Kategoritë: Analiza

DËSHMIA E FATOS KLOSIT HODHI POSHTË POLITIKËN “PAQËSORE” TË RUGOVËS DHE POLITIKËN SERVILE TË HASHIMIT

E dëgjova me vëmendje intervistën e Z. Klosi tek emisioni “Komiteti”. Një intervistë e cila nuk ishte e pasur me fakte të reja sa ishte e pasur me njeriun i cili kishte kompetencën eksklusive për ti konfirmuar ato fakte. Në të vërtetë, në sfondin e kësaj interviste kishte një dëshmi të madhe, e cila ishte shumë e panjohur për shumicën.

Në sfond të kësaj interviste ishte esenca e madhe e saj, e cila mund të rrotulloj komplet perceptimin e qytetarit tonë. Aty u dëshmua për diçka të panjohur më parë nga mbarë publiku shqiptar. Mirëpo, çuditërisht, askush nuk e përmendi. Të gjithë mbajtën mend elementët dytësore – por shumë primare për zënkat ndërpartiake – por askush nuk e pa dëshminë më të madhe që ka bërë ndonjëherë një zyrtar i përmasave të tilla. Cila ishte ajo ? Thyerja e mitit se diplomacia amerikane dhe evropiane është ajo që udhëheq vullnetin e popujve dhe jo se vullneti i popujve është ajo që mund t’a tërheq dhe udhëheq diplomacinë e huaj.

Populli i Kosovës kishte krijuar për shumë vjet iluzionin se Rugova do t’ja u sillte “pavarësinë” nga Amerika. Ata e mendonin diplomacinë Amerikane dhe Evropiane si diçka shumë të komplikuar, me njerëz jashtëzakonisht të përgatitur, të mirë informuar rreth çdo detaji, me planifikime shumë afatgjatë të cilave ju përmbahen me çdo kusht dhe të cilat realizohen ashtu siç i kishin menduar (!). Këtë keqëkuptim të diplomacisë e forconte një shërbim i gjërë i LDK-së në Kosovën e paralufte dhe i mbushte mendjen popullit shqiptar në Kosovë se Rugova është pjesë e këtij “plani” të gjërë të diplomacisë botërore e cila premton sjelljen e pavarësisë në vendin tonë (!). Dhe, për ti mbushur mendjen akoma më shumë popullit të shkret të cilit i kishte mbetur vetem besimi në ndonjë mrekulli, ai udhëtonte herë pas here në drejtim të Amerikës dhe Evropës duke trokitur në dyert e kancelarive të ndryshëme. Aty, ai pritej nga sekretariatët dhe zyrtarët e rangjëve të ulta të cilët i bënin nderin ta mirëprisnin si person “simpatik”. Shkëmbimet në mes Rugovës dhe kancelarive të ndryshëme gjatë asaj periudhe ishin thjesht simbolike të stilit : të dhash, në emër të Kosovës, një dhuratë. Më dhe si shkëmbim një dhuratë etj…Dhe bota vazhdonte me hallët e saja të shumta dhe nuk donte t’ja dinte se çfarë bëhej atje në atë Kosovën e vogël, e cila po bëka nganjëherë zhurmë me kusia e tepsia rrugëve të saj. Protesta paqësore ata kishin nëpër të gjitha vendet e tyre dhe nuk e kuptonin fare se pse do të duhej të preokupoheshin edhe me ato të Kosovës tani. Aq më tepër se politika paqësore e Rugovës ishte një politikë paqësore pasive dhe jo aktive siç ishte ajo e Gandit. Gandi e këputi në mes Anglinë ekonomikisht, Rugova e kishte bërë Kosovën baçe për Serbinë. Pikërisht, këtë e dëshmoj mbrëm edhe Fatos Klosi.

Nëse e keni dëgjuar me vëmendje intervistën, gjë që mund t’a riverifikoni, Fatos Klosi tregon qartazi se amerikanët dhe evropianët nuk dinin thuaja se asgjë se ç’po ndodhte në Kosovë dhe se ata nuk e dinin se çfarë do të mund të bënin. Ata nuk kishin asnjë plan paraprak për Kosovën ! Diplomacia e tyre ishte e hutuar nga këto ngjarje të pa pritura dhe të përshpejtuara dhe nuk dinte se çfarë qëndrimi të mbante. Kjo e shpjegon edhe atë se pse amerikanët dhe evropianët në fillim morrën pozicionin e Serbisë dhe e quajtën UCK-në organizatë terroriste. Gjerësa më vonë ata ndërruan pozicion dhe mbajtën krahun e çlirimtarëve. Ato vizita nëpër male siç ajo e ambasadorit Hill dhe gjithë ato shkuarje ardhje të diplomatëve të ndryshëm nuk ishin thjesht simbolike, por ata vërtetë vini për tu infomuar rreth asaj që po ndodhte në Kosovë. Dhe, këtë informim e morrën kryesisht nga shërbimet e brendshëme dhe nga diplomacia shqiptare. Ishin pra ngjarjet që po ndodhnin në Kosovë, lufta, ushtria, sakrifica…e popullit shqiptar dhe informimi nga vetë shërbimet shqiptare që e tërhoqi vëmendjen e diplomacisë botërore në Kosovë dhe e orientoj atë. Nga kjo mund të kuptojm se diplomacia nuk është një shkencë matematikore ku bëhen llogaritje të sakta dhe veprohet në bazë të këtyre llogaritjëve paraprake. Ajo është një art që lëvizë sipas situatave. Ajo udhëhiqet nga situatatë që krijohen nga tereni. Nga kjo kuptojm se fuqia e popujve për të krijuar situata është më e fortë se sa ajo e diplomacive. Këto të fundit veprojn, në shumicën e rastëve, në bazë të situatave të krijuara dhe evitojn për shumë arsye që ti prijn situatave.

Një dëshmi e tillë e thyen pra të gjithë atë mit të krijuar rreth diplomacive nga Rugova dhe, tani, nga pasardhësi i tij Hashim Thaçi. Në realitet, Rugova nuk kishte marrëdhënie me diplomacitë e huaja. Raportin e vetem që kishte, për të mirë apo për të keq, e kishte me diplomacinë serbe. E vërteta është se ai ishte i shkëputur nga bota dhe i lidhur domosdo me Serbinë. Por, në popull ai shfaqej ndryshe. Në anën tjetër, njerëzit e LPK-së, përmes lidhjeve të tyre me diplomacinë shqiptare, ata ishin lidhur për herë të parë me diplomacinë botërore. Mirëpo, me Serbinë ata nuk kishin raporte. Ata, nuk e njihnin direkt njëri-tjetrin në këtë rrafsh. Pra, nuk kishte shkëmbime, për të mirë apo për të keq të situatës. Ata ishin të shkëputur tërësisht nga ajo (nga diplomacie serbe). Kjo ishte situata e vërtetë.

