Aurel Dasareti, Arizona
Fatin mund ta përballosh vetëm duke e kuptuar realitetin.Kam respekt të konsiderueshëm për z Albin Kurti, ama nuk pajtohem assesi kur ai në letrën e tij “Mbulesa” thotë:
“Islami e krishterimi nuk janë rrezik për kombin shqiptar. Territori kombëtar dhe pasuritë kombëtare janë në rrezik dhe jo identiteti kombëtar…Aq i fuqishëm e i qëndrueshëm është identiteti ynë kombëtar shqiptar saqë islami e krishterimi përfundojnë të integruara në kulturën dhe traditën tonë ashtu siç ka ndodhur tashmë përgjatë shekujve. Reagimet histerike se mos po hyjmë në krizë të identitetit kombëtar janë transferim…Shqetësimi për islamin e krishterimin ndër shqiptarë është kryesisht artificial.”
Po i bie shkurtër. Naivitet i madh një gjykim kësisoj i Albinit. Realiteti është ndryshe. Me miliona shqiptarë vullnetarisht janë asimiluar në “vëllezër” të fesë: turq, serb, “maqedon” grek etj e asnjë prej këtyre nuk u asimilua në shqiptar. A paskemi ne identitet të fuqishëm kombëtar a? Jo, ne kemi krizë të madhe identiteti. Islami e krishterimi nuk do t’ishin rrezik për kombin shqiptar – sikur të praktikoheshin islami dhe krishterimi burimor, lokal, e jo ai universal.
Mitet e Biblës dhe Kuranit, si çdo mit tjetër i njerëzimit, janë të pavlera dhe shumë të rrezikshme deri kur nuk u japim vetë një interpretim për ne dhe kohën tonë. Porse atëherë mund të bëhen shumë të rëndësishëm për ne.
Natyra fetare e mistifikon realitetin dhe shpesh nuk e merr shumë seriozisht. Gjithnjë është e prirë drejt lojës. Nuk i edukon bijtë, por mundohet t’i bëjë të lumtur.
Albini është atdhetar, energjik dhe vepron. Por, vetëm një hartë udhëzuese nuk është e mjaftueshme si prijë për veprimin; njeriu ka nevojë edhe për një pikësynim që i thotë se ku të shkoj.