Sociologu Artan Muhaxhiri flet në një intervistë për Deutsche Welle, për shkaqet se përse mijëra qytetarë të Kosovës po largohen nga vendi drejt vendeve perëndimore.DW: Zoti Muhaxheri, si e shpejgoni faktin e ikjes masive të qytetarëve të Kosovës që po migrojnë jilegalisht drejt vendeve të BE-së? Kemi dëgjuar arsye të ndryshme, por më e përfolura është largimi për një jetë më të mirë, si e shpjegoni këtë në aspektin social?
Muhaxhiri: Baza e gjithë kësaj ikjeje janë kushtet e mjerueshme sociale por edhe humbja e besimit në shtetin e Kosovës, sepse edhe para shpalljes së pavarësisë edhe pas shpalljes së pavarësisë ka pasur mungesë të adresimit të çështjeve elementare dhe problemeve fundamentale me të cilat është ballafaquar populli i Kosovës, prandaj e kemi të humbur besimin e qytetarëve në shtetin e Kosovën dhe ky reagim impulsiv i qytetarëve është si reagim i mugesës së shpresës dhe një alternative për një jetë më të mirë në shtetin e Kosovës. Pra është një akumulim i të gjithë atyre pakënaqësive. Qytetarët nuk kanë shpresë që partitë politike, kuvendi, qeveria do të merren me problemet e tyre të jetës së përditshme, prandaj po shfrytëzohet rasti i parë që njerëzit të largohen nga Kosova dhe të kërkojnë një jetë më të mirë diku tjetër.
DW: Qytetarët e Kosovës, jo shumë larg vetëm 15 vjet më parë me qindra mijëra ishin refugjatë, një pjesë e madhe e tyre edhe në vendet e BE-së dhe ku pothuaj shumica nga ta me të përfunduar lufta në mënyrë vullnetare u kthyen në Kosovë, ndërsa, tash 15 vjet pas luftës, po ndodh kjo ikje masive, ka një shpjegim kjo dukuri?
Muhaxhiri: Është e saktë kjo që e përmendi ju, sepse ka qenë një befasi e madhe edhe për shtetet e perëndimore që në atë kohë kosovarët kanë insistuar që të kthehen në shtepitë e tyre në vitin 1999, gjë që nuk ka ndodhur shembull me emigrantët e Bosnjes dhe Hercegovinës. Kthimi masiv i qytetarëve të Kosovës në vitin 1999 ka qenë një shembull i atdhedashurisë, i respetktit për vendin, sepse, ka ekzistuar një shpresë e madhe se me largimin e forcave serbe, në Kosovë do të ketë një zhvillim ekonomik, do të ketë investime nga jashtë, sepse Kosova është një vend i vogël dhe me shumë pak investime këtu do të kishte një gjendje ekonomike shumë të mirë. Por, për fat të keq kjo nuk ka ndodhur dhe për pasojë tash ka ardhur koha e pakënaqësive të mëdha, sepse, nuk ka as indikacione që mund të ketë investime të huaja dhe krijim të kushteve për investime, për një zhvillim të qendrueshëm ekonomik që është për mirëqenie sociale. Por këtu ka ndodhur u kundërta dhe mashtrimet e politikanëve duke bërë në fushata zgjedhore premtime të mëdha si p.sh. hapjen e vendeve të reja të punës, por asnjëherë në aspektin konkret nuk e kanë bërë. Prandaj ekziston një mosbesim i thellë i qytetarëve të Kosovës ndaj politikanëve dhe ndaj premtimeve të tyre. Pra me një fjalë ekziston një zhgënjim i madh i qytetarëve pse tash kemi këto ikje masive nga vendi. Kjo edhe është arsyeja që asnjë politikan i rëndësishëm nuk e ka marrë guximin që t’i vizitojë qytetarët që po ikin pikërisht nga qendra e Prishtinës, nga stacioni i autobusëve, që t’u kërkojë atyre në mënyrë direkte të mos largohen nga Kosova.
DW: Zoti Muhaxheri, ambasadat e shteteve të BE-së vazhdimisht janë shumë aktive për çdo proces që ndodh në Kosovë. Në rastin e migrimit të paligjshëm që aktualisht, kur destinacion janë pikërisht vendet e BE-së, nuk duket të ketë një angazhim nga ambasadat që të ndalet kjo ikje. Sa mendoni që ambasadat e huaja janë të angazhuara që të ndalet kjo ikje e njerëzve nga Kosova?
Muhaxhiri: Këtu ekziston një paradoks, sepse ambasadat e vendeve perëndimore vazhdimisht thonë se kosovarëve nuk do t’u pranohet azili, qytetarët nuk duhet të largohen, ndërsa, në anën tjetër, pikërisht shtetet prej nga vijnë këta ambasadorë nuk bëjnë asgjë konkrete që ta ndalin këtë emigrim. Migrimi ilegal ka filluar në atë moment kur është bërë publike që ekziston një mundësi e madhe për të kaluar në vendet e BE-së nga Kosova përmes Hungarisë. Migrimi mund të ndalet vetëm atëherë, kur të bëhet bllokada nga vendet e BE-së ku po hyjnë kosovarët ilegalisht. Pra, asnjë apel retorik nuk mund t’i ndalë kosovarët që të largohen nga vendi i tyre, por kjo mund të ndalet vetëm nëse bllokohet hyrja e qytetarëve kosovarë në kufijtë e vendeve të BE-së.
DW: Zoti Muhaxheri, ka me dhjetra raste të personave që kanë ikur dhe po ikin nga Kosova me një gjendje jo të keqe sociale, por megjithatë, kanë vendosur të largohen nga Kosova, si shpjegohet kjo?