E gjithë kjo demonstron se lëvizjet historike nuk janë diçka të programuara, të planikuara, të llogaritura nga ndonjë shkencë ekzakte dhe nga ata të mëdhenjët e botës, të cilët e kanë në mbizotërim këtë punë dhe që ne “vegjëlia” nuk kemi se si ti shohim ndryshe, si ti ndryshojm. Nuk është diçka që n’a dikton jetën, mënyrën, vullnetin tonë individuale, shoqëror e politikë. Nuk është diçka që të bën të ulësh dhe të presësh që ato “plane” në të cilat nuk kemi qasje dhe nuk e dimë si janë, por shpresoj se janë për të mirën tonë, të ndodhin një ditë. Jo ! Fatos Klosi n’a e bëri të kuptueshëme se nuk është ashtu. Se ata lartë janë njerëz dhe, pavarësisht, shërbimëve të tyre të shumta, ata nuk e kanë nën kontroll çdo gjë dhe nuk janë se mund t’i krijojn vetë situatatë. Situatatë ose janë ose krijohen nga vetë lëvizjet e ndyshëme popullore e shtetërore. Gjë që shumë herë ata vihen në një situatë të sikletshëme, të zënë në surprizë dhe ju duhet të improvizojn gjithëçka.

E vërteta është se Fatos Klosi nuk bëri ndonjë zbulim të madh për njohurinë në përgjithësi. Por bëri shumë për opinionin e gjërë shqiptar sepse bëri të njohur një të vërtetë që shumë specialistë të politikave publika e kanë vërtetuar shumë herët nëpër studimet e tyre (kjo është merita e tij). Bile, sipas disa autorëve (Cohen, March dhe Olsen), shumë herë sistemi i vendimarrjëve publike ngjajson me një kontinier bërllogu në të cilin ndodhen, pa ndonjë renditje të dukshëme, aktivitete, procedura, rregulla formale dhe informale, strategji, probleme, zgjidhje.. nga të cili aktorët publik i shërbehen duke u munduar të prodhojn sa më shumë, me pak a shumë suksese, një koherencë dhe një rregull (kjo teori quhet Garbage can model).

Nga e gjithë kjo, shqiptarët e kanë kuptuar – jo vetem sepse Fatos Klosi e precizoj edhe vetë këtë – që politika paqësore e Rugovës ishte një politikë që nuk qonte asgjëkundi. Sepse, bota nuk kishte asnjë plan për t’a çliruar Kosovën dhe nuk kishte asnjë plan për të intervenuar në të. Pa krijimin e një situate që do të tërhiqte vëmendjën e diplomacive botërore dhe pa një orientim nga vetë shqiptarët të kësaj diplomacie, kurrë çlirimi i Kosovës nuk do të ishte bërë. Pra, kjo e rrëzon definitivisht politikën paqësore të Rugovës e cila e kishte mbushur me iluzione qytetarin tonë.

Në anën tjetër, kjo dëshmi e Fatos Klosit për diplomacinë e hedh poshtë edhe politikën servile të Hashim Thaçit ndaj ndërkombëtarëve tani e sa vjet. Ashtu siç kishte bërë Rugova dikur, edhe Hashim Thaçi, përmes mediave dhe strukturave shtetërore të kapura, po i hedh hi syve të popullit shqiptar duke krijuar iluzione mbi gjendjen në Kosovë. Sipas kësaj propagande, e cila ushtrohet nga eksponentët e kësaj partie, ngjajshëm me atë që bënin dikur eksponentët e LDK-së (shiko shkrimin tim “Fanatikët e PDK-së se ç’mi ngjajn atyre të LDK-së”), krijohet iluzioni se nuk ka asnjë zgjidhje tjetër përveç asaj që ofron Hashim Thaçi. Kështu, ata duan të n’a e mbushin mendjen se gjithëçka është e llogaritur nga Hasha dhe nga amerikanët. Bile, e gjithë kjo fshihet pas petkut se gjoja kjo politikë është ka n’a çon drejtë bashkimit kombëtar. Tërësisht e ngjajshëme me atë të Rugovës që dikur duhej të n’a kishte çuar drejt pavarësisë së Kosovës.

Mirëpo, e vërteta është krejt ndryshe. Qeveritë e mëparshëme në Kosovë, por edhe ajo e tanishmja, nuk kanë asnjë plan, asnjë ide, asnjë filozofi, asnjë aftësi për të artikuluar politika të qarta dhe për të prodhuar situata që mund të të çojn drejtë një zgjidhje përfundimtare për Kosovën (të ndarë plotësisht nga Serbia dhe në drejtim të bashkimit me Rep. e Shqipërisë). Ato udhëhiqen nga dita në ditë nga situatatë e krijuara vetëvetiu apo nga orientimet që i ofrojn diplomacitë e huaja ku Serbia luan rolin kryesor, në prapavijë. Qeveritarët tanë, të vetmën gjë që kanë gjetur për të aplikuar është servilizimin ndaj këtyre diplomacive, të cilat, në mungesë të një oferte tjetër nga pala e pushtetarëve të Kosovës, janë ka e orientojn këtë vend në drejtim të një sovraniteti të dyfisht në mes Beogradit dhe Prishtinës. Mirëpo, ashtu siç Rugova dikur, edhe Hashim Thaçi sot ka një aftësi të veçant për ta mjegulluar situatën para popullit të tij, të cilin e mbush me iluzione. Rasti i refuzimit të tij në Serbi herën e fundit ishte tregues i mirë se si mediat tona të kapura dhe puthadorë servil të të gjitha llojëve të pushtetit (ku zakonisht janë të njejtit me ata që dikur ndihmonin Rugovën siç është Milazim Krasniqi) bën ç’mos për t’a shpallur si një “fitore” të Hashimit gjerësa turpi mund të mos dukej vetëm nga të verbërit.

Por, dëshmia e Fatos Klosit rreth funksionimit të diplomacive ishte dëshmi e fuqishëme kundër politikave shterp dhe servile edhe të Hashim Thaçit sepse, nëse nuk jemi të shumtë që e kuptuam dhe e analizuam këtë, jemi të shumtë që e kemi ndjerë thellësisht se diplomacia nuk qenka kaq statike sa duket. Përkundrazi, ajo qenka shumë flexible. Duke qenë, populli i Kosovës po e kupton nga dita në ditë se zoti i vërtetë i situatave në këtë vend është ai vetë, se ai mund të jetë zot i vullnetit të tij, se ai është zot shtëpie këtu dhe se si zot shtëpie ai duhet t’i krijoj kushtet dhe situatatë që diplomacitë botërore t’a ndjekin atë.

