All posts by A.D.

HIPOKRIZIA E TURPSHME E KALEMXHINJVE

HIPOKRIZIA E TURPSHME E KALEMXHINJVE
POLITIKË DHE “INTELEKTUALË”

SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJBota demokratike, Amerika dhe Evropa, më në fund, u ndjenë të turpëruar nga toleranca, durimi, symbyllja karshi krimeve makabre, gjenocidiale dhe terroriste, të një kryebande që vepronte dhe vepron nën emrin dhe siglën e një Shtabi të Përgjithshëm të UÇK-së. Andaj, vendosi të themelojë një Tribunal, një Gjykatë Speciale, enkas për hetimin e krimeve të UÇK-së në Kosovë, përgjatë luftës dhe pas saj.

Kori i orkestruar nga kupola e krimit, SHIK-u dhe qeveria kriminale në pushtet, dizinformonin opinionin, e irritonin, qëllimshëm, popullin, gjoja se po sulmohen vlerat e luftës për liri, po akuzohen “heronjtë” e gjallë, po dënohet UÇK-ja dhe populli i Kosovës.

Tellallët e SHIK-ut dhe krimit

Po citojmë disa nga pisllëqet e eksponentëve të SHIK-ut, të krimit dhe të tellallëve të tyre, të cilët, duke mbrojtur krimin, janë bërë pjesë e krimit. Ministri famëkeq i “Drejtësisë” dhe tellalli i Hashimit dhe i qeverisë, Hajredin Kuqi, thotë:
“Qeveria e Kosovës i ka ndërtuar kapacitetet e veta të drejtësisë, prandaj këto pretendime nuk ka nevojë të trajtohen në një Tribunal jashtë Kosovës”!

Për cilat kapacitete flet ministri rrenacak e mashtues?! Sa kriminelë ka vënë në pranga “drejtësia” e tij? Asnjë eksponent i krimit të organizuar politik nuk është hetuar dhe as nuk është arrestuar nga mburracakët hipokritë e servilë të neveritshëlm: ministri Kuqi dhe kryeprokurori horr, Ismet Kabashi, i cili “nuk ka kohë të merret me sulm-atentatin ndaj Presidentit Rugova”!

Tellalli Kuqi, ikjen e bandës të Drenicës ia faturoi, mashtrueshëm, EULEX-it, por kjo u demantua me fakte. Turpshëm i krahason banditët e Drenicës me gjeneralin e famëshëm kroat Gotovina, i cili me “Ollujën”, stuhinë e tij, i dha mesazhin dhe leksionin e duhur Serbisë, duke spastruar tokën kroate nga banditët serbë autoktonë, vendorë, të cytur nga Serbia, duke i lënë pa atdhe, përjetësisht, madje për fajin e tyre. Ambasadori gjerman deklaroi publikisht se rasti i Grupit të Drenicës, justifikon plotësisht Tribunalin.

Eksponenti i SHIK-ut, Kadri Veseli, përrallisë:

“Tribunali, një shëmti që po i bëhet Kosovës. Asnjë luftëtarë nuk i frikësohet drejtësisë. Do të fitojë e drejta, e vërteta e kombit të Kosovës për luftën e vetë për liri”. Ja se çfarë ironie të ngeshme bën njeriu i përgjakjes të Kosovës, me bandën e SHIK-ut të tij xhahile dhe katile – njëherësh! Ne pyesim zotëri Veselin, këtë sadist të akulltë: A më shëmti është vrasja, të paktën, e 1.800 shqiptarëve të pafajshëm, veprimtarë të LDK-së dhe ushtarakë të FARK-ut, duke shtuar varre numerike dhe lënien e shumë qindra fëmijëve jetimër në Kosovë apo themelimi i një Tribunali, për hetim të krimeve makabre e faktike?!

Eksponenti tjetër i SHIK-ut, Adem Grabovci, është “hazër-xhevap” në kundërshtinë e Tribunalit:
“Kosova ka institucione të Drejtësisë dhe themelimi i një Tribunali të tillë, është i panevojshëm dhe as që duhet të diskutohet për një kësi lloj çështje”!

Mjegullnaja demagogjike dhe skajshëm hipokrite vazhdon të ndotë hapësirat shqiptare. Në këtë hipokrizi dhe poshtërsi prijnë eksonentët e SHIK-ut, të strehuar në dy partitë-banda të krimit: PDK-e dhe AAK-a, duke u mbështetur fort nga lakejtë e tyre. Njëri syrësh është edhe Fehmi Ramadani, i cili shkruan:
“Formimi i Tribunalit Evropian për Kosovën nuk është i nevojshëm, sepse Kosova, tashmë, i ka të gjitha mekanizmat, si ndërkombëtarë, por edhe drejtësinë e saj dhe është e aftë të veprojë si shtet, në rast të ndonjë shkelje të drejtash, apo të ndonjë padrejtësie që ka mundë të ndodhë në të kaluarën e saj”.

Ne pyesim këtë manipulator e falsifikator të porositur dhe të çoroditur se ku ka jetuar ky gjatë tej një dekade e gjysmë, që i vënë në dyshim krimet numerike dhe faktike të organizatës ilegale e terroriste SHIK?! Çfarë aftësie ka Kosova të veprojë si shtet, kur EULEX-i ka prangosur një grup kriminelësh të luftës dhe të pasluftës dhe duke pasur në dispozicion ministrinë e brendshme, ministrinë e drejtësisë, policinë dhe burgjet, nuk është në gjendje t’i mbajë nën kontroll, përgjatë kohës të hetimit, por hynë e dalin nga burgu, kur t’ua dojë qejfi kriminelëve! Ky është shtet rrumpallë, i cili udhëhiqet nga banda e banditër të ideologjisë majtiste sllavo-staliniste. Krerët pushtetarë aktualë janë të zënë peng nga Serbia, si hafije të hershëm dhe të vonshëm të saj, e cila i zhyti, qëllimshëm, në krime karshi popullit të Kosovës – për interesa të Serbisë. Dhe, në të gjitha këto poshtërsi e krime është edhe kasta social-komuniste e Shqipërisë, e cila nuk heq dorë nga boshti ideologjik dhe nostalgjik i atit të tyre shpirtëror Enver Hoxha.

Mësimi i së vërtetës është detyrë

Kanë kaluar shekuj, por historia botërore ka ruajtur vlerat. Deklarimi trimëror dhe i dinjitetshëm, madje edhe para zjarrit, i Galileut se “megjithatë rrotullohet”, është një mësim i madh dhe inkurajon njeriun për të mbetur njeri, edhe në çaste të rënda dhe vendimtare për jetën. Lënë shumë për të dëshiruar kalemxhinj dhe opionistë të bollshëm, të cilët kanë “pushtuar” 35t dhe, megjithatë, shumë syrësh, për turpin e tyre, anashkalojnë të vërtetën, manipulpojnë dhe mashtrojnë opinionin pacipshëm.

Mësimi i së vërtetës është sa detyrë, aq edhe i shëndetshëm për një popull, për një shoqëri. Krejt ndryshe nga dilinxhinjtë e dallaveraxhinjtë të SHIK-ut, të së majtës ideologjike, por edhe të ca “kokërrave” brenda të djathtës, përfshi këtu edhe LDK-në, me kamuflime përfide e demagogjike, me dashje apo padashje, bëhen mbrojtës të krimit dhe të kriminelëve, ka gazetarë, veprimtarë, ushtarakë dhe të profesioneve e kategorive të ndryshme, që prirën për ta hulumtuar dhe mësuar të vërtetën.

Ushtaraku Naser Vllasi, komandant i batalionit “Kobra”, i cili bëri tërheqjen e trupit të pajetë të komandantit dhe të komisarit, Sali Çekaj, në Rrasë të Kosharës, është kërkues për vete dhe për të tjerët, për ta mësuar të vërtetën, qoftë ajo edhe e hidhur. Ai shpreh mendimin e tij qartë dhe haptas:
“Kurrësesi nuk jam kundër krijimit rë Tribunalit për krime lufte, ngase vetëm ashtu do të qartësohej se kush ka luftuar me nder e kush ka bërë devijime, nga të cilat populli jonë vuan sot e asaj dite. Por, do të doja që ky Tribunal të jetë për të gjitha palët, pra, UNMIK-un, EULEX-in, Shqipërinë, për Serbinë po se po. Jam i sigurtë se diçka e mirë do të dalë nga gjithë kjo, ngase do demaskohen edhe fytyrat e atyre që i bënë zullum popullit të vet, por, njëkohësisht, do demaskohet edhe fytyra e shtetit amë shqiptar”.

Evropa, EULEX-i ka vënë pikën mbi “i”

Britmat çjerrëse të pushtetarëve aktualë; të eksponentëve të SHIK-ut dhe të krimit; të kalemxhinjëve puthadorë, zvarranikë e neveritës; të krerëve kriminalë të të ashtuquajturave “organizata e shoqata të dala nga lufta”, pa hyrë në luftë fare, që, tashmë, “sollën ujkun në torishtë”, me sulmin kundër kishave dhe shtëpive serbe, në mars-prill 2004, prapa të cilave qendronin dy partitë e krimit: PDK-e dhe AAK-a, të organizuara nga Sërbia, duke realizuar krijimin e enklavave serbe në Kosovë, nuk mundën ta mohojnë të vërtetën, se adresimi i akuzës të EULEX-it është i saktë, se krimet janë hartuar dhe ekzekutuar nga një Shtab, nga një ushtri e tërë “UÇK-ja e SHIK-ut”.

Kemi numëruar 19 persona, kuadro aktualë të PDK-së dhe ndoca të tjerë, tashmë, në “AAK-a”, “Vetëvendosje” dhe në “Nisma” dhe i 20-i është Hashim Thaçi, që pohon se “unë e themelova UÇK-në”! Dhe, pothuajse, asnjëri syrësh nuk e dinë datën e krijimit të 20-të “UÇK-ve” veç e veç!!!

Tashmë, një gjë dihet: krimet nuk janë as individuale dhe as grupore, por shtabiste. Pra, ka ekzistuar një Shtab i Përgjithshëm i një UÇK-je, pra, njëra nga këto 20 UÇK-të, të krijuara nga 20 persona, veç e veç. Por, sipas dëshmive dhe fakteve të pakundërshtueshme të deritanishme, rezulton se në UÇK-në, e cila identifikohet me krimin e organizuar politik, thënë troç, vrasjet seriale të kuadrove e veprimtarëve të LDK-së dhe të ushtarakëve të FARK-ut, bëjnë pjesë dhe janë së toku, bashkë: Hashim Thaçi, Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Ilmi Reçica, Bislim Zyrapi, vëllezërit Buja, Rrustem Mustafa, Adem Grabovci, Grupi kriminal i Dukagjinit, i Drenicës, i Llapit dhe lukunia e bandave të tyre anekënd Kosovës dhe jashtë saj, përfshi edhe Shqipërinë.