Muhaxhiri: Në Kosovë ekziston një pasiguri dhe vështirësi e madhe për gjetjen e një vendi pune, sikundër ekziston një pasiguri e madhe për ruajtjen e vendit të punës, sepse nuk ka një funksionim të mirë të gjykatave, të sistemit të drejtësisë, nuk zbatohet ligji i punës dhe mbikqyrja e bizneseve dhe këto të fundit p.sh. mund të bëjnë çfarë të duan dhe në këtë kontekst edhe të punësuarit në kompani të ndryshme nuk janë të sigurt për vendin e tyre të punës, nuk janë të sigurt që të drejtat e tyre respektohen, prandaj edhe kalkulojnë që ikja e tyre është më me benefit sesa qëndrimi i tyre në Kosovë. Rroga mesatare në Kosovë është shumë e vogël, vetëm sa për të mbijetuar, prandaj tek këta persona gjithmonë ekziston arsyeja për të kërkuar një jetë më të mirë. Ne kemi pasur rastin kur edhe mjekët e Kosovës kanë migruar në Gjermani, mjek të cilët kanë qenë të punësuar në Kosovë. (dw)
Kategoritë: Kosova
Lajmet nga Kosova
Italia konsideron se kosovarët që po ikin kanë rënë viktima të mashtruesve
Ambasadori i Italisë në Kosovë, Andreas Ferrarese, konsideron se shumë kosovarë janë viktima të organizatave kriminale që u premtojnë të ardhme në vendet e BE-së.
Sipas tij migrimi ilegal nuk është zgjidhje. Diplomati italian tha se kosovarët duhet të rrinë dhe të ndërtojnë vendin e tyre.
Në intervistën për televizionin publik Ferrarese tha se migrimi ilegal nuk ndihmon në liberalizimin e vizave.
Shanset e kosovarëve për azil janë 0,0 %, thotë shefi gjerman i migracionit
Dr. Manfred Schmidt, president i Zyrës Federale Gjermane për Migracion dhe Refugjatë ekskluzivisht për DW shpjegon rregullat për azil në Gjermani dhe çfarë parashikon ligji për rastet e kërkesave nga shtetasit e Kosovës.Deutsche Welle: Zoti Schmidt, vetëm në dy muajt e fundit, sipas disa vlerësimeve, nga Kosova janë larguar më shumë se 30.000 kosovarë. Shumë prej tyre synojnë të vijnë në Gjermani, me shpresë se këtu do të gjejnë një jetë më të mirë. A mund të konfirmoni rritjen e numrit të kosovarëve që kanë ardhur këto ditë dhe javë në Gjermani dhe sa reale është shpresa e tyre që në Gjermani të gjejnë një jetë më të mirë?
Dr. Manfred Schmidt: Unë vërtetë mund të konfirmoj se këto ditë është shtuar dukshëm numri i kosovarëve që po vijnë në Gjermani. Në statistikat tona thuhet se prej muajit dhjetor deri në janar, pra brenda një muaji, është trefishuar numri i azilkërkuesve në sistemin tonë. Nëse krahasojmë periudhën e njëjtë me një vit më parë, kemi një rritje të kuotës prej 572 % të kosovarëve. Sa i përket pyetjes tuaj, se a mund të shpresojnë këta njerëz fillimin në Gjermani të një jete më të mirë, përgjigja është: Jo. Ne kemi ndryshuar procedurat tona dhe kërkesat e personave me nënshtetësi kosovare për azil po përpunohen me procedurë të përshpejtuar. Ne po përpiqemi që vendimi për secilin rast të merret sa më parë që është e mundur. Kuota e mundësisë për njohjen e së drejtë së azilit është gati 0,0 %. Pra kosovarët nuk kanë shanse që të fitojnë të drejtën e azilit në Gjermani. Ne (organet federale) kemi rënë dakord me landet që sa më parë të fillojmë procesin e kthimit të detyruar në Kosovë. Kjo do të thotë që këtyre personave do t’u ndalohet edhe hyrja në të gjitha vendet e Shengenit.
Deutsche Welle: Zoti Schmidt, le t’i shpjegojmë gjërat një nga një. Shumë kosovarë nisen në Gjermani me qëllim që të kërkojnë azil. A kanë shanse ata për azil?
Dr. Manfred Schmidt: Nuk kanë shanse. Në Kosovë kemi një gjende të rëndë ekonomike dhe këtë e dimë edhe ne të gjithë. Por gjendja e rëndë ekonomike nuk mund të rezultojë me mbrojtje si refugjat në Gjermani, dhe në asnjë vend tjetër të Bashkimit Evropian.
Deutsche Welle: Ju me siguri që e dini që Kosova është vendi më i varfër në Evropë dhe se papunësia është mbi 40 %. Ndërkohë që Gjermania ka nevojë për fuqi punëtore. A nuk është ky një shkak i mjaftueshëm që këtyre personave t’u jepet azil për shkaqe ekonomike dhe a ekziston në përgjithësi azili i tillë?
Dr. Manfred Schmidt: Azili për shkaqe ekonomike nuk ekzsiton. Gjendja e rëndë ekonomike apo varfëria nuk janë shkaqe, të cilat, sipas Konventës së Gjenevës për Refugjatë, dikujt i mundësojnë strehim. Varfëria nuk është shkak për strehim në Evropë.