Kështu që : tani e dimë se nuk ka një zgjidhje të vetme për Kosovën dhe kjo zgjidhje nuk mund asesi të jetë që Kosova të mbesë e lidhur për Beogradin. Tani e dimë se Hashimi i dikurshëm ishte një Hashim tjetër, kurse tani është një Rugovë tjetër. Tani e dimë se kjo situatë mund të përmbyset, ashtu siç ishte përmbysur situata rugoviane më 1997-1998, nga një situatë më e favorshëme për popullin dhe vendin tonë. Dhe përmbysja do të ndodh nga ata që do ti prijn politikave të shkëputjes definitive nga Serbia dhe riorientimit të Kosovës në drejtim të bashkimit me Rep. e Shqipërisë. (shqiperia e bashkuar)

Shqipëria tjetër: Fshati, që nuk është as në hartë…

Marin Mema

Rruga nacionale kthehet pas shpatullave të Memaliajt, në drejtim të aksit që e lidh me qytetin e Beratit. “Udhëtojmë drejt fshatit Rabije të Komunës Luftinjë, një fshat që sipas banorëve nuk ekziston as në hartë, e që megjithatë ende nuk është braktisur krejtësisht”.

Ajo që duket fillimisht si një rrugë e shkurtër, kthehet shpejt në një aks të pafundëm për shkak të degradimit të tij. Sa më thellë, aq edhe më i vështirë bëhet kalimi, qoftë edhe me një makinë të lartë. Shpesh këtu duket sikur s’ka kaluar kurrë gjësendi. Asnjë tabelë e zona të tëra të shkreta, që derdhen në horizont. Pas një rrugëtimi të stërzgjatur për jo më shumë se 30 kilometra shfaqet Rabija, fshati që dikur ka pasur mëse 800 banorë, e që sot është tkurrur në rreth 15 familje. Ai është ndërtuar, apo më mirë rindërtuar në vitin 1969, pas tërmetit që goditi të gjithë këtë zonë.

“Deri mësot nuk ka funksionuar asnjë lloj gjëje. Nuk ka vënë dorë asnjë lloj pushteti, sa kanë ikur janë ndërruar, gjë prej gjëje. Këtu nuk është vënë dorë”, thotë Arben Dorda.

Gjithçka në fshat duket gri, ashtu si çatitë me eternit, që mbulojnë thuajse të gjithë shtëpitë e tij. Shumica e tyre janë të braktisura. Kush ka mundur është larguar. Të qëndrosh në një vend thuajse të izoluar është e vështirë, për të mos thënë e pamundur. “Tani sikur kanë lajmëruar që do të vijnë, me siguri për votat, po asgjë s’na kanë bërë neve. Asnjë lloj ndihme s’na kanë dhënë. Presim, sepse duam të takojmë një njeri nga Qeveria, por asnjë njeri s’na vjen. Kur vijnë për votat na thonë që Rabija nuk është në hartë, se kanë ikur njerëzit”, tregon Flamur Ahmeti.

Shumica përpiqen të merren me blegtori, sepse është e vetmja mënyrë për të mbijetuar. E megjithatë, edhe ata që janë përpjekur të investojnë diçka këtu, në këtë vend të thellë, vështirë se shohin mundësi fitimi. Largësia nga tregu, për shkak të rrugës i bën gjërat tejet të vështira. “Unë kam punuar jashtë shtetit, me të ardhurat kam marrë nja 50 krerë lopë. Kam bërë edhe një palë shtëpi aty sipër. Por, qumështin e derdh, e hedh poshtë. Mishin po ashtu, sepse e kemi larg, kur s’ke makinë s’qarkullon asnjë farë gjëje”, thotë Vladimir Mahmutaj.

Më parë, në sistemin e shkuar, fshati që sot duket i pabanueshëm merrej, veç blegtorisë edhe me bujqësi e pemëtari. Sot shumëçka ka humbur, ashtu si vatra e kulturës, furra e bukës, çerdhja, kopshti, materniteti, por edhe shkolla e kthyer në një rrënojë të frikshme. “E mbaj mend shkollën, kam ikur dhe e kam lënë në gjendje pune. Më vjen shumë keq dhe kam derdhur lot kur jam kthyer, se desha ta shikoja dhe të kujtoja vitet e fëmijërisë sime, që kam kaluar këtu. Çdo gjë këtu është e shkatërruar”, thotë Alket Muho. “Këtu më kujtohen shumë vite të bukura të fëmijërisë sime, që shkonim në shkollë si gjithë fëmijët e fshatrave përreth ose fshatit këtu. Tani është bërë mos më keq, aq sa kur djali im 1 vjeç nuk do të arrijë ta përjetojë, si gjithë fëmijët e fshatrave”, tregon Reonald Ahmeti. Deri në vitet ’80 në atë shkollë mësonin rreth 150 nxënës me 12 mësues. Sot kanë mbetur vetëm 6 fëmijë, që mësojnë në një shtëpi private, edhe ajo thuajse e mbaruar.

Çdo furnizim duhet bërë me kafshë. Qendra e Komunës është mëse 2 orë e gjysmë në këmbë larg. Memaliaj ndodhet 7 apo 8 orë larg, ndërsa në krahun tjetër, Fratari rreth 4 orë e gjysmë. Vështirë të thuash sesi mund të jetohet kështu, duket thuajse e pabesueshme. Kaq afër dhe larg pjesës tjetër. “Para 20 ditësh kam pasur probleme, ta thonë edhe shokët e fshatit, me vajzën e sëmurë. E kemi marrë 10 veta në krahë dhe e kemi çuar mes shiut dhe errësirës në Fratar, këtej nga zona e Mallakastrës, për ta çuar në spital. Më pas e kemi drejtuar për në Fier, por është shumë e vështirë”, shprehet Çerçiz Ahmeti.

“Këtu kanë vdekur njerëz vetëm për rrugë. Edhe fëmijë kanë vdekur, edhe nuk merr njeri asnjë lloj përgjegjësie”, tha Vladimir Mahmutaj.

Ka familje, që sot e kanë të vështirë të mbajnë edhe frymën gjallë. E sërish askush nuk kujtohet t’i mbështesë, qoftë edhe me diçka të vogël, të paktën për të hedhur hapa të vegjël. Në familjen Memlikaj, varfëria e njerëzit qëndrojnë në të njëjtën sofër. “Herë të ngrënë, e herë të pa ngrënë. Nuk ka më keq ku të vejë, pa asnjë ndihmë nga shteti. As përkrahje sociale nuk kemi. Shiko e shkruaj vetë. Që të mbash 8 fëmijë një person i vetëm, gruan e kam pa punë, sepse s’ka as punë dhe as dreq. Kështu që, këta fëmijët e mi rrojnë për lëmoshë”, deklaron Xhevdet Memlikaj.

