Kategoritë: Bota

Lajmet nga Bota

Renzi i sigurtë në timon

Një vit pas marrjes së pushtetit, kryeministri i Italisë, Matteo Renzi ka pak arsye që të ketë frikë nga opozita – por ndoshta duhet të ketë frikë nga partnerët e tij politikë. Një vështrim në një karrierën të rrufeshme.Tri vjet të shkuara unë ndodhesha në zyrën madhështore të Matteo Renzi-t, në Palazzo Vecchio në Firence. 37 vjeçari ishte atëherë kryetar i bashkisë së Firences. Në këtë kohë, borxhi i Italisë kërcënonte që ta destabilizonte plotësisht euron. Silvio Berluskoni sapo kishte lënë në mënyrë të palavdishme postin e kryeministrit dhe pasardhësi i tij Mario Monti kishte ndërtuar një qeveri teknokratësh.
“Që ne jemi në situatën në të cilën jemi, nuk ka të bëjë me faktin se i kemi humbur gjenialitetin dhe aftësinë tonë krijuese italiane”, më tha atëherë Renzi me anglishten e tij jo krejt të rrjedhshme, “por politikanët italianë për fat të keq nuk janë drejtuar nga vizionet, por nga ndasitë. Kjo është pika me rëndësi vendimtare”.
Karrierë e rrufeshme
Më pak se dy vjet më vonë, në dhjetor 2013, Renzi arriti që ta bënte Partinë Demokratike (Partito Democratico) ta zgjidhte atë kryetar, me gjithë kundërshtitë. Shumë shpejt ai i bëri presion kryeministrit tjetër kalimtar, shokut të partisë së tij, Enrico Letta. Letta dha më në fund dorëheqjen, dhe në shkurt 2014 Renzi qe në gjendje ta merrte vetë drejtimin e qeverisë.
Megjithëse vizionet e Renzit për një Itali të re nuk ishin vërtet të reja – as reforma e tij e kushtetutës, as ajo për ligjin elektoral, as reforma e tregut të punës – ai e shiti atë megjithatë me dinamikë të madhe si të tillë. Një gjë të tillë, koalicioni mes-i majtë i përfshirë nga grindjet nuk e kishte përjetuar: në një peizazh politik, të cilin deri atëherë e patën formësuar burra të moshuar, Renzi ngriti një nga kabinetet më të reja politike të Evropës, gjysma e të cilit përbëhej nga gratë. Dhe ai u mor vesh me të vetmen forcë të vërtetë opozitare në Itali – me Forza Italia-n e Silvio Berluskonit. Me këtë ai arriti që një shumicë e senatit të votonte për një ligj të ri elektoral, i cili shpresohet se do të sjellë stabilitet më të madh politik në të ardhmen.

Politikan postmodernist
Leonardo Morlino, profesor i politologjisë në Universitetin Luiss në Romë është i impresionuar nga Renzi. Puna e tij duhet vlerësuar, po të kesh parasysh se sa e fortë është në Italinë e pas 1945-ës fryma e mosmarrëveshjeve politike dhe e mosbesimit midis partive. Renzi qendron në pushtet dhe popullariteti i tij rritet tek partitë e majta dhe të djathta. “Nuk duhet të harrojmë se Italia ka përjetuar thuajse për 20 vjet një stanjacion politik”, thotë Morlino. Renzi ka ardhur “me vullnet, energji dhe me ide dhe kërkon ta ndryshojë demokracinë e Italisë. Po të flasim hapur dhe të heqim syzen partiake, duhet të pranojmë se me siguri do të duhen kohë, derisa t’i shohim rezultatet.”
Massimiliano Panarari, ekspert i komunikimit politik dhe autor kronikash thotë se Renzi është një revolucion politik për Italinë, ndonëse atij do t’i duhet shumë kohë t’i arrijë ato që thotë. Ai është një politikan postmodernist, thotë Panarari, një “paradigmë për çdo udhëheqje politike pas tij” – një njeri me aftësinë, që ta përkapë shpejt vullnetin e italianëve dhe të politikës italiane” dhe ta orientojë mbi këtë bazë agjendën e tij politike. Autori i kronikave lëvdon veç kësaj reformën e taksave të Renzit si një lëvizje të zgjuar. Përmes saj, personat me të ardhura të pakta kanë 80 euro më shumë në muaj në portofolet e tyre.
Panarari thotë se në Partito Democratico, në forcën e vetme stabile politike në vend, ka konflikte të brendshme. Këto konflikte në rritje mund të bëhen një ditë të vetmet armike të vërteta politike për Renzin. Nëse stili i drejtimit të Renzit i bën mirë vendit, për këtë ai ka dyshim. “Me stilin e Cezarit” e drejton Renzi Italinë, thotë Panarari. Këtë javë, Renzi mbajti në parlament mbledhje të gjata pa pushim, për t’u pamundësuar deputetëve që të përpunonin ndryshime për reformën e kushtetutës që ka planifikuar ai. Projekti përmban ndër të tjera që senati i tejfryrë të shndërrohet në një dhomë më të vogël, me fuqi më të dobëta ligjvënëse. (dw)