Deutsche Welle: Zoti Schmidt, ju thatë se i keni thjeshtuar procedurat për shqyrtimin e kërkesave të kosovarëve, që vijnë në Gjermani dhe kërkojnë strehim. Si duket kjo procedurë, sa mund të qendrojnë kosovarët këtu si azilkërkues dhe pas sa kohe ata kthehen në vendlindje?
Dr. Manfred Schmidt: Ne kemi reaguar ndaj kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme. Procedura është si vijon: fillimisht e përcaktojmë identitetin e personit. Bëhet vlerësimi i gjendjes së sigurisë, merren shenjat e gitshtrinjve, bëhet fotografimi biometrik dhe më pas me kolegët tanë brenda 10 ditësh merret vendimi. Pasojnë përgjigjet negative, sepse të gjitha kërkesat janë të paargumentuara. Pas përgjigjes negative, ne kërkojmë prej tyre të largohen nga vendi. Për ata, të cilët nuk largohen vullnetarisht, pason kthimi i detyrueshëm.
Deutsche Welle: A mund të llogarisin këta njerëz me mbështetje sociale, a kanë ku të sistemohen, a kanë për të ngrënë sa duhet, apo thjesht duhet të presin diku në kushte të papërshtatshme, deri sa t’ju vijë përgjigja negative?
Dr. Manfred Schmidt: Ata presin në vendstrehimet e landeve, ku janë pranuar për herë të parë. Ata natyrisht që atje do të marrin gjërat elementare për të mbijetuar. Atje qendrojnë deri sa të mbërrijë përgjigja jonë negative dhe që atje ata duhet të largohen për në Kosovë.
Deutsche Welle: Ju tërë kohën po flisni “deri sa nuk kemi vendosur negativisht”. A do të thotë kjo se vërtetë nuk do të pranohet asnjëri prej atyre që aplikojnë?
Dr. Manfred Schmidt: Ne nuk do të njohim asnjë prej këtyre kërkesave për azil.
Deutsche Welle: Por zoti Schmidt, Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi ende nuk janë në listën e vendeve të sigurta, në dallim nga Serbia, Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia. A ka ky fakt ndonjë rëndësi për kosvarët që vijnë dhe kërkojnë azil?
Dr. Manfred Schmidt: Kosova nuk është vend i pasigurtë, por ende nuk është radhitur ndër vendet e sigurta, si këto tri vendet e tjera që përmendni ju. Kjo do të thotë se edhe në rastin e qytetarëve të Bosnjes, Serbisë dhe Maqedonisë mund të vendosim kaq shpejt. Ne aktualisht jemi duke shqyrtuar mundësinë që edhe Kosova të radhitet ndër vendet e sigurta. Por fakti që ende nuk është radhitur ndër vendet e sigurta, nuk ka aspak ndikim në kërkesat e paargumentuara për azil dhe të gjithë do të refuzohen.
Deutsche Welle: Zoti Schmidt, ju me siguri që e keni parë se në Gjermani dhe vendet e tjera po vijnë edhe familje me fëmijë të vegjël dhe me gra. Cilat janë kushtet ku sistemohen këta njerëz?
Dr. Manfred Schmidt: Ata vendosen në venstrehimet e landeve. Ato janë venstrehime të përbashkëta, me një hapsirë relativisht të ngushtë. Në këto vendstrehime paraprake atyre u duhet të presin edhe vendimin. Këto nuk janë vendstrehime të mira. Por atje natyrisht që ekziston përkujdesi elementar për ta. Theksoj, se nuk ka asnjëlloj mundësie që personat që kërkojnë azil të mbeten për një kohë më të gjatë në Gjermani. Nëse dikush do të vijë në Gjermani, kjo vlen edhe për kosovarët, ekziston mundësia e ardhjes legale. Nëse dikush gjen një vend legal pune në Gjermani, duhet të shkojë dhe të kërkojë vizë në ambasadën gjermane në Kosovë. Në këtë mënyrë sigurohet ardhja legale në Gjermani. Por jo përmes azilit dhe ardhjes ilegale në Gjermani.
Krasniqi: Të gjithë emigrantëve ilegalë do t’u refuzohet azili
Asnjë prej këtyre kosovarëve që po ikin nuk do t’iu jepet azili, ka paralajmëruar Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës.Valon Krasniqi, Drejtor i Departamentit për Migrim në MPB, ka thënë në Interaktiv të KTV-së se shtetet e BE-së e kanë Kosovën në listën e vendeve të sigurta dhe 100% të kosovarëve do t’u refuzohet kërkesa për azil në cilindo vend.
“Shumë shtete kanë nisur edhe procedura të përshpejtuara që t’i shqyrtojnë ato kërkesa, sepse të gjitha i refuzojnë, dhe pastaj të na bëjnë neve kërkesë që t’i riatdhesojmë kosovarët që po shkojnë atje. Kjo pritet të ndodh shumë shpejt. Kurse, ato çfarë po lansohen në 35 janë dezinformata sepse asnjë shtet nuk do t’iu jap azil kosovarëve, kështu që u bëjmë thirrje të gjithëve të mos migrojnë ilegalisht sepse kështu rrezikojnë edhe të futen në listën e zezë të zonës Schengen, që i bie pastaj se kur të ndodh liberalizimi ata nuk do të kenë të drejtë të futen në vendet e kësaj zone për së paku 5 vjet”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka shtuar se shpenzimet për kthimin e tyre i merr përsipër shteti ku gjenden ata por në Kosovë ata që po ikin nuk përfitojnë asgjë nga Fondi për riintegrimi.