Ata që i paraqesin, kinse, krime individuale e grupore, pa një Shtab Qendror, janë horra e maskarenj të paguar, që bëjnë mjegullnajë, të porositur dhe të qëllimshme, për përfitime personale, por edhe të shantazhuar nga SHIK-u.

Ilustrojmë:

Pse duhej një i ri, pjesë e gardës mbrojtëse të një kryetari partie në Dukagjin, të atentatonte, të vriste ish
-oficerët e FARK-ut, më vonë kuadro të Hetuesisë Speciale, Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj?! Mos, vallë, edhe ky atentatim zyrtar ishte vepër individuale e një krimineli të ri, roje besnike e kryetarit të partisë?! “Këtu flen lepuri”, – thotë populli. Mos i mistifikoni, mjegulloni, fshihni faktet, të vërtetën, sepse e vërteta nuk ka nevojë për akrobacira e stratagjema gjithë hipokrizi dhe djalllëzi.

Pse duhej një ministër i drejtësisë, i një partie me kriminelin e vogël, që bëri vrasjen e madhe, duke ekzekutuar dy oficerë të FARK-ut, të shkonte në burgun e Dubravës dhe t’ia rrihte krahët ish-rojes të kryetarit, tani i dënuar, për të paktën, për dy ekzekutime, njëherësh, duke thënë se “ky është çlirimtar, edhepse është në burg”?! Dhe, i njëjti do të arratisej nga burgu, me ndihmën e partisë së tij, duke i mundësuar vazhdimin e vjeljes të haraçit, në llogari të shefave të tij, me metodën klishe, grabitjen e biznismenit, metodë kjo e njohur për partitë e krimit dhe të haraçit gjysmë-legal. Këto parti, për turpin dhe injorancën provinciale të një pjese të konsiderueshme të shqiptarëve të çoroditur nga interesi dhe propaganda shfrenuese e mashtruese, vazhdojnë t’i mbështesin, madje edhe duke votuar për krimin dhe kriminelët!!

Kosova nuk ka pasur as shtab, as komandë dhe as ushtri unike, të vetme

Eksponenti i SHIK-ut dhe i krimit, Ilmi Reçica, ngulmon se: “Lufta u zhvillua vetëm nga një SHP i UÇK-së” dhe se “Në Kosovë ka pasur vetëm një komandë ushtarake”!

Këto janë dy rrena, gënjeshtra të mëdha sa bjeshka. Asnjë lidhje nuk ka pasur i ashtuquajturi “SHP i UÇK-së”, të Reçicës, më sakt, i SHIK-ut me Shtabin e Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës, FARK, të ministrit Ahmet Krasniqi dhe as më vonë.

SHP i UÇK-së të Ilmi Reçicës, Drejtoria Politike e tij, ka pasur nën vezhgim dhe administrim burgjet dhe përndjekjet deri në vrasje të veprimtarëve të LDK-së dhe të ushtarakëve të FARK-ut. Qëllimi i UÇK-së të Reçicës me shokë, të cituar më lart në këtë shkrim, ka qenë marrja e pushtetit, qoftë ai edhe fiktiv, qysh ishin marrë vesh me Serbinë, për autonominë e zgjeruar të 1974-ës, por Amerika ua prishi planet “shokëve të Drejtorisë Politike” dhe zyrtarëve komunistë të Tiranës, por jo edhe lufta kundër pushtuesit.

Por, një UÇK-e, më sakt, FARK, i themeluar nga kolonel Ahmet Krasniqi, me ushtarakët e karrierës, ka qenë aktiv, ka bërë Luftën e Kosharës, Betejën e Loxhës, të Pashtrikut si dhe forcat, grupet luftarake, kanë luftuar kudo në Kosovë.

Veton Surroi veçsa pohon një të vërtetë të njohur

Një pjesëtar i Batalionit “Atlantiku”, Ukë Lushi, thotë se “UÇK-të tona e kanë kryer misionin e tyre me sukses të plotë”.
Kur thotë “UÇK-të tona”, zotëria ka të drejtë që e përdorë shumësin. Edhe për “misionin e kryer”, ka të drejtë, pjesërisht, sepse UÇK-ja e Hashimit me shokë, ka luftuar Ibrahim Rugovën dhe ushtrinë, FARK-un e tij, njësoj si Serbia e Millosheviçit, sepse atë mision ka pasur dhe e ka kryer me sukses, duke ekzekutuar 1.800 shqiptarë, përfshi edhe vet ministrin e luftës, madje në vlugun e luftës, kolonel Ahmet Krasniqin, Hero i Kosovës.

Zotëri Veton Surroi pohon të vërtetën e njohur, por edhe absolute, se “UÇK-ja nuk ka qenë anjëherë ushtri e organizuar”. Dhe, nuk mund të ishte e organizuar, kur ushtria e Ibrahim Rugovës më shumë e ruante shpinën nga UÇK-ja e Hashim Thaçit, se sa gjoksin nga poilicia dhe paramilitarët e Sllobodan Millosheviçit! Por, Vetoni nuk mohon luftën e bërë të shqiptarëve, sidomos detashmentin ushtarak të Kosharës, luftën e tij të organizuar në mënyrë profesionale si dhe Betejën e Loxhës, të fituar nga trimi, kolonel Tahir Zemaj, Hero i Kosovës.

Zotëri Surroi ka përgjegjësinë e një personaliteti publik dhe nuk bën tymnajë boshe, si Hashimi me shokët e tij vrastarë, sepse dëmton reputacionin, turpëron veten dhe pasardhësit e tij. Ai nuk mund t’ia bëj qejfin askujt dhe, aq më pak, të lavdërojë pa mbulesë. Bilanci tragjik i luftës, më sakt, masakrës në Kosovë, 11.840 shqiptarë të vrarë, përkundër 227 serbëve të vrarë, nuk lenë vend për mburrje dhe vetëlavdërim.

Krejt idiotësisht e marrëzisht, krerët e shoqatave fantomë, fiktive e hiçe të LPK-së, alias – PDK-së dhe AAK-së, “shoqata të luftës”, masakrat e dhimbëshme i konvertojnë në beteja dhe epopera inekzistente, të paqena. Është tragjike loja e ndyrë, e bërë në dëm të Familjes të martirizuar Jashari, kinse, për ta madhuar, me fjalorin hiç adekuat, me panagjerizmin donkishotesk, vendosmërinë e rezistencës, qendresës, e kanë kthyer në legjendë, në përrallë, pabesueshmëri, deri në përtallje.

Në Kosovë nuk ka pasur as legjenda dhe as legjendarë dhe, aq më pak, epope dhe opopera. Lufta ka qenë e vogël, në krahasim me masakrën e madhe. Përmasa e lavdisë i ka munguar tërësisht kësaj lufte, përshkak të sabotimit të bërë nga LPK-ja dhe Tirana zytare e kohës. Prej njerëzve hileqarë e mashtrues, që kishin abuzuar, shpërdoruar mikpritjen e vendeve demokratike të Evropës dhe, për vite me radhë, nuk kishin dhënë rast për t’u thënë “punë e mbarë”, njerëz të ardhur nga rruga e diskotekat, nuk mund të pritej asgjë e mirë. Shenjtëria u takon të rënëve, dëshmorëve dhe mijëra viktimave të luftës.

Veton Surroi është intelektual dhe veteran në publicistikë. 35 e tij u vu në shërbim të luftës, duke e përkrahur pa rezerva UÇK-në, madje, krejt padrejtësisht, duke i rënë në qafë udhëheqësit të lëvizjes kombëtare shqiptare në vitet 90-a, dr.Ibrahim Rugovës. Koha dëshmoi se dr.Rugova kishte informacion të saktë dhe “dora e zgjatur e Serbisë”, nuk ishte sajesë e Tij, por realitet i hidhur. Disa krerë e kuadro të LPK-së, me kohë, punonin për Serbinë. Vrasjet në prita, të disa militantëve shqiptarë të pahile në Kosovë; provokimi me armë, nga largësia dhe ikja në plazhin e Durrësit, duke i dhënë shkak pushtuesit për masakra, si rasti i Lubeniqit, për një plagosje të një polici, u masakruan 90 burra; ndarja e faktorit ushtarak, më troç, sabotimi i luftës, faktuan dyshimin e bazuar të Burrit të Pavarësisë, Ibrahim Rugovës.

Ne që kemi qenë pjesë e luftës, qoftë edhe në Emergjencën e saj, kemi parë nga afër organizimin e asaj lufte të vogël, por të masakrës të madhe. Gjendja e krijuar në Kosovë, masivizoi angazhimin për ta ndihmuar luftën, por jo edhe për ta “kap pushkën”! Prandaj, kërkesa e statusit të “veteranit të luftës” nga 60.000 “luftëtarë”, është manipulative, fiktive dhe, fund e krye, e rrejshme. “UÇK-ja e Hashimit” ka qenë fare simbolike dhe është marrë më përndjekjen e lultëtarëve të FARK-ut, aktivistëve të LDK-së dhe përkujdesjen për burgjet masive! Pjesëmarrja faktike në luftë, nuk kalon 1 % e popullatës të Kosovës, ndërkohë që në vendet tjera paraqitja vullnetare nën armë ka shënuar dhjetëfishin.

Kolonel Krasniqi donte të bashkonte UÇK-në e Hashimit me FARK-un, për ta bërë ushtri të mirëfilltë të organizuar të Kosovës. Por, këtë ushtri nuk e donte as Beogradi dhe as Tirana zytare e kohës, e cila kishte pushtet absolut mbi halabakët e LPK-së, kontrollonte dhe instruktonte, kriminalisht, UÇK-në e SHIK-ut, jo për të luftuar kundër pushtuesit, por për misionin e spastrimit të terrenit, për ta marrë pushtetin dhe për ta forcuar boshtin ideologjik majtist e komunist Beograd-Prishtinë-Tiranë. E hidhur, zotërinj, sabotatorë të luftës, vrasës serialë të shqiptarëve, por, ama, krejt e vërtetë. Dhe, sot, keni pacipërinë për ta kërkuar, sërishmi, votën e shqiptarëve të Republikës të Kosovës!

Gjithnjë aktuale thirrja e poetit çek, Julius Fuçik, para pushkatarëve fashistë:
“Njerëz, ju kam dashur. Jini vigjilentë”!

Një letër….