Bullgaria kërkon më pak gaz rus

Bullgaria kërkon të ndërtojë një rezervuar të madh gazi, për të siguruar furnizimin me energji, edhe për Evropën Juglindore, pasi Rusia e ndaloi projektin e South Stream-it. Ka vetëm një problem: mungon gazi.Në sektorin energjetik, Bullgaria është thuajse krejtësisht e varur nga gazi rus. Njëkohësisht midis Moskës dhe Sofies ka mendime të ndryshme për linjën e furnizimit me gaz, South-Stream. Qe parashikuar që kjo linjë ta transportonte gazin nga Rusia në BE, nëpër Bullgarisë, duke anashkaluar territorin e Ukrainës. Por pas mosmarrëveshjeve politike, qeveria ruse e ndaloi projektin në dhjetor – në një kohë kur Bullgaria qe e interesuar të vazhdonin ndërtimet.

Rrugëdalje do të ofrojë një rezervuar mbirajonal gazi. Projekti pritet të kushtojë mbi 2,2 miliardë euro dhe kryeministri bullgar, Boiko Borissov e prezantoi atë në një forum të nivelit të lartë për energjinë në Sofie. Të pranishëm ishin ministra të Energjisë nga Austria, Kroacia, Greqia, Rumania, Hungaria, Italia, Sllovenia, Sllovakia dhe Bullgaria -shkas për takimin e tyre ishte vendimi i Moskës, për ta varrosur projektin South Stream.

Rezervuari i gazit do të mundësojë tani një lidhje më të ngushtë të rajonit me tregun evropian të gazit. Komisari i BE për Bashkimin Energjetik, Maros Sefcovic theksoi se varësia nga furnizimet me gaz rus duhet të pakësohet. “Ne ramë dakord që çdo shtet i Evropës Juglindore të marrë gas nga të paktën tri burime”, tha ai.

BE do të ofrojë financimin

Një pjesë e madhe e vëllimit të gazit për rezervuarin e ri, rreth 63 miliardë metra kub duhet të vijë nga Rusia, sasi më të vogla nga Bullgaria, Rumania dhe nga rajoni rreth Detit Kaspik. Ky gaz mund të furnizonte pastaj pjesërisht Bullgarinë dhe Rumaninë, ndërsa rreth 43 miliardë metra kub do të përcilleshin në drejtim të Evropës Qendrore. Një sasi të vogël mund të merrte edhe Serbia. Sipas qeverisë bullgare, për këtë qëllim duhet të shtrohen gjithsej 844 kilometra tubacione të reja gazi. Për financimin, qeveria bullgare shpreson para nga plani i gjerë i investimeve të Presidentit të Komisionit Evropian. Jean-Claude Juncker.

Por ideja ka megjithatë një defekt: i gjithë projekti bazohet në supozimin, se pjesa nënujore e South Stream-it, deri në qytetin e Detit të Zi, Varna do të ndërtohet. Por kjo nuk është aspak e sigurtë.

Riorganizim i tregut të gazit

Christo Kazandjiev nga organizata joqeveritare F”orumi Energjetik Bullgar” beson se depozita e gazit në Bullgari do të ishte në vendin e duhur, sepse Bullgaria ka një pozicion të mirë gjeografik dhe një rrjet të gjerë tubacionesh gazi. Por për këtë projekt do të ishte e rëndësishme që të riorganizohen rrjetet e gazit në të gjithë Evropën. “Rëndësi vendimtare kanë furnizimet e sigurta me gaz nga burime të ndryshme”, thotë eksperti i energjisë. Sepse projekti në fjalë vazhdon ta shohë South Stream-in burim kryesor furnizimi.

Një hap përpara, Bullgaria, Greqia dhe Rumania tashmë e kanë bërë: ato kanë vendosur të lidhin me njëra-tjetrën rrjetet e tyre të gazit. “Ne presim që me ne të bashkohet edhe Hungaria”, deklaroi ministrja bullgare e Energjisë, Temenushka Petkova. Brukseli duhet të japë ndihmë financiare. (dw)

Parneritet i ri SHBA – Turqi

Shtetet e Bashkuara dhe Turqia janë duke krijuar një partneritet për stërvitjen dhe armatosjen e rebelëve të moderuar sirianë për të luftuar grupin terrorist “Shteti Islamik”.Ambasadori amerikan në Turqi dhe Nënsekretari në Ministrinë e Jashtme turke e nënshkruan marrëveshjen në Ankara.

Edhe pse Turqia do të përfshijë mes objektivave edhe forcat e qeverisë së Presidentit sirian Bashar al Assad, Shtetet e Bashkuara thonë se synimi është lufta kundër ISIS-it.

Turqia thotë se stërvitja e rebelëve sirianë mund të fillojë që muajin e ardhshëm. (voa)

Mision policor i BE në Ukrainë?

Policë të BE në Ukrainë: kjo është ajo që dëshiron Presidenti Petro Poroshenko. Ai kërkon ta lidhë BE më fort në kontrollin e armëpushimit. Propozimi gjen pak mbështetje.Policët e BE, tha Poroshenko pas një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit mund të merrnin një mandat të Kombeve të Bashkuara dhe të mbikqyrnin respektimin e armëpushimit dhe ndoshta edhe kufijtë midis zonës së separatistëve dhe Rusisë.