Kalimi i paligjshëm i kufirit Serbi – Hungari
Qytetarët e Kosovës, të cilët në mënyrë të paligjshme po përpiqen të shkojnë në vendet e Evropës perëndimore, përballen me mjaft vështirësi gjatë kalimit të kufirit ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë.Një ekip i Radios Evropa e Lirë, nga Shërbimi për Ballkanin, ka vizituar zonën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë për të parë nga afër situatën.
Roja e fushës Barnabash Peter Heredi, hungarez, i cili patrullonte në zonën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, kishte shoqëruar ekipin e Radios Evropa e Lirë deri në pjesën ku emigrantët nga Kosova kalonin ilegalisht kufirin.
Ai ka shpjeguar se emigrantëve u duhej të kalonin një kanal të mbushur me ujë, në zonën e ndërmjetme të kufirit Serbi-Hungari.
Roja e fushës, Heredi, ka shpjeguar se emigrantët pasi e kalojnë kanalin, i ndërrojnë rrobat me shpejtësi, duke i hequr rrobat e lagura.
Në rrugën që drejton nga vendi Ashothalom për në qytetin Segedin, ishte një grup prej 40 emigrantësh nga Kosova, të cilët tashmë e kishin kaluar kufirin dhe kishin hyrë në shtetin hungarez.
Ata thanë se ishin nga qyteti i Mitrovicës. Njëri prej emigrantëve ka shpjeguar se grupi i njerëzve që sapo kishte hyrë ilegalisht në territorin e Hungarisë, ishte nisur nga Prishtina. Arsyet e migrimit, sipas të intervistuarit në videon e mësipërme, janë varfëria dhe papunësia.
Autoritetet lokale thonë se në këtë mënyrë, në vendin e njëjtë, gjatë ditës kufirin e kalojnë ilegalisht rreth 500 persona në ditë.
Emigrantët, me autobus përmes Beogradit arrijnë në Suboticë, qytet ky i cili është rreth 20 kilometra larg kufirit me Hungarinë.
Siç ka shpjeguar një qytetar nga Mitrovica, i cili ishte në grupin e emigrantëve, në Suboticë sapo të zbresin nga autobusët, janë taksistët ata, të cilët i transportojnë deri pranë një picerie, ku edhe i kontaktojnë trafikantët.
“Sapo të dalësh nga autobusi, menjëherë të ofrohen taksistët. Të ofrojnë transportin dhe nuk ke nevojë fare t’u thuash se ku dëshiron të të dërgojnë. Ata e dinë vet. Të lënë afër picerisë dhe të thonë ‘këtu të presin ata tutë’. Hyn brenda, të kërkojnë 200 euro për person, për bartje deri në Hungari. Nga unë kanë kërkuar 800 euro që të më bartin një kilometër dhe të më tregojnë se ku duhet ta kaloj kufirin”, ka rrëfyer emigranti nga Mitrovica.
Trafikantët, të cilët i dërgojnë njerëzit përtej kufirit, policia hungareze i quan “Shëtitësit”. Roja e fushës, Heredi, thotë se disa ditë më parë e ka arrestuar një të tillë.
Sipas tij, shumë prej tyre tashmë nuk e kalojnë kufirin, por vetëm i sjellin njerëzit deri në një vend të caktuar.
Heredi ka treguar shtëpinë në anën serbe të kufirit, pranë së cilës, gjatë ditës, disa herë kalon automobili i njëjtë.
“Në rregullisht vijmë në këtë pjesë të kufirit dhe shumë shpesh shohim se në pjesën serbe, një automjet me ngjyrë të kuqe, i sjell njerëzit deri te një fermë. Aty, vozitësi u tregon drejtimin kah Hungaria dhe grupi i njerëzve niset drejt nesh. Unë nuk e kam të qartë se pse nuk po reagojnë kompetentët në anën serbe”, ka thënë Heredi.
Ai ka shpjeguar se së shpejti do të arrinin autobusët që do të marrin grupin e emigrantëve për ta dërguar në Segedin, ku do të vendosej dhe evidentohej në qendrat e emigrantëve.
Në anën tjetër, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se në BE, sistemi i azilit ekziston për ata njerëz që largohen nga persekutimi ose dëmtimi i rëndë në vendin e tyre dhe, për pasojë, kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.
“Në rastin e Kosovës, nuk ka pothuajse asnjë gjasë që kërkesat për azil të pranohen. Çdo vendim për të ofruar azil ose jo, është individual, por duhet theksuar se shumica e kërkesave për azil nga Kosova refuzohen dhe njerëzit riatdhesohen”, thuhet në një deklaratë me shkrim të Zyrës së BE-së në Prishtinë, dërguar Radios Evropa e Lirë.
Duke komentuar valën e fundit të migrimit ilegal nga Kosova, Zyra e BE-së po ashtu ka thënë se “kosovarët rrezikojnë të bëjnë shpenzime të konsiderueshme, vetëm për t’u rikthyer në Kosovë”.
Sa i përket dialogut për liberalizimin e vizave, përfaqësia e Bashkimit Evropian ka thënë se nuk është në interes të Kosovës, “nëse numri i kërkesave për azil në BE, nga shtetas kosovarë, vazhdon të rritet”.
Kurse, Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, në një takim me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të akredituar në Prishtinë, ka thënë se liberalizimi i vizave vë në kontroll dhe ndalë migrimin ilegal.
I ftuar nga shefi i zyrës së BE-së në Prishtinë, Samuel Zhbogar, ministri Hyseni ka bërë një prezantim para ambasadorëve të BE-së rreth migrimit ilegal, ekstremizmit të dhunshëm, si dhe është përgjigjur në interesimin e ambasadorëve rreth protestave të fundit, poashtu edhe për shkarkim të ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq.