Edhe shtëpinë nuk e kanë të tyren, sepse ajo u ka rënë kohë më parë. Në banesën ku i gjetëm janë lënë të jetojnë nga një i afërm i tyre, i larguar. Kudo gjërat duken të pamundura. “Të thuash të vërtetën, ne vetëm sa mbahemi gjallë. Punojmë vetëm për t’u ushqyer. Është shumë larg”, thotë Viktor Kaza.

Fshati, diku larg në një qafë kodre ka pasur edhe fortesën e tij, si për të treguar se nuk është i rastësishëm në historinë e kësaj zone. Një fortesë, që dikur përbënte zinxhirin mbrojtës të Bylisit. E megjithatë është e vështirë të flasësh për të shkuarën, kur e sotmja po shuan gjithçka, edhe veten e saj.

Fshati mbetet pas, e bashkë me të edhe banorët që ende presin, me shpresën se edhe për ta dikush do të kujtohet një ditë.

Bashkimi i shqiptarëve është i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm

Mbledhja shqiptare

Kryeministri shqiptar ka thënë se “puna e përbashkët ndërmjet dy qeverive, asaj në Tiranë dhe në Prishtinë, është rruga e një bashkimi kombëtar me mjetet e shekullit XXI, në funksion të një Bashkimi Evropian”.

“Bashkimi i shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës, pasi këta janë në fakt shqiptarët që jetojnë në dy shtete shqiptare, dhe nuk flasim për të tjerët që janë në shtetet tjera, është i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm”.

“Pyetja është si do të ndodhë? A do të ndodh në funksion të Bashkimit Evropian si proces i natyrshëm dhe krejt i mirëkuptuar nga të gjithë? Apo do të ndodhë si reagim ndaj një verbërie apo një përtacie evropiane, për të kuptuar që vetë Evropa duhet të ndryshojë qasjen ndaj vetvetes, duke u kthyer nga një fuqi që gjithnjë e më shumë është e varur nga taktika e ditës në një fuqi strategjike?”.

“Një Evropë strategjike do të kërkonte që Ballkani të ishte pjesë e saj dhe që normalisht pastaj, të gjitha etnitë në Ballkan të kishin lehtësinë e të qenit së bashku, pa pasur nevojë që të merreshin me kufijtë”, ka thënë zoti Rama.

“Dhe nëse Evropa e shikon Ballkanin dhe zhvillimin në Ballkan si gjëra palidhje me fatet e saj dhe nëqoftëse Evropa nuk arrin të kuptojë që proceseve që janë përshkallëzuar falë paqes në rajon duhet t’ia bashkojë edhe vullnetin e vet për të përshpejtuar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit dhe kështu të përshpejtojë integrimin, mund vërtetë të bëhet pa dashje sponsore e nacionalizmave folklorik”, ka thënë kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Pa zbuluar “bombat” për shqiptarët, Zaev nuk mund të rrëzojë Qeverinë

shpetim

Jemi duke vërejtur se të ashtuquajturat bomba të Kryetarit të opozitës Z. Zaev, më tepër u ngjajnë fushqetave për zbavitje sesa bombave, të cilat munden ta përmbysin një sistem të kalbur. Sa është Zaevi    serioz në këtë veprimtari , ka një mundësi për ta dëshmuar. Zaevi duhet të publikojë çdo përgjim ku përfshihen edhe shqiptarët. Le të mos na nxjerrë do biseda të  shqiptarëve, ku ata tregohen më tepër parimor se bashkëpunëtorë.

“Kryetari  i opozitës maqedonase, në emër  të partisë së vet; Lidhjes Social-Demokrate t’u kërkojë falje shqiptarëve për të gjitha të këqijat që Partia e tij u’a ka bërë shqiptarëve. Duhet t’u kërkojë falje për terrorin në  Ladorishtë. Të kërkojë falje për  vrasjen e pesë qytetarëve të pafajshëm shqiptarë në protestat e  Gostivar në vitin 1998, me rastin e flamurit dhe të burgosjes të Kryetarit të komunës Z.Rufi Osmani. T’u kërkojë falje shqiptarëve për gishtin e madh të ngritur të Cërvenkovskit, dhe për  pesë revolet  Kolt, dhuruatë për policët, për pesë të vrarët në ato protesta. Zaevi  t’u kërkojë falje shqiptarëve për  viktimat e Bit-Pazarit. Tu kërkojë falje për terrorin  dhe shtëpitë e mitraluara në lagjen e Çairit dhe të Bit-Pazarit. Përveç  dëshirës për t’a rrëzuar këtë Qeveri,  Zaevi nuk manifeston asnjë shenjë për ndryshim në politikën ndaj shqiptarëve. Zaevi nuk përmend asgjë që ka të bëjë me Kushtetutën, ku ne  jemi  vetëm një 20 përqindësh. Ai nuk publikon asgjë për manipulime me votën dhe zgjedhësit shqiptar. Ai nuk përmend asgjë  sa i takon Regjistrit Qendror zgjedhor.  Nuk përmend asgjë sa u takon pazareve në lidhje me Njësitë Zgjedhore.  Nuk përmend asgjë për kandidatët që duhet të dalin në Zgjedhje (është e ditur se listat e kandidatëve shqiptarë për  ministra dhe funksionarë, një herë duhej të kalojnë nëpër sitën e Shërbimeve sekret, me ndonjë përjashtim të vogël, që pastaj t’i prezantohen opinionit shqiptar).T’u kërkojë falje shqiptarëve për shovenizmin politik dhe ekonomik, të zbatuar kundër shqiptarëve , këto 25 vjetët e fundit.  Z.Zaev, i cili është prodhim i grazhdit të B. Cërvenkovskiit, nuk i përmend, më së pakti edhe disa  qinra raste që janë me interes për shqiptarët. Bombat e tij, të cilat më tepër u gjasojnë fushqetave zbavitëse nuk kanë për qëllim  ta ndërrojnë këtë lloj të qeverisjes, por, vetëm Pushtetin”, vlerëson Shoqata e të Burgosurve Politikë Shqiptarë (SHPBSH).

