Kategoritë: Kosova

Lajmet nga Kosova

QUINT: Status quo-ja aktuale nuk i sjell dobi askujt

quint kurtiPas disa përpjekjesh të dështuara për formimin e institucioneve, presidentja e Kosovës, Osmani njoftoi se nga 15 maji do të takojë udhëheqësit e partive politike në një përpjekje të re për të formuar institucionet.

Ambasadorët e vendeve më të industrializuara, të njohur si vendet e QUINT-it  të kërkuan nga klasa politike në Kosovë që të gjejë rrugë për formim të shpejtë të institucioneve. Status quo-ja nuk i sjell dobi askujt, thuhet në reagimin e ambasadorëve, pas bllokadës tashmë disa javore të moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës. Funksionalizimi i Kuvendit është parakusht në mënyrë që të kalohet në fazën tjetër për formimin e qeverisë. Edhe një seancë e radhës u mbajt të martën më 13.05, ku propozimi i Vetëvendosjes që doli partia e parë në zgjedhje dështoi për ta zgjedhur kryetaren e Kuvendit, e cila nuk mori numrin e mjaftueshëm të votave, ashtu sikurse edhe në 14 seancat e shkuara.

“Nevojitet një qeveri stabile dhe funksionale”

Ambasadorët e vendeve të QUINT-it takuan edhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti,  i cili në një njoftim nga zyra e tij, nuk tha të jetë diskutuar për ngërçin politik të krijuar. Kurse kreu i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, tha pas takimit se “për përparimin e Kosovës në integrimin evropian, nevojitet një qeveri stabile dhe funksionale. Status quo-ja aktuale nuk i sjell dobi askujt”, tha Aivo Orav.

Në takim me Kurtin ishte edhe zëvendësambasadori i Gjermanisë, por qëndrimin gjerman për situatën e krijuar e shprehu ambasadori Jörn Rohde, i cili shkroi se, “Kosovës i duhet një qeveri stabile, e aftë për të marrë vendime”. “Shumë detyra të rëndësishme, si të brendshme ashtu edhe ndërkombëtare, janë në pritje dhe nevojitet përparim në çështje thelbësore”, shkroi Rohde në profilin e tij social.

E ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, ritheksoi nevojën që “liderët politikë të Kosovës të bashkëpunojnë për ta konstituuar Kuvendin dhe për të formuar një qeveri stabile, në përputhje me Kushtetutën”. Sipas saj, “institucionet janë thelbësore për të siguruar mirëqenien dhe prosperitetin e qytetarëve të Kosovës”. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, i cili tha se së bashku me kolegët e tij, “kërkuan formim të shpejtë të institucioneve”. “U takova me kryeministrin në detyrë Kurti së bashku me ambasadorët e tjerë të QUINT-it. Inkurajova formimin e një qeverie të re sa më shpejt të jetë e mundur, për të vepruar interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj, duke bërë përparim në çështje thelbësore, siç janë zhbllokimi i fondeve dhe përparimi drejt integrimit euroatlantik”, shkroi Hargreaves.

Akuza të ndërsjella në Kosovë

Përfaqësues të partive politike në opozitë thonë se Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka numrat për formimin e institucioneve dhe për këtë arsye po bllokon konstituimin e Kuvendit. Vetëvendosja kundërpërgjigjet dhe akuzon partitë e tjera për bllokadën duke mos votuar kandidaten e tyre për kryetar Kuvendi.

Në këtë situatë ngërçi, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se nga 15 maji do të takojë udhëheqësit e partive politike në një përpjekje të re për të formuar institucionet e reja. “Presidentja Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit nga data 15 maj. Ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para dhe po presim konfirmimet”, tha Bekim Kupina, këshilltar i Presidentes.

Partitë politike i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Presidentes për këto takime. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tashmë situatën pa zgjidhje në Kuvendin e Kosovës e ka adresuar në Gjykatën Kushtetuese, dhe sipas liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, ata janë në pritje “të vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese për kushtetutshmërinë e zhvillimeve që kanë ndodhur në seanca”.

Nëse nuk gjendet zgjidhje nga ngërçi i krijuar politik, përfaqësuesit e të gjitha partive politike nuk e kanë përjashtuar edhe mundësinë e zgjedhjeve të reja. Sipas Kushtetutës së Kosovës, vetëm pas konstituimit të Kuvendit dhe kryesisë, atëherë presidentja Vjosa Osmani, sipas ligjeve, obligohet të nominojë partinë fituese si mandatare për formimin e qeverisë së re. Kabineti qeveritar i propozuar duhet t’i sigurojë të paktën votat e 61 deputetëve nga 120 deputetë sa i ka Kuvendi i Kosovës. E Lëvizja Vetëvendosje, me 48 ulëset e siguruara në zgjedhje, duhet patjetër të hyjë në koalicion me ndonjë parti tjetër në mënyrë që të mund të formojë qeverinë.

dw

PDK, LDK e AAK konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin me presidenten Osmani

presidenca e ksPresidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të nisë më 15 maj një seri konsultimesh me përfaqësues të subjekteve politike në lidhje me procesin e konstituimit të Kuvendit të ri pas zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt.

 

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin e thirrur nga presidentja Vjosa Osmani, lidhur me zhbllokimin e situatës së moskonstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Faton Abdullahu, zëdhënës i PDK-së ka thënë se kreu i kësaj partie do të marrë pjesë në takim.

“Po, kryetari Memli Krasniqi ka pranuar ftesën për takim nga presidentja Vjosa Osmani. Na vjen mirë që, ashtu siç ka propozuar PDK, po ndërmerren hapa institucionalë që shpresojmë se mund të jenë ndihmues për të dalë nga kriza politike dhe për të hapur rrugën drejt krijimit të institucioneve të reja”, ka theksuar ai në një përgjigje për RTK-në.

Ai tha se kryetari i PDK-së do të marrë pjesë në takim, me shpresën që të gjitha partitë të marrin pjesë me konstruktivitet dhe duke e vendosur interesin e qytetarëve në radhë të parë.

“Kosova ka nevojë për institucione të reja sa më parë”, tha ai.

Pozitivisht ftesës së presidentes iu kanë përgjigjur edhe nga LDK e AAK.

“Po e kemi pranuar ftesën dhe kryetari Abdixhiku do të merr pjesë në takim”, kanë theksuar Besian Mustafa, zëdhënës i LDK-së.

“Po, kryetari Ramush Haradinaj do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja”, tha shkurt Kushtrim Xhemaili, zëdhënës i AAK-së.

Më herët gjatë ditës këshilltari për media në Presidencë, Bekim Kupina konfirmoi për RTK-në se presidentja Vjosa Osmani do t’i fillojë konsultimet për konstituimin e Kuvendit më 15 maj.

rtk

Nesër përpjekja e pesëmbëdhjetë për konstituimin e Kuvendit

parlamenti ksEdhe pse kërkesa e Vetëvendosjes për votim të fshehtë tashmë i ka shkuar Kushtetueses, Kuvendi ka njoftuar edhe zyrtarisht se nesër do të vazhdojë seanca konstituive në orën 10:00. Kësisoj, deputetët do ta bëjnë përpjekjen e pesëmbëdhjetë për konstituim. Por, njohësit e kushtetutshmërisë po konsiderojnë se përplasjet politike dhe përpjekjet për konstituim kanë sjellë diskutime të shumta juridike, sidomos rreth nenit 113 të Kushtetutës dhe veprimeve të fundit në seancat parlamentare.

 

Neni 113 i Kushtetutës së Kosovës u jep të drejtë së paku dhjetë deputetëve që brenda 8 ditëve pas marrjes së një vendimi në Kuvend, qoftë ligj, akt tjetër juridik apo procedurë, ta dërgojnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Kësaj gjykate sot i ka shkuar një kërkesë e tillë, ajo për votimin e fshehtë për kryeparlamentar duke qenë në procedurë të votimit.

Nga Instituti Demokratik i Kosovës thonë se sipas interpretimeve të mëhershme të vetë gjykatës, termi “vendim” nuk nënkupton vetëm një akt të shkruar apo të miratuar formalisht, por edhe çdo veprim i Kuvendit që prodhon pasoja juridike.

“Gjykata Kushtetuese ka afat prej 60 ditësh për të vendosur nëse kërkesa është e pranueshme dhe e bazuar, e nëse ka pasur shkelje të Kushtetutës ose jo,” thotë Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në KDI.

Ndërkaq, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se pa një vendim të miratuar nga Kuvendi, nuk mund të flitet për shkelje formale të Kushtetutës dhe rrjedhimisht, nuk ka asnjë dëm të parashikueshëm që do të justifikonte ndërhyrje të menjëhershme nga gjykata.

“Vendimi për një komision ad-hoc nuk është miratuar ende, prandaj nuk ka bazë për ndërhyrje të Gjykatës Kushtetuese me masë të përkohshme,” tha Naim Jakaj, hulumtues i lartë në IDK.

Nga ana tjetër, analistët politikë vlerësojnë se zhbllokimi i Kuvendit nuk mund të arrihet vetëm me interpretime juridike, por përmes vullnetit të partive politike për kompromis dhe marrëveshje.

“Kuvendi nuk mund të zhbllokohet pa një vullnet politik të qartë. Fituesi i zgjedhjeve ka të drejtë të propozojë, por partitë e tjera kanë të drejtën të votojnë sipas bindjes së tyre,” tha Dorajet Imeri, analist.