Ky propozim pritet me skepticizëm të madh në Bruksel. E ngarkuara e BE për politikën e jashtme, Federica Mogherini, deklaroi se në radhë të parë diskutohet zbatimi i marrëveshjeve më të fundit të Minskut, të javës së kaluar. Atje, Ukraina, Rusia dhe Gjermania patën rënë dakord, që Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ta vëzhgojë edhe më tej gjendjen në Ukrainë dhe të raportojë për konstatimet e saj. Në OSBE janë të përfaqësuara si Ukraina, Rusia dhe shtetet e BE, ashtu edhe SHBA. Rreth 450 punonjës të paarmatosur të kësaj organizate vëzhgojnë që prej marsit 2014 zhvillimet në Krime dhe në Ukrainën Lindore.

OSBE-ja ka përparësi përpara BE

“Për ne ka përparësi vënia në jetë e marrëveshjes së Minskut. Kjo ka nisur. Ne e pajisim OSBE-në me automjete të blinduara. Ne i vëmë në dispozicion OSBE-së pamje satelitore dhe gjithçka për të cilën ajo ka nevojë”, thotë Maciej Popowski, bashkëpunëtor i nivelit të lartë të shërbimit diplomatik të BE në Riga. Në kryeqytetin e Letonisë aktualisht janë mbledhur ministrat e Mbrojtjes të BE. Vëzhguesit vijnë nga 41 shtete, një pjesë e madhe janë nga shtetet anëtare të BE.

Diplomatë të BE e konsiderojnë me pak gjasa, që në të ardhmen një trupë e armatosur helmetkaltërish të OKB-së nga radhët e BE t’i mbajë larg njëra-tjetrës palët e konfliktit. Një trupë e tillë duhet të përbëhet nga ushtarë të stërvitur, punonjësit e policisë nuk janë të përgatitur për detyra të tilla.

Një mision të paarmatosur policor BE e ka tashmë në Kiev. Që prej korrikut 2014 ai ka dërguar punonjës policie, policë kufiri, gjykatës dhe juristë në Ukrainë. “Ky mision këshillimor interesohet më tepër për ndërtimin e institucioneve, pra për Ministrinë e Brendshme dhe autoritetet policore”, thotë Marcel Popowski. Ky mision me emrin EUAM ndodhet në ndërtim e sipër dhe do të kryejë për dy vjet punë këshillimore me qeverinë në Kiev. Prej vitit 2005, 200 policë të tjerë të BE vëzhgojnë kufirin midis Ukrainës dhe Moldavisë. Një trupë të vogël vëzhguesish BE ka stacionuar edhe në Gjeorgji, ku Rusia mban të pushtuara që prej vitit 2008 rajonet e Osetisë Jugore dhe të Abkazisë.
Misione të tjera BE ka edhe në Afganistan, Kosovë, në zonat palestineze etj.
Diplomatë të BE tërheqin megjithatë vëmendjen në Bruksel se në konfliktet në Ballkan, në fillim u angazhuan masivisht ushtarë të OKB-së dhe të NATO-s. Misioni policor i BE garantoi më tepër ndërtimin civil të vendit. Kurse gjendja në Ukrainën Lindore është tjetër. (dw)