“Ishte porosi konsensuale e gjithë ambasadorëve të BE-së, se qytetarëve të Kosovës që po migrojnë ilegalisht në vendet e BE-së, nuk do t’iu ofrohet strehim dhe rrjedhimisht do të kthehen që të gjithë”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Brendshme.
Hyseni po ashtu ka theksuar se janë shkaqet ekonomike, mbi të gjitha, që bëjnë një numër i madh i qytetarëve të marrin “rrugë pa krye”.
“Janë kriminelët që përfitojnë mbi fatkeqësinë e qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Hyseni.
Hyseni ka nënvizuar se Kosova nuk duhet të mbetet vendi i vetëm i izoluar dhe se liberalizimi i shpejtë i vizave është në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe shteteve të Bashkimit Evropian, të cilat po përballen me fluks të madh të migrimit të kosovarëve.
Zyrtarë të Ministrisë së Integrimit Evropian në Kosovë, por edhe njohës të fushës, kanë shprehur po ashtu shqetësimet e tyre për ndikimin e këtij problemi në procesin e liberalizimit të vizave.
Në të njëjtën kohë, ata kanë thënë se pa zhvillim ekonomik të Kosovës, migrimi do të jetë vështirë të ndalet.
Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë nuk ka ende ndonjë të dhënë zyrtare për migrimet e qytetarëve të Kosovës këtë vit. (rel)
Lista Serbe konsultohet me Beogradin për rastin Jabllanoviq
Lista Serbe nuk ka marrë ende ndonjë qëndrim përfundimtar, pas vendimit të kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, për shkarkimin e Aleksandar Jabllanoviqit nga posti i ministrit për Komunitete dhe Kthim.Vetë Jabllanoviq dhe zyrtarë të Qeverisë së Serbisë, e kanë cilësuar si dëshpërues dhe të papranueshëm vendimin e Mustafës, mirëpo në asnjë rast deri më tani nuk është thënë që ky subjekt politik, që përfaqëson komunitetin serb në Kosovë, se mund të braktisë koalicionin qeverisës.
Ish-ministri Jabllanoviq, ka deklaruar se për hapat tjerë, Lista Serbe do të vendos pas konsultimeve të brendshme.
“Rreth veprimeve të Listës Serbe do të vendoset ditëve në vijim pas konsultimeve të brendshme dhe në fund do të marrim një vendim”, ka deklaruar Jabllanoviq.
Lista Serbe, është një subjekt politik i krijuar nga Beogradi. Kjo listë, u mbështet nga presidenti dhe kryeministri i Serbisë gjatë fushatës zgjedhore si në zgjedhjet komunale ashtu edhe qendrore në Kosovë. Andaj, mund të pritet që vendimi i saj në fund të harmonizohet pas konsultimeve me Beogradin zyrtar.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se vendimi i Mustafës për ta larguar nga pozita ministrin e Listës Serbe është thellësisht i gabuar.
“Nuk do të pranojmë ‘poshtërimin’ e përfaqësuesve serbë në institucionet krahinore’”, ka thënë Gjuriq për 35t serbe.
Sipas tij, të enjten përfaqësuesit e Listës Serbe do të takohen me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd, ku edhe do të vendoset se cili do të jetë qëndrimi i Listës Serbe karshi vendimit të kryeministrit të Kosovës.
Largimi i Jabllanoviqit nga qeveria ka pasuar protestat dhe trysninë e fuqishme të opozitës për shkak të një deklarate që Jabllanoviq kishte bërë më 6 janar.
Ai i kishte quajtur “egërsira” protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.
Vendimi i Mustafës për largimin e këtij ministri, kishte për efekt edhe anulimin e protestës së opozitës për ditën e sotme, e cila nga policia e Kosovës ishte paralajmëruar se mund të ishte e dhunshme.
Mirëpo, përfaqësuesit e opozitës nuk janë pajtuar me këso konstatime duke thënë se protesta e paralajmëruar do të ishte paqësore.
Duke pasur parasysh që opozita në Kuvend përbën një numër të vogël, pasi që koalicioni qeverisës përbëhet nga dy partitë më të mëdha në Kosovë, si edhe nga komunitetet, opozita pretendon që disa qëllime politike mund t’i realizojë edhe në të ardhmen përmes protestave.
Visar Ymeri, shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se zëri i qytetarëve dhe opozitës përmes protestave ishte dëshmuar si shumë më i fuqishëm, krahasuar me atë që partitë opozitare do të mund të bënin përmes institucioneve.
“Nuk do të kishim gjasa që ne deputetët në Kuvendin e Kosovës t’i bënim këto ndryshime të cilat i bënë qytetarët e bashkuar në protesta dhe në rrugë. Kjo edhe njëherë dëshmon se ka shpresë në këtë vend. Jo se ka shpresë në Qeverinë e Kosovës, por ka shpresë në qytetarët e Kosovës, popullin e Kosovës, të cilët të bashkuar tashmë e kanë kuptuar se mund të fitojnë dhe të bashkuar mund t’a bëjnë këtë vend më të mirë”, Ymeri.
Për të enjten, opozita kishte ftuar në interpelancë para Kuvendit të Kosovës, kryeministrin Isa Mustafa, pikërisht në lidhje me kërkesën për shkarkimin e Jabllanoviqit.
Por, tani kur kjo kërkesë është plotësuar, shefja e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi, ka thënë se kërkesa për interpelancë do të tërhiqet.
“Nesër do të tërhiqet kërkesa për interpelancë, për faktin se kërkesa e jonë për shkarkimin e Jabllanoviqit është marrë parasysh dhe në fakt ky vendim vetëm se është përmbushur”, ka deklaruar Kadaj Bujupi.