“Zgjidhja është politike. Por, duket se nuk ka gatishmëri për kompromis nga ish-partia në pushtet. Kjo mund të çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja,” thotë Blerim Canaj, analist politik.

Njohësit e çështjeve kushtetuese dhe politike theksojnë se Kuvendi shpesh përfundon në një situatë bllokade ku zgjidhjet politike mungojnë, duke e lënë Gjykatën Kushtetuese si instancën e fundit për interpretim dhe dalje nga kriza.

rtk

Zbulohet oficeri serb i BIA-s, që komunikonte me të dyshuarin për spiunazh Hysri Selimi

BIA Hysri SelimiPas publikimit të përgjimeve tronditëse në “Debat Plus”, ku protagonist ishte Hysri Selimi i arrestuar për spiunazh, televizioni Dukagjini ka vijuar hulumtimet, duke zbuluar detaje të reja rreth lidhjeve të tij me shërbimin serb të inteligjencës.

 

Burime të sigurta konfirmojnë se oficeri i BIA-s që komunikonte me Selimin është Igor Babiq, i lindur në vitin 1975 në Gjilan. Aktualisht, ai është oficer aktiv i BIA-s në Nish të Serbisë, por ka ndikim të madh në rajonin e Gjilanit, ku konsiderohet si një nga figurat kyçe për ruajtjen e pushtetit të Listës Serbe.

Sipas informacioneve të siguruara nga Debat Plus, Babiq ka qenë pjesë e strukturave të UDB-së gjatë viteve ’90, ndërsa komunikimet e tij me Selimin zbulojnë një rrjet të organizuar të ndikimit dhe spiunazhit.

Nga ana tjetër, Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) posedon të dhëna për disa udhëtime të Selimit drejt Serbisë, që dyshohet se kanë qenë pjesë e këtij aktiviteti të koordinuar kundër sigurisë së Kosovës.

telegrafi

Konsulli i ardhur në Prishtinë me armët e bashkudhëtarit çetnik

Konsulli PrishtinePrishtinë, 1912

“Me mua udhëtoi edhe Dragisha Stojadinoviq. Ai më tha në besim se po shkonte në jug për t’iu bashkuar një grupi të çetnikëve, që tanimë po vepronte në terren. Me vete i kishte dy valixhe të mbushura plot me municione. Valixhet e tij i vendosa bashkë me të miat, prandaj ato nuk iu nënshtruan kontrollit në doganën turke. Valixhet ishin të rënda, ndërsa shqiptarët që i bartnin pëshpëritnin se ‘konsull beu’ ka vendosur në to ari që më pastaj t’ia ndajë popullit!”, shkruante konsulli i fundit serb në Prishtinë, Millan Gj. Millojeviq

 

“Serbia si një territor udhëtimi është një vend me interes për publikun vetëm për sa kohë që vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes si një prishëse e paqes ballkanike. Serbia është vegla e Rusisë, armiku i Austrisë, përbuzja e Bullgarisë dhe urrejtja ndaj Turqisë. Në të vërtetë, miku i vetëm i vërtetë i saj mund të thuhet se është i afërmi i saj – Mali i Zi në miniaturë”, ka shkruar Jeakel Brair në librin “The Lands of the Tamed Turk – Or the Balkan States of Today” botuar në vitin 1910.

Mendimi i mësipërm mund të vërtetohet edhe nga arritja dhe vendosja e konsullit të fundit serb Millan Gj. Millojeviq (1874 – 1969) në Prishtinë, në vjeshtën e vitit 1911. Para se të dërgohej në Prishtinë, Millojeviq ishte bërë i njohur për uzurpimet e pronave të shqiptarëve në krahinën e Toplicës. Edhe pse Millojeviq e mori postin në janar të vitit 1912 ai mbërriti në kryeqendrën e Kosovës në nëntor të vitit 1911. Lidhur me marrjen rrugë drejt Prishtinës ai ka shkruar: “Me mua udhëtoi edhe Dragisha Stojadinoviq. Ai më tha në besim se po shkonte në jug për t’iu bashkuar një grupi të çetnikëve, që tanimë po vepronte në terren. Me vete i kishte dy valixhe të mbushura plot me municione. Valixhet e tij i vendosa bashkë me të miat, prandaj ato nuk iu nënshtruan kontrollit në doganën turke. Valixhet ishin të rënda, ndërsa shqiptarët që i bartnin pëshpëritnin se ‘konsull beu’ ka vendosur në to ari që më pastaj t’ia ndajë popullit! Sa më kujtohet çetniku Stojadinoviq e kishte pasaportën, në të i shkruante se ishte mullixhi. Kur i sollëm këto valixhe në konsullatën e Shkupit, u ndjeva i lumtur që punën time e fillova në këtë mënyrë pra të ‘shërbimit si korrier’. Para nisjes për në Prishtinë disa herë bisedova me kryeministrin Milovanoviq. Ai ma tërhoqi vërejtjen që propagandën austriake ta përcillja në mënyrën më të mirë dhe më të saktë, por edhe disponimin dhe lëvizjet politike midis shqiptarëve. Milan Rakiqi, të cilin e zëvendësova, m’i afroi disa të dhëna shumë të rëndësishme për punën në terren. Kur mbërrita në Prishtinë, si zëvendëskonsull atje e gjeta Ljubomir Neshiqin. Më herët ai kishte punuar një kohë të gjatë me Rakiqin dhe tashmë kishte përparuar mjaft në punë”.

 

Infiltrimi i priftërinjve dhe mësuesve

Ndërsa njëri prej raporteve të para që konsullit Millojeviq e nisi nga Prishtinë, kishte të bënte me personalitet me ndikim të pakicës serbe në Vilajetin e Kosovës.

“Ne e kemi pasur një numër të konsiderueshëm midis priftërinjve dhe mësuesve vendorë, që me plot shkathtësi e zotësi ia kanë dalë të mbajnë gjallë frymën luftarake midis serbëve, por njëkohësisht ata kanë arritur me sukses që t’ua bëjnë me dije shqiptarëve se janë miq të sinqertë të tyre, se si serbët nuk janë të vetmuar dhe se Serbia dhe Mali i Zi për serbët janë më afër sesa Stambolli. Midis këtyre heronjve, si shembull është protoprezvoteri Angjellko Neshiqi nga Mitrovica. Ai i ka pasur lidhjet e forta me shqiptarët gjithandej. Si njeri me autoritet në hierarkinë kishtare dhe i vlerësuar nga drejtuesit e eparkisë, protoprezvoteri Angjellko, njëkohësisht edhe midis shqiptarëve vlerësohej si figurë e rëndësishme politike. Krahas kësaj, Angjellkoja mbante kontakte të shëndosha me konsullin rus në Mitrovicë. E gjithë kjo ka ndikuar që pushteti vendor të mos e nënvlerësojë protoprezvoterin Angjellko. Ai është njëri prej udhëheqësve serbë në Kosovë, që në mënyrë demonstrative apo shumë lirshëm ka ardhur në konsullatë. Ndikimi i tij ishte i tillë saqë ka ndodhur shpeshherë që edhe shqiptarët kanë kërkuar ndihmë prej tij. Si ruajtës besnik i traditës dhe i interesit të popullit të vet në Lipjan ka qenë protoprezvoteri Debelkoviq. Edhe në kohë të vështira Debelkoviq, me plot guxim e ka ngritur zërin në mbrojtje të kishës dhe grigjës së besimtarëve që ai vetë u ka prirë… Në Prishtinë ka pasur personalitete kishtare me autoritet. Veçmas janë dalluar protoprezvoteri Ariton Popoviqi dhe Josif Popoviqi. Të gjithë këta aktivistë dhe punëtorë publikë, kanë qenë shpirtërisht të lidhur mes vete dhe kanë punuar në bazë të direktivave që i kanë marrë drejtpërdrejt nga strukturat e larta të pushtetit të dioqezës së Rashkës – Prizren. Selia e dioqezës ka qenë në Prizren, por sipas nevojës, administrimi bëhej nga Prishtina. Të gjitha shkollat në territorin e dioqezës kanë qëndruar nën administrimin e saj. Ndërsa në Prizren, me sukses të madh funksiononte Seminari Teologjik dhe mësimdhënësit e këtij institucioni shpeshherë ishin bartës të misioneve të besueshme. Rektori i Seminarit Teologjik, protoprezvoteri Steva Dimitrijeviq si teolog i shkëlqyeshëm, pedagog por edhe si aktivist kombëtar i ka bërë nder emrit serb… Më vonë në jetën politike nisën të përfshiheshin intelektualët e rinj vendas. Midis tyre veçohej Grigorije Bozhoviq, i biri i protoprezvoterit të njohur arsimtarit Vukashin pranë Seminarin Teologjik të Prizrenit, më pastaj Millan Çemerkiqi, korrespondenti i gazetave ruse nga Prizreni e të tjerë”.