Koment: Vetëm sunitët mund ta mundin IS

Bombardimet e “koalicionit të të vullnetshmëve” të udhëhequra nga SHBA e kanë dobësuar të ashtuquajturin “Shtet Islamik”. Por për ta mundur atë, nevojitet urgjentisht një aleancë e arabo-sunite, mendon Loay Mudhoon.Pa dyshim që sulmet masive ajrore të koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara kundër të ashtuquajturit Shteti islamik (IS) kanë ndikuar dukshëm që të ndalohej fillimisht zgjerimi territorial i pseudo-kalifatit të xhihadistëve. Edhe çlirimi i qytetit verior kufitar sirian Kobane nga luftëtarët irakiano-kurdë Peshmerga do të ishte i paimagjinueshëm pa mbështetjen e sulmeve ajrore amerikane dhe arabe. Këto arritje të pamohueshme e kanë shkërmoqur disi mitin e pathyeshmërisë të të ashtuquajturit “Shteti Islamik” (IS), por për një fitore të afërt ndaj këtyre ekstremistëve nuk mund të flitet.
Sepse lufta e Perëndimit dhe e arabëve kundër IS ndalohet vazhdimisht: Pas katër muajsh lufte ajrore aleancës i mungojnë objektiva të tjera me rëndësi strategjike, që mund të bombardoheshin. Këtë e vështirëson edhe fakti se luftëtarët e IS kanë kaluar në një taktikë guerilase. Kështu është e vështirë, që ata të luftohen nga ajri.
Aleancë e brishtë kundër IS
Tani duken pasojat e asaj, që “koalicioni i të vullnetshmëve” ndërkombëtarë u nis në luftën kundër Kalifatit të horrorit pa një koncept politik dhe në rradhë të parë pa qartësi lidhur me objektivin strategjik të operacionit ushtarak. Sidomos për arsyen, se ishte e qartë, që terrori i IS nuk mund të luftohet vetëm me mjete ushtarake.
“Koalicioni i të vullnetshmëve” ka qenë në fakt që në fillim i brishtë dhe politikisht kontradiktor. Sepse ai mbështetet në aleatë arabë të dyshimtë si Arabia Saudite dhe shtete të tjera të Gjirit. Kanë qenë ato, që e hapën ideologjikisht rrugën për zhvillimin e të gjitha rrymave xhihadiste në Lindjen e Mesme dhe në luftën e tyre kundër regjimit të Asadit mbështetën forcat radikale në Siri.
Shumë i rëndë mund të jetë në moment fakti, që përfshirja e fuqive të rëndësishme rajonale sunite në “Koalicionin e të vullnetshmëve” nuk ka qenë e mjaftueshme. Kjo duket në atë, që Perëndimit i mungojnë momentalisht aleatët, të cilët do të ishin në gjendje për të drejtuar një luftë efektive tokësore kundër IS në territoret sunite në Siri dhe Irak.
Anëtarët e deritanishëm të koalicionit perëndimor dolën se ishin të gabuarit: Kurdët ndjekin interesat e tyre kryesisht territoriale. Ata i kanë dëbuar arabët vendas nga territoret e pushtuara prej tyre dhe i kanë shpallur ata pjesë të Kurdistanit. Ndërsa milicët shiitë, që mezi kontrollohen dhe skuadrat e vdekjes janë partneri më i paimagjinueshëm, për t’i bërë ballë IS në tokë.
Edhe siguria e Afrikës së veriut është e rrezikuar
Ngaqë xhihadistët e IS shfrytëzojnë kaosin në Libi për të zgjeruar bazën operative dhe për të bërë aleancë me xhihadistët egjiptianë, ata bëhen kërcënim real për sigurinë nacionale të Egjiptit dhe Tunizisë. Prandaj nuk ishte e habitshme që pas prerjes së tmerrshme të kokave të 21 koptëve nga xhihadistët e IS presidenti egjiptian al-Sisi kërkon një rezolutë të OKB-së për ndërhyrje ushtarake ndërkombëtar e në vendín e përfshirë nga lufta civile.
Pikërisht këtë çast duhet të kapë Perëndimi dhe të bëjë çdo gjë të mundshme për të krijuar një aleancë egjiptiano-turko-saudite kundër IS, mundësisht duke marrë në konsideratë islamikët e moderuar, por pa Iranin dhe regjimin e Assadit të diskredituar ndërkombëtarisht. Sepse përfshirja e Iranit do të ishte më tepër kundërproduktive, për shkak të qëndrimit ekstrem antishiit të gati të gjithë xhihadistëve.
Sepse vetëm myslimanët sunitë janë në gjendje të mundin IS dhe të thajnë trungun ideologjik të xhihadizmit. Perëndimi duhet të insistojë në përfshirjen e tyre të vërtetë në veprimtarinë e qeverisë së Irakut. Të tjerë partnerë, më të dobishëm në luftën kundër pseudo-kalifatit IS, Perëndimi nuk ka. (dw)

Koment: Ne jemi një popull!

Gjermania 25 vjet pas rënies së murit – sa janë afruar gjermano-lindorët dhe gjermano-perëndimorët? Kjo është hulumtuar me porosi të qeverisë federale. Konkluzionet nuk të habisin, mendon Felix Steiner.Ne gjermanët dallohemi për dy veçori: nga njëra anë ne jemi në përgjithësi të saktë, atë që bëjmë e bëjmë me themel. Dhe së dyti ne parapëlqejmë të shtrojmë pyetje për vetveten. Ne druhemi se nuk jemi normalë – dhe vazhdojmë të kemi një raport të çoroditur lidhur me identitetin tonë kombëtar. Le ta pranojmë: asnjë komb tjetër europian nuk është rikthyer para 25 vjetësh tek bashkimi shtetëror, pasi për 40 vjet ka qenë i ndarë në dy shtete me sisteme krejtësisht të ndryshme shoqërore. Por edhe sikur të ketë pasur të tillë: kush tjetër veç ne gjermanëve pas 25 vjetëve të rënies së murit do të autorizonte një projekt studimor, që hulumton vetëm çështjen nëse “Jemi ne një popull?”
Porosinë për këtë punë të zellshme shkencore e ka bërë e ngarkuara e qeverisë federale për landet e reja – një titull ky, që prej kohësh bart një notë anakronike. Iris Gleicke, kështu quhet aktualisht drejtuesja e këtij posti, nuk ka – ashtu si të gjithë njerëzit që kanë poste dhe funksione – asnjë interes, që zyra e saj të duket si e tepërt. E kësisoj ajo e ka prezantuar tani rezultatin e studimit me një fjali të urtësisë Salomoniane: Gjermania ndonëse është “bashkuar, ende nuk është një”.
Çfarë do të thotë “të jesh një”?
Një kundërpyetje, zonja Gleicke: a mundemi dhe duam ne gjermanët vërtetë të jemi “një”? Çfarë do të thotë në fakt – të jesh një? A duhet që ne të kemi të gjithë të njëjtat pikëpamje dhe konceptime të vlerave? A nuk e vlerësojmë ne Bashkimin Europian, pejzazhin kulturor të Europës, pikërisht mbi bazën e larmisë së madhe të saj? A nuk përbën kjo larmi pasurinë e saj?