Me largimin e Aleksandar Jabllanoviqit, kryeministri Mustafa besohet se kaloi një sfidë përballë opozitës, e cila kësaj radhe ishte shumë e vendosur dhe kishte një përkrahje masive në rrugë.
Mirëpo, Mustafa tani pritet të përballet edhe me ruajtjen e koalicionit, dhe sidomos mbajtjen në qeveri të Listës Serbe, si përfaqësuese e komunitetit serb.
Ndërkohë që Mustafa, shumë shpejt po paralajmërohet se do të ballafaqohet sërish me opozitën në lidhje me kërkesën për të miratuar Ligjin për Trepçën. (rel)
Jabllanoviq tërhiqet nga qeveria Vetëvendosja nga protesta
Njoftimin për largimin nga qeveria e Kosovës të ministrit serb Jabllanoviq e bëri të ditur kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një konferencë të jashtzakonshme për 35. Vetëvendosje nuk mban protestë të mërkurën.Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, bëri të ditur se ministi serb për komunitete dhe kthim në qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq, nga dita e martë (03.02.2015), nuk është më pjesë e qeverisë së Kosovës. Kryeministri Isa Mustafa, njoftimin e bëri në një konferencë të jashtzakonshme për 35, duke mos saktësuar nëse e ka shkarkuar nga posti i ministrit, zotin Aleksandër Jabllanoviq, apo, ai ka dhënë dorëheqje pas pesionit publik dhe protestave të opozitës, që kërkonin largimin e tij nga qeveria e Kosovës.
35t në Prishtinë shkruajnë se Ministri Jabllanoviq, ka thënë se “vendimi i kryeministrit, Mustafa për listën Serbe, është thellësisht dëshpërues”.
“Vendimi i kryeministrit është diçka të cilën ai vetë e ka vendosur dhe për ne është i papranueshëm. Mendojmë se nuk është dashur t’i nënshtrohet presioneve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe partisë së zotit Ramush Haradinaj. Kryeministri e ka marrë vendimin që ka marrë. Për hapat e mëtejmë të Listës Serbe do të vendosim në ditët në vazhdim, pas konsultimeve brenda Listës”, citohet të ketë thënë Aleksandër Jabllanoviq.
Aleksandër Jabllanoviq, vjen nga lista “Serpska”, e cila është pjesë e qeverisë së Kosovës dhe përfaqësohet me 10 deputet në Kuvendin e Kosovës. Pjesëmarrja e përfaqësuesve të pakicës serbe në ekzekutivin e Kosovës është e përcaktuar me Kushtetutë.
Ministri për Kthim dhe Komunitete, në qeverinë e Kosovës Aleksandër Jabllanoviq, nxiti reagime duke i quajtur “egërsira” protestuesit në Gjakovë, familjarë që kanë persona të zhdukur e që nuk lejuan një vizitë të pelegrinëve serbë në një kishë ortodokse serbe në qytetin e Gjakovës. Deklarata e ministrit Jabllanoviq, çoi në protesta në disa qytete të Kosovës, të cilat kulmuan me protestat e dhunshme të javës së shkuar në Prishtinë, që lanë pas vetes dhjetëra të lënduar dhe shumë dëme materiale.
Për të merkurën (04.02), ishte paralajmëruar një protestë e radhës nga lëvizja Vetëvendosje, mirëpo, përfaqësues të këtij subjekti politik, njoftuan në një konferencë për 35 se “protesta e paralajmëruar për të mërkurën nuk do të mbahet. Ajo është shtyrë për kohë të pacaktuar”.
Edhe partia tjetër opozitare Nisma për Kosovën, që ishte pjesë e thirrjes për protesta në një njoftim për 35 bën të ditur se të merkurën nuk do të protestohet në Prishtinë. “Duke e pasur parasysh faktin se njëra nga kërkesat e protestës, që ishte largimi i ministrit Jabllanoviq nga qeveria është plotësuar, konsiderojmë se qëllimi i protestës është arritur, prandaj sa i përket kësaj çështje nuk ka nevojë që më të dilet në protestë. Ndërsa sa i përket kërkesës së dytë, çështjës së Trepçës, presim që qeveria të reflektojë dhe ta sjellë ligjin sa më shpejt në parlament”, thuhet në njoftimin e Nismës për Kosovën. (dw)
Migrimi ilegal fundos liberalizimin e vizave
Numri i madh i azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian do të vështirësojë edhe më shumë çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.Zyrtarë nga Qeveria e Kosovës, thonë se pavarësisht punës së bërë deri më tash në zbatimin e kritereve të kërkuara nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave, zhvillimet e fundit në vend, migrimi ilegal, do të bëjnë që Komisioni Evropian ta ketë të vështirë që të rekomandojë heqjen e vizave për Republikën e Kosovës.
Fisnik Rexhepi, këshilltar i lartë politik në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, tha për Radion Evropa e Lirë se migrimi ilegal edhe në vitin 2014, por edhe në muajin e parë të këtij viti ka shënuar rritje, dhe sipas tij, një situatë e tillë do ta dëmtojë punën e bërë nga institucionet e Kosovës për liberalizimin e vizave.
“Pa dyshim se numri i madh i azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian, po e dëmton edhe ketë proces dhe do të vonojë vendimin eventual të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për të hequr vizat për qytetarët e Kosovës. Ne po punojmë ngushtë me këto vende dhe me Komisionin Evropian për të adresuar edhe çështjen e migrimit jo të rregullt”, tha Rexhepi.