KonsulliMillan Gj. Millojeviq (1874 – 1969) ishte konsulli i fundit serb në Prishtinë. Para se të dërgohej në Vilajetin e Kosovës, ishte bërë i njohur për uzurpimet e pronave të shqiptarëve në krahinën e Toplicës. Edhe pse Millojeviq e mori postin në janar të vitit 1912 ai mbërriti në kryeqendrën e Kosovës në nëntor të vitit 1911

Aktivitete sekrete të konsullatës serbe në Prishtinë

Konsulli Millojeviq shkruan: “Aktiviteti konsullor në kuptimin e ngushtë as që ka ekzistuar. Për gati një vit pune në Prishtinë në rolin e konsullit, konsullata nuk e ka pasur rastin që ta lëshojë asnjë vizë për Serbi. Kjo nuk do të thotë se kufiri nuk kalohej. Përkundrazi, për aq sa kuptohej se ngjarjet e mëdha po afroheshin, aq më tepër i shtonim aktivitetet tona, në radhë të parë në ngritjen dhe përforcimin e shërbimit të korrierëve, ndërsa kontaktet e drejtpërdrejta me vendin amë i mbanim nëpërmjet serbëve të besueshëm vendorë. Njëri prej këtyre njerëzve besnikë, ishte Spasa prej Çagallavice. Në bashkëpunim me disa të tjerë, kuptohet që ishin njerëz të besueshëm, Spasa e bartte postën gjatë netëve duke kaluar nëpër malin e Gërmisë dhe më pastaj matanë kufiri posta u dorëzohej oficerëve tanë në kufi. Prej kujtimeve më të prekshme që i ruaj nga Kosova, është kalimi i kufirit nga vojvoda Vojisllav Tankosiq bashkë me njëzet çetnikë të përzgjedhur, me detyrën që sa më mirë të njiheshin me terrenin në Kosovë me qëllim të zhvillimit të operacioneve luftarake. Për ardhjen e tij në Kosovë u bënë përgatitje paraprake. Përcjellësit e tij u radhitën në grupe nga dy apo tre veta. Secili grup i tyre i kishte në dispozicion banorët serbë që e kishin për detyrë t’i dërgonin çetnikët në zona të caktuara. Konsullata e Serbisë në Prishtinë me Tankosiqin vendosi kontakte të shifruara… Që misioni i tij të kryhej me sukses, ka kontribuuar shumë togeri Popoviq që në prag të Luftës së Parë Ballkanike u dërgua si ndihmë në Prishtinë. Ai ishte i përkushtuar në punën e tij. Me kohë u kthye në Serbi, por si njohës i terrenit qysh në formimin e njësiteve të para çetnike ai iu bashkëngjit atyre dhe ishte ndër të parët që e kaloi kufirin. Më pastaj Bozhin Simiq, që në Prishtinë erdhi nëpërmjet maleve të Gërmisë në verën e vitit 1912 dhe i cili u maskua duke u paraqitur si blerës i gurëve të mullirit. Pas marrjes së informacioneve të nevojshme, nëpërmjet Mitrovicës me të njëjtin qëllim ai u dërgua në Sanxhak. Pak kohë më herët në Mitrovicë u angazhua Dragutin Dimitrijeviq – Apis (njëri prej ideatorëve kryesorë të organizatës famëkeqe “Dora e zezë”). Apisit rrugën ia siguroi Bogdan Radenkoviqi nëpërmjet vëllait Ognjenit dhe njerëzve të besueshëm. Me sa më kujtohet gjatë këtij udhëtimi Apisi i kishte edhe dy–tre oficerë të përgatitur. U zhvilluan edhe shumë aktivitete tjera të natyrës konspirative, kështu që kur Komanda Supreme i filloi aksionet, ajo ishte e informuar hollësisht rreth gjendjes së ushtrisë së armikut, përgatitjeve por edhe për disponimin e popullatës vendore”.

 

Prishtina në ditët e fundit para okupimit

Në raport konsulli serb shkruante se “thuajse për çdo ditë në Prishtinë vëreheshin duke lëvizur shqiptarë të armatosur”.

“Nëpër xhamitë e Prishtinës çdo ditë mbaheshin tubime, madje edhe rrugëve prishtinase, bejlerët dhe hoxhallarët mbanin fjalime të zjarrta patriotike. Konsullata jonë ishte e shkëputur plotësisht nga realiteti i krijuar, bile edhe lidhjet telegrafike me Beogradin ishin ndërprerë. Megjithatë ne vazhdonim ta informonim qeverinë dhe qarqet ushtarake për situatën dhe gjendjen faktike në terren. Sipas udhëzimeve të mëhershme, njerëzit tanë të besueshëm prej zonave rreth e përqark Kosovës, por edhe të një pjese të mirë të Sanxhakut, vinin në Prishtinë dhe na sillnin të dhëna për lëvizjen e ushtrisë. Këto të dhëna thuajse çdo natë nëpërmjet njerëzve të besueshëm, nëpërmes malit të Gërmisë ua kemi përcjellë oficerëve të ushtrisë sonë që tashmë ndodheshin në vazhdimësi pranë kufirit. Aq sa ushtria jonë i afrohej kufirit apo vazhdonin përgatitjet, për aq më tepër shqiptarët ishin më luftëdashës. Ndërsa ne tashmë kishim arritur që ta krijonim rrjetin tonë të bashkëpunëtorëve midis vetë turqve të Prishtinës! Ata në fshehtësi e informonin gavazin tonë, plakun Stojanin se çfarë ishin planet e oficerëve turq, madje një herë na e sollën informacionin se ishte duke u planifikuar sulmi ndaj konsullatës sonë me qëllim të vrasjes së konsullit. Këtë informacion e pranova me gjakftohtësi dhe iu dhashë udhëzime gavazëve që midis myslimanëve të përhapin lajme por edhe të mbajnë qëndrim se nuk do të ketë luftë dhe qeveria turke në mënyrë paqësore do të negociojë për problemet ekzistuese. Njëkohësisht i porosita gavazët që për çdo ditë ta blinin nga një qerre dru dhe ato të sharroheshin para konsullatës sonë tërë ditën. Kjo u shfrytëzua si maskim se luftë nuk do të ketë, pasi dëshmohej se konsulli i siguronte drutë e dimrit. Në anën tjetër vetë qëndrimi im në Prishtinë, ishte sinjal se midis dy vendeve nuk do të ketë luftë! Situatë e rëndë u krijua kur u përhap lajmi se në Shkup u mbyll konsullata jonë, dhe se konsulli ynë ishte nisur drejt Selanikut, ndërsa çdo qarkullim midis Serbisë dhe Turqisë kishte kohë që ishte ndërprerë. Ky informacion e ngushtoi fushëveprimin tim, pasi në Prishtinë flitej se edhe konsullata serbe në Manastir ishte mbyllur, më pastaj bashkë me të edhe shumë konsullata tjera të vendeve të huaja. Megjithatë unë këmbëngulja se nuk do të ketë luftë dhe vazhdoja ta mbaja në terren rrjetin e ngritur me njerëzit që në vazhdimësi bartnin informacione deri në kufi. Në ato momente të rënda në vizitë me erdhi konsulli rus në Mitrovicë, Llobaçevi. Lajmi për ardhjen e tij në Prishtinë u përhap si rrufeja, madje edhe nëpër fshatrat përreth. Tani ishte e qartë se lufta vetëm sa nuk kishte filluar. Llobaçevi kishte ardhur të më informonte se kishte marrë telegram prej ambasadorit rus në Beograd që të më lajmërojë se a kisha urdhër prej qeverisë sime që menjëherë ta braktis Prishtinën. Më duhet të them se gjatë gjithë punës sime në Prishtinë, kam mbajtur kontakte të përhershme me konsullin rus Llobaçev në Mitrovicë. Ai gjithnjë më jepte informacione të rëndësishme por ishte edhe i gatshëm që të afronte siguri dhe të vihej në mbrojtje të bashkëkombësve tanë. Prishtinën e lëshova vetëm pak ditë para se ushtria jonë të hynte në të… Kur pas lufte për herë të parë e takova vojvodën Mishiq (më duket në Shkup) më tha se kishte qenë shumë i kënaqur me informacionet që nëpërmes maleve të Gërmisë ia kishim dërguar me rrjetin tonë të zhvilluar të njerëzve”, ka shkruar në kujtimet e tij konsulli i fundit serb në Vilajetin e Kosovës.

Skënder Latifi / koha

Fuqizimi i priftërinjve serbë nën pushtetin osman

Patrikana e Pejës para vitit 1925Pas pushtimit osman të Ballkanit, erdhi edhe te dezintegrimi dhe te riorganizimi kishtar. Kështu Patrikana e Tërnovës (Bullgari) iu nënshtrua patriarkut të Konstantinopolit, ndërkaq Patrikana e Pejës iu nënshtrua Argjipeshkvisë së Ohrit. Krahas islamizimit, njëkohësisht ndër ballkanas, përfshirë edhe arbanasit e viseve lindore, u shfaqën tendenca të (ri)katolicizmit të tyre. Në foto: Patrikana e Pejës para vitit 1925

 

Ekzistojnë dëshmi të shumta kur në gjysmën e dytë të shekullit XV, kryepeshkopëve serbë iu dha roli i mbledhësve të ardhurave shtetërore. Prandaj, në njëfarë kuptimi, nën sundimin osman, ata kryenin dy funksione në të njëjtën kohë – fetar dhe fiskal, duke shtuar këtu edhe rastet kur ata ishin njerëzit kryesorë të përfshirë bashkë me zyrtarët osmanë në regjistrimet e para të popullsisë vendore. Prandaj, nuk është për t’u çuditur se një pjesë e madhe e emrave në territoret arbanase të asaj epoke qoftë toponime apo emra personalë, dalin aq të shtrembëruar

 

Figura fetare, tagrambledhës dhe bashkëregjistrues të popullsisë vendore

Në kontekstin e ndryshimit të rrethanave ballkanike, viset e sotme lindore shqiptare, Lugina e Preshevës, si dhe viset e Shkupit, Kumanovës, Kratovës, Shtipit, por edhe më gjerë pas zhbërjes së koherencës bizantine, u gjetën në organizime të reja administrative. Të kujtojmë se nga fundi i shtatorit të vitit 1391, deri në fillim të janarit të vitit 1392, zuri fill formimi i Krahinës së Shkupit, ndërsa Lugina e Preshevës me viset përreth, u përfshi në Sanxhakun e Qystendilit, që u formua rreth vitit 1402.