Shqiptarëve u nevojitet ndryshimi i sistemit, i cili për këto 25 vjetë ka qenë antishqiptar dhe jodemokratik. Në rast se Z.Zaev do të kishte dashur t’i ndërrojë dukuritë negative sa u takon shqiptarëve, ai duhet  t’i nxjerrë në shesh të gjithë kriminalitetin e partive politike shqiptare, i cili nuk është i pakët. Në rast se ai edhe më tutje do t’i mbrojë partitë politike shqiptare, ai ne na dërgon një porosi shumë të qartë. Ai do të na bindë se, nga një politikë shqiptare servile, do të bëje një politikë superservile, duke i shantazhuar me materiale komprometues. Me mospublikimin e përgjimeve dhe për shqiptarët, ai, partitë politike shqiptare do t’i bëjë edhe më servile. Në rast se nuk i publikon materialet e përgjuar edhe për shqiptarët, edhe ai do ta vulosë veten si një individ dhe një parti që nuk ka ndër mend të bëjë Reforma rrënjësore në vend, por, vetëm ndërrim të pushtetit. (Shpetim Pollozhani)

Shtet Shatrapollësh

fatmir_sujmani1Jeta në një shtet si Maqedonia është e njëjtë me gazepin e të ngujuarve brenda rrethit vicioz të shpellës ku nuk ndrit asnjë xixë shprese për ndonjë të ardhme ndryshe. Kështu ka qenë një dajm, të paktën për brezin tim. Dallimin e bën rrënimi i përnjëhershëm aktual i mitit mbi baballarët e virtytshëm të shtetit komb, zhveshja publike e prijësit të suitës së harambashëve, filozofia e të cilit nuk e njeh nevojën e të tjerëve për jetë të dinjitetshme nën dritën e diellit.

Në kësi konditash, në kësi biçim shteti, me këso kushtetute, që ishte dhe mbeti gjenerator krizash të kushtueshme dhe që, natyrisht, nuk do të ndryshohet as nesër prej Zaev-ëve, në veçanti është keq të jesh shqiptar, sepse në kreatura të këtilla, ku askush nuk ka takat të ndryshojë me mjete demokratike gjendjet horror, të gjitha ëndrrat njerëzore bien coftë si korbi i Edgar Alan Po-së në poezinë e Ali Podrimjes. Prandaj: as partia shqiptare në pushtet, as partitë opozitare, as ato që pretendojnë të ngrihen sërish në këmbë të qëndrueshme, as ato që mund të vijnë nesër, nuk do të mund të bëjnë asgjë prej gjëje, pavarësisht premtimeve dhe moralitetit të vetëdeklaruar ideologjik. Kjo, sepse çështja shqiptare nuk është çështje morali a filozofishë të mëdha, sepse të drejtat kombëtare nuk fitohen me beteja subjektesh të përçara politike pa një vijë të kuqe, sepse me numër gishtash parlamenteve s’do t’ia dalin kurrë të përmirësojnë thelbesisht statusin e etnisë, e cila, për çudinë e çudirave të kësaj bote, prej subjektit shtetformues në SFRJ-në 22 milionëshe, është katandisur në pakicë të madhe, të sunduar për marre nga shumica e vogël konglomerate.

Hej bela! Si ta mendojë njeriu të ardhmen në vendin, prijësit e të cilit paralajmërojnë dhe mund të inskenojnë konflikte ndëretnike, me idenë se vetëm ato mund t’ua prolongojnë qelitë e merituara. Si të flejë rehat kur e di se siguria e tij është zero me xhufkë? A i lexoni memoaret e pushtetarëve të djeshëm që zbardhin marifetet e dekompozimit të vullneteve shqiptare; që shpalosin hartat ricopëtuese të trungut tim, tëndit, tonit… nga Akademia e shkencave garashaniniste; që ndriçojnë korridoret e errëta të rahmetliut nëpërmjet të cilave u planifikua dëbimi ynë masiv për maxhirhan… Nëse po, atëherë sigurisht e keni më të qartë absurdin e optimistëve të Saharasë.

Për këtë dhe për shumë gjëra që s’i nxe një kolumnë si kjo, më duhet ta them atë që ma thotë loçka e shpirtit: nëse shteti është pronë shatrapollësh të papërgjegjshëm politikë, kushdoqofshin ata; nëse drejtësinë e bëjnë gjyqtarët kukulla të tyre; nëse mafia ia ka marë krahun shtetit të së drejtës; nëse sigurinë time dhe të fëmijëve të mi e ruan një police që ma thotë emrin me përbuzje dhe me terma fyes; nëse çelësat e hapsanes dhe hekurat ndëshkues janë në dorën e saj; nëse fati im është viktimë hipotekash që nuk mund të jenë të miat për asnjë hatër të rremë, qofshin ato edhe të vëllait tim; nëse nuk arrij të shohë qartë perspektivën e më të dashurve që më ka falur Zoti…, ky nuk është shtet, po çerdhe gangsterësh të shtirrur në burrështetas dhe njerëz të ndershëm.

Natyrisht, një shtet si ky: nuk mund të jetë shteti im.

Të (mos) jesh shqiptar

MM

Shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë po rikthehen në vëmendje. Ka prej tyre që po pranojnë rrënjët shqiptare, të tjerë jo. Të çarë e përçarë me shqiptarët muslimanë, ata u asimiluan duke krijuar një identitet tjetër nga ai shqiptar, e duke u deklaruar në masë dërrmuese maqedonas. Mes tyre edhe Mavrova, një zonë turistike kaq shumë e njohur, që fsheh pas gjurmët e rrënjët shqiptare, që pavarësisht asimilimit nuk janë zhdukur.

Reka e Epërme, jo larg Dibrës së Madhe dhe dikur pjesë e natyrshme e saj, ka pasur fshatra të shumtë, të cilët – sipas të dhënave të kohës së Perandorisë Osmane, por edhe ato më të vona – në masën 80 për qind jetoheshin nga shqiptarë të besimit ortodoks dhe atij musliman.

Fillimisht bullgarët e më pas serbët vijuan skemat për asimilimin e këtij komuniteti. Gjithçka vazhdoi në shekullin e XIX, u ndal disa kohë për shkak të Luftës së Dytë Botërore, dhe mori trajtë të plotë e të dhunshme sidomos pas krijimit të Jugosllavisë, ose më saktë pas prishjes së Shqipërisë komuniste të Enver Hoxhës me Jugosllavinë e Titos.

Presioni i vazhdueshëm, dhuna në ndryshimin e mbiemrave, shkollimi i detyrueshëm vetëm në gjuhën sllave, e më pas edhe joshja me mënyra të ndryshme, çuan në një proces asimilimi dhe largimi masiv. Kjo ishte e vetmja zgjidhje për këtë zonë të thellë por me zemër të madhe, që përballoi shumë mbi kryet e saj, duke nisur nga humbja e detyruar e identitetit kombëtar.

Sot, masa dërrmuese e fshatrave të Rekës janë të zbazëta, pasi shumica e banorëve janë larguar. Mes tyre, vetëm Mavrova vazhdon të ruajë ritmin e jetës, e kjo vetëm falë turizmit.

