Jo nga sot, por qysh se ekziston ajo si e pavarur, Maqedoninë e kanë drejtuar sunduesit maqedonas të ndihmuar nga vasalët shqiptarë.
Dhe ai vasalitet kurrë nuk ka qenë kaq i dukshëm sa sot, kur atë e përbëjnë ‘motrat’ e përdala politike të vëllazërisë së ‘VLEN-it’.
Dhe jo nga sot, por qysh se kanë filluar të bëhen pjesë e qeverive maqedonase, pushtetarët shqiptarë kanë bërë çmos që të jenë sa më promaqedonas e sa më properëndimorë, duke harruar se votën e kanë marrë nga populli i vet për të qenë vetëm sa më proshqiptarë.
Dhe mbase kurrë si sot, përfaqësuesit shqiptarë nuk i janë frikuar gjithaq sunduesit maqedonas sa këto paçavuret e VLEN-it, të cilët edhe kur gazetari i pyet nëse e dinë përmedësh himnin shqiptar, për të dëshmuar se janë promaqedonas të denjë, ata përgjigjen se atë e dini pjesërisht?! Apo pohojnë se një ndër gjuhët më të vjetra në botë – gjuha shqipe, është vetëm e përkthyer nga gjuha maqedonase, e kodifikuar jo më larg se para disa dekadash!?
Ndërkohë mbetet e padiskutueshme se Albin Kurti është më e mira që i ka ndodhur Kosovës së pasluftës, por që nuk e arsyeton ndërhyrjen e tij në zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoni, duke i përçarë ata politikisht edhe më shumë seç janë të coptuar.
Gjithashtu është e padyshimtë se një politikan i kalibrit të Kurtit e dinë se VMRO-ja e sotme i provokon shqiptarët e këtushëm sepse donë që ata të reagojnë, me çka do hapej rruga për rishikimin e gjitha marrëveshjeve të arrira deri tani, ngaqë sipas tyre, në një Maqedoni që u takon vetëm maqedonasve, shqiptarëve u është dhënë më shumë seç u takon?!
Dhe nëse është e padiskutueshme se një politikan i kalibrit të Kurtit e dinë që Maqedonia kurrë nuk ka pasur qeveri më proserbe se kjo e sotmja, mbetet e paqartë pse ai i mbështet ata që erdhën në pushtet duke i trembur maqedonasit se shtetin ua kishin marr shqiptarët dhe duke u premtuar se nëse do votonin për VMRO-DPMNE’në ajo atë do ua kthente pronarëve të saj – maqedonasve.
Po pra, jo nga sot, por që nga dita kur kanë nisur të përfshihen nëpër qeveritë e Maqedonisë, pushtetarët shqiptarë kanë dëshmuar atë që dihet: se nuk ka më lehtë se të bashkëqeverisësh me partitë maqedonase duke qenë vasal i tyre.
Se për këtë mjafton t’i mbash nënë kontroll ata që të kanë votuar si dhe të bësh atë që ta kërkon ai që e drejton shtetin. Ndërkohë të mos të të shkoj ndërmend të merresh me atë që i takon vetëm sunduesit: ta drejtosh e ta rregullosh shtetin.
Kim Mehmeti