Megjithatë, se privilegjet e kishës dhe besimtarëve ortodoksë nuk ishin dëmtuar nga sunduesit e rinj në krahinat e sipërpërmendura, dëshmi është fermani, që flet për një familje murgjish nga Sanxhaku i Qystendilit dhe koha e shpalljes së tij, përputhet me vitin e formimi të këtij sanxhaku. Duke kujtuar gjendjen e objekteve fetare në territoret e sanxhakut tashmë të formuar, por edhe më gjerë, duhet theksuar se në viset lindore shqiptare dhe në fqinjësi “rinovimi i kishave dhe manastireve” u bë sidomos përgjatë shekujve XIII dhe XIV. Madje, disa prej tyre u ndryshuan rrënjësisht, atëherë kur mbreti Milutin (sundoi në vitet 1282-1321) zgjeroi pushtetin në kurriz të viseve lindore shqiptare si dhe të Maqedonisë së sotme të Veriut. Prekja apo ndryshimet nën petkun “e rinovimit” të kishave dhe manastireve nuk pushuan edhe më vonë. Kështu në fund të shekullit XV “u rinovua” edhe njëri prej manastireve të njohura, ai i Pçinjës (aktualisht i përfshirë në territorin e komunës së Bujanocit – S. L.) dhe mund të thuhet se nga kjo kohë, në të, u shlyen të gjitha gjurmët e epokës bizantine. Simbolet e fundit në të u shlyen përgjatë vitit 1489 nga “restauruesi” i quajtur Marin, që vinte nga qyteti i Kratovës, i cili në radhë të parë i (ri)ilustroi muret e këtij manastiri.

Ndërsa sa i përket gjendjes në Kosovën mesjetare, siç është e njohur edhe gjatë sundimit osman, Patrikana e Pejës mbeti një organizatë kishtare unike e të gjithë besimtarëve ortodoksë nën juridiksionin e së cilës u përfshinë edhe kosovarët e konvertuar në shekujt e fundit, dhe ata, që arritën ta ruajnë katolicizmin e tyre. Krahas pushtetit të fisnikëve, që ishte mjaft i degëzuar e që në fakt ishte në shkapërderdhje e sipër, në radhë të parë për shkak të fragmentarizmive, që tashmë ishin prezente në fazën paraosmane, në përkeqësimin e gjendjes ndikoi fakti se edhe pushteti osman, duke u mbështetur në filozofinë sunduese, vetvetiu forcoi organizmin e brendshëm të Patrikanës së Pejës, duke i dhënë klerit ortodoks karakter shtetëror. Këtë faktor unifikues, pra fetar apo këtë peshqesh të Perandorisë Osmane, “priftërinjtë ortodoks e materializuan, duke e ngritur princin Llazar si sundimtar legjitim i të gjithë serbëve, ndërsa vetë princi  nuk ishte kurorëzuar”, shkruajnë historianët serbë. Privilegji i radhës që priftërinjtë ortodoks e fituan dhe që edhe më tepër e forcoi bashkëpunimin e tyre me pushtetarët e rinj osmanë, ishte kontrolli mbi paranë publike. Pra, atëherë kur pas rënies së sundimeve lokale serbe dhe bullgare (mbi viset lindore kishte disa sosh të sunduesve jo të unifikuar- S. L.) priftërinjtë tashmë e kishin humbur vendin e tyre në hierarkinë shoqërore, e bashkë me të, edhe zotërimet dhe mbështetja materiale e elitës sunduese, sepse administrata osmane me qëllim të ruajtjes së koherencës së brendshme dhe paqes në vend i ktheu sërish në skenë, bile edhe më të forcuar dhe më të siguruar se kurrë më parë.

Ekzistojnë dëshmi të shumta kur në gjysmën e dytë të shekullit XV, kryepeshkopëve serbë iu dha roli i mbledhësve të ardhurave shtetërore. Prandaj, në njëfarë kuptimi, nën sundimin osman, ata kryenin dy funksione në të njëjtën kohë – fetar dhe fiskal”, duke shtuar këtu edhe rastet kur ata ishin njerëzit kryesor të përfshirë bashkë me zyrtarët osmanë në regjistrimet e para të popullsisë vendore. Prandaj, nuk është për t’u çuditur se një pjesë e madhe e emrave në territoret arbanase të asaj epoke qoftë toponime apo emra personal, dalin aq të shtrembëruar.

 

Pësimi i kishave në viset lindore si pasojë e martesave

Afrimi i radhës midis oborrit të sulltanit osman dhe faktorit serb të kohës, erdhi në planin e martesave, kur gratë e njohura të familjeve serbe u dërguan në oborrin osman. Qysh në fillim të shtrirjes së pushtetit, sulltanët osmanë lidhën martesa politike me princesha të krishtera (bizantine, serbe, bullgare, e të tjera). Kuptimi i martesave të tilla, në radhë të parë ishte sigurimi apo arritja e aleancave dhe nënshtrimi i plotë i territoreve ku tashmë kishte shkelur këmba osmane. Martesa e bijës së princ Llazarit, Oliverës me Bajazitin I, është një shembull i një politike të tillë, mu ashtu siç ishte dërgimi i mëvonshëm i Marës, së bijës së Gjurgj Brankoviqit, te Murati II. Bile e bija e Llazarit, Olivera u bë e njohur pasi në oborrin e sulltanit futi risi, përfshi edhe përdorimin e pijeve alkoolike dhe orgjitë. Por, sa u përket arbanasve të viseve lindore, më konkretisht atyre të Luginës së Preshevës, krahinës së Kumanovës, të Karadakut të Shkupit, të Karadakut të Gjilanit, të viseve të Gollakut si dhe të Toplicës, martesa tjetër në oborrin e sulltanit, pra ajo e Marës u reflektua keq në planin e pasojave të organizmit dhe të manifestimit të ndjenjave fetare të tyre, përfshi këtu edhe përpjekjet për manifestimin e besimit katolik apo kthimit në besimin e mëhershëm të popullatës vendore, sidomos të asaj që jetonte në vendet e rrafshëta.

Kur sulltan Murati erdhi në Adrianopojë, dërgoi Saruxhë Pashën për ta sjellë Marën në oborrin e tij dhe në të kthyer, ai me të vërtetë e kishte marrë “nusen” por ajo ishte në shoqërim edhe të dy vëllezërve të saj. Sulltan Murati tashmë e kishte një grua tjetër, por kronikat e kohës thonë se ai më shumë e preferonte Marën, e cila ishte më e bukur. Pasi mbaroi dasma e madhe, sulltani i përcolli vëllezërit e nuses, duke u dhënë atyre shumë dhurata. I kënaqur me Marën, sulltani organizoi ahengje, në të cilat nuk u kursyen as pijet, që ishin të ndaluara për myslimanët, ka shkruar studiuesja Ruzhica Çuk (1949 – 2007).  Ndërsa sipas historianit Mihailo Diniq, (1899 – 1970) “Mara ia dhuroi sulltanit si prikë, Toplicën dhe Duboçicën, më pastaj disa zona në veri të Malit të Gollakut. Kjo mund të dëshmohet edhe në librin e borxheve të Mihail Lukareviqit, për vitet 1433, 1436 dhe 1438, ku si territore osmane në krahinën e Toplicës renditen: Slishani, Kamenica, Ivanja, Tupala, Dobroselani, Tolenoci dhe Kozleni”. Lajmin për martesën e Marës e gjejmë edhe te historiani bizantin Duka. Ndërsa, për këtë ngjarje kanë shkruar edhe historianët osmanë, si Ashikpaşazade dhe Neşri. Por, ishte edhe një kusht i kësaj martese, që duhej të plotësohej. Përveç pagesës së haraçit, Sulltan Murati II kishte kërkuar garanci të forta, që nëpër tokat e Ballkanit të mos lejohej kalimi i Hungarezëve. Pra, siç shihet, komunikimi i Ballkanit me Perëndimin duhej të ndërpritej dhe në radhë të parë kjo u reflektua keq në planin fetar, ndonëse nuk mund të thuhej se e njëjta gjë vlente edhe në planin e bashkëpunimin tregtar.

Një çerek shekulli më vonë, Perandoria Osmane e bëri edhe zyrtarizmin e mileteve, që tashmë ishin “akomoduar“ brenda territorit të saj. Prandaj, nën përkujdesjen e sulltan Mehmedit II Pushtuesit, u formuan katër miletet zyrtare: mysliman, ortodoks, hebre dhe armen, dhe kjo ndodhi në një afat kohor prej shtatë viteve. Bazat e miletit ortodoks u krijuan në vitin 1454. Mileti ortodoks u quajt  “rum” ose “rom”. Emërtimi “Rum Milet”, më vonë i njohur si Rumelia njëherësh përcaktonte miletin lindor, apo miletin bizantin. Në krye të “Rum Miletit”, qëndronte patriarku u Kostandinopojës, i cili njëherësh ishte përgjegjës edhe para vetë sulltanit dhe ai domosdo ishte garantues i stabilitetit të krishterëve ortodoksë brenda perandorisë. Mileti hebre u formua një vit më vonë. Vetë sulltani i bëri ftesë Musa Kapsalisë, i cili atëbotë jetonte në Kostandinopojë dhe e quajti atë Kryerabin (Hacam başi). Ndërsa mileti armen u formua në vitin 1461, atëherë kur ftesë e njëjtë nga ana e sulltanit iu bë peshkopit armen Joakim, me ç’rast ai u emërua patriark. Mirëpo, besimtarët armenë ndaheshin në dy milete: armeno-gregorian dhe armeno-katolik.