Parku kombëtar i Mavrovës, i shpallur i tillë në vitin 1949, shtrihet në një hapësirë të gjerë, ku natyra e paprekur ofron bukuri të rralla, me florë dhe faunë mjaft të pasur, siç në të gjithë Rekën e Epërme. Banorët të flasin në masë dërrmuese shqip, edhe pse nuk pranojnë të jenë të tillë.

Shqiptarë në rrënjë, me gjuhë shqipe, dhe jo shqiptarë sot, edhe pse gjuha është po aty. Për kamera të hapur nuk bëhet fjalë, gjithçka duhet bërë në fshehtësi.

Mjafton një kredhje bizneseve të zonës, për të kuptuar e për të prekur të vërtetat e tyre, sigurisht jo në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Edhe pyetjet duhet të jenë të kujdesshme, ose më mirë duhet të duken sa më natyrale, për të mos lënë asnjë hije dyshimi.

Ndarja fetare ka qenë ajo që ka ndikuar më shumë. Makineria e propagandës ka dhënë rezultatet e saj. Shumica e banorëve të flasin në gjuhën shqip, ka të tjerë që dukshëm të kuptojnë, por nuk duan të të përgjigjen. E pavarësisht kësaj, shqipja pasohet natyrshëm brez pas brezi, edhe pse shkolla nuk ka pasur kurrë, apo banorët detyroheshin dhunshëm të mos flisnin as rrugicave të fshatit gjuhën e tyre.

“Këtu kemi të ndryshëm, ka dhe shqiptarë, ka edhe serbë e bullgarë, të përzier janë. Por flasin edhe shqip, flasin. Nuk ka Rekë, janë ngritur dhe kanë shkuar nga qytetet. Ka qenë njëherë, tani është zbrazur krejt”, thotë një banor.

Për të gjetur Rekën, Mavrovën e dikurshme, mjafton të shikosh fotografitë e vjetra. Dasmat karakteristike, luftëtarët, banorët e këtyre zonave, e gjithçka tjetër që flet për identitetin e tyre, përmes veshjeve e traditave të shumta.

Sigurisht ka kaluar kohë që nga kryengritja e 1913-s, që vinte si pasojë e shkëputjes nga toka amë. Një kryengritje që nisi nga Dibra, e arrinte deri në malin e Prishtinës, të Manastirit, Velesit, Gostivarit, Strugës e kështu me radhë. Ishte 26-28 shtatori i atij viti, kur luftimet më të ashpra do të bëheshin pikërisht në Mavrovë e Kërçovë, ku trupat kryengritëse morën gjithçka nën kontroll, duke kërkuar bashkimin e menjëhershëm me Shqipërinë, çka tregohet edhe në dokumente të shumta të Arkivës shqiptare të Shtetit.

Mëse 102 vite më pas, shumëçka ka shkuar, është shuar, është mbuluar, ashtu si mjergulla që duket sikur do të përpijë gjithçka, edhe historinë.

Në Mavrovën e sotme nuk ka më asgjë të dukshme, që të lidh me identitetin e shkuar. Askush nuk tregon, askush nuk flet, askush nuk kërkon të thyejë realitetin e imponuar.

“Moti sot nuk është mirë. Se kur është i mirë, është tjetër gjë. Mjegulla ka rënë tashmë dhe nuk mund të shohësh liqenet”. Shumica, nëse i pyet për gjuhën, të përgjigjen shkurt. “Po, e di, e kam mësuar”.

Mjafton pak, për të kuptuar kaq shumë, e për të ndjekur përmes tyre gjurmët, që të çojnë te të vërtetat. Të vërteta, që s’kanë lidhje me nacionalizmat e sëmura, e aq më pak me thirrje për urrejtje, por thjesht dhe vetëm me historinë, atë histori që e kanë bërë njerëzit e këtyre zonave, e që është e dokumentuar dhe faktuar kudo, edhe pse nuk pranohet.

Përtej përpëlitjeve të sfilitura të politikës shqiptare në Maqedoni, një punë të jashtëzakonshme me këtë komunitet po bën sot shoqata “Josif Bageri”, që ka nisur të shkundë atë që dukej e humbur kohë më parë. Atë që, megjithatë, flet ende kudo, edhe në Mavrovë, gjuhën shqipe. / Top Channel

Mbledhjet midis dy qeverive janë të mirëpritura por bashkëpunimi duhet forcuar më shumë e më shpejt

Lëvizja VETËVENDOSJE! sheh si praktikë pozitive takimin e dytë të përbashkët të Qeverive të Shqipërisë e të Kosovës, të mbajtur më datë 23 mars 2015 në Tiranë. Ndërkohë që përgëzon dy qeveritë për mbledhjen, Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes kësaj komunikate shtron vërejtjet dhe sugjerimet e veta, duke dashur të kontribuojë në përmirësimin e kësaj praktike të domosdoshme, siç është mbledhja e përbashkët e qeverive.

Së pari, mendojmë se është me vlerë që marrëveshjet dhe memorandumet të cilat nënshkruhen në këto mbledhje, të diskutohen më parë, në rastet kur është e mundur, edhe me shoqërinë civile, median, dhe subjektet opozitare. Kjo do të krijonte mundësinë e përmirësimit të këtyre marrëveshjeve, si dhe do të rriste nivelin e informacionit të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë e Republikës së Kosovës përmbi to.

Së dyti, mendojmë se në praktikën e bashkëpunimit të ndërsjelltë tashmë të nisur nga ekzekutivi, duhet përfshirë sa më shpejt edhe legjislativi. Mendojmë se komisione të caktuara të dy parlamenteve do të duhet të takoheshin edhe më shpesh në mbledhje të përbashkëta, sidomos ato komisione që e kanë punën drejtpërsëdrejti të lidhur me sektorët për të cilët po merren vesh qeveritë. Bashkëpunimi në nivelin e legjislativit do të bënte të mundur përafrimin e kuadrit ligjor, si dhe ngushtimin e bashkëpunimit apo të bashkimit në sektorë të ndryshëm. Mendojmë po ashtu se, për çështje të caktuara, do të ishte mirë të mblidheshin në seancë të përbashkët edhe Kuvendet e Shqipërisë dhe Kosovës, si organet sovrane të dy republikave.

Së treti, mendojmë se mbledhjet e dy qeverive do të duhet të themelojnë institucione të përbashkëta, ose të njësojnë institucione ekzistente, të cilat do të punonin si unike gjatë gjithë kohës, e jo vetëm në periudhat e mbledhjeve apo ceremonive. Këto institucione të përbashkëta do të mund të ishin Institute, Agjensi, Ente, Drejtori ministrore, dhe në afatmesëm, do të duhet të mendonim edhe për ministri të përbashkëta në sektorë të caktuar, sidomos sa i përket politikës së jashtme, politikës së mbrojtjes dhe sigurisë, e disa sektorëve me rëndësi ekonomike, siç janë politikat fiskale e ato monetare.

