes; nëse çelësat e hapsanes dhe hekurat ndëshkues janë në dorën e saj; nëse fati im është viktimë hipotekash që nuk mund të jenë të miat për asnjë hatër të rremë, qofshin ato edhe të vëllait tim; nëse nuk arrij të shohë qartë perspektivën e më të dashurve që më ka falur Zoti…, ky nuk është shtet, po çerdhe gangsterësh të shtirrur në burrështetas dhe njerëz të ndershëm.

Natyrisht, një shtet si ky: nuk mund të jetë shteti im.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>