 

Novobërda si qendër e përplasjes së interesave kishtare

Pas pushtimit osman të Ballkanit, erdhi edhe te dezintegrimi dhe te riorganizimi kishtar. Kështu Patrikana e Tërnovës (Bullgari) iu nënshtrua patriarkut të Konstantinopolit, ndërkaq Patrikana e Pejës iu nënshtrua Argjipeshkvisë së Ohrit. Krahas islamizimit, njëkohësisht ndër ballkanasit (përfshi edhe arbanasit e viseve lindore) u shfaqën tendenca të (ri)katolicizmit të tyre.

“Rreziku për katolicizimin e sllavëve në Ballkan ishte shfaqur në momentin kur Roma dhe disa vende perëndimore premtuan ndihmë ushtarake dhe morale, e njëkohësisht manifestuan pretendimet për përhapjen e katolicizmit në vendet, të cilat do të shtrihej ndihma e Romës dhe e vendeve perëndimore. Në këtë kohë, shumë misionarë katolikë u ranë kryq e tërthorë vendeve të Adriatikut, Kroacisë, Bosnjës, Serbisë dhe Rumanisë dhe ia dolën që të tërheqin nën spektrin e papës ku më shumë e ku më pak të krishterë (ortodoksë). Në disa prej qyteteve të vendeve të lartpërmendura, këta misionarë ngritën kisha, duke ngritur koloni katolike, që funksionin në mënyrë solide”, ka shkruar studiuesi bullgar, Georgi Dançev.

Ndërsa sa u përket arbanasve dhe përpjekjeve të tyre për ruajtjen e identitetit, mendimi i mëposhtëm edhe pse mund të merret si jo shpresëdhënës, megjithatë paraqet gjendjen dhe udhëkryqet para të cilave ishin vendosur ata në shekujt e parë osmanë.

“Shqiptarët (arbanasit) do ta pranojnë islamin nën trysninë turke dhe ata do të shndërrohen në armiqtë më të zjarrtë të krishterimit!”, kishte shkruar prefekti apostolik në Shqipëri, Fra Kerubini në komunikimet e të tij me qarqet venedikase.

Pikërisht, rreth dy shekuj më herët, pra të ngritjes së alarmit nga Fra Kerubini, sipas studiuesit bullgar Georgi Danev, Novobërda u shndërrua në qendër ku nisi përplasja e interesave kishtare. Si qendër e dëshmuar ekonomike dhe kulturore, Novobërda u bë e njohur edhe për shkak të personaliteteve, që jetuan në të, midis tyre edhe të konsullit të Dubrovnikut. Më pastaj aty ishte e vendosur edhe familja e njohur bizantine e Kantakuzinëve. Kështu më i njohuri i kësaj familjeje, atëbotë, Dhimitër Kantakuzini (1435-1487) ndërmori iniciativën e nxitjes së fushatës antikatolike qysh në fillim të shekullit XV. Pra, më këtë edhe dëshmohet se Novobërda, por edhe Kosova mesjetare u shndërruan në territor, ku përplaseshin interesat e kishës Perëndimore dhe të asaj Lindore. Shtimi i besimtarëve katolikë në Novobërdë dhe në zonat përreth, arritja e xehetarëve sasë, rritja e kolonive raguziane dhe adriatikase në këtë qytet, padyshim që ishin rrethana, të cilat ndikuan në rritjen e vazhdueshme të numrit të katolikëve, të ndihmuar edhe nga propaganda e misionarëve të ndryshëm.

Skënder Latifi / koha

Propaganda antikatolike e kosovarit Vlladisllav Gramatik

Kalaja e NovobërdësVlladisllav Gramatik lindi në Novobërdë rreth vitit 1420. Veprimtaria e tij krijuese në përgjithësi lidhet me fushatën antikatolike të gjysmës së dytë të shekullit XV. Edhe pse i lindur në Kosovë, lufta për ta përvetësuar këtë personalitet midis qarqeve shkencore në fqinjësinë kosovare nuk pushoi kurrë. Vepra e Gramatikut është e ndarë në disa vëllime, ndërsa një pjesë e krijimtarisë ruhet nëpër arkiva të ndryshme

 

Viset lindore dhe herezitë e hershme

Fillimi i mbretërimit të Aleksit I Komnenit (1081 – 1118), njëherësh shënon edhe dobësimin e pushtetit bizantin në viset ballkanike. Kriza e pushtetit njëkohësisht u manifestua edhe në planin e organizimit fetar. Fillimisht ishin Bogomilët, ata që ia kthyen shpinën klerit ortodoks, duke i akuzuar priftërinjtë si njerëz “të ligj” dhe “të korruptuar”, si “të tepërt” por edhe “të panevojshëm”.

Megjithatë, kohën e përplasjeve serioze midis popujve autoktonë dhe fiseve të ardhura në Ballkan, duhet zhvendosur për disa shekuj më herët apo më saktësisht në epokën e ardhjes së fiseve sllave në Gadishullin Ballkanik dhe dëshmi për këtë janë shekujt me radhë të marrëdhënieve të tensionuara, që ishin karakteristikë e Ballkanit të atëhershëm. Rrethanat e krijuara dhe kohët turbulente në radhë të parë vetvetiu i manifestuan edhe dallimet e ndryshme kulturore midis tyre, pasi popujt autoktonë u përkisnin kulturave shpeshherë superiore, me bindje të tjera fetare, me kuptime dhe koncepte të tjera, por ato ishin edhe të edukuara në mjedise dhe rrethana të tjera. Ndërsa në shekujt e mëvonshëm këto ndryshime kulturore u thelluan edhe më shumë, sidomos kur “pikëpamjet konservatore të klerit ortodoks, që erdhën në shprehje, sidomos pas përqafimit të krishterimit nga masat e ardhura sllave, prandaj këto rrethana e pamundësuan bashkëpunimin apo afrimin në çfarëdo niveli me kreun e kishës katolike apo Avinjonin”, ka shkruar historiani Miodrag Purkoviq (1907-1976). Megjithatë, duhet cekur se sipas perandorit bizantin Κōnstantĩnos Porphyrogénn (905 – 959) “menjëherë pas vendosjes së fiseve sllave në Ballkan nis procesi i krishterimit gradual të tyre. Për shembull, serbët (e sotëm) u pagëzuan në dy raste dhe nga dy qendra: së pari nga priftërinjtë romakë në gjysmën e parë të shekullit VII, gjatë sundimit të perandorit Herakliut (610 – 641), dhe më pas me më shumë sukses në gjysmën e dytë të shekullit IX, gjatë sundimit të perandorit Vasili I (867-886), nga misionarët ortodoksë bizantinë”. Thuajse e njëjta situatë u paraqit edhe në rastin e bullgarëve kur në vitin 864 vetë princi bullgar Boris fillimisht e pranoi krishterimin nga Kostandinopoja dhe pavarësisht rezistencës së fisnikëve bullgarë, ai e kristianizoi vendin e tij. Kjo ngjarje e ndezi konkurrencën midis dy kishave dhe kur u pa se Roma do të ngadhënjente, Bizanti nuk tregoi shumë gatishmëri për t’i lejuar princit bullgar pavarësinë e kishës së re bullgare, kështu që Borisi iu drejtua sërish Kishës Romake. Por, meqenëse përjetoi të njëjtin zhgënjim atje, ai u kthye në gjirin e Kishës Bizantine. Ky hezitim midis Romës dhe Kostandinopojës ndriçon qartë veçantinë e pozicionit midis Bizantit dhe Perëndimit, gjë që i jep një ngjyrë të veçantë edhe vetë procesit të sllavizimit të Bullgarisë dhe njëkohësisht të zhdukjes së shtresës sunduese bullgare në masën sllave”.

 

Lufta për përvetësimin dhe uzurpimin e trashëgimisë bizantine

Megjithatë, krishterimi i sllavëve nuk duhet marrë si kuptimplotë, meqë shtresa të paganizmit për shekuj me radhë ishin pjesë e dogmës fetare, rreth së cilës u bashkuan ata. Më pastaj nuk duhet harruar se duke filluar nga fundi i shekullit XI, dhe për një kohë të gjatë, patriotizmi grek dhe ortodoksia iu prinë koncepteve politike dhe ideologjike të bizantinëve, duke kontribuuar në shndërrimin e nacionalizmit bizantin në lëvizje të gjerë solidariteti, e cila unifikoi popuj të tërë me origjinë etnike dhe me pozitë të ndryshme shoqërore, por po aq të vendosur që t’i kundërviheshin rrezikut të përbashkët, që do të kanoste, në të njëjtën kohë, qoftë shtetin apo edhe besimin në të. Që atëherë, ortodoksia (besimi i vërtetë) është mbrojtur dhe mbrohet me të gjitha forcat, kundër çdo armiku, të jashtëm apo të brendshëm. Prandaj edhe luftërat e kësaj perandorie kundër të krishterëve të tjerë dhe jo vetëm kundër jobesimtarëve ose paganëve, në të shumtën e rasteve nisën vetëm për faktin se këta të krishterë donin të sfidonin “të vërtetën dhe besimin e Perandorisë Bizantine”.
Sikur në çdo krizë, edhe gjatë kohës së perandorit Aleksit I Komnenit (1081 – 1118) në Ballkan, nisi lufta për përvetësimin dhe uzurpimin e trashëgimisë bizantine. Qysh në fillim do theksuar se përpjekjet për t’u “përvetësuar” kjo trashëgimi nga bullgarët apo serbët nuk duhet të shihet si luftë e shteteve në kuptimin e sotëm, pasi asnjëra prej tyre bile nuk përbënte shtet kombëtar etnik. Prandaj, ato nuk duhet të shihen si korresponduese të shteteve të kohës së re. Sepse, ato ishin vetëm formacione sunduese despotike multietnike, e që në fakt e mbanin vulën e kishës ortodokse.