Duhet të punohet urgjentisht në arritjen e standardizimit të produkteve të tregtueshme në Shqipëri e Kosovë, si dhe të njësimit të autoritetit që lëshon licencat prodhuese edhe tregtare. Politikat e standardizimit do të duhej të mbronin konsumatorët në shoqëritë tona, si dhe të synonin ruajtjen e prodhimit vendor prej konkurimit të padrejtë nga prodhime jocilësore të importuara.

Duhet të përcaktohen ekskluzivitete tregtare të ndërsjellta për Shqipërinë e Kosovën, si dhe duhet punuar për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për blerjen e prodhimeve vendore.

Duhet bërë një plan i përbashkët strategjik për zëvendësimin e importeve, subvencionimin dhe politikat doganore që e ndihmojnë këtë.

Duhet punuar për njësimin doganor drejt unifikimit, e jo thjesht për lehtësimin e procedurave në dogana.

Projektet infrastrukturore nuk duhet të jenë në mbështetje të njëra-tjetrës, por duhet të jenë projekte të përbashkëta. Ndër këto projekte, më i rëndësishmi do të ishte një hekurudhë që lidh Prishtinën me Tiranën.

Përkushtimi ynë për të arritur Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë nuk duhet ngatërruar me përkushtimin për t’u integruar në Evropë. Ne besojmë se këto janë të dyja të mundshme, dhe duhet të punojmë për të dyja, por Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, qoftë para, qoftë pas integrimit në BE, mund të realizohet me referendum demokratik dhe me njësim institucional e shtetëror paqësor. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të përmirësonte situatën tonë si popull e si komb, në ekonomi, në demokraci, në siguri e në kulturë, do të përmirësonte situatën e komuniteteve të gjera shqiptare në Ballkan, do të na bënte më dinjitozë në sytë e fqinjëve dhe të vendeve perëndimore, dhe do të përshpejtonte zhvillimin tonë. Për këtë arsye, Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është një synim i denjë, që meriton të artikulohet si i tillë pa asnjë kompleks.

24 mars 2015

Lëvizja VETËVENDOSJE!

S’kemi elita të mirëfillta politike

Koco_DanajLideri i Listës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj, është shprehur mjaft kritik ndaj elitave politike në Kosovë dhe Shqipëri.Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Danaj ka thënë se Prishtina dhe Tirana vuajnë nga elitat e mirëfillta politike. Ai ka deklaruar se elitës aktuale politike në Kosovë dhe Shqipëri i intereson vetëm pushteti, e jo vizioni për të ardhmen e kombit shqiptar. “Ata kanë një grumbull grindavecësh që zihen me njëri-tjetrin se kush është i ‘pari’, një grumbull grindavecësh që i tregojnë ‘biografinë’ njëri-tjetrit. Puna e parë që duhet bërë është shkrirja e dy Akademive të Shkencave si në Tiranë dhe në Prishtinë”, ka deklaruar Danaj.

Në këtë kontekst, Danaj ka thënë se kombi shqiptar ka elitë, por këtë, sipas tij, nuk e duan politikanët nga Prishtina dhe Tirana. “Këtë elitë nuk e duan politikanët e të dyja kryeqyteteve, këtë elitë nuk e duan mediet pro këtyre politikanëve. Elitë do të thotë progres, do të thotë vizion, do të thotë kundërshti, do të thotë dialog, do të thotë të gjejmë çfarë kemi të përbashkët, e jo të merremi me atë se çfarë na ndan”, është shprehur Danaj.
Ndërkaq duke iu referuar mbledhjes së përbashkët të dy qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, e cila do të mbahet këtë muaj në Tiranë, Danaj ka thënë se kjo mbledhje është vetëm rutinore.
Koço Danaj në këtë intervistë ka folur edhe për çështjen e Gjykatës Speciale. Ai ka thënë se formimi i kësaj gjykate është skandal dhe “krim demokratik”. Ai ka deklaruar se nëpërmjet kësaj gjykate lobi proserb në Bashkim Evropian (BE) është duke kërkuar hakmarrje ndaj UÇK-së. “Mjerisht në ndihmë të tij janë sot politikanët shqiptarë, disa medie shqiptare, disa analistë shqiptarë”, ka theksuar Danaj. Ai ka vlerësuar se nëse Kuvendi i Kosovës do të lejojë që gjykata të emërtohet si “Gjykata Speciale për krimet e ish-UÇK-së” atëherë, sipas tij, Kuvendi duhet të shkojë dhe t’i zhvarrosë nga varri të gjithë heronjtë dhe dëshmorët e UÇK-së.

Ëndrra nuk mund të vdes, për aq kohë sa SHQIPTARI jeton

Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Armiqtë janë të elektrizuar nga ëndrra se me veprimet antishqiptare do të arrijnë shkombëtarizimin e tyre dhe një ditë, do të ushtrojnë një kontroll të plotë mbi ta. Kodoshët shqipfolës, në bashkëpunim me armikun e jashtëm, duan ta shtrydhin Atdheun tonë. Misioni i tyre është të vazhdojnë të na bezdisin me llomotitje të çoroditura dhe në thelb të pakuptim. Lehjet e tyre janë një përzierje e shushatur vetëmburrjeje primitive, përgojimesh të gjithçka-je shqiptare dhe profeci të flakta të predikuesve injorantë përçarës antikombëtar.Kombi është një bashkësi njerëzore e qëndrueshme, e lindur mbi bazën e bashkësisë së gjuhës, të territorit, të jetës ekonomike dhe të formimit shpirtëror që shprehet në bashkësinë e kulturës. Kombet kanë një shpirt të përgjithshëm dhe një unitet moral të vërtetë që i përfton ashtu siç janë. Ky unitet shfaqet sidomos nëpërmjet GJUHËS. Shqiptari i cili është duke flakur tej gjuhën amtare, zakonet e nderuara, dhe duke shkelur me këmbë dogmat kombëtare, ai fyen pikërisht ZOTIN.