E pra përse pikërisht në Gjermani duhet të synohet diçka tjetër? Sepse: pikërisht ashtu siç dallojnë pejzazhet dhe imazhet e qyteteve në Bavarinë e Epërme dhe në brigjet e Detit Baltik të Meklenburgut, po ashtu duhet të dallojnë edhe njerëzit, që jetojnë atje. Por jo vetëm kaq: njerëzit duhet të dallojnë, sepse p.sh. ata dallohen si gra apo burra, ose si shvabë apo friesenë, inxhinierë apo ndihmëskuzhinierë, që jetojnë në qytet apo në fshat. Por ata dallojnë edhe, sepse kanë jetuar në Gjermaninë e dikurshme Lindore apo në atë Perëndimore.
Dallimet do të ishin një problem, nëse njerëzit në një pjesë të vendit do ta refuzonin me shumicë sistemin politik të Gjermanisë. Ose nëse ata do të ndienin urrejtje dhe aversion kundrejt “të tjerëve”. Por asnjëra prej këtyre nuk ndodh në Gjermani: shumica dërmuese e gjermanëve janë të kënaqur, i përmbahen demokracisë si formë e shtetit dhe bashkimin e dy shteteve gjermane e konsiderojnë si një fitim për të dyja palët. Atje, ku në të kaluarën ka pasur dallime masive mes Lindjes dhe Perëndimit, tashmë ato janë shuar në mënyrë të dukshme brenda një gjenerate. Ato që ekzistojnë sot ende si dallime, mund të shpjegohen me rrugët dhe përvojat e ndryshme jetësore.
Diktatura dhe ndryshimi i sistemit kanë lënë gjurmë
Një shembull: vetëm 46% e gjermano-lindorëve e konsiderojnë ish-RDGJ (Republika Demokratike e Gjermanisë) si një “shtet totalitar”. Në Perëndim kjo kuotë – jo shumë befasuese – është shumë më e lartë. Një konkluzion i tillë është e kuptueshme që duhet t’u shkaktojë dhimbje viktimave të sistemit të dikurshëm, sepse bëhet fjalë për dekada të jetës së tyre, të së përditshmes së tyre. Nga ana tjetër kushdo, që ka qenë i vetëdijshëm, se po jeton në një shtet diktatorial, duhet të shtrojë pyetjen për implikimin e vet në këtë sistem: çfarë dija unë mbi ato që bënte regjimi? A mos kam qenë edhe unë doras? Përse nuk kam ushtruar rezistencë? Që shumica u shmangen këtyre pyetjeve, është e kuptueshme. Në RFGJ (Republika Federale e Gjermanisë) në vitet 1950-të dhe 1960-të vërehej pikërisht kjo dukuri, sapo bëhej fjalë për shtetin nacionalsocialist – gjë kjo që nuk mund të krahasohet me RDGJ.
Ndaj mesazhi pozitiv i studimit është: tek të rinjtë, që kanë lindur pas rënies së murit, sot nuk konstatohen dallime sa i përket botëkuptimit dhe konceptimit të vlerave. Kjo vlen si për konkluzionet pozitive, ashtu edhe për ato negative – po t’i referohemi p.sh. ksenofobisë ose antisemitizmit. Pikërisht për këtë arsye më së voni pas 25 vjetësh edhe Iris Gleicke do të mund të konstatojë, që ne gjermanët jemi “një”. Unë mendoj qysh sot, ashtu si edhe para 25 vjetësh, se: ne jemi një popull! (dw)

