Ç’kuptim do të kishte politika për Arben Taravarin pa punësime, pa poste, pa pushtet!?
Që kur përfundoi specializimin më 2006, Arbeni u antarësua në PDSH, sepse e dinte shumë mirë se pa parti nuk ka as punësim e as karrierë ,as pushtet, as lekë…. Shumë e thjeshtë. Po të njëjtën gjë do ta bënte Arbeni, edhe po të ishte sistemi monist akoma në fuqi – do të anëtarësohej në Lidhjen Komuniste të Maqedonisë.
Arben Taravari, dhe morali bashkë!?
Ja t’i marrim me rradhë gjërat ndoshta gjejmë pak moral:
Kush janë në të vërtetë, përgjegjësit për krimin në spitalin modular në Tetovë, kur nga zjarri që bëri shkrumb e hi për jo më shumë se 3 minuta spitalin, u dogjën të gjallë 12 pacientë të shtruar për Covid dhe dy familjarë të këtyre pacientëve, si dhe u plagosën shumë të tjerë?
Një pjesë e përgjegjësve vërtetë janë kolegët e Arbenit në krye të BDI-së, për të cilët Arbeni thotë se nuk kanë moral t’i kërkojnë dorëheqje. Janë ata me të cilët Arbeni pa problem bashkëqeverisi në vitin 2017, pikërisht si ministër I shëndetësisë. Kuptohet, këtë e bëri për të mirën e “Maqedonisë” – për të hequr VMRO-në nga pushteti!
Pjesa tjetër e përgjegësve janë jeniçerët e Lëvizjes Besa, të cilët kur ndodhi krimi ishin në koalicion qeveritar me LSDM-në dhe BDI-në. Madje pikërisht personi përgjegjës për spitalin modular i cili firmoste të gjitha pisllëqet e LSDM-së, ishte drejtor Teknik nga rradhët e Lëvizjes Besa, me të cilët sot Arbeni bashkëqeveris poashtu pa problem – përsëri si ministër i shëndetësisë. Kuptohet, edhe këtë e bëri për të mirën e “Maqedonisë” – për të sjellur VMRO-në në pushtet.
Pas këtij krimi të ndodhur në spitalin modular në Spitalin e Tetovës, familjarët e viktimave dhe një numër qytetarësh protestuan në rrugët e Tetovës. Madje një numër i tyre edhe u dënuan për këto protesta.
Po, çfarë bëri Arbeni, si mjek, si prind, si qytetar – ju bashkua këtyre protestave?
Jo. Por ama “guximshëm” kërkoi që të iknin ata që ishin në qeveri dhe të vinte ai në vend të tyre, mundësisht si ministër i shëndetësisë. Pra, që të sakrifikonte edhe ai diçka, si gjithë të tjerët – kolltukun e kryetarit të komunës së Gostivarit, për kolltukun e ministrit të shëndetësisë.
Unë vërtetë kërkova, por nuk gjeta moral deri këtu. Po ju?
Aman të gjejmë pak moral për Arbenin, se i shkreti, vërtetë me politikë bëri karrierën, shtëpitë, lekët… por ka nevojë njeriu edhe për pak moral!
Pasi që dyftyrësia më nuk mjafton, sipas kërkesës së tregut tani përdoren fytyra njëpërdorimshe…