Përplasje verbale mes Trumpit dhe Zelenskit

trump ZelenskiPresidenti ukrainas Zelenski akuzoi homologun e tij amerikan se ka rënë pre e dezinformimit rus. Në të njëjtën kohë diplomatët e BE mbështetën një raund të ri sanksionesh kundër “flotës fantazmë” të Moskës.

 

Në përgjigje të komenteve të pasakta të Presidentit amerikan se vlerësimi i tij i pëlqimit ishte vetëm 4%, Presidenti Zelenski tha se “për fat të keq, Presidenti Trump, për të cilin kemi respekt të madh si udhëheqës i popullit amerikan… jeton në këtë hapësirë dezinformimi”.

Pretendimi i tij vjen drejtpërdrejt nga propaganda ruse, shtoi Zelenski. Vlerësimi i miratimit të liderit ukrainas nuk ka rënë kurrë nën 50% dhe ndonjëherë ka qenë deri në 70%.

Një sondazh telefonik i 1000 ukrainasve i kryer nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë në Kiev, i publikuar të mërkurën, zbuloi se 57% e të pyeturve miratuan mënyrën se si e kryen Zelenski detyrën.

Presidenti ukrainas shtoi se ai nuk do t’ia “shiste” Ukrainën SHBA, duke iu referuar një marrëveshjeje të propozuar nga Trumpi që ndihmën e Uashingtonit e paguan me  mineralet e rralla të tokës.

“Unë po mbroj Ukrainën, nuk mund ta shes vendin tonë. Kjo është e gjitha,” tha ai, duke shtuar se administrata e Trumpit nuk po vepronte në mënyrë”serioze”me marrëveshjen.

Më vonë sot Trumpi e quajti Zelenskin “diktator pa zgjedhje.”

 

Putini i kënaqur me bisedimet SHBA-Rusi

Agjencitë shtetërore ruse të lajmeve raportuan se Presidenti Vladimir Putin ishte i kënaqur pas bisedimeve të nivelit të lartë midis zyrtarëve të Kremlinit dhe përfaqësuesve të administratës së Presidentit amerikan Donald Trump.

“Po, jam informuar. Unë i vlerësoj shumë, ka rezultate,” citohet të ketë thënë ai nga Interfax për bisedimet e zhvilluara në Arabinë Saudite.

Putini tha më vonë se nuk e dinte se kur do të takohej personalisht me Trumpin, pavarësisht se ky i fundit la të kuptohej se një datë ishte caktuar për në fund të shkurtit. Putini tha se të dy palët së pari duhej të ndërtonin “besimin”.

“Është e pamundur të zgjidhen shumë çështje, përfshirë krizën ukrainase, pa rritur nivelin e besimit midis Rusisë dhe SHBA”, tha ai në një konferencë shtypi në televizion.

 

Eksperti: Trumpi me përpjekje për të strukturuar negociatat

DW foli me Dr. Peter Trubowitz, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në London School of Economics, për qëndrimin e Donald Trumpit ndaj Rusisë dhe Ukrainës.

“Nuk është gjë tjetër veçse një lëvizje strategjike”, tha Trubowitz në lidhje me pohimin e Trumpit se Ukraina është përgjegjëse për luftën. “Duhet parë si është, një përpjekje për të strukturuar negociatat mbi luftën në një mënyrë që ka të bëjë më pak me garantimin e sigurisë së Ukrainës sesa, mendoj, me riorganizimin e marrëdhënieve SHBA-Rusi.”

Ai i përshkroi lëshimet e Trumpit ndaj Rusisë kështu: “Është e guximshme, është dramatike. Është një surprizë”.

Trubowitz tha se kjo ishte e gjitha një pjesë e teatrit politik për të bërë presion mbi Evropën dhe për të “përfituar nga varësia e Evropës nga SHBA”.

“SHBA e ka anashkaluar Evropën në mënyrë efektive”, duke i bërë thirrje drejtpërdrejt Rusisë, duke e ditur se Evropa nuk ka qenë kurrë unanime në qasjen e saj ndaj pushtimit dhe duke e përdorur atë në avantazhin e saj.

“Nëse do të isha [presidenti ukrainas Volodymyr] Zelenski, nuk do të ndihesha i sigurt në aftësinë e Evropës për të udhëhequr tani.”

 

BE mbështet raundin e 16-të të sanksioneve ndaj Rusisë

BE ka rënë dakord në Bruksel për një raund të 16-të sanksionesh kundër Moskës.

Në vigjilje të përvjetorit të sulmit rus, 24 shkurtit, BE synon të godasë “flotën fantazmë” ruse të anijeve cisternë, e cila përdoret për të shmangur sanksionet kundër sektorit energjetik të Rusisë.

Sanksionet prekin edhe sektorin e aluminit të Rusisë. “Kjo është e domosdoshme” tha ministri i Financave të Polonisë, Andrzej Domanski, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës të BE.

Paketa e masave pritet të miratohet formalisht nga ministrat e jashtëm të BE, por konsiderohet punë e përfunduar.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>