Nga Entela BinjakuMora një letër nga z. Vilson Mirdita, një patriot shqiptar i kohës moderne. Kur e lexova mendova: “koha e ndihmave” nuk paska kaluar!
Edhe pse tregon solidaritet dhe mbështetje në ditë të vështirë, vëmwndje ndaj mungesave dhe njerëzve në nevojë, bashkimin në aksione që në themel kanë ndjeshmërinë njerëzore, mendoja se kishte kaluar.
Në kujtesën tonë shoqërore “ndihmat” na çojnë në fillimet e viteve ’90 kur perëndimi pa varfërinë tonë, kur ne vetë pamë çfarë nuk kishim pasur mundësinë të shihnim. Kur njerëz nga larg mendonin për ne që ndryshe nga ata ishim të varfër, kishim jetuar të izoluar për një kohë të gjatë dhe që po nisnim një rrugë të re.
“Ndihmat”nuk duket të jenë temë për ne. Edhe pse jemi vendi më i varfër në Evropë, me njerëz në nevojë e pa mbështetje, me fusha të tëra të jetës të pazhvilluara, mendojmë se kjo temë i takon viteve më parë. Ndoshta sepse nuk besojmë më tek ndihma, ndjeshmëria, solidariteti, tek bamirësia. Sepse i shohim aq rrallë, saqë na duket sikur nuk ekzistojnë.
Kjo letër më tregoi se jam gabuar dhe nuk më vjen aspak keq për këtë.
Po e publikoj, natyrisht me miratimin e zotit Mirdita!
“Së pari, dëshiroj që edhe në këtë mënyrë të përforcoj, se isha i nderuar te isha pjese e ketij aksioni dhe nuk do të zhbeja as edhe nje minute te vetme, nga koha qe kalova ne udhetimin e perbashket me karvanin e ndihmave.
Dhe kete e argumentoj me faktin se, po te mos e kisha bere kete rruge, une asnjehere nuk do te arrija te kuptoje peripecite dhe sfidat qe ata njerez te mrekullueshemdo te kalonin per te ndihmuar njerzit ne nevoje.
a) Ne po sillnim ndihma qytetareve te Kumanoves (Maqedoni), megjithate zyrtaret doganorë te shtetit maqedon nuk e pane te udhes qe te pershpejtonin punen e tyre. Ne pritem afersisht 7 ore derisa maunia e fundit kaloi terminalin doganor. Megjithate humanistet nuk e humben durimin.
b) Kur karvani mundohej të kompensonte kohen e humbur duke qëndruar ne doganen e Maqedonise, kishte edhe pengesa te natyrave të tjera. Ne Kosove ishte kohe fushate zgjedhore dhe per te dhene nje interviste të ndonje politikani, ndoshta jane humbur minuta te vlefshme qe munguan ne realizimin e programit te planifikuar.
Keshtu ne nuk arritem te realizonim viziten e projektit te rinise se Zllakuqanit edhe pse ata priten tere diten! Per kete jam ndjere keq dhe ata te rinj te cilet na prisnin me ngazllim per te treguar aftesite dhe punen e tyre shpresoje qe te tregojne mirekuptim.
c) Ne perkunder rruges tejet te gjate dhe te lodhshme ndihmuam edhe ne shkarkimin e ndihmave. E kjo ndodhi posaçrisht ne Tirane!
Si duket qytetaret e Tiranes nuk e kishin ate ndjesine qe duhen përveshur mëngët, te pakten per te treguar respektin ndaj ketyre njerezve qe kishin bere kete rruge te gjate dhe me muaj te tere kishin identifikuar dhe mbledhur pajisjet qe i duheshin Spitalit te Traumes dhe te atyre te lartepermendur.
Une kisha edhe momente ku u ndjeva i nderuar dhe i gezuar me mikepritjen e bashkevendasve te mi, si rasti ne Istog, ku qytetaret kishin pritur thuajse tere diten per te treguar falenderimin dhe mikepritjen e tyre per ndihmat dhe viziten e miqve Gjermanë.
Gjithashtu nje deshmi, qe administrata shtetrore mund te funksionoje edhe ne raste te tilla, ishte kufiri Kosove-Shqiperi, ku karvani ne nje shpejtesi rekord i kaloje te gjitha procedurat formale.
E veçante ishte edhe mikepritja dhe organizimi ne Mirdite, caste keto edhe per mua qe mbaj kete mbiemer, shume emocionale.
Ne fund, ju jam shume mirenjohes miqve gjermane, qe pranuan rekomandimin tim qe ne aksionin humanitar te perfshihen edhe spitalet e Kosoves dhe te Shqiperise.
Uroj qe keto ndihma sadopak do te permiresojne infrastrukturen e spitaleve te lartepermendura dhe shpresoj qe ato te perdoren per te miren e perbashket te qytetareve tane!”.

Me Fishtën e pavdekshëmþ

nga Ksenofon M. DILO
Le të bëjmë një shëtitje të gjatë sot, por të këndshme. Dua të ulemi me Gjergj Fishtën e, të më kumbojë ai himni që më këndonte zemra që kur, fëmijë pesë vjeçar fillova të shkruaj germat e para, me dorën që dridhej sepse pena ishte e rëndë plumb e germat deshën force që të ndrinin, donin shpirt. Por unë pa mësuar akoma të shkruaj dija :
Porsi kanga e zogut t’verës,
Qi vallzon n’blerim të prillit:
Porsi I ambli flladi i erës
Qi limnon gjijt e drandofillit…
Ma kishte mësuar Babai. Të gjithë në shtëpi e dinim përmendësh të gjithë vjershën , ndaj dhe mësuam me dashuri të shkruanim gjuhën tone të bukur. Duke I cituar këto vargje, ndërsa akoma nuk di të shkruash, është si të hedhësh fare në token e djerrë dhe të presësh të dale bima e ta gëzosh atë pastaj me harre. Atëherë kënaqësia është e dyfishtë. Mua më duket edhe sot një nga më të bukurat poezi të shkruara për gjuhën shqipe midis shumë që janë shkruar. Pse vallë kënga e zogut të verës vallëzon në blerim të prillit. Ishte I zgjatur prilli apo zogu I verës u harrua mbi lëndinat e pranverës dhe e la të shkretë verën?Mos vallë sepse duhet të derdhte këngën e tij të ngrohtë mbi barin e freskët të pranverës?Kështu bëhej më e bukur e më hyjnore gjuha shqiptare.Kështu ajo ishte një himn qiellor dhe ngrihej porsi flladi I erës që lmon gjit e ..drandofillit..
Nuk mundem të vazhdoj më gjatë se këto katër vargje për mua janë të mjaftë për të më shndërruar në një furtunë që më shkallmon. Më tregon se sa antishqiptarë ishin ata që e ndaluan këtë poezi të ishte hymni i gjuhës shqipe të këndohej prej të gjithëve , gjithmonë!. Nuk e di, por të ndaloje këto vargje perlë të hynin në programin e shkollës , ishte një krim i pa skrupull. Ishte si të pranoje se ishe një qorr e se duke mos parë më larg se hunda jote e duke mos njohur vlerat e vërteta , ti ishe i padenjë të qeverisje.
Ç’kërkoje, o dushman që na dogje, na vrave, na shojte, na vërvite nëpër burgje e nëpër internime, e nuk na le rehat as në vare, kërkoje të të thureshin dhe himne?
Po ku t’I gjenim mor i shuar ? ja mendoje?
Ti hyjnoret i shove. Mirë për ne po për vetë tënde pse s’mendove? Sikur të të kishim bërë një himn prej madhështisë së Fishtës do ta kishe pranuar? Jo? Po sigurisht!Injoranca s’ka brirë. Ty të pëlqenin ato të dalat prej ferrit qëishin të ngjyera në gjak. Si :Që të të shkulin ty, duhet të përmbysin malet kështjellat këngët, të ngrenë nga balta dhe të ri vrasin të rënët…
Kujtove se këto ishin të vërteta e se ishe i siguruar në fronin tënd . Nuk e dije se ato ishin fjalë të fryra e që i dëgjonte vetëm veshi jot i varfër. Ku dinte ai vesh se kishte melodi përveç tam – tameve Ato melodi ti i kishe kyçur sepse I kishte shkruar dikush i cili vetëm me këto vargje meritonte të të hidhte ty në humnerën e harrimit.Atij dhe shokëve tè tij ju takonte të qeverisnin vendin!! Sa mire e dije ti këtë moj kunadhe plakë. Sa mire e dije…Prandaj ju ruheshe, porsi djalli temjanit..

JO, MENTOR QUKU ! .. BURRA SI TI, NUK VDESIN KURRË !

Nga Fritz RADOVANI:
MENTOR QUKU
(1939 – 2014)Shkodra ka humbë një qytetar dhe intelektual të mirfilltë, ndersa, Shqipnia, ka humbë modelin e një Atdhetari të Persosun! Shokët e Tij numroheshin me gishta…
Familja e vjeter shkodrane asht e vertetë se ka pasë dhe uroj të kenë Pinjollë me të cilët ka mese krenohet, po, Mentor Quku, ishte i rrallë në mjedisin e gjithë Shkodres.
I rij në Shpirtë, i pashëm, i qeshun gjithmonë, qyshë se e njoha në vitin 1953 në oborrin e shkollës Pedagogjike të Shkodres, po, mbi të gjitha i dashtun, joshës, dhe nder të veçantit Shqiptar që trashigoi Fisnikinë, Bujarin, Burrninë pa asnjë thermi fanatizmi, e këta janë një visar i çmueshem që Nana e Tij, i mkoi me qumshtin e vet si biluri…
Kam njohë në jetë Burra të vertetë në Shkoder, por nder moshatarët e mij, jo, per zakon se sot duhen thanë këto fjalë, po Shokët e Mentor Qukut, i vijnë rrallë Shkodres dhe gjithë Shqipnisë! E me plot gojë mund të them se Ajo Familje, 60 vjetë perpara kishte tri lule: Lalin, Mentorin e Lilin… Një nder’ i vertetë i Trojeve tona.
Provoi persekutimin e “heshtun”, tue iu privue e drejta me shkue në shkollen e mesme të gjimnazit bashkë me motrat, po gjithmonë kryenaltë se i perkiste asaj “klasë” që nuk pranonte privilegje me turp e faqe të zezë, gja të cilën, Qukët e kanë pague mjaft shtrenjtë nga persekucioni i pashpirtë komunist 47 vjeçar. Provuen burgjet, transferimet nder skajet ma të vështira të vendit, trajtimin antinjerzor komunist, po gjithmonë, dhe pa ma të voglen frikë krenarë dhe dashamirës ndaj shoqnisë së cilës, ua shperblyen me Besë dhe dashamirsi vuejtjen deri në vetflijim, po kurrë, me i sjellë një të keqe sado të vogël shokut dhe mikut nder të gjitha rrethanat e vështira të jetës. Ky ishte edhe Mentori!
Në vitin 1996 e takova rasësisht në rrugë tek Muzeu Popullor… Si gjithnjë, më foli dhe më tregoi se ishte angazhue per me krijue “Të Djathtën e Bashkueme Shkodrane”… Atyperaty…nuk isha optimist! Po, mbas një takimi me një grup qytetarësh tek shkolla Pyjore, ndryshova mendim dhe mora pjesë me qejfë në atë fushatë zgjedhjesh edhe pse asnjëherë nuk jam angazhue me parti politike, madje, ishte pikrisht Mentori dhe Nik Pavaci, që më propozuen si deputet perfaqsues i të Persekutuemëve Politik të Shkodres. Nuk u realizue kjo dëshirë e tyne, se ministria e mbrendshme më dha tri ditë ma vonë, dokumentin e pastertisë së figurës, atëherë, kur Prefekti i Shkodres z. Iljaz Vrioni, më tha: “Je i vonuar, se dje avioni u nis…”, dhe, unë iu pergjegja po me fjalët e tij, në një artikull në gazeten “Shkodra”… Megjithate, në saje të Mentor Qukut, Nikolin Pavacit, Nikolin Destanishtës, Ndrekë Bazhdarit etj., fitoria e së Djathtës së Bashkueme u arrijtë.
Ajo Fitore e Popullit të Shkodres ishte meritë kryesisht e Mentor Qukut, prandej edhe pothuej “askush” nuk e bani zemren gurë me ba një analizë objektive të saj, sepse Aty, ishte Ideali i Popullit të Shkodres, i Bashkuem si asnjëherë rreth një dashunisë Vllaznore, me të cilen, Ai do ti tregonte mbarë Shqipnisë, se vetem kështu ndertohet Demokracia! Asnjë prej Atyne Burrave që e organizuen dhe e arrijtën Fitoren e së Djathtës së Bashkueme Shkodrane, nuk u angazhuen nder poste shtetnore, dhe kjo ishte dëshmija e ndershmënisë së Tyne, gja që vertetonte një nga cilësitë e Tyne të Mëdha Shpirtnore: “Shkodra Antikomuniste asht e Bashkueme!”
Po, a u mjaftue me kaq “drejtori” i Muzeut Shkodres Prof. Mentor Quku?
Nuk besoj se ka njeri që mund të mohojë vleren e madhe të punës së palodhun të Mentorit, që në fillimet e para të luftës per Demokraci të Vertetë, e Ajo fillon atëherë kur qendra e Muzeut u kthye në Vater Pritje të Burrave të Nderuem Shqiptarë si: Profesorët e Pavdekshem Arshi Pipa, Gjon Sinishta, Zonja Camaj, Abaz Ermenji e madje, edhe nga personalitete të mëdha të Besimeve Fetare apo të kulturës Europjane…Pa zanë me gojë botimet dhe kumtesat e organizueme per Krenarinë e Shkodres Martire.

