Deklaratat e Presidentit Donald Trump lidhur me Ukrainën dhe presidentin e saj Volodymyr Zelenski kanë shkaktuar shqetësime dhe kanë hedhur hijen e tyre edhe ndaj vizitës së të dërguarit të posaçëm të SHBA-së në Kiev.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski tha se kishte pasur një diskutim të mirë me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ukrainën, Keith Kellogg. Patëm një shkëmbim të detajuar për situatën ushtarake, riatdhesimin e të burgosurve të luftës dhe garanci efektive për sigurinë, shkroi Zelenskyj në platformën X.
Pas ditësh akuzash të ashpra nga presidenti amerikan Donald Trump kundër Zelenskit dhe reagimeve të zemëruara nga Kievi, Zelenski po përdor tani një ton të fortë miqësor. “Ne duhet dhe mund të arrijmë një paqe të fortë dhe të qëndrueshme në mënyrë që Rusia të mos kthehet kurrë me luftë”, tha Zelensky.
Lëndët e para dhe mineralet e rralla nga Ukraina
Deklaratat e tij lënë vend për interpretimin se temë e bisedës ishin edhe të drejtat e mundshme të SHBA-së për lëndët e para ukrainase. “Ukraina është gati për një marrëveshje të fortë, efektive investimi dhe sigurie me Presidentin e Shteteve të Bashkuara”, shkroi Zelensky në platformën X.
Trumpi i var ndihmat e SHBA-së për Ukrainën e sulmuar nga Rusia nga qasja në mineralet e rralla të Ukrainës, shfrytëzimi i të cilave është ekonomikisht fitimprurës dhe strategjikisht i rëndësishëm. Zelenskyj e ka refuzuar projekt-marrëveshjen fillestare të dërguar nga Uashingtoni.
Marrëveshje për Ukrainën pa Ukrainën
Shpërthimet e presidentit Trump duket se po e rëndojnë vizitën e dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ukrainën. Kështu p.sh. ish-gjenerali Kellogg nuk doli pas takimit me presidentin Zelenski para shtypit siç ishte planifikuar më parë. Konferenca për shtyp u anulua me kërkesë të palës amerikane, njoftuan mediat ukrainase, duke cituar zëdhënësin e Zelensky, Serhiy Nykyforov.
SHBA-ja ka qenë deri tani mbështetësja më e rëndësishme e Ukrainës, por Trump tani po largohet në mënyrë drastike nga ky kurs. Trumpi dëshiron t’i japë fund luftës – por nga ana tjetër po shtohet frika se ai dhe shefi i Kremlinit Vladimir Putin mund të marrin vendime pa e pyetur Ukrainën.
dw