Posta nga Athina me kërkesën për më shumë para – Qeveria gjermane e refuzon

Të premten (20.02) ministrat e financave të Eurogrupit do të shqyrtojnë postën e ardhur nga Athina. Qeveria gjermane e hedh poshtë kërkesën si “pa substancë”.Gjermania e refuzon kërkesën e qeverisë greke për shtyrjen e afatit të ndihmave financiare. Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, tha, se “Letra nga Athina nuk është një propozim me substancë për zgjidhje”. Në të vërtetë kjo kërkesë ka për qëllim një financim të përkoshëm, pa i përmbushur kërkesat e programit. “Letra nuk u përgjigjet kritereve për të cilat u ra dakord të hënën në Eurogrup.” – thuhet në pronocnimin e Ministrisë Federale të Financave.
Në letrën nga Athina dërguar shefit të Eurogrupit Jeroen Dijsselbloem, thuhet, se duhet të shtyhet gjashtë muaj programi i ndihmave duke respektuar marrëveshjet me BE-në, Bankën Qendrore Europiane (BQE) dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN). Deri tani qeveria e majtë në Athinë e refuzonte bashkëpunimin me institucionet, të emërtuar si trojka.
Qeveria greke e pranon si të detyrueshme përmbajtjen financiare dhe proceduriale të programit ekzitues të shpëtimit, thuhet në letër. Gjithashtu qeveria pranon detyrimet financiare kundrejt kreditorëve. Masat e reja të qeverisë duhet të jenë plotësisht të financuara. Gjatë gjashtë muajve po ashtu Greqia do të bashkëpunojë ngushtë me partnerët, në mënyrë që të mos ndërmerren reforma të njëanshme, të cilat mund të rrezikojnë objektivat e buxhetit, ripërtëritjen ekonomike apo stabilitetin financiar të vendit.
Në letër janë radhitur një sërë pikash, të cilat mund t’i krijojnë më shumë hapësirë veprimi Greqisë. Vendi i zhytur në borxhe do ta shfrytëzojë sa më mirë të jetë e mundur fleksibilitetin që ofron paketa aktuale e ndihmës. Synohet më tej që shtyrja e afatit të përdoret për të realizuar një sufiçit primar të përshtatshëm. Deri tani partnerët e Eurozonës i kërkonin Greqisë që të realizojë një sufiçit 3% për këtë vit dhe 4,5% (raporti mes boxheve dhe shpenzimeve) për vitin e ardhshëm. Greqia aplikon gjithashtu për shtyrjen e huave të meknaizmit për stabilitetin financiar në Eurozonë, EFSF (European Financial Stability Facility), të cilat janë parashikuar për stabilizimin e bankave të Greqisë. Greqia do të negociojë edhe për lehtësimin e borxheve, gjë që u projektua nga Eurogrupi nëntorin e vitit 2012.
Të premten (20.02) ministrat e financave të Eurogrupit duan të konsultohen në Bruksel për letrën e Athinës dhe zgjidhjen e grindjes mbi borxhet.

BQE rekomandon kontrollin e qarkullimit të kapitalit
Për shkak të pasigurive të mëdha mbi qendrimin në Eurozonë të vendit të zhytur në borxhe, grekët janë duke i tërhequr në sasi të mëdha paratë e tyre nga bankat. Sipas një informacioni të gazetës “Handelsblatt” që nga nëntori 2014 janë regjistruar tërheqje parashë në vlerën e rreth 21 miliardë eurove. BQE vazhdon t’i mbajë në jetë bankat greke me zgjerimin sërish të mërkurën (17.02) të kuadrit për kredi emergjence me 3,3 miliardë euro. Kësisoj kuadri për të tilla inxheksione finaniare arrin tani në 68,3 miliardë euro. Në Athinë, siç mësohet nga qarqet bankare, kishte shpresa për një rritje edhe më të madhe të kësaj shume.
Sipas një njoftimi të gazetës “Frankfurter Allgemeinen Zeitung” BQE e konsideron të arsyeshëm aplikimin e kontrollit të qarkullimit të kapitalit në Greqi. “Këshilli i BQE-së dhe mbikqyrësit e bankave të BQE-së do të ndiheshin më mirë nëse do të kishte kontroll të qarkullimit të kapitalit, për të penguar zbarzjen e bankave”, citon gazeta një person nga radhët e BQE-së. Nëse do të aplikohet kontrolli i qarkullimit të kapitalit, mund të kufizohen tërheqjet e parave. (dw)

Koment: Diplomacia në limitet e saj

Ndoshta marrëveshja e Minskut nuk ka dështuar ende. Por rasti Debalcevos tregon se vetëm me bisedime diplomatike nuk mund të vendoset paqe në Ukrainën lindore, mendon Bernd Johann.Nëse merret një qytet me rëndësi strategjike, atëherë nuk mund të flitet për armëpushim. Nëse sulmuesit vazhdojnë të përdorin tanket dhe raketahedhësit, atëherë nuk mund të flitet për tërheqjen e armëve të rënda. As një javë nuk ka kaluar nga marrëveshja e Minskut, e cila duhet të shërbejë si një lloj udhërrëfyesi për paqen në Ukrainën lindore. Por në fushën e betejës Debalcevo në veri të Donjeckut ky proces me sa duket po dëmtohet tani nga të shtënat dhe bombardimet.
Shpresa të mëdha për ҫtensionim në Ukrainën lindore nuk kishte në Minsk. Në Debalcevo separatistet e kanë injoruar krejtësisht armëpushimin dhe tërheqjen e armëve, dy objektivat e para të marrëveshjes, që përfshin 13 pika. Kanë shkelur armëpushimin, për të krijuar fakte ushtarake. Duke bërë që përpjekjet diplomatike të shkojnë dëm.
Kjo ka ndodhur me sa duket me miratim nga Rusia. Këtë e bëri të qartë presidenti rus Vladimir Putin në një mënyrë gati provokuese, të martën (17.02) në daljen e tij para shtypit në Hungari, një vend anëtar i BE dhe vend fqinj i Ukrainës. Ai e quajti udhëheqjen politike në Kiev përgjegjësen e vetme për gjakderdhjen në Debalcevo. Putin kërkoi madje edhe kapitullimin e ushtrisë ukrainase. Më qartë nuk ka si të formulohet mbështetja e tij për planet e pushtimit të separatistëve.
Poshtërim për Poroshenkon
Për presidentin e Ukrainës Petro Poroshenko rasti i Debalcevos nuk është vetëm një katastrofë ushtarake, por edhe politike. Në vendin e tij kritikohet shumë marrëveshja e Minskut, e cila u arrit në negociata të vështira mes Ukrainës dhe separatistëve prorusë, me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve dhe qeverive të Gjermanisë, Francës, Rusisë dhe Ukrainës. Dokumenti përmban shumë kompromise, që janë të dhimbshme për Kievin. Sepse faktikisht në këtë mënyrë krijohet një “konflikt i ngrirë” në tokën e Ukrainës dhe një strukturë shtetërore separatiste nën ndikimin e Rusisë.