Këta Burra ishin frymzimi i Mentor Qukut…
Kjo veprimtari e Mentor Qukut e kishte domethanjen e vet!
Brumosja Shpirtnore dhe qytetare e Tij, në gjurmët e Kolosëve të Mëdhej si At Gjergj Fishta, Don Ndre Mjedja apo Luigj Gurakuqi, e thërrisnin dhe, pikrisht ishte Mentor Quku, që U asht pergjegjë me jeten dhe Veprat e veta, që me plot gojë Sot, mund të mbishkruhen mbi aktivitetin e Tij Atdhetar: “Idealist deri në vdekje per një Shkoder Antikomuniste të Bashkueme!”
Nuk e dojshe sot një lajm si ky per moshatarin tim Mentor Quku, edhe pse jam i sigurt se Ai asht pranë me Ata Burra! Jeta e njerzëve të Nderuem si Mentor Quku nuk mbyllet asnjëherë, se Veprat e Tij janë të Pavdekshme, janë udhë e sigurtë Vllaznimi dhe Bashkimi ashtusi, gjithmonë, Shkodra i ka lindë dy herë Ata: Si Kreatyra Njerzore dhe si Atdhetarë të Perkushtuem në rrugen Heroike të “Rozafës”…
***
Para pak kohe, pa dijtë se ishte tue u mjekue në Itali, i drejtova një pyetje per një nga personazhet e historisë sonë, fushë në të cilen kemi komunikue gjithnjë, dhe ashtu U përgjegjë, tue e mbyllë: “…Vllaznisht, Mentori.”
Një ditë do ta publikoj mendimin Tuej, i dashtun shok i vjeter, mik dhe Vlla, siç më ke konsiderue gjithmonë deri pak ditë perpara!…
Jam shumë larg i dashtun Mentor Quku, me dashtë me kenë këta çaste atje…
I therun thellë në zemer nga dhimbja per Ty, çova mendjen tek At Fishta, dhe mu kujtuen vargjet e Tija:
… “Dal në dritsore me kundrue shatorren,
Qi i Lumi t’ kthielltë ia vuni rruzullimit,
E kqyri hyjt, qi thue, se njaq sy Zotit
Flakojn mbi dhé –…
– e atë botë mendoj per ty.
E, ku t’ a shoh ma t’ flakshem tue xhixhillue
Nji hyll, aty selin un tham me vedi,
Ti do t’ a késh, e syt m’ atë hyll pa da
I nguli, e m’ bahet si me t’ pa. Me emen
Un t’ thrras atë botë n’ per terr. Nji vaj bylbylit,
Qi permallshem nder gemba rrin tue kja
Fatin e vet, a ndoshta, zojt e dashtun,
Jehonë m’i bahet t’ grishunit; e m’ duket
Se bisedoj me ty!… Nuk dekka i miri,
Jo kurr…”
“Nji lule vjeshtet” At Gjergj Fishta, Lirika.

Melbourne, 2 Qershor 2014.

LAMTUMIRË AMERIKË

nga Zeqir Lushaj
Zeqir Lushaj:
-Edhe nje liber po ta shkruaj per ju e di se me mbeten shume gjera pa thene. E di se kerkund ne bote nuk jetoj me lehte e me mire se ketu ku jam tash 17 vjet, pra në Cliffside Park te NJ, dhe mes juash vellezer e motra por duke u kthye ne At’Dhe, jo vetem se realizoj nje enderr por mbaj edhe nje premtim. Une dhe Sabrieja nuk vendosem te kthehemi, por kemi qene te vendosur dhe kemi punuar per nje dite të tillë …

LAMTUMIRË AMERIKË
-Amanet, vëllazen t’mergimit,
Ta këndojmë bashk kangën e kthimit…-

Traktati i Shën-Stefanit dhe Traktati i Berlinit

Traktati i Shen StefaniTraktati i Shën-Stefanit 3 mars 1878

 

Traktati i Shën-Stefanit i shkëpuste Perandorisë Osmane rreth 80 % të zotërimeve të saj në Gadishullin Ballkanik. Me shpresë se do të shmangte kundërshtimin e fuqive të tjera të mëdha, Rusia nuk mori për vete asgjë nga këto territore. Ajo u kufizua vetëm duke i shkëputur Rumanisë, të cilën e kishte aleate në luftën që fitoi, krahinën e Besarabisë në veri të lumit Pruth dhe duke aneksuar disa krahina që zotëronte Perandoria Osmane, në jug të Kaukazit (Kars, Ardahan, Bajazid e Batum).

 

Synimet e saj hegjemoniste në Evropën Juglindore mbretëria e Rusisë do t’i siguronte kryesisht nëpërmjet Bullgarisë së madhe autonome që u krijua me Traktatin e Shën-Stefanit. Një muaj pas armëpushimit të Edrenesë u nënshkrua në Shën-Stefan, më 3 mars 1878, Traktati i Paqes ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane.

Bullgaria do të ishte një principatë autonome me qeverinë e saj, tributare ndaj sulltanit. Formimi i saj ishte në vetvete një hap pozitiv, pasi e çlironte popullin bullgar nga zgjedha shekullore osmane. Por, Rusia krijoi një Bullgari të madhe, të cilën ajo do ta kishte si një satelit të saj me qëllim që të vendoste nëpërmjet saj zotërimin e vet në Gadishullin Ballkanik. Në kufijtë e saj do të përfshihej shumica dërrmuese e tokave që i shkëputeshin Perandorisë Osmane. Kjo do të shtrihej në lindje deri në Detin e Zi, në jug deri në detin Egje, në veri deri në Danub dhe në perëndim deri në malet e Voskopojës. Sado që Bullgaria e madhe do të mbetej nën sovranitetin e sulltanit turk, Porta e Lartë nuk do të kishte të drejtë të vendoste brenda kufijve të saj asnjë garnizon ushtarak osman.

Pjesa tjetër e territoreve perandorake do t’i jepej Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi, që ktheheshin nga principata autonome në shtete të pavarura. Greqia nuk përfitonte asgjë. Ajo do të mbetej ashtu siç ishte, një shtet i pavarur brenda kufijve të saj të paraluftës.

Traktati i Shën-Stefanit nuk e zinte fare në gojë Shqipërinë, e cila për Rusinë nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike. Sipas Traktatit të Shën-Stefanit, gati gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave ballkanike. Bullgaria do të merrte, përveç të tjerave, krahinat shqiptare të Korçës, të Bilishtit, të Pogradecit, të Strugës, të Dibrës, të Kërçovës, të Gostivarit, të Tetovës, të Shkupit, të Kaçanikut etj.

Serbia, e cila do të shtrihej kryesisht drejt jugperëndimit, do të aneksonte edhe viset veriore e verilindore të Kosovës, deri në afërsi të Mitrovicës.

Mali i Zi, sipërfaqja e të cilit do të rritej më tepër se tri herë, do të përfshinte brenda kufijve të tij gjithashtu një varg krahinash shqiptare, si atë të Ulqinit, të Krajës, të Anamalit, të Hotit, të Grudës, të Tuzit, të Kelmendit, të Plavës, të Gucisë dhe të Rugovës. Pjesa tjetër e Shqipërisë do të mbetej nën sundimin e Perandorisë Osmane. Si rrjedhim, me Traktatin e Shën-Stefanit trojet shqiptare do të copëtoheshin ndërmjet katër shteteve të huaja. Perandoria Ruse e gjymtonte kështu rëndë tërësinë tokësore të Shqipërisë dhe e vështirësonte në kulm luftën e popullit shqiptar për krijimin e shtetit kombëtar.

Zemërimin e thellë që shkaktoi në Shqipëri Traktati i Shën-Stefanit e rriti më tej terrori i ushtrive serbo-malazeze mbi shqiptarët e viseve të pushtuara prej tyre dhe shpërngulja me dhunë nga këto krahina e dhjetëra mijë familjeve shqiptare, të cilat vërshuan si muhaxhirë në krahinat e papushtuara nga ushtritë ballkanike. Vetëm në vilajetin e Kosovës endeshin rreth 100 mijë burra, gra e fëmijë, të shpërngulur nga zona e pushtimit serb. Gati 38 mijë veta të dëbuar nga ushtritë ruse e bullgare qenë shpërndarë, sipas konsullit anglez Blunt, në viset e vilajetit të Manastirit. Sipas të dhënave të konsullit austro-hungarez Lipih (Lipich), mbi 26 mijë shqiptarë, të dëbuar nga zona e pushtimit malazez, ishin vendosur në vilajetin e Shkodrës. Por numri i shqiptarëve të shpërngulur ishte më i madh, po të kemi parasysh se jo pak prej tyre mërguan në vilajetet e Selanikut, të Stambollit, të Izmirit, të Adanasë e të Sirisë.