Autorët serbë mbi qëndrimin e Serbisë mesjetare ndaj katolikëve arbanas

Indiferenca fetare e arbanasve në mesjetën e hershme, duhet të ketë qenë faktori që ka ndikuar dukshëm në zbehjen e të paraqiturit të tyre si joshtetformues dhe mu për këtë, organizimi apo përgjigjja e tyre ndaj “përplasjes” së sipërpërmendur është dhënë në ngritjen e rendit të veçantë etnojuridik. Ky organizim edhe më vonë mbetet si përgjigje më e mirë ndaj “kategorizimit tashmë të njohur të popujve në kategoritë themelore fetare, latinë dhe grekë dhe të realizimit të disa privilegjeve të tyre, për të cilat nuk janë ruajtur burime dokumentare”, ka shkruar studiuesi rus Teodor Taranovski (1875 – 1936) duke shtuar “se të gjithë ‘të huajt’ gëzonin të drejtën e tregtisë së lirë, pra edhe mbrojtjen e pronës së tyre, njëlloj kur dilnin në tregje apo panaire. Si shembull mund të afrohet edhe një krisobulë e njërës prej kishave të Shkupit të vitit 1300, ku thuhet se ‘kushdo që vjen në panair, grek, bullgar, serb, latin, arbanas apo vllah, duhet të paguajë doganat ligjore”.

Mirëpo, me forcimin e Nemanjidëve, si dhe të kishës ortodokse brenda sferës gjuhësore latine, viset e sotme lindore shqiptare iu nënshtruan presionit dhe proceseve asimiluese, si në planin gjuhësor, ashtu edhe në atë fetar dhe një situatë e tillë e vështirë, fatkeqësisht vazhdoi të mbretëronte edhe në shekujt e parë të sundimit të Perandorisë Osmane.

 

“Emërtimet si Nish, Shtip, Sharr dhe Ohër, sllavëve të jugut u kanë ardhur nga goja e shqiptarëve”

“Kufijtë midis gjuhës latine dhe greke janë shtrirë që nga Deti Adriatik në Shqipëri, duke arritur në jug të Shkupit, në rrethinat e Qystendilit dhe të Sofjes, në malin Ballkan dhe kanë shkuar më tej drejt bregdetit të Detit të Zi. Emërtimet si Nish, Shtip, Sharr dhe Ohër, sllavëve të jugut u kanë ardhur nga goja e shqiptarëve”, ka shkruar linguisti i njohur serb, Pavle Iviq (1924 – 1999) në librin “Kombi serb dhe gjuha e tij” ndërsa studiuesja e njohur Jovanka Kaliq ka shkruar se “në Serbinë (mesjetare) toponimet ishin latine. Të gjithë studiuesit, që kanë punuar në terren e dinë shumë mirë se në vendbanime të ndryshme ata hasën në varreza latine, kisha latine, përrenj latinë, pjesë të relievit apo gjurmë të vendbanimeve latine”.

 

Gjendja e pandryshuar e katolikëve edhe pas vdekjes së Dushanit

Pas vdekjes së Dushanit (1355), krahas shpërbërjes së strukturave kishtare dhe politike, mund të thuhet se në viset lindore shqiptare, si dhe më gjerë, bile edhe me rastin e krijimit të pushteteve lokale të pavarura dhe gjysmë të pavarura, nuk u pa ndonjë ndryshim rrënjësor rreth gjendjes së besimtarëve katolikë, prandaj shekujt në vijim ishin vendimtarë për ta.

“Çfarë vendi i la mbreti Dushan djalit të tij Uroshit dhe si i tillë a mund të zgjerohej ai vend kur fisnikët serbë në vazhdimësi nuk i duronin fisnikët shqiptarë apo grekë”, ka shkruar Momir Joviq në librin “Serbia dhe kisha romano-katolike në Mesjetë”. Prandaj, pretendimet se pushteti i Dushanit ishte gjithëpërfshirës në krahinat, që thuhet se u nënshtruan, duhet marrë me kriticizëm. Në radhë të parë disa krahina, deri në atë kohë – të huaja, edhe gjatë pushtetit të tij, nuk arritën, bile rezistuan që të barazoheshin, përfshirë këtu edhe planin fetar. Fatkeqësisht edhe pas vdekjes së Dushanit, për arbanasit mesjetarë pavarësisht përkatësisë fetare, gjendja vazhdoi të mbetej e rëndë dhe në fakt lufta e tyre ishte luftë për mbijetesën e tyre.

Edhe më vonë, për shembull “Stefan Llazareviqi u kërkonte priftërinjve katolikë nënshtrim të plotë dhe ata ishin të detyruar që ta përmendnin emrin e tij gjatë lutjeve. Midis ortodoksëve serbë dhe besimtarëve katolikë mbretëronte një urrejtje e skajshme, gjithkund dhe gjithnjë kishte konflikte të ndryshme, bile edhe vrasje”, ka shkruar medievisti Momçilo Spremiq, i cili marrëdhëniet gjithnjë të rënduara midis besimtarëve të krishterë i sheh edhe si shkakun kryesor “të mosrezistencës ndaj Perandorisë Osmane në fillim të nënshtrimit të Ballkanit”.

Siç dihet, viset lindore shqiptare në epokën paraosmane në periudha të caktuara u gjetën nën pushtetin e Bullgarisë mesjetare e më vonë edhe nën pushtetin e sunduesve lokalë, që përkatësinë e tyre kombëtare e kanë mjaft të mjegulluar, por që autorë të ndryshëm, sidomos që nga gjysma e shekullit XIX e deri në vitet e dyzeta të shekullit XX, këtyre sunduesve ua kanë veshur, por edhe ua kanë hequr herë petkat serbe e herë bullgare. Megjithatë, në sytë e këtyre pushteteve dhe të kishave të tyre arbanasi katolik ishte projektuar thuajse në një imazh identik, por edhe unik.

 

“Latinët” si heretikë dhe imazhi i tyre në kontekstin e “tjetrit”

Qëndrimi dhe perceptimi i arbanasve latinë të viseve lindore në shekujt parasomanë tashmë ishte pjesë e modelit të njohur e projektimit “të tjetrit” që kryekëput ishte imazh dhe produkt i qëndrimit të qarqeve kishtare ortodokse bullgare, por edhe serbe.

“Emërtimi ‘Latin’ në këngën popullore bullgare shfaqet qysh në shekujt XIII dhe XIV. Për latinët sidomos flitet në Eposin e Kreshnikëve apo te këngët e trimërisë. Për shembull në këngë të ndryshme është theksuar qartë ‘Vajza latine, mbreti latin, qyteti latin, vojvodë latini’”, ka shkruar autorja bullgare Donka Petkanova, (1930 – 2016) duke shtuar se në “këngën popullore bullgare, latinët zakonisht janë paraqitur në këndvështrimin mohues apo në kontekstin negativ, si për shembull se latinët mashtrojnë, vjedhin, se janë miq jo të besueshëm, etj.”

Thuajse i njëjti imazh është prezent në radhë të parë edhe të priftërinjtë serbë. Bile urrejtja e këtyre të fundit është përcjellë me masa konkrete, që manifestoheshin me sjellje agresive, mizore ndaj ‘latinëve’”.

“Nga këndvështrimi i serbëve ortodoksë, katolikët shiheshin si pjesëtarë të ‘herezisë latine’. Aq më tepër, që me kalimin e kohës, emërtimi ‘serb’ gjithnjë lidhej me përkatësinë e kishës ortodokse serbe. Ishte vetë Stefan Nemanja që përdori masa energjike për të pastruar vendin e tij nga çdo lloj i heretikëve”, ka konstatuar medievisti, Millosh Bllagojeviq (1930 -2012).

Goditja e radhës që ia forcoi shpirtin fenomenit të veçimit të “latinëve” si kategori e urryer, ngjau po ashtu edhe në shekujt e parë të ardhjes në Ballkan të Perandorisë Osmane. Popujt e besimit ortodoks, të nënshtruar dhe të panënshtruar jashtë kufijve të shtetit osman, zakonisht përmendeshin me emrin e tyre të vërtetë: si shqiptarë, grekë, serbë, bullgarë…”, ka shkruar Olga Zirojeviq, duke shtuar se “termi latin u përdor në periudhën e ngritjes së shtetit osman dhe kështu quheshin anëtarët e shteteve italiane, kryesisht venecianë dhe gjenovezë, ndërsa në kohët e mëvonshme, ai u përdor kryesisht për dubrovnikasit, megjithëse nuk përjashtoheshin as italianët dhe shqiptarët, bashkë me evropianët e tjerë”, ka shkruar ajo.