Qysh në Minsk ishte e qartë, se as separatistët as Rusia nuk pranonin, që Debalcevo të mbetet ukrainase. Sepse nëpër qytet kalonte lidhja kryesore – rruga dhe shinat e hekurudhës- ndërmjet Donjeckut dhe Luhanskut. Kjo rrugë është trafiku lidhës i dy “republikave popullore”. Dhe që andej hekurudha vazhdon për në Rusi. Furnizimet ushtarake për separatistët mund të sigurohen tani më lehtë.
Ushtria ukrainase e rrethuar prej javësh në Debalcevo nuk kishte asnjë shans ndaj kundërshtarit të pajisur me armë moderne ruse. Por Poroshenko nuk donte të dorëzohej, këmbëngulte për qëndresë. Ndërsa tani ushtarët ukrainas duhet të tërhiqen të mundur nga Debalcevo. Prandaj humbja është edhe një poshtërim për Poroshenkon, i cili brenda vendit do të bjerë nën një presion të mëtejshëm.
Vetëm diplomacia nuk mund ta ndalë një agresor
Shumica e ukrainasve e kanë të qartë se të vetëm nuk mund ta fitojnë ushtarakisht luftën. Prandaj përpjekjet diplomatike duhet të vazhdojnë. Nëse luftëtarët prorusë do ta ndalojnë përparimin e tyre pas rënies së Debalcevos, atëherë ndoshta do të ketë ende një shans për ta shpëtuar marrëveshjen e Minskut. Por kërcënon edhe një rrezik i mëtejshëm. Nga Debalcevo nuk është shumë larg deri në qytetin e madh të Kharkivit në veri. Edhe Mariupol në jug është ende në shënjestrën e separatistëve. Lufta mund të shkallëzhet në mënyrë dramatike.
Ndoshta separatistët do të mjaftohen me zonat Luhansk und Donjeck. Por ngjarjet në Debalcevo tregojnë se me diplomaci, qoftë edhe në nivelin më të lartë, nuk mund të ndalet një agresor, që grabit toka. Nëse luftëtarët prorusë do të marshojnë me të vërtetë në drejtim të Kharkivit apo Mariupolit, atëherë çështja e furnizimit të Ukrainës me armë do të dalë në rend të ditës. Mbi të gjitha duhet të përgatiten të tjera sanksione kundër separatistëve dhe mbështetësve të tyre në Rusi. Diplomacia e Europës ka arritur në limitet e saj. (dw)

Obama: Terroristët përdorin Islamin si justifikim për dhunën

Presidenti amerikan Barack Obama deklaroi sot se çdo pretendim nga grupet terroriste se vendet perëndimore janë duke zhvilluar luftë kundër Islamit, është një “gënjeshtër e shëmtuar”.Në fjalimin që mbajti të enjten në Uashington në takimin e organizuar nga Shtëpia e Bardhë mbi përpjekjen ndërkombëtare kundër terrorizmit, zoti Obama u zotua për një luftë të papajtueshme kundër Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera terroriste. Ai e hodhi poshtë idenë se vendet perëndimore të krishtera dhe shteti hebraik janë duke zhvilluar luftë kundër myslimanëve.

Zoti Obama tha se qeveritë dhe kulturat e ndryshme të botës duhet të përpiqen që t’u jepet fund konflikteve sektare, siç është ai mes sunive dhe shiitëve në botën myslimane. “Por udhëheqësit botërorë, – tha ai, – duhet t’i ndihmojnë njerëzit që t’u shpëtojnë varfërisë dhe shtypjes, për të cilat ai tha se i shërbejnë përpjekjeve për rekrutimin e terroristëve”.

Presidenti tha se të rinjve në mbarë botën “ua mësojnë urrejtjen” dhe se “jemi ne të rriturit që i mësojmë ata”, – tha Presidenti.

Zoti Obama e mbajti fjalimin në Takimin e organizuar nga Shtëpia e Bardhë për t’iu kundërvënë ekstremizmit të dhunshëm, pas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon. Takimi u mbajt në Departamentin amerikan të Shtetit.

Udhëheqësi i OKB-së i cilësoi veprimet e dhunshme të Shtetit Islamik dhe të grupit Boko Haram “një kërcënim i rëndë ndaj paqes dhe sigurisë botërore”, por shtoi ai, “qeveritë në mbarë botën janë ato që duhen dënuar shpesh se ushqejnë apelin e grupeve terroriste drejt tiranizimit”. “Dhuna, korrupsioni dhe padrejtësitë shërbejnë si fole për krijimin e pakënaqësive”, – tha zoti Ban.

