Akad.Krasniqi: Luftë e Demaçit dhe e të majtës, për ta zhdukur rugovizmin
Intervistë ekskluzive me akad.Mark Krasniqin, fletë për fyerjet e Demaçit ndaj presidentit Rugova
Bota sot: Profesor, si i Vlerësoni deklaratat e fundit të Adem Demaçit kundër figurës së presidentit, Ibrahim Rugova?
Akad.Mark Krasniqi: Me keqardhje përgjigjem në këtë pyetjen tuaj ashtu siç është dhe siç duhet të përgjigjem. Kjo është një deklaratë qëllimkeqe e Adem Demaçit, ai e ka urryer Ibrahim Rugovën për së gjalli dhe e urren edhe për së vdekuri. Është punë e tij unë nuk mund t’i them se përse po e urren këtë dhe po e donë atë tjetrin, por fakti është se ky dhe opinioni duhet me dit që ky është qëllimi i tij, por, jo vetëm i tij por edhe i rrethit të tij majtist që e ka pasur gjithmonë. Ai e din se me këtë ia bënë qejfin rrethit të tij dhe atyre që e përkrahin dhe atyre që e përkëdhelin, ia japin mundësinë të jetoj mirë, ta ketë pagën e mirë, pensionin dhe mesa kam dëgjuar sepse vet nuk e di dhe nuk jam interesuar për këtë punë, e ka edhe shoferin, edhe banesën apo Vilen në Sarandë apo s’di çka i kanë dhënë, prandaj ai e shikon interesin e tij dhe jo interesin kombëtar siç thotë ai. Unë po shtoj, se me Adem Demaçin nuk kam kurrfarë konflikti personal dhe i dëshiroj shëndet, jetë të gjatë dhe të gjitha të mirat, por unë nuk pajtohem aspak me këto deklarata të tij të cilat janë katastrofike, sepse nuk janë të vërteta këto që i thotë Adem Demaçi, asnjë gjë të vërtetë nuk e ka thënë, gjithçka negative. Rugova është simbol i atdhetarizmit tonë, arkitekt i pavarësisë së Kosovës, ai është njeri kombëtar, i cili e ka shkrirë jetën e tij për çështjen kombëtare.