Ali Asllani – Hakërrim

Pablo Pikaso Don Kishot

Që nga jugu në veri

mbretëron një errësirë

nëpër fusha nëpër kodra

vërshëllen një egërsirë.

 

Pra, o burra, hani, pini

hani, pini ore e çast

për çakallin nata errët

është rast e deli rast.

 

Hani, pini dhe rrëmbeni

mbushni xhep e mbushni arka

të pa brekë ju gjeti dreka

milioner ju zuri darka.

 

Hani,pini,rrëmbeni

mbushni arka, mbushni xhepe

gjersa populli bujar

tu përgjigjet peqe lepe.

 

Populli rron për zotërinë tuaj

puna e tija, djersa e ballit

është kafshit për gojën tuaj

Rroftë goja e çakallit.

 

Shyqyr Zotit,ska më mirë

ë lumturi dhe bukuri

dhe kur vjen ju qan hallin

varni buzë edhe turinj.

 

Hani,pini dhe rrëmbeni

është koha e çakejve

hani,pini,rrëmbeni

është bota e maskarenjve.

 

Hani,pini,vidhni

mblidhni gjithë aksione e monopole

nënshkrimi i zotërisë suaj

nëpër banka vlen milione.

 

Është pështyma e gjakosur

e Atdheut të vremosur

dhe kolltuku ky ke hipur

duke hequr nderën zvarrë

është trekëmbëshi

që përdita varet kombi në litar.

 

Dhe zotrote kapardise,

diç u bëre pandeh

kundër burrit të vërtet

zë e vjell e zë e leh.

 

E na tunde, na lëkunde

nëpër salla shkon e shkunde

mbasi dora e të ligut

ty me shokë të heq për hunde.

 

Rroftë miku yt i rrallë

që përdita loz e qesh

të gradoi katër shkallë

pse i the dy fjalë në vesh.

 

Koha dridhet e përdridhet

do vij dita që do zgjidhet

dhe nga trasta pema e kalbur

doemos që jashtë do të hidhet.

 

Koha dridhet e përdridhet

prej gradimit katër shkallë

nuk do të mbetet gjë në dorë

veçse vul e zezë në ballë.

 

Mirpo ju që skeni patur

as nevojë, as gjë të keqe

më përpara nga të gjithë

ju i thatë të ligut peqe.

 

Që të zinit një kolltuk

aq u ulët u përkulët

sa në pragun e armikut

vajtët si kopil u ngulët.

 

As ju hahet, as ju pihet

vetëm titullin e doni, dihet

teksa fshati i varfër digjet

krye kurva nis e krihet.

 

Sidomos, ju dredharak

ju me zemra aq të nxira

ju dinak, ju shushunja

ju gjahtarë në errësira.

 

Çna pa syri,çna pa syri

hunda juaj ku nuk hyri

te i miri, te i ligu

te spiuni më i ndyri.

 

Dallavera nëpër zyra,

dallavera në Pazar

dallavera me të huaj,

dallavera me shqiptar.

 

Vetëm, vetëm dallavera

dhe në dëm të këtij vendi

që ju rriti, që ju ngriti

që ju ngopi, që ju dëndi.

 

Dhe kujtoni tash e tutje

me të tilla dallavera

kukuvajka do përtypë

zog e zoga si përpara.

 

Po jo, grushti do të bjerë

përmbi krye të zuzarëve

koha është e maskarenjve

por Atdheu i Shqiptarëve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>