Prifti i Kishës së Shën Mërisë në Elbasan komenton shenjtërimin e Katedrales Ortodokse, por edhe incidentet që e pasuan atë. “Kisha ortodokse greke dhe ajo serbe merren me politikë. Bëjnë plane ogurzeza në kurriz të popujve dhe kishave autoqefale si kjo e jona”Protokoll, provokim apo mesazh indirekt, ishte ftesa për pjesëmarrjen e Irinejt në Tiranë?
Unë mendoj se ishte protokoll dhe më në fund e firmosi dhe vulosi, që ai erdhi me qëllim të caktuar, për të shprehur dëshirën e serbit në Tiranë!
Cila është dëshira e serbit?
Që Kosova të jetë zemra e Serbisë, siç e shprehin ata, dhe po ata të jenë pronarët tanë. Të jetojmë në demokraci, thotë Irinej, së bashku, por unë të jem pronari dhe ti të jesh skllavi, në shtëpinë tënde të jesh skllav. Këta janë serbët! Irinej nuk është hera e parë që e shpreh këtë qëndrim të tij, dhe nuk është e çuditshme të mendojmë që Janullatos nuk e ka ditur këtë gjë. Prandaj thashë është protokoll, të ftosh njerëz të kalibrit të tillë të ortodoksisë botërore në Tiranë.
Peshkopët u distancuan nga deklaratat e tij, thanë, janë qëndrime personale.
Kur e panë që mori një zhvillim ndryshe, në kahun e kundërt çështja, kur Irinej preku çështjen kombëtare, çështjen e ortodoksisë, çështjen e pavarësisë së Kosovës, atëherë të gjithë u tërhoqën. Do tërhiqeshin patjetër, nuk kishin çfarë të bënin, me anë të tërheqjes ata u vetëmbrojtën. Por fajtori më i madh për mua është Janullatosi, sepse nuk ka mundësi që i zoti i shtëpisë të mos dijë se çfarë do të ndodhë në një mbledhje.
Mos ishte ky qëllimi i priftit serb që të shkaktonte zhurmë?
Ky ishte qëllimi për t’i thanë edhe një herë popullit shqiptar, në mes të Tiranës, që ne nuk heqim dorë nga Kosova, Kosova është zemra e Serbisë. Dhe njëkohësisht kur tha se ‘NATO-ja derdhi gjak të pafajshëm serbi’.
Irinej ishte këtu për një ceremoni fetare, apo për të na kujtuar se nacionalizmat janë ende gjallë në Ballkan?
Unë do ta lidh me patriarkun Bartolome, si veprimtari dhe shenjtërim, ajo që ndodhi ishte gjë shumë e madhe, shenjtërim do të thotë përjetësi, respekt, dashuri për një komb, një institucion. Në këtë sfond ishte diçka e mrekullueshme, një fat i madh për ne shqiptarët. Por si akt nuk duhej të kryej pa e marrë vesh patriarku për problemet që ka pasur kisha dhe që vazhdon të ketë Kisha Ortodokse Shqiptare brenda saj. Që kemi një kryepeshkop të paligjshëm, janë flakur veprat e Nolit në koshin e plehrave dhe gjuha zyrtare është bërë greqishtja.
35t, opinioni, Kryeministri e njerëz publikë, e kanë quajtur shpërdorim besimi, qëndrimin e Irinejt në Tiranë. Reagim i vonuar, apo i paparashikueshëm?
Që duhej folur përpara, duhej folur. Janullatosi për mua gjithmonë ka qenë, vazhdon dhe do të mbetet fajtori numër një, pushtuesi numër një, që e firmosi dhe e trajtoi në këtë formë, ngjarjet që ndodhën atë ditë, ku Irinej shpalosi shpirtin e pastër të një serbi dhe shpirtin e pushtuesit të një serbi ndaj shqiptarëve.
Ju vetë keni marrë një ftesë për këtë ceremoni, apo nuk keni pranuar të shkoni?
Jo, nuk kam pasur ftesë, edhe sikur ta kisha nuk do të merrja pjesë, jo në shenjtërimin e kishës, por as në përbërjen e figurave që do merrnin pjesë në shenjtërim. Intervista e Irinejt dhe pjesëmarrja e Janullatosit, për mua janë të papranueshme. Të shkosh ne aeroportin e Rinasit dhe të presësh me lule armikun e populli tënd, të kombit tënd, kjo nuk ka kuptim. Unë nuk kuptoj besimtarët në ç’pikë arritën deri këtu, nuk ka kuptim. Irinej që në Serbi filloi të flasë, gjeri sa erdhi në Tiranë, këtu edhe në tavolinë e tha që ‘Kosova është zemra e Serbisë’ dhe atëherë ne duartrokasim. Nuk e di, duhet shikuar mirë kjo punë, të kemi një qartësi në historinë e kombit tonë, kush është Kosova, kush është Shqipëria dhe si duhet të bashkohemi, dhe jo të përkrahim armiq që nuk na duan dhe që na bien ca teori dhe teza të nacionalizmit të egër serb.