Zemërimi kundër Traktatit të Shën-Stefanit përfshiu të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare, që nga fshatarët e zejtarët e deri te qarqet çifligare e tregtare. Ky zemërim i shqiptarëve nuk drejtohej vetëm kundër Perandorisë Ruse dhe aleatëve të saj ballkanikë, por edhe kundër Perandorisë Osmane, e cila kishte nënshkruar një akt të tillë, që e dënonte me vdekje atdheun e tyre. Fakti se asnjë nga fuqitë e tjera të mëdha nuk e ngriti zërin për të drejtat kombëtare të Shqipërisë, i bindi përfundimisht shqiptarët se ata tashmë ishin krejtësisht vetëm.

Gjendja e re që u krijua nga vendimet e Shën-Stefanit dhe nga ngjarjet që rrodhën më pas, në mars-prill 1878, kur u duk qartë se Fuqitë e Mëdha perëndimore ishin të vendosura të mbronin me çdo kusht sundimin e Perandorisë Osmane në Ballkan dhe si rrjedhim nuk ishin të prirura të merrnin parasysh të drejtat kombëtare të shqiptarëve, Komiteti Qendror i Stambollit arriti në përfundimin se si kryengritja e armatosur kundërosmane, ashtu edhe kërkesa për pavarësinë e Shqipërisë nuk mund të qëndronin më si pika kryesore të programit të tij politik. Tani që copëtimi i trojeve shqiptare filloi të vihej në jetë dhe doli në plan të parë detyra e mbrojtjes së tërësisë tokësore të Shqipërisë, kryengritja e armatosur kundër Perandorisë Osmane jo vetëm që nuk e zgjidhte çështjen shqiptare, por e ndërlikonte edhe më keq atë e fatin e atdheut. Në rrethana të tilla ndërkombëtare, Komiteti Shqiptar i Stambollit adaptoi, për aq kohë sa do të vijonte kjo gjendje e ndërlikuar, një platformë të re politike, e cila kërkonte mobilizimin e mbarë vendit për plotësimin e dy detyrave kryesore: për të kundërshtuar me luftë të armatosur, në emër të kombësisë shqiptare, çdo vendim që do të merrnin Fuqitë e Mëdha, qoftë edhe me pëlqimin e Perandorisë Osmane, në dëm të tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe, në të njëjtën kohë, për të arritur bashkimin e të gjitha trojeve të atdheut në një vilajet të vetëm shqiptar, të pajisur me disa të drejta autonomiste, që mund të realizoheshin pa hyrë në konflikt me Portën e Lartë.

Përmbushja e këtyre objektivave bënte të nevojshëm formimin e një fronti të vetëm politik mbarëshqiptar dhe pranimin nga ana e këtij fronti të platformës politike të përpunuar nga Komiteti Kombëtar i Stambollit.

Për krijimin e frontit të bashkuar politik, që do të kishte formën e një lidhjeje kombëtare shqiptare, kishte tashmë në Shqipëri një truall deri diku të përgatitur edhe nga pikëpamja organizative. Qysh në dhjetor të vitit 1877, në krahinat periferike të Shqipërisë, kur ato filluan të kërcënoheshin nga pushtimi serb e malazez, ishin organizuar besëlidhje shqiptare krahinore ose, siç quheshin në disa vise, komisione lokale të vetëmbrojtjes, të cilat u përpoqën të mobilizonin shqiptarët për të hyrë në veprim sapo të lëshohej kushtrimi. Traktati i Shën-Stefanit i dha një nxitje të fuqishme krijimit të besëlidhjeve të reja. Por me evolucionin ekonomik, shoqëror, politik e kulturor që kishte pësuar Shqipëria, gjatë dekadave të fundit, ndryshe nga periudhat e mëparshme, ndërgjegjja e bashkësisë krahinore ishte tejkaluar tanimë te shqiptarët. Çdo krahinë kishte filluar ta ndiente veten si gjymtyrë e një trupi të vetëm, si pjesë e një atdheu të përbashkët. Ky evolucion në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve ishte një faktor i favorshëm për veprimtarinë e Komitetit Kombëtar të Stambollit, të cilit tani i takonte detyra t’i bashkonte besëlidhjet krahinore në një trup të vetëm organizativ dhe me një platformë të vetme politike.

Derisa të shkriheshin në një organizatë kombëtare, përballë besëlidhjeve krahinore qëndronin tri detyra themelore: të mobilizonin shtresat e gjera popullore në lëvizjen e madhe të protestës kundër vendimeve të padrejta të Traktatit të Shën-Stefanit; të përgatiteshin ushtarakisht për të kundërshtuar me armë copëtimin e trojeve shqiptare, në rast se vendimet e Traktatit do të mbeteshin në fuqi; të kujdeseshin për të ndihmuar dhe për të sistemuar rreth 150 mijë muhaxhirët shqiptarë, të grumbulluar në vilajetet e Kosovës, të Shkodrës e të Manastirit, të cilët kishin mbetur pa bukë e pa strehë.

Ndërkaq, në prill të vitit 1878, opinioni publik shqiptar u informua nga shtypi ndërkombëtar për kundërshtimin që kishte gjetur Traktati i Shën-Stefanit në fuqitë e tjera të mëdha. Në të vërtetë, kundërshtimin më të rreptë ai e pati nga Anglia dhe nga Austro-Hungaria, të cilat u shqetësuan së tepërmi nga rritja e shpejtë e ndikimit të Rusisë në Gadishullin Ballkanik nëpërmjet Bullgarisë së Madhe. Për këtë arsye, me këmbënguljen e tyre, u vendos që kushtet e përcaktuara në Traktatin e Shën-Stefanit të rishikoheshin nga një kongres i posaçëm i Fuqive të Mëdha, i cili, sipas vendimit që u mor më vonë, do të mblidhej në Berlin më 13 qershor 1878.

Shqiptarët ishin të bindur se Fuqitë e Mëdha, ndonëse e kundërshtuan Traktatin e Shën-Stefanit, përsëri nuk ishin të prirura që t’i merrnin parasysh interesat kombëtarë të Shqipërisë. Megjithatë, pezullimi i tij deri në thirrjen e kongresit të Berlinit u jepte në dorë patriotëve shqiptarë një kohë të çmueshme për ta organizuar më mirë qëndresën politike e ushtarake. Por, nga ana tjetër, leja që kishte kërkuar Komiteti i Stambollit për të formuar një lidhje shqiptare, ndeshi më në fund në kundërshtimin e Portës së Lartë. Në parim qeveria osmane nuk e shihte me sy të keq lëvizjen e protestës së popullsive të saj kundër Traktatit të Shën-Stefanit, por ajo nuk e pranonte në asnjë mënyrë që kjo lëvizje të zhvillohej e të organizohej ashtu siç e kuptonte Komiteti i Stambollit, si një lëvizje kombëtare shqiptare. Porta e Lartë kërkonte që shqiptarët të protestonin kundër Traktatit të Shën-Stefanit si nënshtetas myslimanë, që nuk donin të shkëputeshin nga Perandoria Osmane dhe nga sulltani i saj halif. Patriotët shqiptarë, të cilët nuk mund të pajtoheshin me këto kushte, vendosën që ta formonin lidhjen shqiptare duke u mbështetur në lëvizjen popullore dhe në besëlidhjet lokale.

 

Traktati i BerlinitTraktati i Berlinit  13 korrik 1878

Traktati i Berlinit (formalisht Traktati midis Austro-Hungarisë, Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Irlandës, Italisë, Rusisë dhe Perandorisë Osmane për Zgjidhjen e Çështjeve në Lindje) u nënshkrua më 13 korrik 1878.

 

Pas fitores ruse kundër Perandorisë Osmane në Luftën Ruso-Turke të 1877-1878, fuqitë e mëdha ristrukturuan hartën e rajonit të Ballkanit. Ata përmbysën disa nga përfitimet ekstreme të pretenduara nga Rusia në Traktatin paraprak të San Stefanit, por osmanët humbën zotërimet e tyre kryesore në Evropë. Ishte një nga tre marrëveshjet kryesore të paqes në periudhën pas Kongresit të Vjenës 1815. Ishte akti përfundimtar i Kongresit të Berlinit (13 qershor – 13 korrik 1878) dhe përfshinte Britaninë e Madhe dhe Irlandën, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Rusinë dhe Perandorinë Osmane. Kancelari i Gjermanisë Otto von Bismarck ishte kryetari dhe personaliteti dominues.

Detyra më e rëndësishme e Kongresit ishte të vendoste për fatin e Bullgarisë, por vetë Bullgaria u përjashtua nga pjesëmarrja në bisedime, me këmbënguljen ruse. Në atë kohë, duke qenë se nuk ishte një shtet sovran, Bullgaria nuk ishte subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe e njëjta gjë vlente edhe për vetë bullgarët. Përjashtimi ishte tashmë një fakt i vërtetuar në Konferencën e Fuqive të Mëdha të Kostandinopojës, e cila ishte mbajtur një vit më parë pa asnjë pjesëmarrje bullgare.

Rezultati më i dukshëm i konferencës ishte njohja zyrtare e shteteve të reja të pavarura të Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi (të cilat de facto kishin vepruar në mënyrë të pavarur për dekada).

 

Traktati i Paqes i Parisit i vitit 1856, i cili i dha fund Luftës së Krimesë, e kishte bërë Detin e Zi një territor neutral. Traktati që kishte mbrojtur Perandorinë Osmane, i dha fund Aleancës së Shenjtë (Austria, Prusia dhe Rusia) dhe dobësoi pozicionin e Rusisë në Evropë. Në vitin 1870, Rusia thirri doktrinën e rebus sic stantibus dhe e përfundoi traktatin duke shkelur dispozitat në lidhje me neutralitetin e Detit të Zi. Fuqitë e mëdha u bindën gjithnjë e më shumë se Perandoria Osmane nuk do të ishte në gjendje të mbante territoret e saj në Evropë.

Në vitin 1875, kryengritja e Hercegovinës rezultoi në Krizën e Madhe Lindore . Ndërsa konflikti në Ballkan u intensifikua, mizoritë gjatë Kryengritjes së Prillit 1876 në Bullgari ndezën ndjenjat antiturke në Rusi dhe Britani, të cilat përfundimisht kulmuan në Luftën Ruso-Turke të 1877-ës .

 

Traktati njohu zyrtarisht pavarësinë e principatave de facto sovrane të Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi dhe autonominë e Bullgarisë, megjithëse kjo e fundit funksiononte në mënyrë të pavarur dhe u nda në tre pjesë: Principata e Bullgarisë, provinca autonome e Rumelisë Lindore dhe Maqedonia, e cila iu kthye osmanëve,  duke zhbërë planet ruse për një “Bullgari të Madhe” të pavarur dhe rusofile. Traktati i Shën Stefanit kishte krijuar një shtet bullgar, të cilit i trembeshin më shumë Britania dhe Austro-Hungaria.