Të kujtojmë se viset e sotme lindore shqiptare i përjetuan sulmet e para osmane në gjysmën e dytë të shekullit XIV, ndërsa pasojat konkrete jo vetëm në këto zona, por gjithandej nisën më vonë, kur Perandoria Osmane nxori ligjin për moslejimin e ndërtimit të kishave të reja, aty ku ato nuk kishin ekzistuar më parë. Sipas studiuesit të njohur boshnjak, Adem Hanxhiq (1916 – 1998) “katolikët edhe si bujq nuk e gëzonin asnjë përparësi apo mbështetje. Për më tepër, ata ishin vazhdimisht nën sulme. Me forcimin e zhvillimit të qyteteve osmane, kishat katolike në to u zhdukën një për një. Në anën tjetër, islami u përhap më së shumti në zonat e begata bujqësore. Nuk ka dyshim se për shkak të pozitës së pabarabartë të dy kishave, edhe përhapja e islamit u përjetua në mënyra të ndryshme midis besimtarëve të të dyja kishave”, ka përfunduar ai, duke iu referuar rrethanave historike në Bosnjë-Hercegovinën e shekujve të parë osmanë.

Skënder Latifi / koha

Egoizmi politik çon në bllokim Kosovën

parlamenti ksTre muaj pas zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt 2025, në Kosovë vazhdon bllokada politike. Parlamenti nuk funksionon dhe asnjëra nga partitë nuk mund të qeverisë e vetme. Megjithatë askush nuk dëshiron një koalicion.

 

Republika e Kosovës përballet me shumë probleme urgjente. Ekonomia është një nga më të dobëtat në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, njerëzit po emigrojnë masivisht dhe konflikti politik me Serbinë shkakton vazhdimisht trazira në vend. Pikërisht në këtë situatë, që prej tre muajsh ka një ngërç të madh politik – që nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nuk është arritur një shumicë e re qeverisëse dhe as aktiviteti i zakonshëm parlamentar nuk po zhvillohet, pasi partitë nuk po arrijnë të bien dakord për një kandidat për kryetar parlamenti.

Pas zgjedhjeve, politikanët u gjendën në një situatë bllokimi. Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e krahut të majtë me kryeministrin aktual Albin Kurti, fitoi rreth 42 për qind të votave dhe 48 deputetë. Nga ana tjetër qëndrojnë partitë opozitare të qendrës së djathtë: Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me rreth 22 për qind të votave (25 deputetë), e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17 për qind (20 deputetë) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me shtatë për qind (8 deputetë). Parlamenti i Kosovës ka gjithsej 120 deputetë, prej të cilëve 20 janë të rezervuar për pakicat – dhjetë për pakicën serbe dhe dhjetë për pakicat e tjera në vend.

 

Zgjedhja e Kryetarit të Parlamentit dështon vazhdimisht

Fillimi i punës së rregullt parlamentare pas zgjedhjeve ndodh sipas kushtetutës vetëm pas zgjedhjes së një Kryetari apo Kryetareje të Parlamentit. Por kjo zgjedhje ka dështuar deri tani. Partia Vetëvendosje, ka propozuar Ministren aktuale të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si kandidate, por ajo ka dështuar në dymbëdhjetë votime – më i fundit më 7 maj 2025, ku ajo mori vetëm 56 vota. Partitë opozitare e refuzojnë atë, duke thënë se është “përçarëse” dhe e papërshtatshme për këtë post të rëndësishëm.

 

Pa afate dhe kufizime kushtetuese

Kryeministri aktual Albin Kurti ka tentuar deri më tani ta sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 votash pa përfshirë partitë e qendrës së djathtë, por pa sukses. Në këtë fazë midis shpalljes së rezultateve dhe zgjedhjes së Kryetarit të Parlamentit, kushtetuta e Kosovës nuk parasheh afate apo kufizime, prandaj ngërçi politik vazhdon.

Donika Emini, eksperte në Grupin Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë (BIEPAG), thotë se kjo ishte e parashikueshme. “Zgjedhjet e kanë shndërruar Kosovën në një sistem të mirëfilltë shumëpartiak,” thotë ajo. “Të përballesh me këtë duket e vështirë për kryeministrin aktual. Mungon vullneti për kompromis.”

Pas shumë raundeve të dështuara bisedimesh mes Kurtit dhe partive opozitare, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, propozoi krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse deri në vitin 2026 dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme bashkë me zgjedhjet presidenciale. Kurti dhe Vetëvendosje e refuzuan këtë ide.

 

Presidentja duhet të ndërhyjë

Meqë të gjitha opsionet e mëparshme kanë dështuar, tani pritet që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të merret me këtë çështje dhe të ftojë përfaqësuesit e partive për bisedime. Megjithatë, përveç deklaratave paralajmëruese, Presidentja nuk ka kompetenca direkte për të ndikuar. Edhe kjo fazë e konsultimeve teorikisht mund të zgjasë pafund.

Analistja Donika Emini e sheh egoizmin politik si problemin kryesor: “Zgjidhja e kësaj bllokade do të ishte shumë e lehtë, nëse partitë do të shikonin përtej interesave të tyre dhe do të vendosnin në plan të parë agjendën shtetërore,” thotë ajo. “Veçanërisht Vetëvendosje duhet të bëjë hapin e parë drejt kompromisit duke ndërruar kandidaten për Kryetare Parlamenti.”

 

Pakënaqësia po rritet

Ndërkohë, pakënaqësia e qytetarëve me këtë ngërç politik po rritet gjithnjë e më shumë. Inflacioni ka arritur nivele rekord – vetëm çmimet e energjisë elektrike janë trefishuar në një vit. Furnizimi me energji është problematik prej vitesh – në fillim të këtij viti ka pasur ndërprerje të energjisë deri në 10 orë në ditë. Për shkak të këtyre kushteve të vështira, emigrimi është shtuar ndjeshëm, sidomos pas heqjes së vizave me vendet e BE-së në janar 2024.

 

“Loja politike” e Kurtit mund të kthehet kundër tij

Profesori i Shkencave Politike, Nexhmedin Spahiu i quan përpjekjet e dështuara për zgjedhjen e Kryetarit të Parlamentit si “një lojë politike që po bën Kurti për të fituar kohë, derisa të gjejë shumicën prej 61 deputetësh”. Por kjo lojë mund t’i kthehet kundër, veçanërisht duke parë pakënaqësinë në rritje të popullatës. “Humbësi më i madh, sipas mendimit tim, është Albin Kurti, sepse sa më shumë të zgjasë kjo situatë, aq më e vështirë bëhet për të.”

dw

 

Kos për REL: Normalizimi me Serbinë, parakusht për procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE

KosKomisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë është parakusht që Kosova të mund të marrë statusin e vendit kandidat dhe të nisë procesin e anëtarësimit në BE.

 

Kosova aplikoi për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022, dhe tani ajo mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat.

“Ne po presim për [formimin e] qeverisë së re. Jam në kontakt me politikanët atje, dhe ata pretendojnë se janë shumë të favor të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, çka është parakusht që të mund të nisë procesi i negociatave ose të jepet statusi i kandidatit”, tha Kos, në një intervistë të dhënë për Radion Evropa e Lirë.

Ajo tha se është shumë e rëndësishme që qeveria e ardhshme e Kosovës të plotësojë disa parakushte “që duhet të pëmbushen”, pa përmendur se cilat janë ato.

Kosova po udhëhiqet nga një qeveri në detyrë pasi që legjislatura e re ende nuk është konstituuar, as më shumë se një muaj pas certifikimit të rezultateteve të zgjedhjeve parlamentare që ishin mbajtur më 9 shkurt.

Procesi i anëtarësimit të një vendi në BE merr kohë, pasi që vendi kandidat duhet t’i përmbushë disa kritere, t’i përshtatë ligjet e veta me ato të BE-së, si dhe të presë ratifikimin e traktatit për anëtarësim në parlamentet e secilit vend anëtar të BE-së.

Kosova ende është në fazat fillestare të anëtarësimit, pasi ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat. Për këtë gjë, fillimisht Komisioni Evropian duhet ta japë pëlqimin për aplikimin për anëtarësim e pastaj Këshilli Evropian duhet ta konfirmojë unanimisht statusin si vend kandidat.

“Nuk kam marrë asnjë sinjal nga shtetet anëtare ose nga presidenca daneze [e Këshillit Evropian] se kjo gjë [marrja e statusit gjatë presidencës daneze] mund të ndodhë. Por, mendoj se do të ishte shumë mirë të nisim”, tha ajo.

Edhe më parë këtë muaj, shefja e politikës së jashtme të bllokut evropian, Kaja Kallas, kishte thënë se as Kosova, e as Serbia nuk mund të ecin përpara në rrugën drejt BE-së pa normalizim të marrëdhënieve.

Nën ndërmjetësimin e BE-së, në vitin 2023 Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, prej atëherë, blloku i ka kritikuar ato të dyja vendet se nuk e kanë zbatuar marrëveshjen pavarësisht se ajo është e detyrueshme për to.

Për shkak të krizave në veriun e Kosovës, që rritën tensionet mes dy vendeve, që nga shtatori i vitit 2023 në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë rund i dialogut politik, por ka pasur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve.

Pikërisht këto tensione në veriun e Kosovës kishin bërë që BE-ja, më 2023, t’i vendosë disa masa ndëshkuese Kosovës dhe vazhdon t’i mbajë ato në fuqi me arsyetimin se Kosova nuk ka bërë ende mjaftueshëm për shtensionimin e gjendjes në veriun e banuar me shumicë serbe.