Zoti Ban i tha zyrtarëve të mbi 60 vendeve të botës se “parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe nxitja e të drejtave të njeriut janë të pandara”, por se “lufta kundër terrorizmit nuk mund të përdoret si një mënyrë për t’i bërë të heshtin kritikët e udhëheqësve të veçantë”. (voa)

Koment: Vetëm sunitët mund ta mundin IS

Bombardimet e “koalicionit të të vullnetshmëve” të udhëhequra nga SHBA e kanë dobësuar të ashtuquajturin “Shtet Islamik”. Por për ta mundur atë, nevojitet urgjentisht një aleancë e arabo-sunite, mendon Loay Mudhoon.Pa dyshim që sulmet masive ajrore të koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara kundër të ashtuquajturit Shteti islamik (IS) kanë ndikuar dukshëm që të ndalohej fillimisht zgjerimi territorial i pseudo-kalifatit të xhihadistëve. Edhe çlirimi i qytetit verior kufitar sirian Kobane nga luftëtarët irakiano-kurdë Peshmerga do të ishte i paimagjinueshëm pa mbështetjen e sulmeve ajrore amerikane dhe arabe. Këto arritje të pamohueshme e kanë shkërmoqur disi mitin e pathyeshmërisë të të ashtuquajturit “Shteti Islamik” (IS), por për një fitore të afërt ndaj këtyre ekstremistëve nuk mund të flitet.
Sepse lufta e Perëndimit dhe e arabëve kundër IS ndalohet vazhdimisht: Pas katër muajsh lufte ajrore aleancës i mungojnë objektiva të tjera me rëndësi strategjike, që mund të bombardoheshin. Këtë e vështirëson edhe fakti se luftëtarët e IS kanë kaluar në një taktikë guerilase. Kështu është e vështirë, që ata të luftohen nga ajri.
Aleancë e brishtë kundër IS
Tani duken pasojat e asaj, që “koalicioni i të vullnetshmëve” ndërkombëtarë u nis në luftën kundër Kalifatit të horrorit pa një koncept politik dhe në rradhë të parë pa qartësi lidhur me objektivin strategjik të operacionit ushtarak. Sidomos për arsyen, se ishte e qartë, që terrori i IS nuk mund të luftohet vetëm me mjete ushtarake.

“Koalicioni i të vullnetshmëve” ka qenë në fakt që në fillim i brishtë dhe politikisht kontradiktor. Sepse ai mbështetet në aleatë arabë të dyshimtë si Arabia Saudite dhe shtete të tjera të Gjirit. Kanë qenë ato, që e hapën ideologjikisht rrugën për zhvillimin e të gjitha rrymave xhihadiste në Lindjen e Mesme dhe në luftën e tyre kundër regjimit të Asadit mbështetën forcat radikale në Siri.
Shumë i rëndë mund të jetë në moment fakti, që përfshirja e fuqive të rëndësishme rajonale sunite në “Koalicionin e të vullnetshmëve” nuk ka qenë e mjaftueshme. Kjo duket në atë, që Perëndimit i mungojnë momentalisht aleatët, të cilët do të ishin në gjendje për të drejtuar një luftë efektive tokësore kundër IS në territoret sunite në Siri dhe Irak.
Anëtarët e deritanishëm të koalicionit perëndimor dolën se ishin të gabuarit: Kurdët ndjekin interesat e tyre kryesisht territoriale. Ata i kanë dëbuar arabët vendas nga territoret e pushtuara prej tyre dhe i kanë shpallur ata pjesë të Kurdistanit. Ndërsa milicët shiitë, që mezi kontrollohen dhe skuadrat e vdekjes janë partneri më i paimagjinueshëm, për t’i bërë ballë IS në tokë.
Edhe siguria e Afrikës së veriut është e rrezikuar
Ngaqë xhihadistët e IS shfrytëzojnë kaosin në Libi për të zgjeruar bazën operative dhe për të bërë aleancë me xhihadistët egjiptianë, ata bëhen kërcënim real për sigurinë nacionale të Egjiptit dhe Tunizisë. Prandaj nuk ishte e habitshme që pas prerjes së tmerrshme të kokave të 21 koptëve nga xhihadistët e IS presidenti egjiptian al-Sisi kërkon një rezolutë të OKB-së për ndërhyrje ushtarake ndërkombëtar e në vendín e përfshirë nga lufta civile.
Pikërisht këtë çast duhet të kapë Perëndimi dhe të bëjë çdo gjë të mundshme për të krijuar një aleancë egjiptiano-turko-saudite kundër IS, mundësisht duke marrë në konsideratë islamikët e moderuar, por pa Iranin dhe regjimin e Assadit të diskredituar ndërkombëtarisht. Sepse përfshirja e Iranit do të ishte më tepër kundërproduktive, për shkak të qëndrimit ekstrem antishiit të gati të gjithë xhihadistëve.
Sepse vetëm myslimanët sunitë janë në gjendje të mundin IS dhe të thajnë trungun ideologjik të xhihadizmit. Perëndimi duhet të insistojë në përfshirjen e tyre të vërtetë në veprimtarinë e qeverisë së Irakut. Të tjerë partnerë, më të dobishëm në luftën kundër pseudo-kalifatit IS, Perëndimi nuk ka. (dw)