Rexhepi tha se secili qytetar i Kosovës ka të drejtë të kërkojë dhe të gjejë një jetë më të mirë kudo, por jo në formën e migrimit të parregullt.
“Ne vazhdimisht ju kemi bërë thirrje qytetarëve që të mos migrojnë në këtë formë drejt vendeve të Bashkimit Evropian, sepse është një rrugë me rrezik për ta dhe për familjet e tyre”, tha Rexhepi.
Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar para pak kohësh pati deklaruar se migrimi ilegal nga Kosova është një shqetësim për BE-në dhe shtetet anëtare të saj.
Ai ka thënë se vala e madhe e migrimit jo të rregullt dhe rritja e madhe e aplikacioneve për azil nga qytetarët e Kosovës në BE duhet të adresohen menjëherë dhe në mënyrë efikase nga Kosova.
Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, kanë përmendur krijimin e një trask-force për t’u marrë me migrimin ilegal, mirëpo deri më tash, një mekanizëm i tillë nuk është krijuar.
Avni Mazreku, profesor i së Drejtës Evropiane, thotë se migrimi jo i rregullt i kosovarëve do t’i shkaktojë problem Kosovës, kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave.
“Lëvizjet kaq të mëdha të njerëzve, përkatësisht migrimi ilegal i njerëzve është diçka që shkon në dëm të procesit të liberalizimit të vizave, sepse liberalizimi i vizave apo shtetet që pretendojnë të jenë në zonën Shengen, duhet të konsiderohen vende të sigurta, ku ka stabilitet politik, ekonomik dhe juridik. Një lëvizje e tillë nuk mund të jetë pozitive, është e kundërta, mund të ndikojë negativisht”, tha Mazreku.
Migrimi jolegal mund të parandalohet vetëm me zhvillimin ekonomik dhe krijimin e kushteve për punësim, thotë Mazreku.
“Elementi i parë në fakt që duhet Kosova ta ketë është politika konstruktive që shkon drejt zhvillimit ekonomik të vendit. Mendoj se arsyet kryesore pse njerëzit dalin nga Kosova është mungesa e perspektivës ekonomike”, tha Mazreku.
Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë ende nuk ka ndonjë të dhënë për migrimet e qytetarëve të Kosovës këtë vit.
Ambasadorët e vendeve të BE-së në Kosovë, janë duke përsëritur në vazhdimësi se asnjë nga vendet e tyre nuk japin azil për qytetarët e Kosovës. (rel)
Kosova kushti i parë për Serbinë
Serbia duhet të fillojë negociatat me Bashkimin Evropian për temat sfiduese si Kosova. Por Serbia duhet të përqendrohet në realizimin e kushteve dhe jo në afate.Komisioneri i BE-së për Politikë Fqinjësore dhe Negociatat për Zgjerimin, Johannes Hahn pohon se cilësia e negociatave për anëtarësim në BE është më i rëndësishëm se shpejtësia. Me rëndësi është që të zgjidhen problemet, mendon ai. “Me sfidat duhet të përballemi menjëherë dhe jo t’i shtyjmë ato. Kjo vlen edhe për negociatat për anëtarësim në BE”, pohon Rahn, në një intervistë me revistën CorD.
Ndër kapitujt e parë që do të hapen në negociata me Serbinë janë ai 23 dhe 24. Hahn shpreson se këta kapituj do të hapen nga mesi i këtij viti. Por para tyre duhet të hapet kapitulli 35, i cili ka të bëjë me raportet me Kosovën. Sipas Hahn, autoritetet e Serbisë “e kanë shumë të qartë se cila është përbërja e këtij kapitulli.”
“Kapitulli nënkupton normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe zgjidhjen e shumë çështjeve konstestuese, si anëtarësimi në Fondin Evropian për Zhvillim, Bankën Evropiane për Investime etj. Kapitulli 35 do të përcjellë se në ç’masë Serbia është duke plotësuar kushtet që ka marrë mbi vete në procesin e dialogut.”
Vendimi merret së shpejti
Johannes Hahn pohon se vlerësimet e para të ecurisë së procesit që është bërë vitin e kaluar, kanë qenë pozitive. Së shpejti pritet një vlerësim tjetër dhe mbi bazën e tij do të vendoset për hapjen e negociatave me Serbinë. “Për hapjen e negociatave është e domosdoshme që të realizohen të gjitha obligimet e marra me marrëveshjen e Brukselit. Një përparim është bërë, por ka mbetur ende për t’u bërë.” Sa i përket dialogut Prishtinë-Beograd, Hahn tha se nga palët pret një përkushtim të plotë. Palët duhet të ndihmojnë dhe jo të bllokojnë njëra-tjetrën. Serbia, Kosova dhe BE kanë rënë dakord që përparimi në procesin e negociatave varet nga normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. “Normalizimi i plotë duhet të arrihet gradualisht. Në fund Kosova dhe Serbia duhet t’i realizojnë në tërësi të drejtat dhe obligimet e tyre”, thotë ai.
Hahn nënvizoi se nuk ekziston ndonjë afat kohor për anëtarësimin e Serbisë në BE. “Kohëzgjatja e negociatave do të varet në radhë të parë nga Serbia dhe realizimi i reformave të domosdoshme. Cilësia është më i rëndësishëm se shpejtësia. Kjo vlenë edhe për Serbinë”, pohon ai.