Çfarë shije lë tek besimtarët shqiptarë kjo lloj jehone që kapërcen konturet fetare?
Në mos them provokuese, sepse është provokuar një popull i gjithë. Më pëlqeu shumë qëndrimi i z. Rama. Me thënë të drejtën, qëndrimi i Kryeministrit ishte deciziv, shqiptar. Irinej ishte i përgatitur që në Serbi t’i thoshte këto fjalë dhe mendime në mes të Tiranës, dhe kur Kryeministri i tërhoqi vëmendjen, atëherë diçka shkoi në vend, u bë burrërore, u bë shqiptare dhe kjo është meritë e Kryeministrit.
Në gjykimin tuaj, veprojnë interesa të caktuar gjeopolitikë apo ekonomikë pas veladonit fetar?
Sot, nëse ka moment dhe realitet që Kisha Ortodokse greke dhe ajo serbe merren me politikë, themi me bindje se ato merren sot me politikë. Plus që merren, po bëjnë plane ogurzeza në kurriz të popujve dhe kishave ortodokse autoqefale, siç është edhe Kisha Ortodokse Shqiptare.
Çfarë planesh?
Nëse nuk i bindesh boshtit ortodoks Athinë-Beograd-Moskë, je i destinuar të dështosh, i rrëshqitur nga ortodoksia e vërtetë botërore. Ata vënë veton dhe ngrenë kartonin e kuq: ose bëj si themi ne, ose nuk pranohesh në ortodoksinë e vërtetë të Jezu Krishtit.
Ju shpesh keni kundërshtuar drejtimin e Kishës Autoqefale nga kreu aktual i saj, Janullatos. E bëni vetëm për faktin se duhet të jetë një shqiptar në krye, apo se keni edhe rezerva të tjera ndaj Janullatosit si person?
Unë mendoj se Janullatosi është njeriu më fajtor që përmbysi gjithë historinë e rilindësve tanë, që na dhanë një shtet të konsoliduar, me një Kishë Autoqefale Shqiptare nga Fan Noli. Ne e pranuam Janullatosin përkohësisht në fillim, kur erdhi, i mbyllëm sytë përpara historisë dhe gjakut që ka derdhur Greqia ndaj Shqipërisë, sidomos ndaj popullit çam. Ne e falenderojmë për kontributin që dha, duke ngritur disa vatra në ortodoksinë shqiptare. Por kur pamë që ai kërkoi titullin e Kryepeshkopit nga Kryeministri i asaj kohe, apo Presidentit dhe kur pamë se ai nuk donte të largohej nga Shqipëria, u kthye nga dashamirës në pushtues.
A ka bërë ndonjë gjë të mirë për ortodoksinë shqiptare Janullatosi?
Për të ndërtuar ka ndërtuar, për të ndihmuar njerëz, ka ndihmuar, për të punësuar ka punësuar, por këto nuk janë bamirësi personale të Janullatosit. Është kisha greke, është shteti grek, është banka greke, ai në tërësinë e tij ka ngritur kultin e individit në Shqipëri.
Nikolas Gejxh, ai ishte në këtë ceremoni. Ka ardhja e tij diçka domethënëse në ardhjen e tij?
Për mua, Nikolas Gejxh ka luajtur rolin e telefonit nga veshi në vesh. Ai është ideatori dhe udhëzuesi kryesor i Greqisë. Ai bashkë me Janullatosin, bashkë me disa qarqe të tjera në Amerikë, punojnë me përkushtim kundra qindra ortodoksëve shqiptarë po atje. Megjithatë në Shqipëri ka një ndërgjegjësim të madh se ku duhet të shkojë ortodoksia shqiptare, kush duhet ta udhëheqë. Kryepeshkopi i kishës duhet të jetë shqiptar, në Greqi është grek, në Rumani është rumun, dhe ne e kemi grek. Nuk është e pranueshme, me status botëror nuk lejohet.
Ka eksperienca të tilla në botë?
Nuk ka. Vetëm Shqipëria është e jashtëzakonshme, e çuditshme, nuk e di si Janullatos e përcjell këtë gjë. Qënia e tij në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare i mundon shumë shqiptarët, i neverit i mërzit.Ai ka ndenjur shumë, duhet të largohet, të ikë i qetë, ta marrim për dore dhe ta çojmë në shtëpinë tij dhe t’i kalojë këto ditët e pleqërisë në shtëpinë e tij. Mjaft më na pruri gjithë këto andralla!Historianët tanë, akademikët, politikanët, deputetët, duhet të mendojnë se gjithë këtë fyerje që i ka bërë historisë së kombit shqiptar për ortodoksinë Janullatosi, nuk është e pranueshme.Janullatosi duhet të tërhiqet, duhet të kërkojë falje për andrallat dhe gabimet e mëdha, të ikë, të largohet, sepse çdo ditë që rri, ai rëndon vetveten dhe na rëndon ne historinë.
Marrë nga emisioni “Oktapod”