Ndahen çmimet e Edicionit të 65 të Festivalit të Filmit në Berlin

Filmi “Taksi” i regjisorit iranian, Jafar Panahi, është fitues i “Ariut të artë” si filmi më i mirë në edicionin e 65-të të Festivalit të Filmit që u mbajt nga data 5 deri më 15 shkurt në Berlin. Një udhëtim rrugëve të Teheranit, përmes taksisë së Pahahit do të emociononte të gjithë ata që e ndoqën përmes ekranit të madh të “Posterdam Palace” në premierën ndërkombëtare. I konsideruar si regjisori disident, Jafar Panahi nuk mundi të ishte në Berlin për të marrë kupën, pasi ndodhet në arrest shtëpie. Atë e mori vajza e tij, Solmaz Panahi, e cila nuk i mbajti dot lotët. Për shkak të propagandës që filmat dhe dokumentarët e realizuar prej tij kanë ndaj regjimit, ai është arrestuar disa herë. Fryma antikonformiste ndihet në të gjithë filmat e Panahit. Por dhe pse filmat e tij vijnë nga Teherani i largët ato emocionojnë dhe në zemër të Berlinit. “Ariu i argjendtë” shkoi për filmin “El club” të regjisorit kilian, Pablo Larrain. Guatemala është vlerësuar me “Ariun e argjendtë” me filmin “Ixcanul” nga regjisori Jazro Bustamante. Regjisorja më e mirë e festivalit është vlerësuar Malgoryxata Syzumowska me filmin “Trupi”. E emocionuar, ajo tha se nuk e kishte menduar “Ariun e argjendtë” kur nisi të punonte me këtë histori. “Ariu i argjendtë” ka shkuar dhe për regjisorin Radu Jude për filmin “Aferim”. “Ariu i argjendtë” për aktoren më të mirë ka shkuar për Charlotte Rampling për interpretimin në filmin “45 vjet” nga britaniku Andrew Haigh i njohur më së shumti si regjisori i filmit “Weekend”. “45 vjet” tregon historinë e një çifti të martuar që lufton me emocionet e papritura në prag të 45-vjetorit të martesës së tyre. Me të njëjtin çmim për këtë film është vlerësuar dhe aktori tjetër protagonist Andrew Haigh. Ariu i argjendtë për skenarin më të mirë shkoi për skenaristin Patricio Guzman për filmin “El Boton de Nacar”. Guzman ftoi t’ia jepte këtë çmim e shoqja, pa të cilën nuk do të mund ta shkruante. “Ariu i argjendtë” për kamerën më të mirë shkoi për Evgeniy Privin dhe Sergez Mikhalchuk. Ndërsa “Ariu i argjendtë” për dekorin artistik shkoi për Sturla Brandth Grøvlen. “Berlinalja 2015″ mbylli siparin dje me një mbrëmje që vazhdoi deri në orët e para të ditës së sotme. Festa nuk përfundoi vetëm në hotelin ku këto ditë qëndruan yjet e kinemasë, por në çdo cep të Berlinit. Ajo çfarë u vu re në vlerësimet e këtij viti ishte triumfi i kinemave pothuajse të panjohura më parë si Guatemala, Irani ose Rumania. Gazetat gjermane sot nënvizonin këtë fakt duke shkruar se filmat e vendeve të mëdha si SHBA apo Francë po shkojnë në periferi në këtë festival. Filmi shqiptar “Virgjëreshat e betuara” përflitej në korridoret e festivalit si një kandidat i mundshëm për të rrëmbyer një “Ari të argjendtë” ndoshta për aktoren më të mirë protagoniste. Në një anketë të “Tagesspiegel” pesë gazetarët më të mirë të kulturës gjermane i jepnin dy pikë nga tri të mundshme filmit të regjisores Laura Bispuri, duke e renditur atë bri filmave që u vlerësuan me “Ari të argjendtë” gjatë ceremonisë së djeshme. (Alda Bardhyli)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>