Traktati i Berlinit konfirmoi shumicën e përfitimeve ruse nga Perandoria Osmane të specifikuara në Traktatin e San Stefanit, por lugina e Alashkerdit dhe qyteti i Bajazidit iu kthyen osmanëve.  Traktati i Konstantinopojës (1879) ishte një vazhdim i mëtejshëm i negociatave. Ai ripohoi dispozitat e Traktatit të San Stefanit, të cilat nuk ishin modifikuar nga Traktati i Berlinit dhe përcaktoi shumat e kompensimit që Perandoria Osmane i detyrohej Rusisë për humbjet ndaj bizneseve dhe institucioneve gjatë luftës. Ai u dha amnisti nënshtetasve osmanë dhe lirimin e robërve të luftës. Përveç kësaj, neni VII i traktatit parashikonte që në territorin e përvetësuar nga Rusia, subjektet mund të zgjidhnin nëse dëshironin të ishin nënshtetas osmanë apo rusë për një periudhë prej gjashtë muajsh pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes.

Me gjithë lutjet e delegatëve rumunë, Rumania u detyrua t’ia dorëzonte Perandorisë Ruse Besarabinë jugore. Si kompensim, Rumania mori Dobrujën, duke përfshirë deltën e Danubit. Traktati gjithashtu kufizoi pushtimin rus të Bullgarisë në 9 muaj, gjë që kufizoi kohën gjatë së cilës trupat dhe furnizimet ruse mund të lëviznin nëpër territorin rumun.

Tre shtetet e reja të pavarura më pas e shpallën veten mbretëri: Rumania në 1881, Serbia në 1882 dhe Mali i Zi në 1910 ndërsa Bullgaria shpalli pavarësinë e plotë në 1908 pasi u bashkua me Rumelinë Lindore në vitin 1885. Austro-Hungaria aneksoi Bosnjën në vitin 1908, duke shkaktuar krizën e Bosnjës, një krizë e madhe evropiane që përforcoi aleancat para Luftës së Parë Botërore.

Traktati i Berlinit u dha status të veçantë juridik disa grupeve fetare dhe gjithashtu do të shërbente si model për traktatet e pakicave, të cilat do të krijoheshin në kuadër të Lidhjes së Kombeve. Ai përcaktoi që Rumania të njohë jo të krishterët (hebrenjtë dhe muslimanët) si qytetarë të plotë. Ai gjithashtu kërkoi në mënyrë të paqartë një korrigjim kufiri midis Greqisë dhe Perandorisë Osmane, i cili ndodhi pas negociatave të stërzgjatura në 1881, me transferimin e Thesalisë në Greqi.

Në “Rrethoren e Salisburit” të 1 prillit, Sekretari i Jashtëm britanik, Markezi i Salisbury-t, bëri të qartë kundërshtimet e tij dhe të qeverisë së tij ndaj Traktatit të San Stefanos dhe pozicionit të tij të favorshëm të Rusisë. Historiani A.J.P. Taylor shkruan: “Nëse traktati i San Stefanos do të ishte ruajtur, si Perandoria Osmane ashtu edhe Austro-Hungaria mund të kishin mbijetuar deri në ditët e sotme. Britanikët, me përjashtim të Beaconsfield në momentet e tij më të egra, kishin pritur më pak dhe, për rrjedhojë, ishin më pak të zhgënjyer. Salisbury shkroi në fund të vitit 1878: “Ne do të krijojmë një lloj sundimi të rrënuar turk përsëri në jug të Ballkanit. Por është thjesht një pushim. Nuk ka mbetur gjallëri në to. Traktati gjithashtu u bën thirrje palëve të përfshira të sulmojnë kombin që shkel traktatin.'”

Vilajeti i Kosovës mbeti pjesë e Perandorisë Osmane. Austro-Hungarisë iu lejua të vendosë garnizone ushtarake në Vilajetin Osman të Bosnjës dhe në Sanxhakun e Novi Pazarit. Vilajeti i Bosnjës u vu nën pushtimin austro-hungarez, megjithëse formalisht mbeti pjesë e Perandorisë Osmane derisa u aneksua nga Austro-Hungaria tridhjetë vjet më vonë, më 5 tetor 1908. Garnizonet austro-hungareze në Sanxhakun e Novi Pazarit u tërhoqën në vitin 1908, pas aneksimit të Vilajetit të Bosnjës dhe Krizës së Bosnjës që rezultoi, për të arritur një kompromis me Perandorinë Osmane, e cila po luftonte me grindje të brendshme për shkak të Revolucioni xhonturk (1908). Situata kaotike në Perandorinë Osmane gjithashtu i lejoi Bullgarisë të shpallte zyrtarisht pavarësinë e saj më 5 tetor 1908.

MASAKRA ME KNAQË SHPIRTIN E TYNE…

Nga Fritz RADOVANI:

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë… Vështirë me u besue këto, e vështirë me u besue çka po u shkon mendja “disave”!
Me datën 6 nandor 1946, në pragun e arrestimit të Françeskanëve të Shkodrës, arrestohet edhe Imzot Jul Bonatti, në Vlonë, pra, pak muej mbas kthimit të Tij nga Italia.
Hapët dosja nr. 3616… “…Në vitin 1945, jemi mbledhë në Romë, dhe aty na foli Papa Piu XII. Prej aty më kanë sjellë me aeroplan për në Shqipni, anglezët.”
Imz. Bonatti deklaron në hetuesinë e Vlonës dhe asht fat i madh se, në disa fletë që ruhen në shpjegimet biografike janë detaje që me siguri nuk do të ishin dijtë kurrë, p.sh.: “Në Stamboll, kam shërbye në Kishën e Sant Ospit. Atje më donin dhe më respektonin shumë.” Tregon me shka asht marrë edhe në vitet e fundit në Itali.
Një opinjon që vazhdoi mbi 47 vjet në hetuesitë e sigurimit shqiptar:
“… përsonat që vajnë tek ky (Bonatti) janë Katolikë, dhe sigurisht qëllimi i vajtjës së tyre ka karakter politik.” (dt. 10 qershor 1946).
Prokurori Beqir Isufi shënon po aty: “Prifti spijun i djallzuar…”
Namik Cakrani shënon: “… Është i pa korrigjuar, t’i epët dënim i rëndë.”
Trupi Gjykues i përbamë prej Kryetar Myftar Grabocka, antarë Taqo Jaho dhe Thoma Laro, prokuror kapiten Kristo Mushi, përveç deklaratave të sipërme, akuzon Imzot Prof. Jul Bonattin: “… agjent i Vatikanit, spijun i dërguar për qëllime armiqësore, ka bashkëpunuar me armiqë të popullit si: Prefektin e Vlorës Lele Koçin, Rrok Nallbanin (kuestor), dhe armikun e regjur Vishdan Risilia. Ka punuar në favor të Vatikanit i porositur nga Imzot Vinçenc Prennushi…”
Me datën 27 tetor 1947, jepet vëndimi: “7 vjet burg, me heqje lirie.”
Edhe pse Imzot Bonatti nuk pranon asnjë nga akuzat për një vit rresht në hetuesi, vëndimi u shqyrtue në Gjykatën e Naltë të Tiranës, e përbame nga: Kryetar, Niko Çeta, antarë Veladin Zejneli dhe Nexhat Hysejni, prokuror Nevzat Hasnedari dhe vëndosi: “Dënohet me 5 vjet heqje lirie…”.
A thue këtu mori fund gjyqi i Imzot Bonattit?
Sigurimi komunist ishte ma i djallzuem se na shkon mendja né.
Ai shpesh ndryshonte metodën, por kurrë rrugën e zgjedhun të krimit nga e cila nuk mund të shkëputej asnjë çast atëherë,.. dhe sot.
***
Pak kohë mbasi u dënue Imzot Bonatti dërgohet në spitalin psikiatrik të Durrësit, gjoja për mjekim. Kur ishte aty shkoi me u takue mbesa i Tij me té. Njëditë Ai i kishte tregue: “Kam provue tortura të pandigjueme e të palexueme. Masakra me knaqë shpirtin e tyne pa asnjë arsye…”.
Vazhdoi për disa muej ajo rrugë e mnershme për Profesorin e shkretë… Zotnues i disa gjuhve të hueja, i lauruem në letërsi, i palodhun në punë shkencore, përkthyesi i njohun i “Lahutës së Malcisë”, meshtar i devoçëm dhe i përvujtë ma shumë se duhej, sillet në Shqipni…. dhe çohet në manikomjo…
Fantazia e kriminelit asht e pafund….
Imzot Prof. JUL BONATTI, njëditë thanë se ndrroi jetë!
“Ndrroi jetë…”, një fjalë goje!
U gjet në një dhomë copa copa, i shkyem nga të sëmurët e “pavetëdijshëm”!!
Kush ishin këta të sëmurë? A me të vërtetë mendoni se ishin të sëmurët e “pavetëdijshëm” që e mbytën Bonattin? -Jo, jo! E, prap po përsëris, jo! -Ishin të sëmurët e “vetëdijshëm” që patologjikisht ushqehëshin me mish e gjak njeriu, dhe mundësisht Atdhetarë, ishin po, kriminelët e pashoq që nuk ngopeshin me një dru mbas koke para se t’i pushkatonin viktimat, ishin Hasnedarët e Themelët, ishin Kapisyzët e Dul Rrjollët, ishin e… ishin Aranit Çelat me Kadri Hazbitë, Shehët e Hoxhët që kishin gjetë një Haxhi (Qamil) Lleshi, i mëshefun mbas fustanit Nexhmije Hoxhës, kobres së zezë të fundit të Shekullit XX, me mbytë e me vra me vulën e “popullit”, tue pi gjakun e tij.
***
A thue pasojë e sllavokomunizmit ishte kjo, apo dishka ma shumë..?!
Imz. Jul Bonatti deklaron: “Qëllimi i jonë si fetare asht të bashkojmë popujt, dhe t’i vllaznojmë në çdo anë të botës!” Kjo thanje e Profesorit më ka terhjekë vemendjen që atëherë kur e kam lexue. Kam shkrue dhe mendoj mos me u ndalue këtu!
Imz. Prof. Jul Bonatti ishte Klerik Katolik Shkodranë, teolog, filozof, studjues dhe perkthyes i njohun i letersisë dhe gjuhës shqipe, një humanist i persosun, poliglot dhe mbi të gjitha një Klerik me pikpamje europjane, në vizionin e të cilit qendronte një nga perpjekjet e vazhdueshme të Atdhetarëve tanë: Unifikimi i Kishave Shqiptare!
Përgatitja e Tij n’ Austri, Itali, dhe sherbimi në Stamboll mbi 16 vjet, në Durrës, Vlonë, Siçili, dhe njohja atje e Kishave Unite Shqiptare prej Tij, duhet të bahet piknisje per një studim të plotë të perpjekjeve të dy palëve; katolikë dhe ortodoksë per unifikim.
E ky unifikim nenkupton Unitetin e Trojeve të Shtetit Shqiptar!
Një veper e tillë Atdhetare, ishte fillue me kohë nga Imz. Kristofor Kissi.
Kjo etapë e re fillon me kohë, madje vite perpara At Shtjefen Gjeçovi kur ishte në Vlonë, flet per perpjekje të dy kishave per Bashkim, dhe kam parasyshë edhe vlersimet.
Nga studjuesi z. Nelson Qiriaku, kam mujtë me u sigurue per fillimet e Kishës Ortodokse Autoçefale Shqiptare KOASH, e cila me disa nga drejtuesit e saj të nderuem filloi marrveshjet per unifikim dhe bashkpunim me Kishen Katolike Shqiptare, që në vitin 1920. Menjëherë mbas shpalljes së Pavarsisë në 1912 shihen dokumentat. Perpjekjet e Hirsisë së Visarion Xhuvanit, Kristofor Kissit, Irene Banushit, etj., dhe lidhjet e Tyne me Famullitarët e Vlonës, Durrësit dhe së fundi të Tiranës, dhe janë një prej episodeve ma të lavdishme të mardhanjeve mes Kishave tona Shqiptare.
Porsa Kisha Ortodokse Autoçefale Shqiptare filloi shkëputjen e saj nga kishat sllave e greke në vitin 1920, Kryepeshkopët e saj të nderuem u zgjodhën Shqiptarë që në Kongresin e Beratit (1922), vendosën KOASH, dhe perdorimin e gjuhës Shqipe.
Patriarku i Konstantinopojës emnoi në Shqipni Hierotheos A. Jahon (Peshkop i Miletupolisit) si zevendsin e tij të plotfuqishem, i cili, i shoqnuem nga Imz. Kristofor Kissi, Peshkop i Sinadonit, mërriti në Korçë në vjeshten e vitit 1923, dhe shuguruen Fan Nolin, me 21 Nandor 1923, në katedralen e Shen Gjergjit.
Hierotheosi emeroi Imz. Kristofor Kissin, Peshkop të dioqezës së Beratit, e cila permblidhte edhe Vlonen; Fan Noli në 1924 u largue nga Shqipnia. Në nandor 1927 vizitoi Rusinë stalinjane, pra Bashkimin Sovjetik, si delegat i Ballkanit në Kongresin ‘Miqtë e Bashkimit Sovjetik’ me rastin e dhjetëvjetorit të Revolucionit të Tetorit…
Po, nuk mungoi me i ba urimet edhe Enver Hoxhës në Janar 1946, per “varësinë e Republikës Demokratike Shqiptare nga Jugosllavia komuniste e Titos”…
Ishte koha kur Peshkopët e KOASH Visarion Xhuvani, Kristofor Kissi, Irene Banushi(u burgos në 1947), Kozma Qirio, At Dhimiter Leka (u pushkatue në nandor 1944), At Gjergj Suli(u pushkatue me 14 Janar 1947), At Llazar Popi (vdes në burgun e Tiranës, me 11 Dhjetor 1972), vetem pse vazhduen me punue per unifikimin e Kishave Shqiptare, njëherit me persekucionin e Tyne të vazhdueshem kryesisht mbas 1944.
Me këte “Bashkim Kishash”, nuk ishte i knaqun as Ahmet Zogu, as Musolini, dhe në gjurmët e tyne eci edhe Enver Hoxha, derisa shkatrroi këte Bashkim dhe Fenë!
Kryepeshkopi metropolit Kristofor Kissi drejtoi KOASH derisa dha doreheqjen me 1949. Ai jetoi në pension pak kohë në manastirin e Ardenicës e me vonë në manastirin e Shën Prokopit afer Tiranës. Thohej se vdiq nga hemoragjia cerebrale (po, ma shumë mendohet se aty u helmuem nga Sigurimi komunist) me 16 qershor 1958.
Patrikana e Konstantinopojës e njohu Kishen e Shqipnisë si autoqefale vetem nga autoriteti i Imz. Kristofor Kissit. Ai ishte personi ma i respektuem per të gjitha palët e interesueme, per patrikanën e Konstantinopojës, per Popullin Shqiptar, per Klerin Ortodoks dhe lidhjet e KOASH me Kishen Katolike Shqiptare. Ndersa, Martiri At Josif Papamihali… asht mbulue me baltë i gjallë në kampin e shfarosjes, në këneten e Maliqit të Korçës, me 26 Tetor 1948 vetem, per lidhjet fetare me Klerin Katolik Shqiptar.
Kjo ishte Kisha e vertetë Ortodokse KOASH, per të cilen ruej respekt edhe sot!
Ishte pikrisht koha kur në Shkoder Hafiz Derguti torturohej në 1947, dhe po i tregonte një bashkvuejtësi: “Më kërkojnë dëshmi për priftën, kërkojnë me na përça e nesër me thanë, se u pushkatuen priftnit me dëshmitë e rreme të hoxhallarëve. I kam thanë, bani shka të dueni se këtë punë nuk e baj kurrë pasha Allahun!”
Cili kje qendrimi Europjan i Hafiz Ibrahim Dalliut në gjyqin e Tij në 1946 ?
Kush mundet me mohue veprat e Hafiz Ali Tarit, ndaj Klerit Katolik në Burrel ?
Ndersa, vrasjet e masakrat e sllavokomunistëve ndaj Bektashijve vazhdonin me korrë koka njerzish, vetem per qendresen e Tyne në perkrahje të katolikëve Shqiptarë.
Ashtusi mbyten At Papamihalin, ashtu shkyene dhe Imz. Jul Bonattin…
Historia pa të vertata e saja, nga Populli Shqiptar quhet “rrenë”!
***
Komunistët shovenistë sllavobolshevikë, ashtusi paraardhësit e tyne anadollakë, gjithnjë, kudo ku kanë sundue kanë perdorë metoden “Perçaj e sundo!”, jo “pa rezultat”.
Në Sheshin Skenderbe, Papa Gjon Pali II, me 25 Prill 1993 tha: “Drama e Juej, Shqiptarë të dashtun, zgjon interesin e mbarë Kontinentit Europjan dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’ ju harrojë…
Por me një kusht, që të mbetët përgjithmonë në kujtesën tonë, ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikthye tek të njejtat gabime të përlotuna dhe asht shtegu ma i mirë për një proces pajtimi të vërtetë.”
Pajtimi i vertetë arrihet vetem me hapjen e dosjeve…Dënimi i diktatorëve që kanë ushtrue Gjenocid kunder Klerit Katolik dhe Atdhetarëve Shqiptar asht detyrë!
Shqiptarët duhet gjithnjë ti bajnë vetes një pyetje:
Deri kur do të vazhdojë me u mashtrue Populli Shqiptar?!
Melbourne, 2014.