Me gjithë kërkesat e liderëve të Kosovës për heqjen e këtyre masave, Kos theksoi se aktualisht jo të gjitha shtetet anëtare të BE-së janë të gatshme për heqjen e masave në këtë fazë.

“Ne ende nuk e dimë. Jemi e duke diskutuar këtë. Nëse shtetet anëtare do të jenë për heqjen e tyre, sigurisht që do ta bëjmë këtë. Por, për momentin, jo të gjitha shtetet anëtare janë për heqjen e masave”, u shpreh ajo.

Gjatë intervistës së dhënë për REL-in, Kos tha se ajo do ta cilësonte si një dështim nëse gjatë mandatit të Komisionit aktual nuk do të kishte anëtarë të rinj në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, ajo u shpreh optimiste, duke theksuar se nga pikëpamja teknike “mund të përfundojmë me Malin e Zi [si anëtar] deri në fund të vitit 2026” dhe “mund të përfundojmë me Shqipërinë [si anëtar] deri në fund të vitit 2027”.

E pyetur nëse Mali i Zi dhe Shqipëria do të bëhen anëtarët e 28-të dhe 29-të të BE-së, ajo u përgjigj se mund të ketë edhe vende të reja.

Duke folur për Serbinë, vendin që ajo do ta vizitojë këtë javë, Kos tha se “Serbia duhet vërtet të japë rezultate”.

“Fjalët nuk mjaftojnë. E shoh misionin tim ose vizitën time atje si një përpjekje të madhe për ta rikthyer Serbinë në rrugën evropiane”, tha Kos.

Ajo shtoi se kërkesat e protestuesve, të cilët po protestojnë prej muajsh në Serbi – pas vdekjes së 16 personave nga rrëzimi i një strehe betoni në stacionin e trenave në Novi Sad – janë të njëjta me ato të Komisionit Evropian.

“Është shteti i së drejtës, është lufta kundër korrupsionit, është prokurimi publik, është legjislacioni për mediat, është legjislacioni për zgjedhjet. Serbia ka premtuar shumë në dhjetor në të ashtuquajturin ‘non-paper’ [dokument joformal”, tha Kos, duke shtuar se tani “duhet të kontrollojmë nëse po i zbatojnë ato që kanë premtuar”.

“Dhe në fakt, më pëlqen të them që unë jam mbështetësja më e madhe e protestuesve, sepse nëse Serbia është serioze për rrugën drejt BE-së — dhe ata më thonë se janë — atëherë do të duhet të japin rezultate”, tha Kos.

Ndërkohë, zyrtarja e BE-së tha se është e vështirë të punohet me liderë si presidenti i entitetit të Republika Sërpska (RS) së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik.

Ajo tha se “është e vështirë të merresh me dikë që nuk vepron në të mirën e vendit të tij, Bosnje e Hercegovinës” dhe që shkon “kundër integritetit territorial, sovranitetit dhe rendit kushtetues”.

Tutje, Kos theksoi se kjo është një nga arsyet pse Bosnje e Hercegovina, edhe pse ka status kandidati, ende nuk ka hapur negociatat me BE-në.

Në lidhje me sanksionet potenciale ndaj Dodikut, ajo shtoi se “shtetet anëtare nuk janë të bashkuara” për t’i vendosur ato.

Dodik, së bashku me kryetarin e Parlamentit të RS-së, Nenad Stevandiq, dhe kryeministrin Radovan Vishkoviq, akuzohen për sulm ndaj rendit kushtetues, dhe ndaj tyre është lëshuar një fletarrestim qendror në Bosnje dhe Hercegovinë, pasi nuk janë përgjigjur thirrjes së Prokurorisë së Bosnjës për t’u paraqitur në marrje në pyetje.

rel

Dështimi i tetë për konstituimin e Kuvendit

Konstituimi i kuvenditPër të tetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Seanca konstituive do të vazhdojë të enjten, në ora 10:00.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për të gjashtë herë nuk mori mbështetjen për postin e kryeparlamentares.

Kësaj radhe, ajo mori 54 vota për, 44 kundër dhe 3 abstenuan. Në seancat paraprake, për të kishin votuar 57 deputetë – por kësaj radhe disa deputetë të LVV-së munguan.

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe në shtatë seancat paraprake deputetët kanë arritur të kalojnë vetëm dy pikat e para të rendit të ditës – miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve – por, kanë ngecur në pikën e tretë, atë të zgjedhjes së kreut të ri të organit legjislativ.

Pas përfundimit të seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, tha se si kompromis kanë ofruar që partia e tij, së bashku me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës të pajtohen që të votohen në paketën kryeparlamentare dhe tri nënkryetarët.

“Ajo që kemi ofruar si kompromis është një dakordim politik, një konsensus politik që të tri partitë më të mëdha, që u takon të propozojnë kandidatë për nënkryetarë, përveç përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë në Kuvend, të mblidhen, të dakordohen [të votohen] në paketë emri i kandidates për kryeparlamentare Albulena Haxhiu si dhe emrat e nënkryetarëve, në mënyrë që të vazhdohet tutje dhe të kemi dakordim që t’i votojmë”, tha ai.

Murati hodhi poshtë akuzat e partive se LVV-ja po kërkon që Haxhiu “të votohet me zor”, duke shtuar se disa deputetë të partive, që legjislacionin e kaluar ishin në opozitë, kanë shprehur “dëshirë që të dalin nga kjo situatë”, por shtoi se partitë e tyre nuk kanë ndryshuar qëndrim, andaj ata nuk po mund të votojnë për Haxhiun.

LVV-ja, përsëriti ai, nuk është e interesuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por është e gatshme për votime të reja, nëse ky mbetet opsioni i vetëm për daljen nga situata e krijuar.

Ndërkaq, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se LVV-ja ka “mentalitet të imponimit”, pasi që kjo parti ka të drejtë të propozojë kryeparlamentarin, por jo të imponojë se si votojnë të zgjedhurit e popullit.

Ai akuzoi LVV-në se “me qëllim po mban të bllokuar” procesin e krijimit të institucioneve të reja, teksa shtoi se kishte tri mesazhe për partinë fituese të zgjedhjeve.

“E para, demokracia funksionon me shumicë, e jo me imponim. E dyta, institucionet janë të popullit, nuk janë të asnjë partie politike të veçantë. Dhe e treta, duhet ta kuptojnë të gjithë se koha e sundimit njëpartiak dhe e monizmit ka përfunduar. Sa më parë që t’i kuptojë LVV-ja këto tri çështje, aq më mirë për vendin”, tha Krasniqi.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se insistimi i LVV-së për të propozuar Haxhiun për postin e kryeparlamentares e ka shndërruar Kuvendin “në një cirk”.

“LDK është për gjetjen e një zgjidhjeje kushtetuese që respekton Kushtetutën dhe rezultatin e zgjedhjeve. Ne e njohim të drejtën e të parit për të propozuar, por kjo nuk do të thotë se ne e bartim votën te një subjekt duke votuar sipas kërkesave të tyre”, tha ajo, duke shtuar se përgjegjësia për këtë situatë bie mbi partinë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Ndërkaq, para nisjes së seancës, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se LVV-ja nuk do të marrë votën e partisë, nëse insiston në kandidimin e Haxhiut.

“Nëse ndryshohet kandidati [për kryeparlamentar], sot do të votohet. Por, si duhet do të jemi në situatë të njëjtë”, tha ai për gazetarët para nisjes së seancës.

Në anën tjetër, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se i takon LVV-së që të bëjë përpjekje maksimale për të formuar një shumicë parlamentare.

“Shumica parlamentare nënkupton koalicion qeverisës edhe për Kuvend dhe Qeveri, kështu ka ndodhur edhe herën e kaluar”, tha ai.

Nisma, sipas Limajt do të kontribuojë që të evitohen zgjedhjet e reja, “por jo me çdo kusht”.

“Nëse nuk ka zgjidhje, ka zgjidhje tjetër, e ato janë zgjedhjet”, tha ai para nisjes së seancës.

Partitë që legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë kanë thënë më herët se mosvotimi i kryeparlamentarit tregon se partia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk i ka votat në Kuvend as për kryeparlamentaren, e as për formimin e ekzekutivit të ri.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë cilësuar Haxhiun si figurë përçarëse, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do të japë votë për çdo emër të propozuar nga LVV-ja.

PDK-ja dhe AAK-ja kanë kërkuar që LVV-ja të propozojë një emër tjetër për postin e kryeparlamentarit, një person, që sipas tyre, është figurë unifikuese, në mënyrë që t’i marrë votat e deputetëve të tyre.

Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu është kandidate meritore dhe, përkundër se ka bërë thirrje për marrëveshje politike, ka hedhur poshtë mundësinë e propozimit të ndonjë kandidati tjetër pos saj.

Vetëm pas votimit të kryetarit të ri dhe pesë nënkryetarëve, procesi i legjislaturës së re do të konsiderohej i përmbyllur.

Me konstituimin e Kuvendit do t’i hapej rruga formimit të ekzekutivit të ri.

LVV-ja i ka fituar zgjedhjet me 42 për qind të votave, apo 48 ulëse në Kuvend. Por, edhe për formimin e Qeverisë asaj i duhen të paktën 61 vota të deputetëve.

Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.

AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.

Konstituimi i kuvendit

Sa ka marrë kohë konstituimi i Kuvendit pas zgjedhjeve të kaluara?

Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit nuk është i paprecedent – mosbetimi i deputetëve është. Pas zgjedhjeve të vitit 2014, procesi i konstituimit kishte zgjatur plot gjashtë muaj 

rel