Për një komb të caktuar, me rrënjët e veta-gjenealogjinë, me një kujtesë etnike, me një popullsi të dhënë, territorin, me zakonet e tij, gjuhën e tij, situatën gjeopolitike, pasuritë, cilësitë e mira e të këqija, duhen gjetur ligjet që i përshtaten.
***
Edhe pse shqiptarët nuk kanë druajtje të tepërt prej sundimtarëve, janë tejet të bindur dhe verbuar. Janë prej atyre kombeve që nënshtrohen jo pse autoriteti iu shkakton aq frikë, por sepse ata kanë aq frikë – jo nga autoriteti, por prej jetës – sa kërkojnë një pushtet të cilit t`i nënshtrohen. Ndërkaq, sundimtarët e tyre injorantë, kanë nevojë për një prijë të fuqishme, të fortë, që të kompensojnë ligështinë e tyre. Dhe, e gjejnë te fqinjët. Prandaj Shqipërinë e urdhëron Greqia, Kosovën Serbia, Turqia…

Kohët e fundit kam përshtypjen që jeni të vetëdijshëm se gjendeni në një botë të huaj dhe ju ka kapluar ndjesia e pafuqisë që rrjedh prej kësaj. Kjo lehtësisht mund t`ju mposhtë. Nëse do të ndjeni veten tërësisht pasiv, një objekt i thjeshtë, do të privoheni prej vetëdijes se keni një vullnet, një histori të lashtë dhe një identitet legjendar pellazg/ilir/shqiptar.

Nuk ka rrezik tjetër si ai kur mendja të ngulet në një pikë e nuk luan vendit, kurse unë jam vërtet nga ata që gjatë përmbushjes së detyrës, kanë nevojë për emocionet e lidhura me rreziqe e me marrje rreziqesh përsipër, për ta pasur mendimin të kthjellët. Ky është element i prirjeve të mia.

Një mik më pyeti: “Aurel, nga e nxjerrësh këtë kënaqësi emocionale, nga dashuria apo rreziku që vjen nga kjo lojë?”
Përgjigja ime ishte: “Nga rreziku. Sepse më nxit. Por, të lutem, mos më keqkupto, rreziqet nuk më pëlqejnë, më pëlqen t`u bëj bisht. Kështu u hapet rrugë energjive të mia.”

Ata që nuk kujdesen për ndjenjat e të tjerëve mund të bien shpejt në telashe. Shumica e vendimeve të marra janë të bazuara në emocione. Kjo ndoshta nuk duket ashtu sepse ne i maskojmë me fjalë të arsyeshme dhe shpjegime, por shpesh janë “ndjenjat e barkut” ato që vendosin.

Emocionet janë nxitës të fuqishëm në njerëz, për të mirë dhe për të keq dhe diçka që ne dëgjojmë me vëmendje kur ne të hasim në diçka që na sfidon. Janë instinktet origjinale indigjene që na tregojnë nëse ne duhet të ikim ose të luftojmë.

Të njohësh vetveten do të thotë të fitosh një kuptim thelbësor në rritje, mendore dhe ndijore, për pjesën tjetër deri më atë kohë të panjohur të psikikës vetjake. Ajo shkakton një shtim të energjisë, që çlirohet prej përgjegjësisë për të mbështetur kapërcimet; kështu pra, sa më tepër që njeriu është në ndërlidhje me realitetin e tij të brendshëm, aq më tepër është i dritësuar dhe i lirë.
***
Sa e shkurtër është rruga nga normal te i çmendur?
Çfarë është çmenduri dhe çfarë është normalitet? Kjo është një pyetje e lashtë me shumë përgjigje. Tradicionalisht ne e perceptojmë shpesh çmendurinë në lidhje me mangësinë e realitetit. Njerëzit që përjetojnë botën në një mënyrë krejtësisht të ndryshme se publiku i gjerë, shpesh konsiderohen si të sëmurë psikik, me çrregullime shpirtërore. Shumica e njerëzve e kuptojnë marrëzinë dhe çmendurinë si e kundërta nga e arsyeshmja.

Ne duhet të jemi të sinqertë. Ka grupe në shoqërinë tonë që kanë një kokë bosh, gojë të madhe dhe një zë të lartë, por të cilët nuk janë myslimanë të vërtetë. Dhe, këta krijesa nuk përfaqësojnë shqiptarët mysliman. Ekstremizmi i tyre ka të bëjë me ideologjinë dhe jo Islamin. Më injorantët dhe më të çmendurit prej tyre:
• propagandojnë mësimin fetar islam në shkolla
• mbulesën me jorgan të femrave
• kërcojnë me dhunë të përhapin islamin politik
Politikanët injorantë, servil, tradhtarë dhe të korruptuar deri në vesh:
• vodhën dhe plaçkitën të gjitha pronat shoqërore
• motivojnë / detyrojnë ikjen e shqiptarëve dhe boshatisjen e vendit
• përpiqen të zvogëlojnë numrin e shqiptarëve të Kosovës, duke ua ndaluar lindjen e fëmijëve
• ua dhurojnë fqinjëve KOASH-in, qytetet (Mitrovicën), minierat (Trepçën), lumenjtë (Vjosa, Radika), detin, kodrat, fushat, malet, tokën, qiellin, ajrin…

Botëkuptimet e tyre të përdredhura për çështjet dhe gjërat, janë fuqia më shkatërruese për Kombin dhe Atdheun.
***
Nacionalizmi i shqiptarëve është vrarë si pasojë e“pastrimit të trurit”, ndërkaq fqinjët shovinist e përforcojnë gjithnjë e më tepër. Megjithatë, nuk ka probleme me të cilat nuk mund të ballafaqohemi. Përvoja, njohuritë dhe besimi në vetvete na tregojnë se si ato duhet të trajtohen. Doemos, edhe shoqëria shqiptare të pastron plehrat nga kopshti vet, të krijojë strukturë dhe institucione të mirëfillta, të përhershme, që i sigurojnë asaj qëndrueshmëri.
***
Në shtator 2012, me disa miq dhe bashkëluftëtarë të mi ishim në Shqipëri. Afër dy muaj u stërvitëm në bjeshkët madhështore dhe ujërat e kaltra të Ksamilit. Natën e fundit para ikjes, në ditarin tim shkrova:

Fryrë zemrat dhe faqet me ngjyra të ndezura, homazh të dashurit Atdhe. Emri i shenjtë. Gjumi im është i heshtur, dhe askush nuk mund të ëndërrojë në mënyrë të lehtë dhe kështu të heshtur, kur malet dhe deti bie në gjumë, dhe askush nuk mund të buzëqeshë në mënyrë të qetë dhe të lumtur, kur zërat lundrues mbinatyror vdesin. Dhe, pyjet janë duke fjetur në luginë.

Shqipëri, Shqipëria ime, ma jep mua pranverën tënde, me diell mbi ujërat që lëkunden, por më dëgjo mua, më dëgjo mua kur ditët kalojnë dhe hijet e mbrëmjes mbulojnë ballin tim. Pastaj më mëso të zbehem, o Shqipëri moj nëna ime, dhe të hipi në një krevat në tokën tënde të shenjtë, kur vera e lënë vendin…