Një ditë për familjen shqiptare

Nga Entela Binjaku

Shoqëria shqiptare prej dy dekadash ka hyrë në një hulli ndryshimesh të shoqëruara edhe me një kalvar të pasosur vështirësish. Vështirësi të reja, vështirësi të vjetra…Në tërësinë e këtyre ndryshimeve u përfshi edhe familja, Në këto dy dekada familja shqiptare është zvogëluar, i ngian më shumë familjes së tipit bërthamë; gjatë kësaj periudhe janë rritur familjet njëprindërore, shoqëria ka treguar një lloj tolerance ndaj bashkëjetesës, ka më shumë çifte që jetojnë një kohë të gjatë pa lindur fëmijë etj.

Nisur nga vlerat universale të familjes Organizata e Kombeve të Bashkuara ka caktuar për të një ditë të posaçme: 15 Majin. Që nga viti 1993 kjo datë njihet si “Dita Ndërkombëtare e Familjes”, një ditë ndërgjegjësimi për rëndësinë, problemet e saj por dhe për angazhimin politik të shteteve anëtare ndaj cështjeve që lidhen me këtë institucion të rëndësishëm.

Vitet e fundit kjo datë ka hyrë edhe në fjalorin e shoqërisë shqiptare, duke treguar nga njëra solidarizimin me shumë shoqëri në botë (kryesisht falë angazhimit në organizmat ndërkombëtarë), si dhe duke shprehur nga ana tjetër bindjen se familja duhet të jetë në qendër të vëmendjes së shoqërisë. Kjo datë maji mund të shërbejë edhe për të shprehur nderimin ndaj familjeve shqiptare që përballojnë vështirësi të panumërta për të mbetur njësi e fortë dhe e bashkuar.

Familja përkufizohet si ai “grup individësh i lidhur nga gjaku ose nga martesa, që jetojnë bashkë,, që bashkëpunojnë ekonomikisht dhe ndajnë përgjegjësitë për të rritur fëmijët e përbashkët”. Wshtë ai institucion shoqëror që ndërthur një tërësi rolesh ku marrëdhëniet mes anëtarëve janë më intime, më intensive dhe më të ngrohta.

Pavarësisht ndryshimeve sfidat për familjen nuk kanë munguar, as “në atë kohë”, as “në këtë kohë”.

E kërcënuar nga faktorët tradicionalë, si vdekja, sëmundjet, familja shqiptare sot është edhe nën presionin e faktorëvë të panjohur që shoqëruan ndryshimet.

Shpesh herë ajo është gjendur njëherazi nën ndikimin e këtyre faktorwve tradicionalë e “bashkëkohorë”, duke qenë e vetme, e pambështetur dhe e papërkrahur nga shteti dhe shoqëria

Duke qenë se 15 Maji synon ndërgjegjësimin po sjell në vëmendje historinë e një familjeje në kryeqyet e cila sfidën e saj të madhe e ka me autizmin, crregullim për të cilin vitet e fundit po dëgjojmë më shpesh.

Për çrregullimet e spektrit autik në Shqipëri ka nisur të flitet relativisht vonë edhe pse njerëz që vuajnë nga crregullimet kësaj natyre kanë jetuar përherë mes nesh.

Zakonisht për ta thuhej “se ishin të vonuar”. Herë nga padija, herë nga mosnjohja, herë nga stereotipizimi, herë nga turpi, për këtë lloj çrregullimi tek ne nuk është folur shumë. Edhe pse fillesat e trajtimit te institucionalizuar për fëmijët më aftësi të kufizuara kanë nisur në vitet ’60, sërish ato parashikonin rastet të kufizuara trajtimesh por që nuk flisnin për autizmin. Ose ndoshta flitej fare pak.

Kur pjestari i një familjeje vuan nga ky çrregullim ndryshon jeta e të gjithë familjes. Atë e prêt një sfidë e madhe dhe e mundimshme që varion që nga mospranimi i deklaruar deri tek pranimi i heshtur. Jeta e një individi që vuan këtë çrregullim, mundon dhe çrregullon edhe jetën e prindërve që kujdesen për të, i jep një orientim të ri raportit martesor, i cili vendoset përballë një vështirësie të madhe. Zakonisht një nga pjestarët nuk punon; në shumicën e rasteve është nëna.

Familja e Dritanit është një e tillë. Ajo jeton në një nga lagjet e vjetra të kryeqytetit. Dritani sot është 30 vjeç, jeton me dy prindër të moshuar dhe aktualisht përfiton një pension prej 9000 lekësh në muaj.

Vite më parë kjo shumë ka qenë edhe më vogël se kaq, pra gjithmonë e pamjaftueshme për shpenzimet dhe nevojat për veshje, për ushqim, për kujdes shëndetësor apo për shpenzime të tjera.

