Kryeministri i vendit, Albin Kurti, pas vendosjes së gurëshemilit të çerdhes në Gjilan, është pyetur nga gazetarët për intervistimin nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Ai ka thënë se i ka dhënë ‘ofertën’ e tij institucionit që të jap dëshminë në zyrën e kryeministrisë, teksa ka akuzuar Prokurorinë për luftë ndaj Qeverisë.
“Së pari unë asnjëherë nuk kam thënë se nuk do të jap dëshmi apo se refuzoj të jap dëshmi. Përkundrazi kam thënë se jo vetëm që jam i gatshëm, por edhe i interesuar që të dëshmoj. Në anën tjetër kam shkruar letrën në të cilën kam specifikuar edhe oraret se kur mund të bëhet dëshmia. Unë e mirëpres Prokurorinë e Shtetit në zyrën e kryeministrit. Ka pasur raste edhe në të kaluarën kur prokurorët, hetuesit kanë ardhur për kryeministra madje jo veç si dëshmitarë por edhe si të pandehur”, ka thënë ai.
Kurti ka potencuar se sipas tij, intervistimi do të mund të ndodhte në muajin dhjetor.
“Qysh në muajin dhjetor ka qenë i mundur të bëhet ky intervistim dhe të jepej dëshmia. Nëse prokuroria e ka pasur shumë të rëndësishme dëshminë, ajo do të vinte tek ne. Një prokuror që e ka synim kryesor dëshminë e dëshmitarët, ai nuk humb kohë”, ka thënë ai.
“Kurrë Prokuroria e Kosovës s’ka qenë më e lirë për veprim. Fatkeqësisht lirinë po e keqpërdor për ta luftuar Qeverinë, e jo krimin dhe korrupsionin”, ka thënë Kurti.
rtk