Sa i përket raporteve me Rusinë, diplomati austriak tha se “Serbia si vend që pretendon anëtarësimin në BE, duhet të koordinojë gradualisht politikën e saj me atë të BE.” BE-ja ka marrë një qëndrim parimor për aktivitetet e Rusisë në Ukrainë, por është e hapur për dialog me Moskën. Sa i përket ndihmave në kohën e negociatave, Hahn bëri të ditur se në vitet e ardhshme Serbisë do t’i ndahen 200 milionë euro për reforma. (dw)
Biletat e shumëkërkuara Prishtinë – Beograd
Një numër i qytetarëve të Kosovës kanë vendosur të marrin rrugën e migrimit të paligjshëm, me gjithë thirrjet nga institucionet qendrore dhe ato ndërkombëtare në vend për të shmangur një rrugë të këtillë.Të dielën në mbrëmje, Stacioni i Autobusëve në Prishtinë, ishte mbushur me qytetarë që niseshin në drejtim të Serbisë, me shpresën për të depërtuar në disa vende të Bashkimit Evropian.
Zyrtarë të Stacionit të autobusëve në Prishtinë thanë për Radion Evropa e Lirë se numri i qytetarëve të cilët janë duke udhëtuar në drejtim të Serbisë, javët e fundit, është shtuar. Sipas tyre, deri me datën 6 shkurt, janë shitur të gjitha biletat për relacionin Prishtinë- Beograd.
Fitim Abdullahu nga Vushtrria, i cili një çantë mbante në shpinë, thotë se për shkak të kushteve të vështira ekonomike ka marrë vendim që të largohet nga Kosova dhe për synim ka të arrijë në shtetin gjerman. Por, fillimisht thotë se do të qëndrojë në Beograd e Suboticë për të kaluar pastaj nga Hungaria në Austri dhe në fund në Gjermani.
“Gjithçka po shkon në degradim, shkatërrim, për ketë arsye kam vendosur [të largohem]. Unë kam ndërprerë studimet master dhe kam vendosur me ik. Qe katër vjet jam i diplomuar, vazhdimishtkam konkurruar në institucione publike, kam pasur shumë stres. Konkurroj dhe në fund e kuptoj se aty ka qenë i pranuar dikush tjetër”, tha Abdullahu, i diplomuar në fushën e Elektro-Energjetikës.
Fatos Hasolli nga Fushë-Kosova bashkë me disa shokë të tjerë po qëndronin pranë peronit numër tre, aty ku po qëndronte autobusi drejt Serbisë. Hasolli, për dallim nga shokët tij që hezitonin të flisnin tha se për shkak të mungesës së vendeve të punës dhe mos zhvillimi të Kosovës, po niset drejt vendeve, ku siç tha,mund të ketë një jetë me të mirë.
“Arsyeja është se nuk kam mundur të punësohem. Nuk ka gjasa të punësohem,sepse gjithçka këtu po shkon me intervenime. Shpresë nuk ka dhe arsyeja e vetme është të nisesh diku ku mund të kesh punë e besim. Mendoj se në Gjermani është më mirë. Shkollën e kemi, përvojën e kemi, mendojmë të punojmë ku të mundemi. Nuk kemi persona që na presin atje, por besoj se do tia dalim”, tha Hasolli.
Ai kishte humbur shpresën e ndonjë ndryshimi pozitiv në Kosovë.
“Mendoj se brenda 10 vitesh nuk mund të ketë dicka të mirë për Kosovën. Nese ka diçka, ne do të ishim të parët që do të ishim kthyer dhe do të punonim”, tha Hasolli.
Kushtrimi, një tjetër djalë i ri nga komuna e Vushtrrisë, thotë se bashkë me dy shokë të tjerë po niset drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Në krah mbante një çantë me ushqim e ujë..
“Jemi nis për në Gjermani. Nga Hungaria në Austri dhe Gjermani.Kushtet e vështira në Kosovë, po shpresojmë për kushte financiare më të mira. Mund të punojmë çkado që kërkohet, edhe punë krahu”, tha Kushtrimi.
Edhe Labinoti është nga Vushtrria. Ai shpjegon se si kishte një vend pune në Kosovë, por ka marrë vendim të dalë jashtë vendit, për një punë më fitim prurëse.
“Shkollën e mesme e kam të kryer. Punë e kam pasur, e kam lënë. Kam punuar në mobilieri,por nuk kishte rroga të mira. Tash po shpresojmë në diçka më mirë, nëse dalim jashtë”, tha ai.
Flamur Gashi nga Prishtina është nisur mbrëmë nga stacioni i autobusëve në Prishtinë drejt Gjermanisë. Me vete kishte gjithsejt 400 euro…
“Kam vendosur të dal se nuk po ka kushte këtu. Nuk ka të ardhme këtu për të rinjtë, duhet me dalë dhe me gjetë punë atje. Po shpresojmë me dal në të zezën në Gjermani. Në Kosovë i lashë dy prindër, dy vëllezër dhe dy motra”, tha Gashi.
Përfaqësuesit e Ministrisë se Punëve të Brendshme thanë sot se ende nuk kanë ndonjë të dhënë për migrimet e qytetarëve të Kosovës këtë vit. Ata thanë se të dhëna nuk kanë as për muajin dhjetor të viti të kaluar. Deri në muajin nëntor të vitit 2014, nga Kosova kanë migruar 24, 100 kosovarë, sipas të dhënave të Ministrisë.
Përfaqësues të lartë të institucioneve të Kosovës dhe ata ndërkombëtarë, përfshirë këtu edhe ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian, kanë bërë thirrje në disa raste që të ndalet migrimi i paligjshëm, duke tërhequr vërejtjen se asnjë vend i BE-së nuk ofron më statusin e azilit. (rel)