Me Dritanin e gjithë jeta e kësaj familjeje ka ndryshuar. Ai është shumë i lidhur më nënën pa të cilën nuk mund të bëjë asnjë hap.

Bashkëshorti është kujdesur për dy fëmijët e tjerë, ndërsa nëna e Dritanit i është përkushtuar tërësisht atij. Dy vajzat e saj më të mëdha se Dritani edhe sot ankohen se nuk e kanë jetuar kujdesin e saj ashtu siç do të dëshironin.

Nevoja e madhe dhe varfëria e nxori në rrugë si shitëse ambulante, punë të cilën ajo e ka bërë për vite të tëra. Sot është në prag të 60-ave dhe mundësitë fizike që të kujdeset për të birin sa vijnë e pakësohen. Tani në rrugë del e shet bashkëshorti.

Si personi që kujdeset për djalin ajo nuk merr asnjë ndihmë sepse sipas specialistëve të komisionit të shëndetit “ai është në gjendje të ecë vetë”. Familja ka shpresuar se mund të përftonte ndonjë ndihmë nga pushteti vendor, por as këtë nuk e përfiton sepse “Dritani nuk ka punuar asnjë ditë”.

Historitë e jetës në kërkimin sociologjik kanë një vlerë shumë të rëndësishme, sepse duke mbledhur edhe biografitë e personave çfarëdo mëson shumë për shoqërinë ku jetojnë.

Përmes biografive të personave me aftësi të kufizuara arrihet të ndërtohet jo vetëm bota sociale e tyre por edhe e familjeve të tyre. Historia e familjes së Dritanit është vetëm njëra nga historitë e shumta të familjeve shqiptare që jetojnë vështirësitë që krijon çrregullimi kronik i një pjestari. Vetëm në lagjen ku jeton kjo familje janë disa histori të ngjashme. Të gjitha pa asnjë ndihmë nga shteti e shoqëria. Të vetme ato përballojnë nevojat e veçanta, pranojnë vështirësitë që i presin, jetojnë me dëshirën e vazhdueshme se fëmija i tyre do të mund të përfshihet në komunitetin ku jeton, por shqetësohen shumë për atë që do të vijë më vonë.

Shoqëria jonë duhet të kuptojë se problemet e një familjeje janë probleme për të gjithë shoqërinë. Për këtë arsye qeverisja vendore, qeverisja qëndrore, shoqëria civile duhet të marrë më shumë angazhim e përgjegjësi për përmirësimin e ndihmës ndaj këtyre familjeve, për ofrimin e shërbimeve të nevojshme, për alokimin e disa fondeve që do t’ju mundësuar krijimin e disa mjediseve të përshtatshme për këta individë. Kur janë të vegjël ata janë më të integruar në institucionet e edukimit, por kur rriten thuajse izolohen plotësisht nga jeta sociale, duke izoluar në vazhdim jetën e pjestarit që kujdeset për ta. Me këtë angazhim së paku familjet do të lehtësoheshin e do të nisnin të punonin. Transformimi i jetës së personave me çrregullim autik është ende një strategji e largët për shoqërinë tonë, por lehtësimi i jetës së familjeve të tyre duhet të jetë një objektiv i vazhueshëm dhe i pandërprerë.

Të gjithë kanë të drejtën të jetojnë një jetë normale, edhe pse jeta familjare është tronditur mjaft. Demokratizimi i shoqërisë shqiptare vjen edhe nëpërmjet rritjes së ndërgjegjësimit të shoqërisë për domosdoshmërinë e ndihmës ndaj familjeve në nevojë. Kjo nuk mund të bëhet në një ditë, por as të mos kujtohet vetëm në një ditë, qoftë kjo edhe 15 maji, Dita Ndërkombëtare e Familjes.

Liria Kombëtare: Shpërngulja e familjes Zeqiri edhe një tragjedi shqiptare

Shpërngulja e familjes Zeqiri nga fshati Radishan i Shkupit na përkujton skenat e gjalla të shpërnguljeve masive të shqiptarëve në shekullin e fundit, masakrat dhe tmerret që përjetuan mijëra e mijëra familje shqiptare që nga Kumanova deri në Manastir.
Ne anëtarët e Shoqatës Atdhetare „Liria Kombëtare” në Zvicër reagojmë ashpër kundër dhunës dhe terrorit shtetëror që ushtrohet mbi familjet shqiptare në IRJM. Dhuna dhe terrori shtetëror mbi familjet shqiptare në komunat e Prilepit, Krushevës, Manastirit, Velesit, Shkupit dhe sot mbi familjen Zeqiri të Radishanit në Shkup na përkujton shpërnguljet e shqiptarëve me dhunë dhe terrorin shtetëror në fund të shekullit XX. në Kosovë.
Kjo skenë tragjike(ashtu siç u pa nga skena e filmuar nëpërmjet videokamerave) dëshmon edhe njëherë se shqiptarët janë në një rrezik të papërshkruar kurse klasa politike shqiptare në mjerim.
Për këtë arsye dëshirojmë të tërheqim vërejtjen për dy gjëra:
- E para se si vepron shteti dhe institucionet e IRJM, jo vetëm që i diskriminojnë shqiptarët në të gjitha sferat e jetës, por edhe kur sulmohen nga huliganët nuk mundohet të gjej, as arsyetime të thjeshta, e lëre më mjete institucionale që t’i mbroj ata. E themi troç se ky është realiteti politik dhe institucional mbi shqiptarët më se gjashtë dekada. Nuk ka institucione në IRJM të cilat kujdesen për lirinë e shqiptarëve, por ka institucione dhe parti politike të cilat me dy këmbët shkelin mbi të drejtat e shqiptarëve.
- E dyta, parashtrohet pyetja se ç’bëjnë partitë politike shqiptare në IRJM, se ç’bëjnë Organizatat Joqeveritare të cilat me vite veprojnë si masha të partive politike? – Shkurt Asgjë.
E themi me plot gojën turpi nuk ka brirë.
Largimi i familjes Zeqiri është turpi më i madh që iu bëhet shqiptarëve në IRJM, ku dhjetëra deputetë shqiptarë dhe një “vagon” partish politike dhe një “kamion” OJQ- nuk janë në gjendje të mbrojnë një familje shqiptare në të drejtën e vet, në pronën e vet, në tokën e vet, në shtëpinë e vet. Para syve të më se 700.000 shqiptarëve në IRJM largohet me vaj një familje 20-anëtarëshe dhe askush nuk shtrinë dorën për ta mbrojtur. Prandaj me këtë rast ju bëjmë apel të gjithëve, që të vihen në mbrojtje të familjes Zeqiri nga Radishani i Shkupit sepse qëndrimi i tyre në pragun e shtëpisë nuk është fat individual por fat kolektiv. Në rend të parë kjo thirrje iu drejtohet studentëve të cilët gjithmonë kanë qenë bartës të proceseve dhe lëvizjeve kombëtare. Prandaj edhe studentët e dy universiteteve: atij të USHT-së dhe UEJ-lit, profesorëve,nxënësve, punëtorëve sepse liria nuk mbrohet me një familje. Të veprojnë në shërbim të lirisë.
Po ashtu në vazhdim parashtrohet edhe një pyetje pas largimit të familjes Zeqiri nga fshati Radishan i Shkupit se kush ka fytyrë të flasë pas këtij turpi. Cili deputetë shqiptarë do të dal në foltore të parlamentit antishqiptar, në të cilin zbatohen të gjitha projektet antishqiptare dhe të flas për të drejta dhe barazi. Cila parti politike do të hyjë në negociata për formimin e qeverisë, e cila qeveri (që nga paraqitja e parë) e dimë qartë se nuk ekziston për shqiptarët. Turpi nuk ka brirë. Në historinë e shqiptarëve do të shkruhet me shkronja të mëdha se në muajin Maj, familjeve të shumta që u shpërngulen nga vendbanimet e Prilepit, Velesit, Manastirt, Ohrit, Krushevës, i bashkëngjitet edhe familja Zeqiri nga Radishani i Shkupit në pamundësi për t’iu bërë ballë huliganëve të organizuar të shtetit dhe të pushtetit, kurse klasa politike nuk e bëri asnjë reagim të vetëm. Dhe fare në fund, parashtrohet një pyetje morale, A ka politikanë që preket nga kjo tragjedi shqiptare?
Zürich, Shoqata Atdhetare “Liria Kombëtare” – Zvicër

Komandant Kushtrimit

Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator. Noli

Shkruan: Vaxhid Sejdiu Kushtrimi i lirisë nuk është akti i fundit
Në krah e mbështetur pushka çlirimtare,
Rrufe e fortë bie në zemër të trungut
Hijet flasin për kohën vrastare.

Prita ndali hapin, pushka vrau lirinë
Katër yje kombi që shkruan historinë,
Në natën e zezë, ëndrra seç u tret,
Pabesia e madhe, burra t’kombit vret.

Pushkët ndalën orën, fjalët më nuk vlejnë
Katër djem të vrarë, ndërgjegjja s’i brenë.
Nga të katër anët zërat seç dëgjohen,
Një vrasje e madhe ndali, vrau kohën.

Dhe nëna shqiptare me shami në kokë
Do të pyes qiellin, tokën edhe malin
Nga dielli i vrarë një zë vjen si plumb
“Nëno-moj – larot t’a përmbysën djalin”.

Mbaje veten nënë, në këtë kohë të keqe,
“Që burrat me nam” na janë bërë teneqe
Atë që thonë në mbrëmje e përpinë në mëngjes,
Nëno moj- Shqipëri!
Kushtrimi i lirisë,
Kurrë nuk mund të vdes.

Jetën shqiptare që e bënë skëterrë,
Me shumë plagë në trup, dhe në robëri
Vuajtjet, Idealet unë t’i njoh Atdhe,
Dhe zjarrin që digjet për LIRI.

Në çarshinë e vjetër të kryeqytetit
Një vend ka mbetur – e madhe zbrazëtirë
Njeriu që qante hallet e atdheut
Që bashkonte zemrat, për qëllim të mirë.

Dhe kafja e mëngjesit keq është helmuar
Shokëve që kanë mbetur pa krah, pa zemër,
Kënga e kushtrimit vjen duke jehuar
Dhe vulos në kohë, një ideal, një emër.

Dhe ky përvjetor, vjen me re të zeza
Bajraktarët heshtin apo flasin mbrapsht,
Në këtë kohë të pakohë, u njollos dhe Besa
Plagët përthekuan shpirtin, depërtuan n’asht.

Mbi trojet shqiptare, ka rënë hije e keqe
Zëri i Kushtrimit ende gjallë jehon,
Fjalët e Shabanit, Qemalit dhe të Xhafer trimit
Nënë-moj, pushka çlirimtare gjithmonë do të rrojë!

• Me rastin e katërvjetorit të vrasjes së Harun Aliut – Komandant Kushtrimit, Shaban Zenunit, Xhafer Shalës dhe të Qemal Fejzullahut, në vend të një shkrimi publicistik shkrova këto vargje….